Me njeriun e urtë dhe fisnik Selami Dakoli, përfaqësues tipik i qytetarisë së Durrësit

07/10/2019 - 22:26

Nga BUJAR QESJA

Mbrëmja e 7 tetorit 2019, do të vinte aq surprizuese për mua, duke më ofruar një mik të rrallë. Me një trastë të thjeshtë, me një veshje po të tillë, me një qetësi që e ka vetëm ai, më çfaqet në vëndin tim të punës. Cili? Selami Dakoli. Sapo e pashë, nxitova t’i hapja derën natyrale dhe ta ftoja pa humbur asnjë sekondë, të ulesh, aty ku zakonisht janë miqësia ime.

U përqafuam me mall. Kisha vite pa e parë atë shok, atë mik, që në tërë segmentin e viteve 90-të, nuk linim orë pa u takuar e jo më ditë, javë, muaj, e vite. Selamiu vuan nga një diabet aktiv, i cili në mënyrë të pamerituar, ka pushtuar territore në fizikun jo fort të bëshëm të Selami Dakolit. Me 18 dhjetor 2019, Sela siç i thërras unë, mbush 75 vjetorin e lindjes. Ia dhashë si paradhënie urimin dhe bekimin tim, për të qenë së bashku dhe për shumë vite të tjera.

-Pse kam ardhur në këtë mbrëmje? më tha i miri dhe i urti i Dakolëve.
Rrëmon në trastën e tij dhe më nxjerr një libër.
-Është botimi im i fundit. Ti e din se kopjet e para, unë ia shpërndaj shokëve dhe miqve të vjetër, një prej të cilëve je pa dyshim edhe ti.

Nuk kishte dhuratë më të shtrenjtë. Brenda saj, në faqen e parë, pikërisht në vendin e dedikimeve lexova:
Z. Bujar! Gjithmonë me respekt. Selami Dakoli. Durrës, 5 tetor 2019.

E urova me shpirt dhe me zemër. E putha kopertinën e librit “Perla Urtësie” (Përmbledhje aforizmash, pikpamje të popujve të ndryshm dhe të njerëzve të mëdhenj). U ngrita në këmbë dhe shpreha mendimin tim të çastit, duke e falenderuar për punën kolosale që kishte kryer.

E pyeta edhe për shpenzimet, pasi një pensionist si ai, me të ardhura shumë të kufizuara, do ta kishte patur shumë të vështirë, botimin e një “Perle Urtësie”.
I emocionuar, duke iu dridhur pak zëri dhe me atë të folurën e tij shumë të qetë dhe aspak të një tonaliteti bezdisës, foli:

-Kam muaj që kursej nga lekët e ditës. Bëra do të holla dhe shtypa 100 kopjet e para. Me të thënë të drejtën, të zorshme e kisha. Guxova një ditë dhe iu luta një të njohuri, që është në gjëndje. Nuk më ktheu përgjigje. Dhe unë “fola” me xhepin tim, i cili më dha fjalën se do të më ndihmoj.

Por ajo që më trishtoi, ishte një dukuri fizike, që e bënte të vuaj mikun tim të mirë, të urtë, të ëmbël, fisnik dhe me një shpirt të pafund mirësie. Dhe pa u ankuar, pa u qarë, por me të folmen me ton të ulët dhe të zakonshmen të tij, më shpjegoi:
-Me njërin sy Bujar, mik i hershëm dhe shumë i respektuar për mua, nuk shikoj fare, njëqind përqind. Ndërsa me tjetrin, vetëm 20 përqind. Dhe me këtë shikim, si një qiri në tretje, arrita ta shkruaj këtë libër.

Nuk e teproj, nëse shpjegohem që disa pika lot rrodhën mbi faqet e mia, që janë në miniaturën e një rreshkje natyrale. E përqafova mikun tim fort, fort dhe i urova kurajo, kurajo dhe vetëm kurajo.

-Ti mua, nuk më ke dhuruar vetëm një libër Selami Dakoli! Shumë më shumë se kaq. Ti më ke dhënë, një pjesë të dritës tënde të pakët të syrit. Dhe kështu ky libër bëhet një dhuratë tepër e shtrenjtë, shumë, shumë më e shtrenjtë se vlera e saj. Po, po! Që në këtë të mbrëmje, të së hënës së 7 tetorit të vitit 2019, mua Selami Dakoli, më ka dhuruar një pjesë të shikimit të tij. Dhe nga kjo dritë, unë kam edhe një herë shansin, të shikoj në brendësi të shpirtit të dlirët, të shpirtit të sinqertë të një durrsaku të shkëlqyer, që na bën nder të gjithëve, karakterin dhe moralin steril të pastër të Selami Dakolit.

Pimë nga një kafe, që mua më duket aq e florinjtë, sa shpirti dhe zemra i miqve të mi. Dhe kujtuam kohën, kur me të ndjerin Kristaq Godo (Toto), farmacistin e njohur në Durrës Ismail Babamustën , unë dhe Selami Dakoli, luftonim për evidentimin e vlerave të futbollit durrsak, veçanërisht pas titullit kampion, kur një krizë e papritur e mbërtheu Teutën tonë.

Urime Selami Dakoli! Ky libër I shkruar me dritën e kufizuar të shikimit tënd, do ta ruaj si një gjë shumë të çmuar. Ajo dritë e syve të tu, më duket si një pishtar, që me siguri do të ndriçoj rrugën e botimeve të tjera. Perlë përmbi perlë, është puna jote shëmbullore, përpjekjet e tua, prej një njeriu dhe intelektuali realisht të tillë.

Faleminderit mik! Faleminderit shok!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Për 84 vjet me rradhë qëndroi në qendër të qytetit, duke u kthyer në një nga simbolet e Durrësit, pjesë e memories kolektive të shumë bre

Një sërë fotosh të publikuara sot në faqen zyrtare të Autoritetit Portual Durrës i përkasin periudhës së viteve 1960-1970  në portin më t

Prof. Dr. SHYQYRI ALIAJ

TËRMETET NË SHQIPËRI – SA TË SHPESHTA DHE TË RREZIKSHME JANË?

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Ndërtimi i portit modern të Durrësit ka nisur në fund të viteve 1920, në të njëjtën kohë kur filloi edhe ndërtimi i institucioneve dhe i