-Organizator, drejtues, manaxher, krijues, aktor, regjisor si ai

-35 vite drejtues ekselencë i institucioneve të kulturës dhe artit në Durrës

-Durrësi dhe durrsakët, duhet t’i jenë mirënjohës punës së Naim Novës

-Angazhimi i tij shoqëruar me arritje dhe suksese është historik

 Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Në epiqendër të penës time, bëhet një njeri shumë i njohur i artit dhe kulturës. Nëse tentoj të krijoj një figuracion, me bindjen se mundet të korrigjoj sërish, këtë njeri mund ta trajtoj si një dirigjent klasi, i orkestrës së famshme të artit dhe kulturës të qytetit të hershëm dhe civilizues të Durrësit.

Dhe këtë njeri të thjeshtë, i cili ka vendosur të “lyejë” përditë kryet e tij me ngjyrën e bardhë të dëborës, e shikoj të ecë ashtu qetë dhe pa i rënë në sy kërkujt. Është njeriu që si rrallë kush, ka brenda jetës së tij një kuriozitet origjinal dhe mbase, mbase të pakonkurueshëm. Është lidhur pazgjidhshmërisht me gërmën D. Me D i fillon emri i babait. Me D fillon edhe shkurtimi i emrit të bashkëshortes. Dhe D-ja thellohet më shumë, kur të dy djemëve i fillon emri po me këtë gërmë. Dhe përkimi që merr trajtën e humorit, gjini që aq shumë e ka patur për zemër ky flokëbardhë, shtrihet tek dy nipërit dhe tek njëra nuse e djalit. Dhe kemi plot shtatë D. Qeshim me lot kur ia kujtoj këtë fakt, pasi edhe atij vetë, nuk i kishte rënë në sy ky përkim interesant.

Teksa përpiqem t’i ngjasoj sadopak Petraq Ristos, mikut tim të vjetër dhe poetit të çquar, që kërkon të kapë diçka nga esencat e zhbirilimit të fjalëve, vendos mbi tryezë emrin Naim Nova dhe përpiqem. Përpiqem për të gjetur këtë mënyrë të Ristos. Dhe them se ia kam dalë. Dikush shkruajti që për fjalorin fetar, emri Naim është i barabartë me lumturi. Ndërsa tek mbiemri çquaj fjalën Nova, që do të thotë e re, në versionin e një fjalori të huaj. Në bashkëngjitje tentoj të formuloj këtë fjalë të përngjitur Naim Nova = lumturi e re, kurdohere i freskët dhe rinor.

Naim Nova! Një burrë zotni, hedhur mbi krahë një pardesy të lehtë, lëviz me një lloj kënaqësie rrugëve të qytetit të Durrëësit, që në fakt nuk është vendlindja e tij, por historia e një jetë të lyer me lëngun e praruar, të karakterit dhe aftësive të këtij dirigjenti të sprovuar dhe gjithnjë në duar atë shkopin magjik ku ai lëvizi gjithiçka të mirë që bëri. M’u në ditën e parë të stinës së pranverës, me 1 mars por 80-vite të kaluara familja e Dervish Novës, njohu djalin e katërt. Dhe ky djalë i katërt, bëhet me dy vëllëzer pas tij, duke përbërë gjashtëshen e djemve Nova, të familjes së një tregtari fort të njohur në Kavajë dhe të asnjë motre.

Dhe qëlloi që ky Naimi i Novajve, jetën ta lidhi në atë formë me Durrësin, saqë nuk mund të guxosh të thuash apo të shkruash, qoftë dy fjalë të vetme për kulturën dhe artin e këtij qyteti pa përmëndur Naim Novën. Dhe kjo është arritja më e mrekullueshme i këtij njeriu, që ende nuk e ka zbehur dinamizmin dhe energjinë e mëparshme, humorin dhe batutat plot lëng dhe jetë, mënçurinë dhe këshillat e vyera dhe të dobishme, të vlefshme edhe për autorin e këtyre rradhëve.

Vërtet po shkruaj shumë për njerëzit e qytetit tim, për ngjarje dhe histori të qytetit tim dhe mbeta dukshëm i gatshëm, për të kaluar nga memoria ime në publik një material jetëshkrues për këtë fisnik, për këtë flokë bardhë, me thinja që i shkëlqejnë bash si vetë jeta e tij. Nuk dua t’i futem kronologjisë së jetës, se mbase krijoj mërziti dhe dua që portreti të dalë ashtu saktë dhe lirshëm nga burimi i mendimeve të mia. Burimi i mendimeve të një shoku, të një vëllai, të një durrsaku që kërkon ta përpunojë portretin  e këtij kavajasi të nderuar, me atë të një biri të Durrësit, që mbetet po aq i denjë sa secili prej nesh.

Mbase e ndjej dhe e kuptoj, kënaqësinë, dëshirën dhe merakun e tij për të mos u kaluar i ftohtë 80-të vjetori i lindjes dhe të kopsiten disa gërma, që i takojnë me meritë për vlerat e një punë të jashtëzakonshme, që bëri Naim Nova në zhvillimin, përhapjen, çfaqjen e fuqishme të asaj, që arti dhe kultura durrsake janë formatuar në historinë e tyre.

