Masakra ndaj qytetit të Durrësit

Postuar: 20/05/2014 - 08:55

Durrës, 20 maj 2014 - Rubrika "Shqipëria tjetër" është ndalur këtë herë në qytetin e Durrësit, për të denoncuar masakrën e bërë ndaj arkeologjisë në emër të betonit, që ngre krye mbi vlerat e trashëgimisë kulturore që qyteti mijëravjeçar ruajti ndër shekuj.   

“Qyteti i Durrësit, Dyrrahu apo Epidamnus siç quhej në fillesat e tij, është një ndër qendrat më të lashta dhe më të rëndësishme në Shqipëri. Thonë se kudo të gërmosh në qytetin bregdetar, nxjerrin kryet gjurmët e antikitetit, të cilat të kredhin thellë në historinë e tij. Gjurmë, që sot po shuhen, po zhduken, po shpërbëhen, jo nga koha, por nga pushtuesit modernë prej betoni, që po hanë e po shkatërrojnë çdo vlerë të tij”… 

T’i gjesh sot këto gjurmë nuk është e lehtë, përkundrazi... Ato janë shkrehur pallateve, mureve, ngrehinave të shëmtuara disa katëshe, që i kanë mbytur barbarisht. Ky copëz mur, që duket sikur po i merret fryma, dikur ka qenë pjesë e murit rrethues të qytetit, që nga shekulli i III para Krishtit, duke kaluar disa faza deri në Mesjetën e hershme, në shekujt 14-15. Kohë më pas u ndërtua një godinë, që e kishte mur mbajtës e që shërbente si qendra e Sanxhakut turk në Durrës, pastaj selia e Princ Vidit, ndërsa në kohën e komunizmit Pallati i Pionerëve. Shkallë-shkallë për të arritur në ditët e sotme, kur u shndërrua në këtë pallat shumëkatësh.

Jo larg, hamamet e periudhës osmane, që duhet të tërhiqnin turistë të shumtë, por të cilët do të gjenin sot aty veç një derë të mbyllur, me një dryn të stërmadh varur saj. Forumi rrethor është një tjetër vlerë e qytetit, i vetmi monument publik i periudhës së Antikitetit të vonë. Ai është zbuluar diku në mes të viteve ’80, teksa u shemb shkolla që ngrihej në këtë vend, e ku më pas do të ndërtohej një pallat. Gjithçka u ndalua për të ruajtur forumin rrethor. Edhe termat romakë të ruajtura nga koha e komunizmit sot, dergjen pa elementin më minimal, që do t’i bënte realisht të vizitueshme: ndriçimin e pastrimin e plotë të tyre. Në fakt, qyteti i Durrësit, katër pikat më të rëndësishme monumetale i ruan që përpara viteve ’90. Amfiteatrin, Forumin rrethor, termat dhe murin rrethues. Më pas asgjë, veç kujtime për zbulime që ekzistonin, por nuk mbijetonin.

Ka edhe më keq rrugicave të Durrësit. Në këtë vend, dikur, ndërtimet mund t’i numëroje me gishtat e njërës dorë. Ndryshe nga sot, ku orientimi është thuajse i pamundur. Mes shtëpive, e futur në një morsë tullash e llaçi, ndodhet çisterna mesjetare e ujit, Monument Kulture i kategorisë së parë, dhe sot një shtëpi banimi.

Në terrin e themeleve të një pallati tjetër, zhytur në një vend që përngjan më shumë si një banjo publike, ngrihen këto rrënoja antike, që i kanë fillesat e tyre në shekullin e III para Krishtit, e deri në Antikitetin e vonë. Nuk ka asnjë tabelë, që të tregojë për ekzistencën e tyre, ose që të paralajmërojë minimalja se, për të zbritur e për të dalë sërish i gjallë, të duhet një kundragaz.

Vijojmë më tej turin tonë, në makthin e trishtimin që të sjell njëkohësisht masakra me këto vlera të mëdha historike e identitare. Pas këtij muri me teneqe, e nën këtë liqen ku kërcëllijnë bretkosat, gjenden struktura që i përkasin periudhave të ndryshme kohore. Shpesh pretendohet se mes tyre mund të gjendet edhe fari i qytetit. Rrënojat datojnë nga shekujt 4 dhe 3 para Krishtit, në shkullin e 4 pas Krishtit.

Është e kot të kërkosh ekspertë, që të të flasin për këto çështje. Nuk është e lehtë, pavarësisht se të gjithë, edhe banorët e thjeshtë, e njohin këtë batërdi në qytetin e tyre. Durrësi është një nga ato qytete vlerë-mëdha, që duhet të gëlojë nga turistët, që sigurisht vijnë për të prekur historinë, për të ndjerë aromën e rrënjëve të thella të këtij qyteti, e jo atë të betonit të kudondodhur. Sikur të mos mjaftonte pjesa tjetër, edhe Muzeu Arkeologjik është i mbyllur. Prej më se 3 vitesh, ai po kalon një proces restaurimi të nisur që në 2011-n, e që u zvarrit siç zvarriten punët gjithmonë në këtë vend. Ministria e Kultures ka ngritur një grup pune, për të bërë të mundur edhe pastrimin e objekteve me vlerë të Muzeut, që prej kohësh ishin lënë në mëshirë të fatit, e për t’i dhënë fund në këtë mënyrë mbylltësisë së tij.

E megjithatë, një pjesë e fondit arkeologjik të paekspozueshëm, objekt studimor i Qendrës së Studimeve Arkeologjike, është zhvendosur në një magazinë të vogël, ndërsa tjetra në qiell të hapur. E të mendosh se këto objekte kanë hyrë në listën e Trashëgimisë Kulturore, pjesë e Qendrës së Inventarizimit Kombëtar. Disa prej tyre janë ciflosur dhe ngjyer jo pak nga llaçi i derdhur mbi to, gjatë kohës së restaurimit të Muzeut. Janë ruajtur për shekuj, janë dashur kohë të nxirren, por kafshëria nuk ka treguar aspak kujdes për t’i zhvendosur, kur kryheshin punimet.

Në zonën e njohur në Durrës si “Lulishte 1 Maji” dikur ngriheshin këto rrënoja, si një nyje e rëndësishme e qytetit romak, ndërsa sot ngrihet ky vigan i kohëve moderne. Për mbetjet arkeologjike është parashikuar vetëm një hapësirë e vogël mes tij, me pretendimin se ato do të vazhdojnë të jenë aty të shikueshme dhe të prekshme nga të gjithë. Dy anë të së njëjtës monedhë, një lagje e ngritur me konceptin e lashtë romak, dhe një me atë të konceptit të ri të Durrësit ngjyer beton.

Ka kohë për të prekur ende, të ashtuquajturën Kullë Trekëndore, pjesë e sistemit të dikurshëm mbrojtës të qytetit bizantin, që mendohet të jetë ndërtuar në shekullin e 5, e që ngrihej në ekstremin më verior të tij. Sot duhet të bësh cirk mes gardheve, për të parë ende diçka në këtë vend.

Qyteti bregdetar mund të të ofrojë kudo elementë të tillë, pjesë të tilla që flasin për historinë e jashtëzakonshme të tij, për kulturën e madhe që mbart. Deri më sot, jo vetëm nuk është bërë asgjë, por edhe shumë vlera janë rrënuar e shkatërruar. Edhe pse fjalët, premtimet kanë qenë aq shumë, sa duken si poezi, si refrene të përsëritura e përsëritura pafund, si vendi sot i mjeruar ku dikur ka qendruar i madhi Fan Noli. Durrësi është një nga perlat e Shqipërisë, e kombit shqiptar. Ndaj meriton më shumë, duke filluar nga Amfiteatri, që ende një pjesë të madhe të tij e ka të pagërmuar. Historia nuk bëhet sërish e nëse sot ajo shuhet, çfare do të tregojmë nesër? Apo pallatet shumëkatëshe prej betoni?!

/Top Channel/

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Mjeku Ashim Zogu, njihet si një prej atyre pak mjekëve të ndershëm në Urgjencën e spitalit të Durrësit I cili ka marrë të gjithë vlerësim

*Përpjekje për t'u kthyer në një institucion pushimi bashkëkohor

Nga Shefqet Kërcelli

   Pasditja e së shtunës së 23 qershorit do të mbetet gjatë në kujtesën e maturantëve të 40 viteve më parë, të gjimnazit të njohur të Dur

   Mbi kodrat e buta të fshatit Shkallnur, vetëm 2 km larg nga rruga nacionale Plepa - Ndroq, gjendet ferma më e re “Pema e jetës”, inves

   Me dhjetëra djem e vajza nga Shqipëria po arsimohen në universitetet më të mira të botës, duke u kthyer në “brezin” e shpresës që do t