Nga Novruz Zejnati*

U mbushën 73 vjet nga fitorja e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar e cila u zhvillua në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore, kundër dy fuqive agresore më të mëdha të kohës, Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. Gjatë viteve të fundit është folur dhe është shkruar shumë, mbarë e mbrapsht, për këtë ngjarje të madhe të historisë së Shqipërisë. Në shkrimet e në diskutimet për këtë çështje vihen re dy prirje të kundërta, që shprehin dhe vlerësime të ndryshme për Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare. Njera i bën Luftës një vlerësim realist, objektiv, plotësisht të merituar. Kurse tjetra përpiqet t’a errësojë e ta denigrojë, duke e cilësuar si një luftë civile, vëllavrasëse, për pushtet, e cila i solli vendit dëme, shkatërrime dhe fatkeqësi.

Në fakt diskutimi mbi rëndësinë e LANÇ-it dhe mbi vendin që zë ajo në historinë e popullit shqiptar nuk është i ri. Ai doli para opinionit publik shqiptar që në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë ishte e kuptueshme dhe e justifikueshme që të mos kishte një vlerësim unik nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar. Bota atëherë ishte ndarë në dy kampe të kundërta nga njera anë blloku fashist, i kryesuar nga Gjermania, Italia dhe Japonia, dhe nga ana tjetër Koalicioni Antifashist i kryesuar nga Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe SHBA.

E njëjta hartë e mendimit politik, ekzistonte pak a ashumë edhe në Shqipëri, bile ajo qe krijuar në vija të përgjithshme 5 muaj para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore, që në ditët e pushtimit Italian, në prill 1939. Që atëhere opinioni publik shqiptar ishte ndarë në dy kampe, pro dhe kundër okupatorit, pro dhe kundër bllokut fashist.

Shqipëria ishte ndër viktimat e para të agresionit fashist, por dhe ndër vendet e para që u ngrit me armë kundër tij duke dëshmuar kështu se shqiptarët ishin një popull liridashës, i qytetëruar e me dinjitet. Kur filloi qëndresën kundër pushtuesit fashist Italian populli shqiptar e dinte se vendet evropiane, që ishin të preokupuara e të rënduara në hallet e tytre, nuk i shqetsonte aq shumë fati i Shqipërisë dhe ndonjë ndihmë immediate prej tyre nuk priste. Ai e dinte gjithashtu se pushtuesit ishin të fuqishëm e mizorë e se forcat që Shqipëria mund të angazhonte në luftë kundër tyre as që mund të krahasoheshin me ushtritë fashiste të organizuara mirë e të armatosura me mjete moderne. Por, kjo as i trembi dhe as e dekurajoi popullin shqiptar. Ai nxori nga dheu pushkët e kryengritjeve të vjetra dhe nisi luftën për liri, pa marrë parasysh se sa do të zgjaste e sa do të kushtonte ajo.

Sapo mbreti Zog kaloi kufirin, në Shqipëri u kthyen mjaft nga kundërshtarët e tij politikë, pjesëmarrës në Revolucionin e Qershorit 1924. Një pjesë e tyre hynë në administratën e ngritur nga okupatori. Pushtuesi fashist u përpoq t’i mbante formalisht institucionet shqiptare për të krijuar përshtypjen se vendi do të vazhdonte të ishte i pavarur, megjithëse nën kontrollin e mbretit Viktor Emanueli III. Mirëpo mentaliteti i shqiptarëve, sidomos ai i brezit të ri nuk mund të pajtohej as me demagogjinë që po përdorte pushtuesi dhe as me qëndrimin që po mbanin një grusht kolaboracionistësh.

Sigurisht, Shqipërisë nuk i munguan dhe intelektualët patriotë e demokratë, të cilët qëndruan të distancuar ndaj okupacionit fashist. Bile, jo pak prej tyre iu kundërvunë hapur okupatorit dhe administratës kolaboraacioniste dhe për këtë arësye ata u burgosën e u internuan. Qëndrimi i tyre antifashist tërhoqi padyshim vëmendjen e opinionit publik. Mirëpo, veprimet e tyre kishin karakter spontan e individual, ndërkohë që vendi kishte nevojë për një forcë të organizuar, të aftë që ta udhëhiqte rezistencën antifashiste në shkallë kombëtare. Përgjithësisht tri ishin rrymat politike në vend, që mund të merrnin përsipër këtë barrë të rëndë e me përgjegjësi.

Së pari, ishin nacionaalistët liberalë, në radhët e të cilëve bënin pjesë intelektualë të formuar me kulturë perëndimore e krahas tyre dhe luftëtarë të njohur antifashistë si Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Muharrem Bajraktari, etj, të cilët sapo qenë kthyer ilegalisht nga mërgimi dhe tani qëndronin në arrati, në vëzhgim të situatave në pritje për të nisur aksionet e armatosura kundër okupatorit.

Grupimin e dytë politik e përbënin partizanët zogistë që nuk pranuan të hynin në shërbim të administratës kuislinge. Në këtë grupim bënte pjesë dhe Abas Kupi, i cili ishte bërë i njohur për pjesëmarrjen në rezistencën që iu bë ushtrisë italiane më 7 prill 1939. Megjithëse të pakët në numër, ata nuk ishin pa kapital politik. Në këtë kapital peshonte sigurisht dhe fakti që Zogu nuk e kishte miratuar okupacionin e 7 prillit 1939, pra nuk kishte abdikuar nga kurora mbretërore, por qëndronte, ndonëse si qytetar i thjeshtë, në mërgim, në Britaninë e madhe, në një nga vëndet kryesore të Koalicionit Antifashist.

Forcën e tretë politike antifashiste e përbënin komunistët, të cilët në këtë kohë ishin organizuar në disa grupe rivale. Pavarësisht nga divergjencat politike, ideologjike dhe taktike që kishin midis tyre, me shkathësinë që treguan në organizimin e demonstratave të para patriotike e me trimërinë që shfaqën në ballafaqim me policinë fashiste, komunistët tërhoqën shpejt vëmendjen e opinionit publik dhe hynë në skenën politike të vendit si një forcë e konsideru-eshme antifashiste.

Zgjerimi i rezistencës antifashiste dhe ashpërsimi mbi këtë bazë i situatës politike në vend, nxori dobësinë dhe paaftësinë e klasës së vjetër politike. Përballë zhvillimeve të vrullshme që po përjetonte vendi, si nacionalistët liberalë ashtu dhe zogistët u treguan të ngathët, të lëkundur e të çoroditur. Në këto kushte inisiativën e morën komunistët, të cilët lanë mënjanë mosmarrëveshjet dhe, në nëntorin e vitit 1941, u bashkuan duke themeluar Partinë Komuniste të Shqipërisë. Kjo u dha mundësi atyre që, hap pas hapi, me aksionet e guximshme e me dëshmorët e parë të rënë në luftë, të fitojnë kapital politik. Por kapitalin politik PKSH e fitoi sidomos me programin politik si dhe me platformën që shpalli për krijimin e një fronti të gjerë lufte, ku do të merrnin pjesë pa dallim të gjitha forcat politike dhe antifashiste të vendit. Krijimi i një fronti të tillë bëhej i mundur pasi PK në programin ë shpallur nuk shtronte kruyerjen e revolucionit socialist dhe vendosjen e diktaturës së proletariatit, e aq më pak shtetëzimin e mjeteve të prodhimit apo luftën e klasave. Në vend të tyre ajo shtroi çështjen e çlirimit të vendit, rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe ndërtimi e  një rendi demokratik në Shqipëri, duke ia lënë në dorë popullit që ta zgjidhë vetë pas çlirimit formën e regjimit që dëshironte. Ky program bëri të mundur që në Konferencën e Pezës të hidheshin themelet e një fronti të përbashkët me të gjitha forcat politike antifashiste. Në këtë mënyrë, që nga Konferenca e Pezës barrën e drejtimit të luftës e mori Fronti Nacional-çlirimtar, kurse Partia Komuniste ishte pjesë përbërëse e tij. Kështu që nuk është e drejtë teza se Fronti Nacional-çlirimtar nuk ishte tjetër veçse një fasadë e maskuar e Partisë Komuniste. Mjafton të kujtojmë që në Këshillin e Përgjithshëm Nacional-çlirimtar, të zgjedhur në Pezë, nga tetë anëtarët e tij, pesë ishin nacionalistë jokomunistë, duke përfshirë dhe kryetarin e tij Kamber Qafmolla. Sipas mendimit tonë, ajo pjesë e nacionalistëve që nuk pranoi të merrte pjesë në Frontin Nacional-çlirimtar veproi gabim, sepse po të merrte pjesë nuk do të linte që të rritej aq shumë pesha e Partisë Komuniste.

Me krijimin e Frontit Nacional-çlirimtar, lufta jonë u bë pjesë e luftës antifashiste botërore dhe u hodhën bazat e rreshtimit të Shqipërisë në Koalicionin Antifashist, udhëheqësit e të cilit nuk kënaqeshin vetëm me deklarata, por kërkomi angazhimin e forcave në luftë kundër agresorëve fashistë.

Si rezultat i luftës që po zhzvillonte Fronti Nacional-çlirimtar, në dhjetor 1942 tri Fuqitë e Mëdha aleate, Anglia, BS dhe SHBA bënë deklarata zyrtare me të cilat vlerësohej lufta e popullit shqiptar dhe ripohohej pavarësia e Shqipërisë. Me këto deklarata ata korrigjonin qëndrimin e “fatktit të kryer” që kishin mbajtur ndaj okupacionit të 7 prillit 1939.

Konferenca e Pezës vuri në lëvizje dhe qarqet nacionaliste liberale në vend, të cilat nuk qenë pajtuar me okupacionin, por që u shqetësuan nga rritja e natyrshme e ndikimit të Partisë Komuniste në opinionin e gjerë të vendit, ndikim që ishte në fakt pasojë e angazhimit total të Frontit Nacional-çlirimtar në luftën patriotike. Kështu lindi Balli Kombëtar. Në të vërtetë, brenda kësaj organizate nacionaliste kishte forca politike që mendonin se mund të përballonin ndikimin e Partisë Komuniste, duke u angazhuar në luftë kundër okupatorit. Dhe në fakt, disa çeta balliste u angazhuan në luftë.pikërisht ky angazhim krijoi bazën e afrimit me Frontin Nacional-çlirimtar, prirje kjo që çoi dhe në Mbledhjen e Mukjes.

Mbledhja e Mukjes, e zhvilluar në ditët e para të gushtit 1943, është pa dyshim një ngjarje e rëndësishme. Aty u kapërcyen divergjencat midis dy forcave politike që morën pjesë në mbledhje dhe në fund u konkludua me krijimin e një Komiteti të Shpëtimit të Shqipërisë, i cili do të drejtonte luftën dhe, pas saj, do të organizonte zgjedhjet e lira në vend. Por, zhvillimet politike pas mbledhjes shënuan një kthesë të paparashikueshme, e cila binte në kundërshtim me vendimet e marra aty. Hapin e parë, heqien dorë nga Marrëveshja, e bëri Partia Komuniste. Ajo mendonte se përfaqësimi i forcave politike në Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë duhet të ishte në raport me luftën që ato kishin zhvilluar dhe se ajo me luftën që kishte bërë deri atëhere duhet të kishte peshën kryesore aty. Përfaqësimin e barabartë të Frontit dhe të Ballit Kombëtar ajo e konsideronte të padrejtë. Nga ana tjetër, Partia Komuniste mendonte se krijimi i komitetit do të çonte në plogështimin e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-çlirimtar dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-çlirimtare, të cilët kishin udhëhequr me sukses luftën dhe kishin korrur fitore të rëndësishme. Në këto kushte, Fronti Nacional-çlirimtar e denoncoi Marrëveshjen e Mukjes dhe vendosi të vazhdojë me ritme gjithënjë e më të mëdha luftën kundër okupatorit, në mënyrë të veçantë kundër okupatorit të ri gjerman, që pas kapitullimit të Italisë fashiste zuri vendin e saj.

Balli Kombëtar e shfrytëzoi denoncimin që Fronti Nacional-çlirimtar i bëri Marrëveshjes së Mukjes, duke e akuzuar atë dhe Partinë Komuniste që, sipas tij, dominonte Frontin, se nuk ishin të interesuar për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Pas kësaj Balli Kombëtar filloi dalngadalë të hiqte dorë dhe nga ajo luftë e dimensioneve të vogla që kishte zhvilluar deri atëherë. Kjo qe tërheqia e parë e pajustifikuar, sepse Balli Kombëtar fare mirë mund të zhvillonte luftën kundër okupatorit jashtë Frontit Nacional-çlirimtar.

Pas vrasjes së Safet Butkës dhe Hysni Lepenicës, dy nga figurat e rrymës që ishte për luftë kundër okupatorit, në udhëheqjen e Ballit Kombëtar fitoi terren kështu që, i shqetësuar nga rritja e kapitalit politik të Frontit Nacional-çlirimtar, mendonte se këtë kapital mund ta eliminonte duke hequr dorë nga lufta kundër okupatorit dhe duke e përqëndruar fushatën e saj politike kundër Partisë Komuniste. Edhe Partia Komuniste, nga ana e saj, intensifikoi luftën kundër Ballit Kombëtar, por ajo nuk hoqi dorë nga lufta kundër okupatorit. Këtu qëndrojnë rrënjët e proçesit historik që u zhvillua pas vendosjes së okupacionit gjerman, i cili ka si karakteristikë kryesore jo vetëm largimin e forcave të Ballit nga lufta, por dhe afrimin e tij dalngadalë me qeverinë kolaboracioniste të Tiranës e me okupatorin gjerman. Në këtë rrugë eci më pas edhe Legaliteti. Me këto qëndrime Fronti Nacional-çlirimtar nuk e pati të vështirë që të sigurojë pushtetin në fund të luftës.

Një nga akuzat që Balli Kombëtar i bënte Partisë Komuniste ishte heqia dorë prej saj nga çështja e Kosovës. Në fakt, Fronti Nacional-çlirimtar çështjen e Kosovës nuk e kishte në plan të parë të programit të vet. Arsyeja është se ai ndiqte në këtë çështje porositë e udhëheqësve të Koalicionit Antifashist, të cilët ishin kundër ngritjes gjatë luftës të çështjes së ndryshimit të kufijve midis shteteve dhe aq më tepër që ata kishin deklaruar se nuk i njihnin kufijtë e vendosur me dhunë nga Hitleri e Musolini. Fronti Nacional-çlirimtar deklaroi mëse një herë se çështja e Kosovës do të zgjidhej pas lufte dhe se në zgjedhjen e saj rol të veçantë do të luante kontributi që do të jepnin vetë kosovarët në luftë kundër okupatorit gjerman. Në fakt, komunistët shqiptarë, të Kosovës e të Shqipërisë, nuk e lanë pasdore çështjen e Kosovës, veçse nuk e vunë atë si pikë kryesore të programit të tyre, për arsyet që shpjeguam më lart. Dëshmi për këtë është Konferenca e Bujanit, e organizuar nga Lëvizja Nacional-çlirimtare, në të cilën komunistët kishin peshën kryesore. Aty, siç dihet, u vendos që çështja e Kosovës të zgjidhej pas lufte me vetëvendosje, pa përjashtuar dhe mundësinë e bashkimit të saj me Shqipërinë.

Faktor tjetër që ndikoi në vijën politike të Ballit Kombëtar ishte bindja e udhëheqësve ballistë se aleatët e Koalicionit Antifashist, SHBA dhe Anglia nuk do të lejonin fitoren e komunizmit në Shqipëri. Por kjo qe një llogari e gabuar, sepse gjatë luftës Londra dhe Uashingtoni u bënë thirrje gjithë forcave antifashiste demokratike që të angazhoheshin në luftë dhe shprehën gatishmërinë për të ndihmuar këdo që luftonte kundër okupatorit, pavarësisht nga ngjyra politike.

Arsyeja kryesore që Lëvizja Nacional-çlirimtar korri fitore në këtë luftë dhe forcat e djathta, që bashkëpunuan hapur ose fshehurazi me okupatorin, ikën, qëndron tek lufta energjike që zhvilloi Fronti Nacional-çlirimtar. Pa hyrë në vargun e aksioneve luftarake, mjafton të kujtojmë dy operacionet e mëdha të ushtrisë hitleriane, operacionin e dimrit 1943-1944 dhe atë të qershorit 1944, të cilët janë nga faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me rezistencën heroike që zhvilluan partizanët së bashku me popullin kundër këtyre dy operacioneve të egra, forcat partizane jo vetëm nuk u asgjësuan, por siguruan fitoren. Pa u zgjatur në vlerësimin e këtyre operacioneve, do të kujtoj këtu pohimet e nënkolonelit të N.T.S. Uiler, një ndër oficerët e misionit britanik, të atashuar pranë Frontit Nacional-çlirimtar, që vepronte në Shqipërinë e Jugut. Në raportin që u dërgonte eprorëve të vet në Londër më 30 qershor 1944 duke iu referuar operacionit gjerman të dimrit, ndër të tjera shkruan: “Një komb që marshon zbathur në dëborë, një komb të cilit i janë djegur e plaçkitur shtëpitë dhe që vuan nëpër male qoftë dhe për të marrshuar ai komb meriton të fitojë”. Dhe më tej vazhdon: “Nuk ka dyshim se partizanët po zhvillojnë një luftë aktive kundër gjermanëve”. Kurse për qëndrimin e Ballit Kombëtar ai shkruan: “Është provuar dhe nuk mbetet pikë dyshimi se qeveria kolaboracioniste e Tiranës dhe Balli Kombëtar po bashkëpunojnë aktivisht me gjermanët dhe të tjerët, duke qëndruar sehirxhinj, po bashkëpunojnë me të në mënyrë pasive”.

Pikërisht me luftën heroike që zhvilloi, Fronti Nacional-çlirimtar e kreu misionin historik dhe i arriti objektivat themelorë strategjikë: çlirimin e vendit dhe rivendosjen e pavarësisë kombëtare. Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare ishte një provë, që tregoi vlerat morale e politike të shqiptarëve. Në këtë luftë populli shqiptar dëshmoi se ishte i mbrujtur me idealin e lirisë e të pavarësisë së atdheut. Ai tregoi zgjuarësi dhe pjekuri të madhe politike, duke u rrjeshtuar në krahun e forcave më përparimtare të kohës, krahas koalicionit anglo-sovjeto-amerikan. Më në fund, për të realizuar idealin e lirisë dhe të pavarësisë së atdheut ai nuk kurseu asgjë, pranoi çdo sakrificë. Shqipëria, një vend që s’i kalonte një milion banorë, arriti të ngrejë në këmbë një ushtri të organizuar që numëronte në radhët e saj mbi 70 mijë luftëtarë, e cila i gozhdoi në luftime në territorin shqiptar 15 divizione italiane e gjermane, me rreth 700 mijë ushtarë dhe nxori jashtë luftimit 70 mijë prej tyre. Shqipëria i dha luftës 28 mijë dëshmorë dhe mijëra të tjerë të plagosur e të gjymtuar në kampet e përqëndrimit fashist, veç djegies, shkatërrimit e rrënimit të fshatrave dhe qyteteve të tëra. Të llogaritura për frymë të popullsisë, Shqipëria zë një nga vëndet e para në botë për sakrificat dhe dëmet njerëzore e materiale në vitet e luftës. Ajo është gjithashtu vendi i vetëm në Evropë që u çlirua me forcat e veta. Në territorin e saj nuk hynë e nuk vepruan forca ushtarake të vendeve të tjera. Për të gjitha këto, Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare zë një vend të veçantë si një nga faqet më të ndritura të historisë së shqiptarëve.

E theksova në fillim të këtij shkrimi se në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte e kuptueshme dhe e justifikueshme të mos kishte një mendim dhe një vlerësim unik për Luftën Antifashiste. Sot, pas më shumë se 73 vjet, nuk ka arsye që të vazhdojmë të jemi të ndarë për këtë çështje. Lufta nuk u bë që të na mbajë, edhe pas kaq vitesh, të mbërthyer në dikskutime që na ndajnë e na përçajnë. Sot më shumë se kurrë na duhet mirëkuptimi, toleranca, respektimi i bindjeve dhe i pikpamjeve të ndryshme, kërkesa këto të domosdoshme për një Shqipëri të emancipuar e demokratike. Vetëm mbi bazën e tyre mund të sigurohet përparimi i shkencës, por dhe i demokracisë së vërtetë. Evropa e qytetëruar e demokratike ka kohë që i ka kapërcyer qëndrimet primitive, ekstreme, të djathta e të majta, mllefet dhe grindjet e vjetra për këtë çështje. Lufta Nacional-çlirimtare, nga largësia e më shumë se shtatë dekadave, na fton t’i lëmë mënjanë dallimet dhe bindjet partiake e ideologjike dhe të bashkohemi të tërë, si një trup i vetëm, si në vitet e lavdishme të luftës, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike, pluraliste, evropiane. Përvoja e jonë dhe ajo e vendeve të tjera tregon se një shoqëri e vërtetë demokratike nuk mund të ndërtohet ndryshe veçse duke çmuar e ruajtur vlerat e Luftës së Dytë Botërore, antifashizmin, frymën dhe idealet antifashiste dhe, në këtë kuadër, respektin dhe nderimin për dëshmorët dhe luftëtarët antifashistë, që derdhën jakun e tyre, për ta parë Shqipërinë të lirë, të pavarur e demokratike.

Me zhvillimet demokratike që ndodhën në Shqipëri, pas shëmbjes së murit të Berlinit, populli shqiptar u kthye përsëri tek vlerat e mëdha politike të Luftës Antifashiste, sepse Shqipëria u kthye në radhën e aleatëve të kohës së luftës, sidomos aleatëve perëndimorë anglo-amerikanë, të cilët e ndihmuan politikisht, moralisht dhe materialisht që të fitojë luftën kundër agresorëve fashistë, ashtu siç po e ndihmojnë edhe sot për të ndërtuar një Shqipëri të re demokratike.

*Doktor i Shkencave, Kolonel R.