Si çdo njeri fillimet e rrugës së zanatit, aty ku bashkohen puna, aftësia dhe pasioni kanë rrugëtimet e veta të vështira, dritë hije që kalojnë nëpër një skenar sikur është përgatitur nga dora e Zotit. I çfaqi aftësitë që i vogël, teksa hynte e dilte shpesh tek ajo derë, që quhet pallati i kulturës në Kavajë dhe që përsëriste shpesh emrin e atij që ia kishte besuar pasionin Mit Marku. Të duket si e pabesueshme, që aktori, regjisori, krijuesi, organizatori, manaxheri, frymëzuesi dhe drejtuesi me emrin shumë të njohur Naim Nova, ta ketë filluar historinë e jetës së tij si mekanik në SMT –në e Lushnjes dhe falë një ndihmese të dhënë nga Stefan Trebicka, që Nova ynë të shkonte të studionte në atë vënd ku jepnin mësim korifejtë e teatrit skenik dhe kinematografik Kadri Roshi, Pandi Stillu, Lazër Filipi etj. dhe që ishte bashkëstudentë me Rikard Ljarjen, Reshat Arbanën, Elez Kadrinë, Jani Rizën, Zhani Ziçishtin etj.

Mekaniku i dikurshëm i SMT së Lushnjes, m’u në mesin e viteve 60-të, shkon të drejtojë estradën e këtij qyteti dhe me aktorë si Hekuran Zhiti, Dhimitraq Nushi e Jovan Byzhyti, t’i bije kryq e tërthor Shqipërisë, për të treguar jo vetëm vlerat e kësaj estrade, por edhe të një djaloshi 25 vjeçar, që kërkonte që ëndërrat të ishin pjesë e prekshme e jetës së tij.

E cili nuk mund ta “peshkonte”, këtë ushqim të majmë të kulturës dhe artit dhe të mos i bënte nder qytetit të tij? Dhe ky qytet ishte Durrësi, me një art dhe kulturë aktive dhe pse jo edhe të fuqishme në vënd. Por ky Naim, shpejt do të kthehej në një zotni të vërtetë i artit dhe kulturës durrsake, do të bëhej pjesë aktive dhe siç do të vinin punët edhe i historisë më të spikatur të tij. Nderin që i bëri Durrësi, ai e lau vetëm me nder, që i detyron njerëzit në tërësi dhe veçanërisht ato që e njohin, jo vetëm ta përshëndesin, por edhe të përkulen dhe përulen  edhe sot e kësaj dite, duke iu falur punës së tij të mahnitshme.

Jam i sigurt që Naim Nova, kur del me nipërit e tij Deonin, Diarin, Kejdin dhe Keronin, të mos bëjë atë që më parë e përdori tek dy djemtë e tij Dorjanin dhe Donaldin, që kur kalon nga Porti detar të mos u ketë treguar se këtu nga viti 1965 deri në vitin 1967, punoi gjyshi dhe babai i tyre. Dhe çfarë pune? Dhe çfarë përkushtimi? E ktheu klubin e kulturës “Mujo Ulqinaku”, në një klub kombëtar, ku puna nuk ndahej nga arti. Çfarë kori dhe ansambli, me të famshmin kuartetin e portit detar! Çfarë humori dhe varjeteje, ku lindi dhe u çfaq artisti i njohur Fadil Hasa dhe Adem Gjepali! Atë që organizonte ky burrë i lindur i artit dhe kulturës, konkurimin e ansambleve dhe grupeve të varjetesë ndërmjet reparteve, nuk bëhej as në rang kombëtar. Emri i tij ishte nxitës dhe pikë referimi, ku çfaqej dhe zhvillohej suksesi i sigurtë i punës kolosale që bëhej në portin detar, ku padyshim mjeshtri i muzikës dhe i korit Taip Kadiu, mbeti koleg i nderuar i Naimit tonë.

Dhe D-ja tjetër, por me me të madhe Dushi i tij i jetës, bashkëshortja aq e përkryer për t’ju ndodhur pranë, mbase edhe këshilltarja kryesore, nuk ia heq dorën nga krahu Naim Novës. Dhe që të dy ecin dhe ecin ngadalë. Përpara u dalën objekte të ndryshme dhe ndalen paksa para xhamisë së qytetit, që në periudhën ku ai punoi 1974-1987, plot 13 vite ishte pallati “Rinia”. Këtë pallat ky Naim, e bëri “nuse me tel”, e bëri kryezonjë të artit kombëtar amator, që nën zë të gjithë e trajtonin varjetenë e tij, më shumë se estradë profesioniste. Muzikantë të tillë të nivelit kombëtar, nga më të mirët si Agron Xhunga, Hajg Zaharian, Maksim Shehu, Ylli Ramzoti, bënin “filozofinë” e artit të tyre, teksa përgatitën solistë me famë si Miga Hysi, Jolanda Dhamo, Zija Saraçi, Namik Sadiku, Ylli Çifti, Ramadan Muhameti dhe teksa regjisorët Gjergj Vlashi, Milto Profi, Panajot Kolo, Haxhi Rama, punonin dhe i kthyen në ajkë aktorët e humorit Gani Kalaja, Myftar Kurti, Dashamir Sinani, Muharrem Hoxha, Merita Llazo, Vera Xhemali e shumë e shumë të tjerë, që janë mburrja dhe histoira e shkëlqyer e artit amator durrsak.

Dhe pas tyre dhe gjithë kësaj pune, qendronte mënçuria, freskia gjithnjë drejtuese, i burrit të pashëm, i atij burri që kish lindur bash në atë qytet, me të famshmin aktor të përbotshëm Aleksandër Moisiu.

Dhe përballë pallatit Rinia, diku nga viti 1965 u ngrit teatri i famshëm dhe pallati i kulturës me emrin “A. Moisiu”. Tashmë Naim Nova vazhdonte të qendronte gjithnjë në ballë të atyre arritjeve, që i bënin nder dha ia rritnin krenarinë artit dhe kulturës durrsake dhe me shkopin e artë të “dirigjimit” të tij, ai drejtonte me shumë pasion, atë që quhet profesionizmi i qytet me histori mijravjeçare.

Ai me Dushin e tij, kalon edhe aty dhe ndalet. Në memorie i vijnë fuqishëm historia e atyre viteve, ku kultura dhe arti durrsak u ngritën lart, shumë lart dhe ku u lëvruan të gjitha gjinitë teatri dhe estrada, muzika vokale dhe simfonike, muzika folklorike dhe banda muzikore, “e enjtja muzikore” dhe të shtunat e dëfrimit rinor, puna me librin dhe muzetë etj. etj. Dhe ai punonte e punonte. Lëvizte shumë në këmbë, duke prekur të gjitha veprimtaritë. Drejtonte në rolin e drejtorit, të regjisorit. Krijonte skeçe, duke prodhuar nga krijimtartia e tij edhe dy komedi si “Njëra dorë lan tjetrën” dhe Ruhuni nga grepat”, duke qenë aktor edhe në disa filma artistikë, si dhe duke përgatitur skenarë filmash dhe skenarë varjeteshë. Dhe kudo dhe kurdo i njëjti, energjiku, miku dhe shoku, prindi dhe bashkëshorti, gjyshi i dashur dhe aq i ëmbël, qytetari model, kryefamiljari i devotshëm me emrin e famshëm tashmë Naim Nova.

 Naim Nova ecën i lumtur edhe kur ka në krah djalin e madh Dorjanin, që si bashkëshorte është i lidhur me juristen Edlira, të bijën e shokut tonë të paharruar Emin Çollakut, që është ndarë nga jeta krejt papritur vite të shkuara. Dhe Deoni me Diarin, ia përkulin krahun gjyshit të tyre sa nuk ia këpusin. E në ditë të tjera e shikon të shoqërohet nga djali i dytë Donaldi dhe bashkëshortja e tij Donika nga dera e njohur e Kacanëve të Durrësit, ku prapa vijnë nipërit aq të bukur dhe të dashur Kejdi dhe Keroni. Kjo është familja e madhe, fisnike, e nderuar, e respektuar dhe qytetare e kryemadhit të tyre, me emrin tashmë të skalitur në historinë e artit dhe kulturës në Durrës Naim Nova.

1 mars 2020. Naim Nova është në një kulminacion të jetës së tij. Ai ka 80-të vjetorin e lindjes dhe ne miqtë dhe shokët e tij gëzohemi pa masë. Naimi sa ka ditë pune, po aq të panumurt i ka miqtë dhe shokët. Dhe me të gjitha i dashur dhe i respektuar. Të paktën mua, më është dashur një punë titanike kur e zëvëndësova Naim Novën në postin e drejtorit të pallatit Rinia në vitin 1987-88. Ky pallat ishte me prestigj të jashtëzakonshëm në shkallë vëndi dhe duhej ta mbaja të pacënuar autoritetin e tij. Po kështu u është dashur edhe të tjerëve si unë, kur zëvëndësonin Naimin, i cili emërohej gjithnjë në ato vënde ku kërkohej fuqia e tij krijuese, drejtuese dhe organizuese.

Naim Nova ecën i qetë dhe gjithnjë mendon e kujton. 80 vite jetë! Sa rrugë e gjatë e bërë përmes vështirësish të panumurta. Sa halle, sa probleme, sa peripeci! Por ai mbeti i njëjti, i miri dhe i dashuri, i gjindshëmi dhe buzagazi, duke t’u ndodhur  pranë, e duke të inkurajuar me shpirtin e tij të gjërë dhe të pastër si kristal.

Naim Nova 80 vjeç. Jo pak, por as shumë për ne miqtë dhe shokët e tij, për nipërit dhe mbesat, pë djemtë dhe bashkëshortet e tyre, për Dushin e tij të zemrës, që bashkohemi të gjithë me urimin, duke bërtitur me sa fuqi që kemi:

-Të duam edhe shumë vite të tjera prane nesh Naim Nova!

Durrës, 1 mars 2020