Mes detarëve ulqinakë, në përpjekje për të ringjallur traditën e vjetër detare (FOTO)

01/10/2019 - 20:00

Nga Shefqet Kërcelli

E mirëprita ftesën e grupit nismëtar të projektit ‘LIBURNA” në Ulqin, për aktivitetin e tyre “Detaria ulqinake në shekuj”, ndërkohë lajmërova shumë miq e shokë detarë për të marrë pjesë në këtë festë të detarëve ulqinakë.  Nga detarët dhe komuna Ulqin, do promovohej një ekspozitë me modele të anijeve dhe dokumenta për detarinë ulqinake, një temë që më ka tërhequr në vite. Më kalonin në mendje detarët e shumtë ulqinakë që nga shekulli i XVI-të deri sot, mjetet e tyre detare, lundrimet, rrëfenjat, historitë e shumta, pirateria, heronjtë, kapidanët, baladat, folklori, gjurmët e tyre jo vetëm në Adriatik e Jon, por mbarë Mesdheun…një pasuri kjo me vlera të cmuara kombëtare Të gjitha këto janë pasqyruar gjërësisht tek vëllimi i parë i “Antologjisë së Detarisë”, rezultat i një pune shumëvjecare studimore. Kështuqë pa u menduar shumë, me mikun tim piktor, ishmarinar i Kepit të Palit, Osman Tonuzi, morëm rrugën për në Ulqin. Në rrugëtim e sipër bisedonim gjendjen e rrugëve tona, për Ulqinin, detarinë ulqinake, miqtë tanë atje…Radhë më bie rruga në Shkodër, kam mall për të dhe krahas rrugëve gjarpëroshe, fushave e vendbanimeve të shumta, nuk mund të kaloja pa provuar guzhinën dhe kafen shkodrane…drekuam diku afër Bunës…Buna nuk është vetëm një lumë i rëndësishëm për shkodranët, por bart dhe histori të shumta për detaririnë shqiptare, lidhur ngushtë me detarinë ulqinake. Biseda jonë kalopnte sa nga detaria, tek piktura, historia, kushtet ekonomike dhe zhvillimi i kësaj zone të Shkodrës. Pa e ndjerë ju afruam pikëkalimit të Muriqanit, ku na priste një radhë e gjatë makinash. Një valë bashkëatdhetarësh dhe të huajsh i drejtoheshin Evropës nga kjo rrugë. Na krijoi një stres të vecantë kjo situatë. Mendonim ta kapnim Ulqinin, pa u errësuar, donim të shihnim perëndimin e diellit atje. Pritëm më se dy orë. Policët tanë dhe ata malazezë përpiqeshin ta përballonin me qetësi këtë fluks të pazakontë. Të paktën krijova një përshtypje të mirë për punën e nënpunësve tanë atje. Godina e re e doganës të krijonte një opinion tjetër për shtetin shqiptar, ndryshe si disa vite më parë. Kishin bërë një gjë të hajrit. Mbas kontrollit të pasaportave nga dy palët e policëve ju drejtuam rrugës për në shtetin Malazes, por të banuar nga shqiptarë. Cuditërisht rruga kishte ngjashmëri me luginën e Shkumbinit. Ishte më e mirë se pjesa jonë hyrëse, por dhe shtëpitë një –dykatëshe  të shtrira për gjatë kësaj rruge, ishin të mirëmbajtura. Një market i ndërtuar 4 milje nga pika kufitare, vinte era Evropë, një shembull për tu ndjekur nga ne. Natyrisht kur një shqiptar kalon në një shtet tjetër, ku banojnë bashkëkombësat e tij, përjeton një ndjesi të vecantë dhe përpiqet të memorizojë cdo gjë. Shtëpitë ku banojnë, ku janë ndërtuar, si jetojnë, si vishen, cfarë tradite e folklori kanë, etj.. Instikti i kurreshtjes zgjohet dhe të shoqëron kudo…

Një perëndim në Ulqin…

Rruga e shkurtër nga pika kufitare na afroi pamje të shumta, gjelbërim, banesa e kopështe të sistemuara që tregonin qartë nikoqirllëkun e ulqinakëve, gryka e hone të thepisura të mbushura me histori, pllaja kodrash e malesh ku shtriheshin vendbanimet e shqiptarëve, që tregonin jetë e vazhdimësi. Pa u ndjerë u futëm në Ulqin. Natyrisht nuk ka shqiptar që mos ketë dëgjuar për këtë vendbanim të hershëm të shqiptarëve të ndarë padrejtësisht nga trungu mëmë nga Kongresi i Berlinit. Lagje me godina të vjetar, të mbajtuar mirë, bulevard i thjeshtë i shtruar me pllaka, pak ndërtime të reja, krahasuar me qytete tona. Arkitektura mesjetare e gërshetuar me atë moderne, i jepte qytetit një pamje tërheqëse. Ndërtesat krahas vlerave inxhinjerike bartin dhe vlera artistike. Dyqane të mbushura me suvenire, kryesisht të traditës shqiptare, lagje që ngjasonin me Krujën, por dhe me Durrësin. Vetëm një keqardhje dua të shpreh, qytetit i mungonin libraritë. Jo vetëm qytetarët, por dhe vizitorët duan të blejnë një libër, po ku? Kuptohet libraria publike meritonte lavdërime. Besoj se i plotësionte kushtet e lexuesve dhe dashamirësve të librit në Ulqin. Por nuk mjafton kjo! Hotel “PLAZA”, ku do zhvillohej aktiviteti, nuk ishte shumë larg, por ne për siguri, ishim të detyruar të pyesnim, qëlluam me qytetarë shqiptarë, që i përgjigjeshin me mirësjellje, pyetjeve tona. Na qëlloi nja ngatresë e vogël, pasi ishte dhe një hotel “PLAZA” me pronar malazes, i cili na afroi menjëherë dhomë, ndërsa ne kishim tjetër destinacion. Qyteti kishte ende pushues, keshtuqë cdo pronar kishte uri për klientë.  Mbasi parkuam makinën ju drejtuam shëtitirores së qytetit buzë plazhit, ku hotel “PLAZA”, shfaqej me bukurinë e tij të vecantë. I bardhë si në mermer, ku bujarinë e kishte  për kryefjalë. Hoteli i ri, ndërtuar nga biri i një detari ulqinak, ishte mikpritës i këtij aktiviteti. Zoti Hasan Karamanaga, nip detari na uroi mirëseardhjen. Nga këtu e shihnim si në pëllëmbë të dorës gjirin e vogël të Ulqinit, plazhin, molin, ku ishin bregëzuar disa skafe, minikapitanerinë, farin, objektet e kultit.  Në shëtitoren e shkurtër e të pastër të plazhit, kishte pushues nga Kosova dhe të huaj. Kishte jetë dhe në këtë ditë shtatori. Si një studjues i detarisë më interesonte aktiviteti detar i këtij porti, ndaj doja të shihja cdo detaj të kësaj jete. Por thellësia, shtrirja e gjirit, moli i shkurtër, mungesa e projekteve dhe investimeve nga shteti malazes, mendoj se e kishin lënë të vakët veprimtarinë detare këtu. E ku, në një nga qëndrat detare më të rëndësishme të Adriatikut verior në shekullin XVII_të dhe XIX-të?! Për më tepër këtë cështje do e trajtoj në intervistën me kryetarin e Kuvendit Komunal të Ulqinit, birin ulqinak, zotin Ilir Capuni. Ndaj le të vijojmë me cështjen tonë, të takojmë detarët e vjetër e të rinj ulqinakë me kujtimet e tyre.

Nuk ka fund deti pa vorr ulqinaku…

Ndërsa po përshëndeteshim me zotët e lokalit, sipër në kat të dytë, një grup i udhëhequr nga mjeshtri Gazmend Citaku, po vendoste me kujdes stenda me dokumenta, fotografi, makete e modele anijesh, të detarëve ulqinakë, që përfshinin  periudha të ndryshme historike. Historia e tyre daton sa kanë jetë këto brigje. Jo më kot, studjuesi Tozer thekson se, “Kur të shkruhet historia e përgjithëshme e lundrimit botëror, ujërat e brendshme të Shqipërisë do të japin material shumë interesant, që u përketkohërave më të lashta të historisë së lundrimit …”. Më shumë se kushdo kjo shprehje i takon iliro-ulqinakëve, të cilët në periudha të vecanta i kanë dhënë impulse të vecanta transportit e detarisë shqiptare. Në cdo periudhë historike, mbështetur në kushtet ekonomike e sociale ulqinakët kanë pasur mjetet e tyre detare me të cilat lundronin në Adriatik, Jon e Mesdhe. Historia e këtyre detarëve është shkruar me mund, sakrifica e gjak. Jo më kot themi, nuk ka fund deti pa vorr ulqinaku. Ne në Shqipëri më tepër kemi dëgjuar histori, tregime e legjenda, për detarë trima si Haxhi Alija. Varri i këtij kapidani  ekziston në ishullin e Sazanit. Detarët shqiptarë herë fshehurazi e herë hapur e përshëndetin këtë varr me metodat e tyre detareske, në dukje primitive. Një detar i vjetër durrsak tregon se si kapidan Muharrem Bazi sa herë kalonte atje me MB, hidhte fshehurazi një bukë e një shishe vaj. Më pas u thonte detarëve, mos tregoni gjë. Trimëritë, guximi, dashuria për profesionin e detarit dhe detit trashëgoheshin brez pas brezi tek detarët tanë, pamvarësisht kakofonisë partiake. I kaloj një nga një stendat dhe maketet, të sistemuara e punuara me mjeshtëri nga Gazmendi dhe mjeshtra të tjerë të shumtë ulqinakë. Periudha ilire, liburna, lembe, anije të mesjetës, fundi i shekullit të XIX-të, shekulli I XX, etj…Kontribut si lundërtarë, si anijendërtues, histori pa fund, kapidanë, nostromo, marinarë, të përcjella në gjuhën shqipe, osmane e sllave. Një ekspozitë e konceptuar bukur në përmbajtje dhe e përcjellë lart artistikisht, pamvarësisht se punimet i takonin zhanreve të ndryshme.  Që të plotësoj reportazhin e tablonë për këtë cështje, mu desh ti hedh një sy atyre cfarë kam shkruar për ulqinakët në vëllimin e parë të “Antologjisë së Detarisë”. Në këtë vëllim ulqinakët zenë mbi 1/3 e librit. Ulqini si port dhe ulqinakët si detarë morën rëndësi të vecantë mbas rënies së Durrësit në duar të osmanëve më 1501.  Dokumenta, statistika, burime arkivore në të dy anët e Adriatikut e sqarojnë hollësisht këtë histori, mjaft prej të cilave ishin pasqyruar në këtë ekspozitë, inicuar dhe realizuar nga grupi nismëtar i projektit “Liburna”. Në faqen 37-39 të “Antologjisë”, gjej pjesë nga folklori ulqinak për detin…Barkat prej druni e burrat prej hekuri…në det duhet me pas njëqind urti e një trimni…kapidani I mirë njihet në fortunë…bane të mirën  e hidhe në det, n’mos e dijtë peshku e din zoti…E shtjen dorën në det e përshëndetesh me gjithë botën… hini prilli…brof Ulqini…etj… e këto fjalë të urta e rrëfenja, e kanë origjinën atje në Ulqin…se atje është kultivuar më shumë zanati i detarit. Dokumentacioni i pasur, fotografi e makete që ekspozoheshin për herë të parë, tërhoqën vëmendjen jo vetëm të banorëve të qytetit, por dhe turistëve e vizitorëve të shumtë. Dhjetra qytetarë të moshave e profesioneve të ndryshme u bënë pjesë e aktivitetit. Mjaft kapitenë, detarë e bij detarësh, shikonin e komentonin materialet e ekspozuara, disa prej te cilëve gjenin të afërmit, familjen apo dhe veten si trashëgimtarë të tyre. Ekspozita përcolli jo thjesht material historik, sipas periudhave të ndryshme, por dhe plot kolor, ngjyrë e nivel artistik. Ishin ekspozuar foto dhe anije shqiptare, italiane, roate, malazeze, boshnjake. Të gjithë që rrihnin dhe rrahin edhe sot  rrugët detare të Adriatikut Verior. Një trashëgëmi e gjallë ku bashkëjetonte e vjetra me të renë.  Psh…Modeli i anijes MASHALLA BILALI, ex Geza Szapary, pronë e familjes Bilali. Modeli i anijes POSKIQ, pronë e familjes Nimanbegu nga Ulqini. Modele të anijes së tipit LEUT. Modeli i LIBURNES .Modeli i vaporit BRINDISI të kompanisë italiane PUGLIA i fundosur në Shëngjin. Modeli i vaporit TIHANY i kompanise Hungaro-Croata i fundosur në bregdetin e Malit te Zi. Ka bartur qymyr për Durres. Modeli i luftanijes ZENTA të austro-hungarise. Fundosja e saj shënon betejën dhe qitjet e para të Luftës së Parë Botërore pas atentatit të Sarajevës. Fotodokumentacioni: Matrikullat, diplomat, anijet dhe dokumentat e ndryshme për familjen NIMANBEGU nga Ulqini. Matrikullat, anijet dhe dokumentat e ndryshme per familjen BECI. Kontrata shitblerjeje anijesh Kontrata shitblerjesh, lëvdata dhe diploma ta familjes TIVARI. Familjet e tjera: Kapidani, Shurdha, Bilali, Karamanaga, Ismajlaga Fotografite e vaporeve: GORITIA, CAROLA, BLED, Bojana, SCODRA.  Fotografite e portit të Shengjinit pas aksioneve navale austro-hungareze te dhjetorit 1915, Fotografia e bombardimit të Shengjinit nga eskadroni austro-hungarez dhe fundosja e anijeve ulqinake. Një pasuri e rallë në vetvete që i kapërcente caqet e Ulqinit dhe rajonit.

Për disa orë salla u kthye në një auditor ku kryefjala ishte deti dhe detaria ulqinake. Personalitete, studjues, media nga Mali i Zi dhe Kosova u bënë pjesë e aktivitetit.

Përpjekje për zgjimin e traditës detare ulqinake…

Flasin protagonistët..

Fillimisht zoti Ilir Capuni, kryetar i këshillit komunal të ulqinit dhe një dër organizatorët i uron mirëseardhjen pjesmarrësve, duke e cilësuar këtë mbrëmje si zgjim të traditës ulqinake. Për të theskuar rëndësinë e ringjalljes së kësaj tradite Iliri perifrazoi kryeministrin e parë shqiptar, Ismail Qemali, me shprehjen e tij lapidare se, kur një fëmijë fle ai rritet, ndërsa kur një popull e qytet fle, atë e mbulon harresa. Ndaj aktivitete të tilla ku evidentohet tradita e pasur detare ulqinake, kanë vlerë të vecantë. Më pas ai përmendi modelet e anijeve  që kanë lundruar në këto ujëra, që fillojnë me klasiken, anijen ilire “Liburna”.. Natyrisht këto janë një pjesë e kësaj historie, se ka dokumenta, anije, të fundosura, legjenda të pashkruara, të cilat e pasurojnë këtë fenomen. Ndërkohë që falenderoi studjuesit e mjeshtrat që i kanë sjellë në vemendjen e qyetarve këto punime si, studjuesit.Gazmend Citaku, Asllan Hajdinaga, arkitekt Muho Uruci, ing. Naval Amar Tivari, arkeologu Anton Lulgjuraj dhe Studjues Naim Flamuri. Ky është projekti i parë për të kthyer kulturën detare, ndërsa ndërtimi i modeleve të anijeve tipike të këtyre ujërave në shekuj, në përmasa reale. Është një hap tjetër, që kulmon me ngritjen e muzeut të detarisë në Ulqin, përfundoi zoti Capuni.

Një folës tjetër trajtoi rëndësinë që ka paraqitja e anijeve nga lashtësia, imazhet e tyre gjatë lundrimeve në të njëtin det, sonte janë në të njëtjën sallë. Duhet të njohim dhe vlerësojmë arritjet e kësaj ekspozite, punën e grupit nismëtar “Liburna” dhe synimin për të pasur një muze të mirëfilltë në Ulqin.

Studjuesi dhe mjeshtri Gazmend Citaku shpjegoi konceptimin e ekspozitës, e cila shtrihet në dy eksponate. Në njërën anë maketet dhe anën tjetër fotodokumentacioni. Ai falenderoi familjet e detarëve ulqinakë për bashkëpunimin. Për mëse 20 vjet këto familje kanë afruar dokumenta, foto, të cilat tash po bëhën publike.Është mëse e qartë se për shumicën e shqiptarëve Ulqini është sinonim i detit. Një rrugë e shkruar me bukë e gjak. Që nga neoliti, muret e kalasë së Ulqinit rrihen nga valët e detit. Bijtë dhe djemtë ulqinakë që fëmijë janë rritur e burrëruar në kuvertën e anijeve. Për këtë Ulqini ka shumë legjenda, këngë, valle, balada e humor me tematikë detin. Ndërkohë që ka shume histori, pak libra ka pë detin. Vecojmë këtu prof. Maksut Haxhibrahimi me dy vepra për detarinë ulqinake,  Dr.Bahri Brisku, letërsi gojore të Ulqinit, Dr.Ruzhdi Ushaku, shpjegime gjuhësore të folmesa arkaike si dhe legjenda të lidhura me heronjtë e mitologjisë helene, Hajro Ulqinaku, fjalor i të folmes detare ulqinake, 2 albumet monografike të Gazmend Citakut, etj. Detarët ulqinakë kanë ndihmuar në ngritjen e Flotës Shqiptare dhe asaj të Malit të Zi. Ata kanë pasur diploma për lundrime të gjata e ato bregore, kanë treguar trimëri për të shpëtura ekuipazhe në rrezik, detarë të shkathët e të zotë. Për këtë kanë marrë lavdërime dhe medalje. Jetoj me shpresën se shpejt do hapet muzeu detar, nënvizoi mjeshtri Gazmend Citaku.

Mes trashëgimisë për të kaluarën dhe ripërtëritjen e traditës…

Ulqini bën pak a shumë jetën e cdo qyteti bregdetar. Ndërsa ekspozita gëlonte nga vizitorët e shumtë deri në mesnatë, gjej pak kohë për mediat. Ishte një aktivitet me vlera të gjithanshme, ndaj dhe u pasqyrua gjerësisht në mediat e Kosovës dhe Malit të Zi. Takoj marinarë e qytetarë ulqainakë që ishin njohur me “Antologjinë e detarisë”. Prof.Jusuf Lika, ishte njëri prej tyre. Ai më solli vlerësimet e prof.Ruzhdi Ushakut për punën e bërë.  Por, kjo do të thotë më shumë angazhim e përgjegjsi për mua. Mbas darkës së shijshme tek restorant “PLAZA”, me mikun tim Monin, bëjmë një shëtitje buzë detit. Një gji i vogël që bart kaq shumë histori. Oshëtima e Jonit e Adriatikut më vjen bashkë me thirrjet dhe zhurmën tipike të lundërtarëve ulqinakë. Kanë pasur anije, shumë marinarë të zotë e profesionistë, të cilët kanë rrahur dete dhe oqeane. Jo vetëm kaq, por ata në fillim shekullin e XX-të, mbas ndarjes nga mëma Shqipëri u vendosën fillimisht në Shkodër dhe pastaj në Durrës, duke i dhënë një dimesion tjetër detarisë në trojet arbërore. E kuptoj brengën  miqte të mi, bashkëkombasve tanë ulqinakë… më shumë se kushdo e kanë vuajtur dhe e vuajnë ndarjen nga Shqipëria. Kanë të drejte…Ishin të lidhur aq shumë, me tokë, me det, me rrugë detare e tokësore. Ata tregëtinë aso kohe e zhvillonin me Shkodrën, Ulqinin dhe Rodonin…Kanë bashkëjetuar me anijet, me detin, kjo ka qenë ekzistenca e tyre, qenia e tyre… Tani ndihen të diskriminuar. Pak anije, një portal i vogël që i mungon infrastruktura…Ulqinakëvë u qan syri për port, për anije, për detarë të zotë…Ata jetojnë midis nostalgjisë e kujtimve për të kaluarën dhe dëshirën për të ruajtur traditën…Të paktën zanati i marinarit jeton. Aktualisht ka dhjetra marinarë, madje kapitenë të anijeve të mëdha. E mbajnë gjallë këta djem të rinj, si Iliri me shokë, mjeshtra e studjues jo vetëm në Ulqin, por kudo ku ka shqiptarë. Të nderuar miq e detarë ulqinakë…Ju uroj shumë fat në projektet tuaja për detin. Vlerësoj shumë përpjekjet tuaja. Besoj se gradualisht do ti bëni realitet.

Mirupafshim miq.

Ulqin, 20 shtator 2019.

Shënim: Reportazhi u vonua për shkak të tërmetit që s’na ka lëshuar ende. Ai do jetë pjesë e vëllimit të tretë të “Antologjisë së detarisë shqiptare”, ku do zenë vend dhe marinarët ulqinakë.

Së afërmi do ndiqni një intervistë të zgjeruar me Kryetarin e Këshillit Komunal Ulqin, zotin Ilir Capuni.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Për 84 vjet me rradhë qëndroi në qendër të qytetit, duke u kthyer në një nga simbolet e Durrësit, pjesë e memories kolektive të shumë bre

Një sërë fotosh të publikuara sot në faqen zyrtare të Autoritetit Portual Durrës i përkasin periudhës së viteve 1960-1970  në portin më t

Prof. Dr. SHYQYRI ALIAJ

TËRMETET NË SHQIPËRI – SA TË SHPESHTA DHE TË RREZIKSHME JANË?

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Ndërtimi i portit modern të Durrësit ka nisur në fund të viteve 1920, në të njëjtën kohë kur filloi edhe ndërtimi i institucioneve dhe i