Nga BUJAR QESJA

Ora 16.06, e ditës së sotme, e dielë 9 qershor 2019. Përtej telit të telefonit, një zë i trishtë, i lodhur dhe i këputur. Me shumë ishte një pëshpërimë e të folurit, se sa një artikulim zanor.
-Bujar! Toni na la. Nesër në orën 14.00, i japim lamtumirën e fundit.

Zëri i mjeshtrit u shua menjëherë, duke më lënë në hidhërimin e thellë të një humbje. U nda nga jeta, në moshën 53 vjeçare Anton Herczegh, djali i kalorësit të basketbollit Niko Hercek. Teksa festonim në ditën e basketbollit me 29 qershor 2018, eveniment që organizon për çdo vit me datë 29 qershor Igli Goga, Rita Hercek, gruas së Nikos i jepet lamtumira e fundit.

Po qëndronim një pasdite, së bashku me Nikon. Gjithnjë takimet me Hercekun, më japin kënaqësi, pasi në bisedë manifeston shumë kulturë. Absolutisht jo vetëm sport.
-Erdhi 29 qershori 2019, më tha mjeshtri. Igli do të na mbledhë sërish. Mezi pres të rishikohem me miqtë dhe shokët. Po më ligështon ai djalë. Nuk është mirë. Ishalla po e kalon këtë gjëndje!

Antoni ishte një djalë i shkëlqyer. Thonë se për të vdekurit, nuk ka sharje. Por Toni ishte i rrallë. Një djalë i urtë, i qetë, me një komunikim që të linte mbresa. Kur Herceku u ndodh, për shumë e shumë vite në Patra të Greqisë, ky Toni më sillte lajme për mjeshtrin e çquar. E bënte shpesh rrugën e Greqisë, por kurrë nuk ndahej nga qyteti i lindjes Durrësi. Basketbollin, sportin e të jatit, e kishte shumë për zemër. Luante edhe vetë dhe ishte amator i thekur. Me një grup shokësh, mblidheshin dy herë në javë dhe luanin, në sallën kryesore të pallatit të sportit “Ramazan Njala”.

Kur Rita u nda nga jeta, po dëgjoja që edhe Toni ka probleme. Një masë e huaj, kishte filluar ta shqetësonte në stomak. Konsulta të vazhdueshme me mjekët italianë. Bashkëshortja, violinistja e njohur Nevila Kalaja edhe kjo një grua e rrallë, nuk iu nda për asnjë çast Tonit tonë. Kimioterapi për një kohë dhe më 30 tetor 2018 operacioni në stomak.

Me 28 gusht 2018, në urimin që i kam drejtuar me rastin e 52 vjetorit të lindjes, shkruaj:
-Urimet më të mira me rastin e përvjetorit të lindjes. Kurajo për një shëndet aktiv dhe të qendrueshëm. Të duam për shumë kohë pranë!

Me 5 shtator 2018, i gëzuar pa masë për 80 vjetorin e lindjes së të jatit, Niko Hercek, Anton Herceku bën këtë urim publik:
-Shumë faleminderit për urimet në datëlindjen e babës tim! Qofshi të gëzuar!
4 shtator 2018

9 qershor 2019! Një njoftim i dhimbshëm, na preku dukshëm. Përsëri nga familja Hercek, shkëputet një tjetër pjestar. Është ai, që nuk donim të ishte. Është ai djalë për t’u pirë në kupë, që kur e takonim ndjenim kënaqësi dhe krenari. Kishte një buzëqeshje, që si një trëndafil e stoliste fytyrën e tij fisnike.

Anton Herczegh! Nuk duam ta besojmë, se nuk do të shikojmë më. Shumë të lodhi sëmundja! Por besuam, se mund të ndodhte mrekullia. Me 29 qershor 2018 lamtumira e Rita Herczegh. Me 10 qershor 2019, lamtumira i Anton Herczegh. 
Zoti i bashkoi në parajsë, nënë e bir.

Niko Herczegh, miku dhe shoku ynë i rrallë! Kam detyrë të të them, se nuk je vetëm. Më shumë vëmëndja ndaj teje tani, si kurrë më parë. Rita dhe Toni nuk janë më. Por pranë nesh qendron ti, gjigandi historik i top koshit.

Ngushëllimet më të ndjeshme mjeshtër! Dhimbja është e madhe. Por më e madhe do të jetë mbijetesa yte, në këtë moshë të thyer 81 vjeçare Niko Hercek. Optimizëm dhe kurajo. 
Paç besimin e Zotit vëlla!

Durrës më 9 qershor 2019