In memoriam/ Dheu i lehtë Vajdie Duka!

14/04/2020 - 22:38

Nga BUJAR QESJA

Një lajm me nota trishtuese, u shpërnda në pasditen e së martës së 14 prillit 2020. Ishte miku im i shtrenjtë Agron Duka, që e publikoi dhe e bëri të njohur këtë njoftim. Në moshën 81 vjeçare ndahet nga jeta, Vajdie Duka e ëma e Agron dhe Armand Dukës. Në këto ditë të vështira kundrejt një virusi që po trondit globin, gjëndja shpirtërore rëndohet edhe më tej,nga ky lajm që na ngarkon edhe më shumë me dhimbje. Largohet nga jeta Vajdie Duka. Një grua me personalitet, me një krenari që ia jepte dëshira dhe pasioni për të jetuar në mënyrë, që të ruante dinjitetin e një njeriu, që kërkontë të bënte në jetë më të mirën e saj.

Kam patur rastin ta njoh dhe të komunikoj me këtë zonjë të nderuar. Nuk është thjesht se,ajo është nëna e dy miqve të mi të dashur Agronit dhe Armandos dhe në këtë rast bëjmë ngushëllimin e rastit. Kjo mbetet, por për të mos lënë në hije angazhimin e Vajdie Dukës, si nënë, por edhe si mësuese e fëmijve të një moshe,që donin krahas kulturës edhe dashurinë dhe ngrohtësinë e prindit. Dhe Vajdie e bënte këtë detyrë me fanatizmin më të madh. Një grua me një humanizëm të lindur dhe zhvilluar më tej, në përmasat e një kryezonje të rrallë. Dhe së bashku me bashëkshortin e saj, një tjetër mik tonin të paharruar Enver Dukën, ishin çifti më i njohur që i shërbeu me një përkushtim të jashtëzakonshëm, të gjithë komunitetit të zonës së Shijakut duke përfshirë komunën e Xhafzotajt, fshatin Rreth dhe sidomos Bashkinë e Shijakut.

E kam prekur vetë këtë opinion. Një masovike, një shoqe aq e ëmbël në shoqëri, një nënë e kujdesshme dhe e gëzuar për ecurinë e fëmijve të saj, të Agronit, Netës dhe Armandos, një bashkëshorte që ia rriste akoma më shumë vlerat çiftit Duka. Me 26 shtator 1999, jemi takuar në një gëzim. Futbollisti i njohur i Lokomotivës Mustafa Saraçi, martonte të birin Fabianin. Dhe Vajdia, (Vaja jonë e paharruar) shoqëronte Verin, bashkëshortin. Kam një foto, që po e bëj publike nga ajo ditë. Shumë humor, me një buzëqeshje që tregonte se shpirti dhe zemra e saj, ishte gjithnjë pranverë, ashtu siç mbeti në fakt deri në fund të jetës. Gani Krasniqi, një mësues veteran, nuk e përmbante dhimbjen dhe kishte kujtimet më të mira për Vajen gjatë kohës kur ai punonte në seksionin e Arsimit të Rrethit të Durrësit.

-Kur vinim për punët tona në shkollën Muharrem Dollaku në Shijak, shprehet Ganiu, vlerësimet për Vajdie Dukën, ishin nga më të mirat. Ajo gjithçka e bënte me zërin e shpirtit dhe të ndërgjegjes së saj. Vija re, se kishte një respekt të madh nga kolegët, por veçanërisht nga nxënësit që Vaja i mësonte ABC e parë të jetës.

Vajdia ishte nga Ishmi, me mbiemrin aq të njohur të kësaj zone Kërtusha. Ajo nuk e përmbante gëzimin, që me përpjekjet e mëdha të bashkëshortit, Enverit, në afërsi të Ishmit është ngritur Kantina Duka, që ka nisur të ketë një popullaritet në rritje dhe që është pranë vëndit të origjinës së saj. Është meritë e nënë Vajdies që fëmijët e saj, por veçanërisht Agroni dhe Armando, bëjnë shumë për Shijakun, këtë qytet që është vetë jeta e tyre. Pavarësisht nga punët që bëjnë, nga pozicionet e njohura drejtuese që morën, Vajdie Duka bëhej shënd e verë, kur shikonte dhe prekte për ditë, që të dy djemtë nuk e zbehën kurrë simpatinë për Shijakun dhe shijakasit aq të mirë dhe bujarë.

Vajdie Duka, në pasditen e 14 prillit 2020, pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë, numëroi rrahjet e fundit të zemrës, duke ruajtur në parajsën e saj, jo vetëm kujtimin e një populli të tërë, por duke i lënë uratën e prindit për jetë sa më të lumtur, sa më të bukur, djemve Agronit dhe Armandos, vajzës Netës, familjeve të tyre dhe veçanërisht nipërve dhe mbesave, që ishin lulet më të bukura me rrënjë të thella në zemrën e saj.

Vërtet janë koha të vështira, për ti hedhur një dorë dhe, gruas së nderuar dhe të paharruar Vajdie Duka. Kështu ndodhi dhe në një rast tjetër, siç pohon i biri Agroni, nuk do ti mungojë ceremonia për të shprehur lamtumirën, e një zonje që tërë jetën ruajti krelartësinë dhe krenarinë e vetes dhe të familjes së saj. Por vlerat maten me shpirt, me zemër, me ndjeshmëri. Jo vetëm unë Agron dhe Armando, por shumë e shumë të tjerë, të jeni të sigurtë janë me15 prill, me ju. Mos mendoni se jeni vetëm.

Ashtu si Vaja e jonë, i dha dashuri nga dashuria e saj nxënësve që i edukoi dhe i mësoi, i dha miqësi nga miqësia e saj të gjithëve që e njohën nga afër, i dha zemrën nga zemra e saj familjes aq të shtrenjtë, që e ngriti dhe lartësoi në kufijtë e dinjitetit, ashtu edhe ne të tjerët jemi atje, në krah të Agronit, Armandos dhe të afërmëve të tjerë.

Dheu i lehtë Vajdie Duka, Vaja e jonë e paharruar! Kurrë nuk do na shkitet nga memoria, buzëqeshja dhe optimizmi yt! Po shkon pranë Verit tënd. Të dy së bashku, në parajsën e përjetshme.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: