Mihal Noka, kapedani 76 vjeçar që nuk i ndahet detit

01/11/2012 - 00:00

 

Peshkatari veteran i brigjeve të Adriatikut, Mihal Noka, sot ka moshën e njëjtë me anijet më të vjetra të portit të peshkimit në Durrës. Po në se anijet e vjetra kanë populluar thellësitë detare ose janë ankoruar të paralizuara diku në breg, peshkatari 76 vjeçar vjen çdo ditë, qoftë në kohë të mirë apo të keqe në anijen që komandon. Fare pranë, dergjet nën ujë anija e dikurshme “Mati”, e cila i përket prodhimeve gjermane të viteve 1937.

Një vit më e re në datëlindje se Mihali. Një prej anijeve më të mira e më jetëgjata në shfrytëzim në flotiljen e peshkimit të Durrësit. Po tashmë ajo është zhytur nën ujë, pas shumë vitesh që s’e kishte ngritur më spirancën per të dalë në peshkim. I është dorëzuar e tëra pushtetit të ndryshkut të ujërave të kripura të bregdetit. Ndërsa kapiten Mihali se ka lejuar “ndryshkun e moshës” që ta “ankorojë” në ndonjë cep mejhaneje pensionistësh të lagjeve periferike.

“Ai ka punuar dikur në këtë mjet detar dhe kur ajo u përmbyt nga koha e keqe në port”,- tregojnë peshkatarwt,- një nga ne iu drejtua Mihalit duke i thënë se paskësh qenë më i fortë se hekuri i anijeve ku ka punuar”. Deri tani, në vend të zareve të tavllës me të cilat kalojnë pjesën më të madhe të kohës moshatarët e tij apo kafeve e ndonjë gote raki që kthejnë në lokalet e lagjeve, Mihali merr e riparon vetë me duart e tij rrjetat e grisura e të dëmtuara nga moti i keq në peshkim, Të dhënat personale të tij flasin se ai ka lindur më 7 prill të vitit 1936. Fëmijë peshkatarësh, i rritur në mjediset e peshkimit. “Madje,- kujton ai,- edhe lodrat e para të fëmijërisë i kam bërë në bregdet. Më pas, pa u rritur akoma, as 10 vjeç s’duhet të kem qenë, kam filluar punë me prindërit e mi si peshkatar”.

Mihal Noka vazhdon të mbajë përsëri rekordin. Në se në fillim të viteve 40, ai mbahej si peshkatari më i ri i peshkimit në Durrës (për të mos e cilësuar peshkatar ende fëmi), sot ai krenohet se është peshkatari më i vjetër i këtij sektori. “Madje,- thonë ata që peshkojnë gjithnjë me të,- ai sot është peshkatari më i vjetër, jo vetëm në Durrës, por në Shqipëri, pasi vazhdon ende të dalë rregullisht në det të hapur për peshkim. Dhe jo si peshkatar, por si “kapedani” i peshkatores “Leda”.

Për këdo që e takon e dëgjon për të, jeta e xha Mihalit është një shtegtim mes dallgëve plot shkumë e rrjetave plot peshk, e ngjashme me një hartë gjeografie të shënjuar, jo me emrat e qyteteve siç jemi mësuar rëndom, por me emrat e anijeve të shumta të peshkimit në të cilat ai ka dalë detrave e me të cilat peshkon edhe sot e kësaj dite

Ai është i kudo gjendur edhe për peshkatoret e tjera, pasi të gjithë e njohin dhe të gjithë kanë nevojë për eksperiencën e tij të pasur. “Mihali është zemërgjerë si deti,- thonë peshkatarët,- nuk ja prish njeriu, por përvesh duart dhe të ndihmon jo thjesht me mend, por edhe konkretisht duke riparuar çdo gjë që është e mundshme prej duarve të tij që se njohin prehjen”. Sidoqoftë, kapidan Mihali është njeriu që ka thyer 2 rekorde moshe gjatë punës së tij në peshkim.

70 vjetorin e kaloi në det

Në 7 prill të vitit 2006, me rastin e 70 vjetorit të lindjes së Mihalit, një ekip televiziv lokal deshi të realizonte një kronikë speciale me personazh kapedanin peshkatar më të vjetër të vendit, Mihal Nokën. Drejtori i Organizatës së Menaxhim Peshkimit në atë kohë, Qemal Beu, i priti me përzemërsi dhe u foli fjalë nga më të mirat për mjeshtrin e punëve të detit që realisht kishte trajnuar me dhjetëra peshkatarë të rinj gjatë gjithë këtyre viteve jetë që ai i është përkushtuar këtij sektori.

Për t’i realizuar një surprizë Mihalit, Qemali i rekomandoi trupës televizive që në datë 7 prill të shkonin pranë klubit të peshkimit në mëngjes, sepse ai së bashku me peshkatarët do të organizonin një takim për t’i uruar atij ditëlindjen. Njëkohësisht ai u rekomandoi atyre të ruanin fshehtësinë, pasi gjithçka po bëhej për ta surprizuar peshkatarin e moshuar.

Por gjërat nuk rrodhën siç dëshironte Beu, peshkatarët dhe trupa televizive. Atë ditë ishte Mihali, ai që do t’u bënte surprizën miqve të tij. Kishte dalë herët në det me peshkarexhën e tij dhe e kishte kaluar 70 vjetorin duke gjuajtur peshk. Miqtë e tij të shumtë mundën ta uronin pas kthimit në tokë, ndërkohë kronika televizive nuk u realizua sipas parashikimit.

Jeta e Mihal Nokës

“Një jetë e kaluar në det mund të cilësohet jeta ime. Kam filluar punë në Kooperativën e parë të Peshkimit që u ngrit menjëherë pas çlirimit në Durrës,- saktëson Mihali,- pasi edhe prindërit e mi këtu punonin. Mund të them se e kam filluar jetën e detit që fëmijë i vogël, me pantallona të shkurtra, por ato as pantallona nuk ishin, më mirë të shprehemi me mbathje të zakonshme. Dhe u rrita në det. Mund të them se jeta ime në peshkim si punëtor i kalon të 65 vitet, të cilat për mua kanë qenë të kënaqshme. Me detin jam miqësuar kaq shumë sa s’mund ta kuptoj jetën time pa të. Unë këtu u rrita dhe me detin kam rritur e arsimuar edhe fëmijët e mi. Janë 2 djem e një vajzë. Djali i madh Alfredi është ekonomist, i dyti Teodori inxhinier mekanik, vajza ka mbaruar për pikturë”.

Është pikërisht ky det, erërat e kripura të të cilit së bashku me rrezet e pakursyera të diellit e kanë rreshkur fytyrën e kapedanit 76 vjeçar. Ai kujton me përpikmëri edhe emrat e parë të mjeteve të peshkimit me të cilat ka dalë për gjueti. “Kam punuar fillimisht,- kujton ai,- me anijet “Levreku”, “Qefulli”, “Blini”, “Delfini” e më pas me emrat e rinj që filluan t’i pagëzonin: “3 shtatori”, “Rozafa” e deri tani vonë me “Sopotin” e “Vlorën” e Mal Harizit.

Për këdo që e takon e dëgjon për të, jeta e xha Mihalit është një shtegtim mes dallgëve plot shkumë e rrjetave plot peshk, e ngjashme me një hartë gjeografie të shënjuar, jo me emrat e qyteteve siç jemi mësuar rëndom, por me emrat e anijeve të shumta të peshkimit në të cilat ai ka dalë detrave e me të cilat peshkon edhe sot e kësaj dite.

“Pulëbardha” s’doli në breg

Rasti i mbytjes së anijes “Pulëbardha” përbën një nga ngjarjet më dramatike të jetës së Mihalit. Ai u nis me këtë anije që mbahej ndër mjetet e mira të peshkimit, por fortunali i zuri në peshkim e sipër në det dhe nga dallgët rreth 9 ballëshe anija u mbyt. “Pulëbardha” s’doli më në breg, por Mihal Nako arriti të dalë. “Po në se deti na fali jetën,- kujton ai,- shokët tanë desh na “rimbytën” biografikisht, pasi u deshën disa mbledhje për të dhënë llogari se përse nuk e shpëtuam barkën e peshkimit. Pati njerëz që hodhën idenë se e kishim sabotuar”.

Me detin jam miqësuar kaq shumë sa s’mund ta kuptoj jetën time pa të. Unë këtu u rrita dhe me detin kam rritur e arsimuar edhe fëmijët e mi. Mund të them se jeta ime në peshkim si punëtor i kalon të 65 vitet, të cilat për mua kanë qenë të kënaqshme. Pa u rritur akoma, as 10 vjeç s’duhet të kem qenë, kam filluar punë me prindërit e mi si peshkatar

Kjo ngjarje do të kishte pasur pasoja të rënda mbi jetën e të gjithë ekuipazhit sikur çështja të mos mbyllej. Ai kujton se ka qënë korriku i vitit 1985, ekzaktësisht data 14 e atij muaji, kur me “Pulëbardhën” peshkonin në një zonë detare në drejtim të Divjakës.

“Erërat dhe dallgët e mëdha që u ngritën papritur na përlanë keqazi,- thotë ai,- saqë e pamë vdekjen me sy. U munduam të manovronim, por “Pulëbardha” nuk rezistoi dhe u zhyt në thellësi. Ekuipazhi arriti që të largohej me një varkë shpëtimi, por edhe ajo u përmbyt. Më nxorri deti pa ndjenja  në afërsi të plazhit të Divjakës dhe vendasit na dhanë ndihmën e parë jo mjekësore, po vëllazërore duke na rikthyer në jetë. Pasi u kthyem në Durrës filluan mbledhjet që na sollën shumë shqetësime, sa që më shumë mbaj mend tensionin e tyre, sesa ndodhitë nga ajo ngjarje. Mbledhjet kishin për qëllim të na vinin para përgjegjësive që si kishim, duke anashkaluar  momentet kur luanim me jetët tona mes detit të pamëshirshëm. Deti na fali, por shumë prej shokëve u treguan shpirt këqinj ndaj nesh…”.

Kështu e përfundon Mihali bisedën duke bërë me dorë që të mos e ngas më tej, pasi nuk ka shumë qejf që ta kujtojë ngjarjen. Po në se “Pulëbardha” s’doli në breg ashtu si dhe shumë të tjera ku ka punuar kapedani, ai tani shëtit vetë si një pulëbardhë nga njëra peshkatore në tjetrën, gjithnjë me energjinë e një të riu dhe me diturinë e një “ujku të vjetër” të detit. Fundja deti dhe ai janë miq të vjetër dhe ia mbajnë hatrin njëri tjetrit!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori