Për mjekët e qytetit të Durrësit dhe një kujtesë për dr. Ben Çettën (FOTO)

07/07/2018 - 10:17

   Nga Gëzim KABASHI

Një foto e publikuar kohët e fundit në rrjetet sociale ka rikthyer në vemendje respektin për mjekët e djeshëm të qytetit.

Nga e majta në të djathtë dallohen dentisti Haki Bllaca, ortopedi Bashkim Habibi, neurologu Stefan Vokopola, kardiologu Ben Çetta, kirurgu Miri Hoti, dhe dikush tjetër në mes, emrin e të cilit ma ka fshirë koha dhe mosha ime që ecën.

Dy foto të tjera në arkivën time më kujtuan edhe për ditën kur Durrësi e nderoi dr. Ben Çetën me titullin “Qytetar Nderi”. U gëzua si fëmijë, pasi nuk kishte menduar se sa shumë e donte qyteti.

Dhe po aq shumë u kënaq, kur në të dy krahët e tij gjatë ceremonisë u ulën për të gëzuar së bashku, dr. Ali Sula, një nga korifejtë e mjekësisë në Durrës, dhe dr. Klodjana Spahiu, e cila u kujdes deri ditën e fundit për zemrën e sëmurë të doktorit tonë të mirë.

Edhe këtu, njëlloj si në foton bardhë e zi ku ndjehet spontaneiteti i kolegëve, profesioni i të cilëve kuptohet vetëm nga bluzat e bardha.

Ishte thuajse koha kur u bëra baba dhe 6 mjekë e mjeke, një pjesë shokë gjimnazi, u kujdesën për operacionin e gruas sime, por edhe për shëndetin e të sapolindurit.

Peshqeshet simbolike të ditës sime më të lumtur i refuzuan thuajse me të njejtat fjalë: Po nëse ti do të ishe doktori?

Ishte koha kur në vizitën e paradites mjekët shkonin për konsulta në grup, duke u dhënë siguri pacientët e tyre.

Ishte koha kur ne besonim te mjekët e ambulancës dhe spitalit. Nuk ishte merita e jonë, por ishte kapaciteti profesional dhe njerzillëku i bluzave të bardha, që e forconte besimin tonë.

Ishte koha kur nuk mendonim për vizita apo ndërhyrje shëndetsore jashtë vendit, pa marrë parasysh kostot e tyre në buxhetin e familjes, veçse në raste shumë të veçanta.

Mes mjekëve, pacientëve dhe familjarëve funksiononte një besim i ndërsjelltë, që nuk kishte nevojë për fjalë e as për para.

Diçka e tillë si ajo që ndodhi në vapën e vitit 2009, kur qytetarë nga të gjitha moshat i dhanë lamtumirën një mjeku me jetë të trazuar, të cilin e burgosën pa asnjë faj; njeriut që për rrethana të trishtuara në vitet e fundit jetoi pa asnjë të afërm pranë;  qytetarin që deri ditën e fundit të jetës e kishte hapur 24 orë shtëpinë për këdo që kishte nevojë; mjekun që shpëtoi qindra jetë njerëzish.

Po rikujtoj fjalët me të cilat e përshkruante humbjen një gazetë e kryeqytetit. “Doktor “Beni”, sikurse e thërrisnin i madh dhe i vogël, ishte ndër njerëzit më të njohur të Durrësit. Kishte rritur me breza të tërë duke vigjëluar mbi shëndetin e durrsakëve, kishte bërë të ngriheshin në këmbë dhe të shkonin jetë të mbarë me mijera vetë të cilëve më parë ua kishin hequr shpresat, kishte jetuar, dashuruar, vuajtur e gëzuar, njësoj dhe bashkë me durrsakët. Pikërisht andaj të gjithë durrsakët e vjetër e përshëndesnin doktorin e mbarë.

Duhet të ketë qenë një gjë fort e vështirë që të njohësh kaq shumë vetë, por doktor Beni e bënte këtë me kënaqësi, njësoj sikur të dëgjonte një muzikë të bukur. Me të njejtën elegancë, me një qeshje të lehtë që nuk i ndahej syve të tij, ai vazhdonte të ishte pranë njerëzve dhe në shërbim të tyre”.

Siç shkruan më lart gazetari Fatos Baxhaku, 9 vjet më parë, më 7 korrik 2009, dhimbja kishte bërë njësh jo vetëm shokë e miq, por mbi të gjitha edhe dhjetra familjarë dhe pacientë të kardiologut durrsak që u kishte dhënë jetë me aftësinë profesionale dhe me butësinë që e karakterizonte.

Ashtu siç i duam mjekët tanë edhe sot.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Sot shënohet 2-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe që në Shqipëri është festë zyrtare.

   Memorie qytetare

Anastas Mima pranë nesh, në parajsën e kujtesës

   Në këtë libër kam kërkuar të tregoj historinë e një dinastie të madhe financiare nga dita e arritjes të parit të fisit (themeluesit të

Siguria është e tillë kur është e garantuar 100% në çdo pjesë përbërëse të saj: nëse po kërkoni cilësi, siguri dhe klas në një të vetme,

Mjeku Ashim Zogu, njihet si një prej atyre pak mjekëve të ndershëm në Urgjencën e spitalit të Durrësit I cili ka marrë të gjithë vlerësim

*Përpjekje për t'u kthyer në një institucion pushimi bashkëkohor

Nga Shefqet Kërcelli