(Trendi Evropën për të rënët, jo plehrinat dredharake’’pa uniformë e pa armë’’, të shpikura në gjirize mitomanësh të korruptuar…)

Nga  Doktori i Shkencave, kolonel R. Novruz Zejnati

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Lufta Antifashiste është margaritar në historinë tone. Pa atë luftë nuk do të kishte sot Shqipëri…! Teza “antifashizmi pa armë” është një përpjekje për të hedhur baltë mbi luftën tonë. Problemet që dolën në pah së fundi në Akademinë e Shkencave, me konceptin e gabuar të konferencës për 75 – vjetorin e çlirimit, por dhe reagimin kurajoz, në kohën e duhur e me argumentet e duhura të shumë historianëve, intelektualëve dhe të gazettes “Dita”, e cila me informimin e sensibilizimin e opinionit dhe tërheqjen e mendimit të disa penave të njohura në fushën e historisë si: Pëllumb Xhufi, Paskal Milo, Fatos Tarifa e shumë të tjerëve. Këto zhvillime, sipas mendimit tim, nxjerrin nevojën e një reformimi të thellë, jo vetëm të akademisë, por dhe të institutit të historisë, ku prej një dekade drejton e bën ligjin një grup ballistësh të përkëdhelur gjithë jetën, e së fundi të inkuadruar kundër luftës. E për çudi, kjo situatë deri tani nuk ka shqetësuar asnjë nga organizmat e shtetit, nga i cili ai mori jo pak, e me të drejtë me insitutin e krimeve kundër komunizmit, por jo me institutin e historisë, edhe se ky instuticion i finacuar nga shteti.
Shkrimtari i madh I. Kadare, e ka thënë me kohë se ‘’burokracia e burokratët i frikësohen njerëzve të ditur dhe bëjnë çmos e shpesh ia arrijnë nga këto punë (punët studimore me rëndësi për kombin), për të cilat do të kishin më shumë dobi institucionet sesa vetë ata’’.

Mua më çudit fakti që studuesit brilantë, si Pëllumb Xhufi, me kulturë e njohuri jo vetëm për mesjetën, por dhe periudhat e tjera të historisë, përfshi dhe ato të reja, luftën e periudhën pas saj, siç e kemi parë dhe në kumtesat e artikujt shkencorë të referuar e të botuar, lihen jashtë organizimit të një aktiviteti të rëndësishëm siç është kjo koferencë, e nuk harrohen të thërriten militantë të njohur të PD-së, si historianë e studiues të periudheve të tjera, por jo të luftës, militantët mund të jenë dhe sazexhinjë…! S’ka rëndësi, mjafton të jenë njerëz të bindur dhe pa arsye, se sa të ditur e të vërtetë !? Profesor Kristo Frashëri e konsideronte P. Xhufin një talent që premton të bëhet një pasardhës i denjë i shkallës së A. Budës. E pikërisht, ky dhe profesorë të tjerë me shumë vlera si P. Milo, F. Tarifa etj, lihen jashtë komisionit të ngritur të 75-vjtorit të luftës për çlirimin e kombit !? …Dhe si rrjedhojë e këtij mentaliteti është që lufta, njëra nga periudhat më të ndërlikuara e më të debatuara, të bjerë në dorë të punonjësve që s’janë marrë kurrë me të; që lënë punët e periudhat me të cilat janë marrë gjithë jetën për t’u marrë me luftën, pasi kjo u jep mundësi të lidhen me ballistët e së bashku të angazhohen në kryqëzatën kundër luftës antifashiste, duke menduar se kështu bëhen të njohur në opinionin publik.

Terma të tilla si “antifashizmi popullor”, që mesa duket synon goditjen e antifashizmit të vërtetë, si rrjedhojë kemi të bëjmë me një  strategji serbo- ruse në dëm të Kosovës e Shqipërisë për të larguar vëmendjen nga problemet reale që populli ka, si varfëria e tejskajshme ekonomike, padrejtësia, krimi, etj. Kjo është një strategji politike dhe qeveritare e cila është ndjekur në vendin tone nga viti 1990 e deri në ditët e sotme, bile vazhdon me konsekuencë edhe nga qeveria Rama.
Nuk është e re kjo strategji, ajo ka filluar me sllavo-komunistin Sali Berisha në fillim të viteve ‘90. Rama vetëm se po e vazhdon dhe e thellon atë me strategjinë e bunkerëve, me rehabilitimin që i bëri Mit’hat Frashërit vitin e kaluar për të mbrritur te kjo Konferencë. Akademia ka rënë në kurthin e kësaj ortakërie ballisto –fashiste kundër LANÇ-it. Pavarësisht se kritikat kundër qeverisë kanë qenë vetëm tejet të rrepta, ajo hesht ! Prandaj, dhe kemi të drejtë jo vetëm të dyshojmë, por të themi me plot gojën se kjo është një strategji politike që qeveria “Rama” e ka shumë për zemër. Turp ! …Dhe pretendon të jetë një qeveri e majtë ?!

Dua t’ju kujtoj levantinëve të politikës shqiptare për argument hipokrit e që bëjnë me shembullin e Francës; pasi ata vetë e dinë se çfarë kanë firmosur…!? Marshalli i Francës Peten, i cili , megjithëse pas Luftës së Parë Botërore ishte shpallur hero i atdheut dhe në vendin ku ishin vendosur ushtarët francezë të rënë në betejë, ishte parashikuar dhe varri i komandantit të tyre. Pas Luftës së Dytë Botërore, për veprimet e tij në lidhje me nazizmin, Peteni dënohet me vdekje nga gjykata franceze, ku dhe u fol nga De Goli, që në atë kohë ishte Kryetar i Shtetit, duke ia kthyer dënimin nga me vdekje në burgim të përjetshëm. Më pas, në moshën 95 vjeç vdiq në burg. Familjarët kërkuan ta varrosnin në vendin ku preheshin edhe ushtarët e tij të Luftës së Parë Botërore, por shteti francez nuk pranoi. U zbatuan rregullat si për të gjithë të dënuarit, u varros në varrezat e burgut. Në këtë mënyrë mesazhi që jepet ishte se kush punon kundër interesave të vendit e tradhëton, pavarësisht kontributeve merr atë që meriton.

Në luftën antifashiste për çlirimin e kombit dhanë jetën mijëra dëshmorë, bija e bij të këtij populli. E ngatërrojnë kot luftën me historinë e pasluftës. Ajo luftë pati edhe viktima të shumta, e sidomos të rinj e të reja. Kush ka shkuar në varrezat e dëshmorëve kanë parë se aty gati mbi 80% e tyre, të cilët dhanë jetën, qenë të moshave 16 deri 25 vjeç, pra në kohën më të bukur të tyre, në lulen e rinisë, e dhanë jetën për çlirmin e vendit. A mos menduan ata që do të bëheshin gjeneralë apo ministra dhe titullarë pas lufte?! Marrëzi, askush nuk e kishte idenë për këto! Pa folur këtu për pikpamje komuniste, as që mendonte kush gjëra të tilla !…Veçse secili mendonte një shtet demokratik dhe me barazi sociale, në mënyrë që të gjithë pas çlirimit nga të huajt të jetonin të lumtur e me dinjitet në këtë vend.  Antifashizmi nuk mund të trajtohet si një fenomen abstrakt apo spontan, pa substancë, pa faktorë e rrethana që e diktuan, pa aktorë që e përpunuan e i dhanë jetë. Me angazhimin e sakrificat në luftë dhe me dëshmorët e rënë në beteja me armiq e tradhëtarë, merita në përqafimin e afirmimin e kësaj ideje nga popujt e forcat përparimtare në të katër anët e globit, ishte në radhë të pare e aleatëve Amerikano – Sovjetik – Anglez, të cilët dhanë të parët shembullin më të lartë të kuptimit të situatës, të momentit historik që kalonte bota, të rrëziqeve reale që kërcënonin njerëzimin duke hedhur vetë më së pari prapa krahëve mospajtimet ekzistuese për t’i hapur rrugë bashkimit rreth një kauze të përbashkët. Kjo ishte detyra e një kohe dhe një organizmi të ri, si një garanci të paparë e të panjohur deri atëherë siç ishte koalicioni antifashist, i cili bashkonte popuj, vende e shtete, forca politike, pavarësisht orentimeve idelogjike që kalonin në plan të dytë, të bindura se vetëm kështu do të mund t’i bëhej ballë makinës luftarake të nazifashizmit dhe të shpëtohej njerëzimi nga katastrofa që e priste.

Historiani nuk duhet të ketë frikë t’i thotë të vërtetat historike të luftës dhe meqë flitet për luftën, le të shihet ndarja nga paslufta. Vetëm kështu mund të flitet me përgjegjshmëri sa historike, aq edhe shkencore. Asnjë historian serioz nuk do të guxonte të mos përmendte rolin vendimtar që luajti Partia Komuniste Shqiptare dhe roli i Enver Hoxhës për organizimin e fitimin e asaj lufte.

Aleancën e madhe antifashiste botërore e realizuan, e udhëhoqën udhëheqësit largpamës Rusveli, Stalini e Çërçilli, të cilët kuptuan se vetëm bashkimi e angazhimi në luftë i potecialeve që dispononin dhe bashkërendimi i veprimeve politike dhe ushtarake të vendeve, popujve, shteteve të koalicionit antifashist, do të bënte të mundur që të ndalej furia e agresionit nazifashist, të thyhej miti i pathyeshmërisë të ushtrisë nazifashiste, duke rritur besimin e angazhimin e popujve dhe shteteve aleate në këtë betejë për lirinë e gjithë popujve të botës. Prandaj, mbani këtë “yrysht” o politikanë, se historia do historianë, në fakt s’mund të ndryshojë kur historisë i jepet një bojë. E vërteta historike është e fuqishme, ajo u reziston rrebesheve të çdo kohe e në çdo rrethanë qofshin ato. Balli Kombëtar, s’vrau gjermanë, vrau shqiptarë, prandaj përjetë do mbetet një organizatë tradhëtare. “Se, rron-or rron,e s’vdes shqiptar, dhe i jep dënimin çdo tradhëtari”. Nuk e kuptoj se si mundet që një institucion i lartë shkencor të përpiqet të fshehë e t’i largohet këtij realiteti të luftës së popullit shqiptar, duke i ngjitur bishta nga prapa antifashizmit, duke i vënë në përdorim termin “antifashizëm popullor”, i përpunuar me kohë në ofiçinat propagandistike të Ballit Kombëtar. Historia ka provuar se popujt kurrë nuk mund të arrijnë të realizojnë aspiratat e tyre sado sakrifica të bëjë, pa nxjerrë nga gjiri i tyre një force të aftë e besnike që të prijë, ta organizojë, orentojë e udhëheqë luftën për realizimin e tyre.   Vetëm duke patur në krye një forcë të tillë, ata mund të bëhen të ndërgjegjshëm për misionin e për energjitë transformuese që fshehin në gjirin e tyre, vënia në lëvizje e të cilave do të sillte ndryshimin që ata dëshirojnë.

Edhe tek ne, antifashizmi kishte kohë që njihej e debatohej në rrethe intelektuale, të cilët shihnin qartë rreziqet që kërcënonin vendin nga gjallërimi i tendencave fashiste; nga depërtimi i kapitaleve italiane dhe grabitja e pasurive kombëtare, nga ndikimet e idelogjisë dhe kulturës fashiste duke përgatitur nga miopia, paftësia dhe korruptimi; komprometimi i ish-Mbretit e klasës së vjetër politike që e mbështeste. Por kjo ide e madhe do të kthehej në një force të vetëdijshme transformuese revolucionare me themelimin e Partisë Komuniste e të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Programi i miratuar në Pezë ishte një program kombëtar që synonte më së pari të zgjidhte Cështjen Kombëtare, të rivendoste pavarësinë e shpallur në Vlorë më 1912, që ishte shkelur e mohuar nga nazifashistët. Por ai ishte njëherësh antifashist. Kjo përputhje ishte logjike dhe e natyrshme. Masat popullore e kuptuan se vetëm duke u bashkuar rreth programit të miratuar në Pezë e duke iu përgjigjur thirrjes së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar për t’u angazhuar në luftë, përkrah aleatëve Anglo-Sovjeto- Amerikanë, do të mund të realizonin aspiratat liridashëse e kombëtare. Kjo rrugë do të rezultonte shpëtimtare për vendin e për kombin shqiptar, pasi do t’i shpëtonte nga copëtimi, nga shkombëtarizimi e asgjesimi. Në turmat “antifashizëm popullor” dhe “antifashizëm pa armë e uniformë”, kërkohet edhe një rivlerësim i kontribuesve të tjerë në atë luftë, që deri më sot më së shumti janë denigruar ?!

Kërkohet rehabilitimi i Ballit Kombëtar e zogistëve duke i quajtur edhe ata antifashistë ! Kjo nuk është e vërtetë. Organizatat e tjera që u krijuan e vepruan në periudhën e okupacionit, pavarësisht maskave e premtimeve demagogjike, nuk e arritën këtë shkallë ndërgjegjësimi e organizimi për të mbetur deri në fund vegla e forca ndihmëse të okupatorit; të papërfillura nga autoritetet e pushtimit, por dhe të urryera nga populli. Sigurisht, edhe në radhët e tyre ka patur elementë apo grupe të caktuara që dëshironin  e u përpoqën që të kapnin trenin e kohës, të përqafonin antifashizmin, por nuk e arritën dot këtë, nuk arritën të formësohen si organizata apo grupe antifashiste, pasi ato u mbytën nga konservatorizmi, meglamonia e paaftësia e krerëve, nga vija e disiplina partiake që u imponua prej tyre. Ky realitet nuk mund as të fshihet, as të ndryshohet nga askush. Edhe diskutimi, pas kaq viteve i termave “dëshmorë”, “martirë”, “viktima” të luftës, mua më duket krejt pa vend.

Vetëm akademia  jonë, si Sali Berisha në fillimet e trazicionit, nuk e paska marrë ende vesh kuptimin e tyre dhe po kërkon që ato të debatohen e të sqarohen në konferencë. Nuk ka dyshim, se një diskutim i tillë i shkon përshtat ballistëve, iu çel atyre shtegun për të goditur dëshmorët e atdheut dhe PKSH e Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, forca politike në të cilat milituan, u edukuan e u angazhuan në luftë kundër agresorëve nazifashistë, duke dhënë jetën e tyre të re për lirine e pavarësinë e atdheut. Do të jetë e pafalshme nëse konferenca do të merret me gjëra të tilla, për t’iu larguar diskutimit të çështjeve reale, thelbësore të kësaj periudhe për të cilat është diskutuar gjatë gjithë këtyre viteve. A mund të kuptohet lufta dhe rezultatet e saj, ndryshimi që ajo solli në planin nacional e social, pa rolin e komandantit të përgjithshëm si S. Moisiu, E. Hoxha, e të bashkëluftëtarëve e bashkëpunëtorëve të tij si: M. Shehu, T. Jakova, H. Kapo, B. Balluku, Rr. Përllaku, A. Hasko, N. Prodani, etj. Pa komandantët e komisarët e formacioneve partizane, pa anëtarët e forumeve të LANÇ-it, Këshillit të Përgjithshëm e të Shtabit të Përgjithshëm, e në mënyrë të veçantë pa dëshmorët dhe heronjtë e lavdishëm të luftës për çlirim, si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Vojo Kushi, Manush Alimani, Perlat Rexhepi, Mihal Duri, etj. Akti i të cilëve frymëzoi të rinj e të reja në të katër anët e vendit, në qytet e në fshat, të cilët u angazhuan në luftën çlirimtare, pa marrë parasysh sakrificat e rreziqet për shpëtimin e kombit, me moton se: asnjë sakrificë nuk është e tepërt kur bëhet për një çështje të madhe siç ishte liria, pavarësia e demokracia, për të cilat ata dhanë jetën e tyre të re.

Akademia jonë, pasi “zgjidhi” të gjitha çështjet dhe mëdyshjet historike, politike, ekonomike, gjuhësore, kulturore, e shkencore të vendit, realizoi kohët e fundit edhe arritjen e saj më të “madhe” me rrezatim mbarëbotëror: “studimet e saj të vyera arritën të përmbysin mendimin historik, moral dhe politik botëror të deritanishëm mbi qëndrimin ndaj pushtuesve dhe mjetet e luftës ndaj tyre”. Akademia dhe kryeministri Edi Rama, mendjemprehtë, të mbushur me atdhedashuri, konkluduan se antifashizmi që duhet promovuar  në 75 vjetorin e çlirimit, është ai i kafeneve mejhaneve dhe odave me oxhaqe ku mblidheshin për natë “patriotët” e pahepur duke diskutuar me zjarr për fatet e vendit nën avujt e alkolit, e aromën e mishit të pjekur në hell. Ky “antifashizëm” i hollë, i kamufluar dhe vetësakrifikuar ishte dhe mbetet faktori kryesor i dështimit të ushtrive të boshtit në Luftën e Dytë Botërore.

Mendjet e ndryshkura të politikanëve dhe ushtarakëve kryesorë të botës së saj kohe, nuk kishin arritur ta kuptonin këtë zbulim…..(!). Dua t’u them  këtyre pseudoakademikëve se, qysh nga lashtësia, mendimtarë, historianë, filozofë, ushtarakë, politologë, kishin shkruar me mijëra libra me të cilat jo vetëm evokonin heroizmat e popujve dhe udhëheqësve të huaj, por jepnin konkluzione edhe rreth taktikave dhe strategjisë ushtarake, si dhe llojeve të armatimeve që janë apo duhen përdorur, që nga heshta dhe harku me shigjetë, e deri tek arma bërthamore.
                       ***

Durrës, nëntor 2019