In memoriam/ Fisniku dhe njerëzori Agron Reka na la

09/09/2020 - 19:55

- Durrësi dhe durrsakët nuk kanë për ta harruar birin e tyre

- Përfaqësues tipik i kulturës dhe inteligjencës durrsake

- La pas kujtime dhe mbresa të pashlyera

- Mjeshtër në profesion, por edhe mjeshtër në sportin e pingpongut

- Pjesëtar i familjes së famshme të Rekajve të Durrësit

Nga BUJAR QESJA

Në këtë kohë stresante, padyshim në epiqendër virusi çfarosës Covid-19, lajmet e dhimbshme bëhen më shumë të tilla. Ngarkesa shpirtërore është gjithnjë në kreshendo, aq sa duhet forcë, shumë forcë për t’u përballur me lajmin korb të zi dhe të qëndrosh sërish i njëjti. Veçanërisht lajmet me shirit të zi që vijnë larg Atdheut, kanë peshë shumë më të rëndë dhe plumbi i rëndë i dhimbjes, kërkohet të mbahet brenda zemrës dhe të qash me dënesë me lotët e shpirtit.

Dje pasdite, ku dielli bëhej gati të fshihej, për ti lënë terren natës së pistë nga ngjyra, një jetë njeriu këputet, në Kanadanë e largët, tutje në anën ekstreme ku lag oqeani Atlantik. Nga Toronto, kryeqendra i këtij shteti gjigand, njoftohemi se njeriu i mirë dhe fisnik, specialisti i njohur i bujqësisë, nga peshat e rënda të pingpongut shqiptar, madje kryekapitull i tij, durrsaku aktiv ani se origjina e tij ishte nga Dibra, Agron Reka dha frymën e fundit. I vëllai i burrit zotni të Durrësit, historikut dhe mitikut Ilias Reka, i Fetahut mbi 85 vjeçar, i Ruzhdijes dhe më pas bie në vëllazëri me Nysretin, Abedinin dhe motrat Emrinë, Lumturinë dhe Fluturën, Agron Reka krijoi me punën dhe aktiviteti e tij një histori më vete, e denjë për t’u kujtuar dhe lartësuar në kufijtë e merituara.

Sa thua Agron Reka, të vjen me menjëherë në mëndje topi magjik i pingpongut. Një nga miqtë e tij, kujton një ngjarje interesante.

-Teksa ndodheshim me shërbim punë në Romë, na u desh të shkonim në ambasadën shqiptare. Atje na priti një punonjës. Por Agroni vrojtoi një tabelë pingpongu dhe menjëherë mori në duar raketat. Punononjësi ynë i ambasadës, me një mëndjemadhësi shqiptarësh, i foli Agronit që mund ta bënin një lojë. Por Agroni me dinakëri, i tha që të vinin një bast për t’i dhënë një drekë tërë grupit. Dakort iu shpreh rivali i rastësishëm. Dhe në përfundim Agron Reka fitoi thellë dhe shqiptari i ambasadës u “kënaq” me shifrën zero të pikëve. Dhe Agroni me raketën e tij, na dërgoi në tryezën e drekës.

Agron Reka, u lind në Durrës në derën e famshme të Rekajve, me 19 janar të vitit 1939. Studimet e larta, si inxhinjer pyjesh i mbaroi në Odesa të Bashkimit Sovjetik. Djali i Kadri Rekës, e kaloi fëmijërinë në Durrës, ku ra në sy për shkathtësinë e veçantë. Por “dashuria” e tij e vetme sportive, mbeti pingpongu dhe bëri histori. Në linjën e punës, Agron Reka fillimet i ka në Lushnje dhe më pas në tempullin e dijes dhe shkencës bujqësore siç është Universiteti Bujqësor i Tiranës. U emërua dekan dhe më pas arriti, deri në pozicionin e nderuar të zëvëndës rektorit të këtij universiteti.

Në raportet sportive, Agron Reka meritoi 5 tituj kampioni kombëtar dhe ishte absolut për kohën kur luajti, në vitet 60-të. Ai ishte një lule plot aromë, që u rrit dhe lulëzoi në kopështin pjellor të pingpongut durrsak, ku kanë gdhëndur emrat e tyre kolosë të tillë si Petrit Turkeshi, Ismail Beshiri, Diktere Mustafaraj, motrat Lejla dhe Verushe Myshketa, Azem Kapidani, Musa Tërniqi, Elda Zuriqi, Taç Papai, Eduart Llançari, Agim Popa me bashkëshorten Linditën, e shumë të tjerë. Agron Reka e pati për nder të quhej durrsak dhe ne durrsakët e patëm për nder që na përfaqësonte një njeri kaq fisnik, një zotni i lindur si Agron Reka.

Shtëpia dhe familja e Rekajve është një pasuri dhe tregues i krenarisë së durrsakëve. Shtëpia e tyre e ndodhur pranë parkut të famshëm Nako Spiru, i dha “Lokomotivës” katër emra të njohur në basketboll si Nysret Reka, Abedin Reka, Flutura Reka dhe volejbollisten Lumturi Reka. Së bashku me Ilias Rekën si futbollist i BEF-it dhe Agron Rekën pingpongist race, Rekajt kanë krijuar plot autoritet dhe dinjitet dinastinë e pashembullt të një familje sportive, lidhur pazgjidhshmërisht me Durrësin e lashtë, me Durrësin e ri modern dhe plot të ardhme.

Agron Reka! Një emër i nderuar, një personalitet në fushën shkencore, sportive dhe sociale. Viti 2005 e gjen në Toronto të Kanadasë, së bashku me familjen. Ka luftuar prej vitesh me një sëmundje të rrezikshme që ju sajua në kokë. Por edhe në këtë luftë me jetën, ai mbeti luftëtari i njohur, me emrin aq të dashur për ne durrsakët, por ma do mëndja edhe për ata miq e shok, që patën rastin ta njohin AGRON REKA. Lidhi jetën me Myzaferen këtë mësuese dhe edukatore të paepur dhe Zoti i fali dy vajza Arlën, që mbaroi për anglisht në Tiranë dhe Ildën që në Toronto mbylli me sukses shkollën e lartë në degën e ekonomikut. Agron Reka përkëdheli me sa mundi dy yjet e tij, dy mbesat e çmuara Jonën dhe Emën, me të cilat ndjente lumturinë e një gjyshi të gëzuar.

Dita e 8 shtatorit 2020, do të vinte e trishtueshme për familjen e Agron Rekës. Në moshën 81 vjeçare, mbylli sytë për gjithnjë, në dheun e largët, në Kanadanë mike, aty ku janë strehuar dhe punojnë me qindra shqiptarë, Agron Reka një personalitet i kulturës durrsake dhe asaj shqiptare. Lajmi i ardhur nga dheu i huaj, tronditi dukshëm dheun e vendlindjes, Durrësin e dashur, durrsakët aq të përkëdhelur nga Agron Reka, i cili me të drejtë quhet Agroni ynë.

Në çast m’u kujtuan takimet me të. Oh sa të ëmbla! Më pyeste një për një për të gjithë. Dhe në fund si dhuratë të lindte atë buzëqeshjen e tij magjike, e cila sigurisht nuk do të na ndahet tërë jetën.

Agron Reka nuk jeton më! Dhimbje dhe trishtim. Të jesh i sigurtë djali i Durrësit tënd aq të dashur dhe të shtrenjtë: nuk do të harrojmë. Nuk ka se si të harrohen dhe të mos vendosen në përjetësi njerëz si Agron Reka.

Dheu i lehtë vëlla!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: