Ndahet nga jeta "daja" i famshëm i futbollit në Durrës

12/01/2021 - 19:47

Në foto: Met Myshku duke marrë çmimin “Luigj Shala”, Shkodër, dhjetor 2001

Nga BUJAR QESJA

Librit të gjallë të futbollit durrsak, iu hoq edhe një faqe aktive. Nga sot nuk është më një burrë me peshë i qytetarisë dhe futbollit durrsak. Me emrin e Met Myshkut, i cili u binjakëzua me emrin joshës popullor “daja”, janë të lidhura futbolli i Durrësit nga viti 1950 e deri më 1962. Dhe pas kësaj “daja” ynë, veshi xhaketën e zezë të gjyqtarit të futbollit, duke bërë një karrierë për t'u patur zili.

Met Myshku u lind në Durrës me 10 korrik të vitit 1934 dhe u largua nga ne për në banesën e përjetshme me 11 janar 2021. Ka disa muaj që u godit nga një sklerozë e theksuar dhe ishte e pamundur që ta takonim, ndonëse tentuam në një rast së bashku me Sul Maliqatin, Feti Golashin, Bardh Bilalin dhe Pandi Zogën. Por brenda shpirtit tonë erdhi dhe ul dhimbja dhe keqardhja për një mik të çmuar, për një njeri që i dha shumë futbollit si lojtar, e më pas edhe si gjyqtar klasi.

Meti i takon atij kontigjenti qytetar, që kishte peshë të rëndë. Bëri emër dhe e ruajti të pastër atë. Met Myshku mbetet nga të rrallët e brezit të tij, që jetonte ende, duke mbetur dëshmi të asaj traditë që ia ngrinte kryet futbollit të qytetit. E kishim lënë disa herë të takoheshim, e ditët fluturonin. Kishte një fizik të fortë dhe me një pamje gjithnjë tërheqëse. Deri vonë ishte përdorues i biçikletës, duke na lënë të kuptojmë: që Met Myshku edhe më tej do të mbetet kockë e fortë.

E kishim lënë të takoheshim, jo thjesht për një kafe dhe për pak muhabet. Por Met Myshku ishte enciklopedi më vete. Më thonte që ka disa albume me jetë aktive nga futbolli, si futbollist, por edhe si gjytar rrace. I qetë ky Myshku ynë, i urtë, fliste shumë pak, por transmetonte shumë mendim.

E kujtoj si natyre tipike e durrsakut, i cili nuk e ka për soj e për fis të mburret, as të kris gjoksin nga të rrahurat. Ky Met na la shembullin si të çmojmë shokët, si ta duam qytetin tonë, si ti dalim për zor traditave tona sportive, por edhe qytetare për të mos lënë kënd të na i cënoj. Prandaj edhe largimi i tij nga jeta, mik me kokë edhe i komisarit të ekipit siç quheshin atëhere i babait tim Xhafer Qesja, të cilit i mbaj mënd një shprehje që e përsërsite: “Hej daj Meti sa i zoti që je”.

Shumë i vogël, kur isha në moshën e kopshtit, babai më dërgonte tek fusha e vjetër dhe unë ndiqja Durrësin e viteve 50-të, ku në 56-57-tën mori emrin aq të përmallshëm “Lokomotiva”. Aty dëgjoja sportëdashësit që e lavdëronin shumë Met Myshkun, i cili e nisi karrierën si sulmues dhe përfundoi si mesfushor. Madje përdorej si humor dhe kjo i pëlqente të gjithëve. Meti ishte shumë i fortë nga gjunjët dhe sa herë përplasej me kundërshtarin, të gjithë e dinim se fitues do të dilte Meti ynë. Dhe mbaj mënd se flitej me humor, se fortësia këtij njeriu nga gjunjët i vinte nga punimi i bahçes me bel dhe nga llokumet e Hysen Ballhysës, drejtorit të atëhershëm të NIL Prodhimeve.

Eh Met Myshku sa kujtime na lidhin! Dhe jo vetëm me mua, por me shumicën e durrsakëve. Ti i doje ata dhe meritoje gjithnjë besimin dhe respektin e tyre. Kishim të drejtë të mburreshim me ty, pasi raportet e tua me neishin të prekshme, dashamirëse, shumë qytetare, por ishe përfaqësues autoritar në fushat që more përsipër të mbuloje.

16 vjeçar nise të luaje me Punën e Durrësit dhe më pas me Dinamon e Durrësit, për të përfaqësuar më pas Lokomotivën e njohur po të Durrësit. Ti Meti ynë i paharruar i doje dhe i respektoje sa ska ku të shkojë trajnerët e tu në vite si Tom Gjirin, Adem Karapicin dhe Skënder Dedjen. Në rrugën tënde sportive mbete titullar pa lëvizur nga formacioni, kur këtë tregues e kërkonin 110 futbollistë. Kur luajte ti portën durrsake e mbrojtën në kohë të ndryshme 11 portjerë si Palush Gajda, Mile Qoshja, Sul Dollaku, Shefqet Topi, Jonuz Teli, Astrit Myhyrdari, Met Hoxha, Raqi Pisku, Pandi Zoga, Çiço Ikonomi dhe Teli Ciko.

Bashkëudhëtues si futbollist të shoqëruar mjaft futbollistë, por ndër kryesorët ishin: Mustafa Hajdari, Zyhdi Ruli, Banush Pasha, Raq Manushi, Shyqyri Hasa, Nikolla Çeta, Abdulla Duma, Shaban Belba, Ali Zalla, Xhoxhi Pasku, Muharrem Kadiu, Petraq Ikonomi, Mustafa Saraçi, Nysret Shyti, Nderim Hoxha, Taq Murati, Nikel Muka, Niko Bespalla, Orest Grami, Met Spahiu etj.

Rruga sportive e Met Myshkut përfshin 12 vite si futbollist dhe 18 vite si gjyqtar futbolli. 18 vite të shoqëruan edhe si Sekretar i Shoqatës së Gjuetarëve të Rrethit të Durrësit. Nga 1 korriku i vitit 1973 dhe deri në vitin 1980, Met Myshku na zbardhi faqen teksa gjykonte edhe takime ndërkombëtare. Për tu përmëndur është një takim ndërmjet Honved të Budapestit dhe Adanaspor të Turqisë.

Për angazhimet aktive në futboll, Federata Shqiptare e Futbollit me rastin e 100 vjetorit të themelimit, të akordoi “Medaljen e Mirnjohjes”. Gjithashtu si gjyqtar meritove çmimin “Luigj Shala”. Por ajo që vlen dhe që mbeti kurorë lavdie e punës dhe aktivitetit tënd, ishte mirnjohja dhe respekti që të dha qytetaria durrsake.

Në këtë të martë, të 12 janarit 2021 iu dha lamtumira e fundit Met Myshkut. U largua nga ne një figurë aktive e futbollit dhe e shoqërisë. Por ajo që la pas Met Myshku, është historia dhe mos harresa e një pune të jashtëzakonshme, për të lartësuar dhe bërë krenarë secilin prej nesh.

Lamtumirë Met Myshku, memoria e jonë e pacënuar!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: