Nga Bujar Qesja

Nuk ka pak ditë, që e takova profesor Abedin Çetakun, apo Dinin, pranë shtëpisë së tij në afërsi të poliklinikës dentare të Durrësit. Ndaloi dhe na transmetoi sërish humorin e tij të ndezur, të qeshurën origjinale dhe mbi të gjitha komunikimin e jashtëzakonshëm që kishte. Eh profesor Dini! Ku e dija unë, që ky do të ishte takimi i fundit i yni. Dhe kjo është një arsye më shumë, që ndjej më shumë dhimbje, më shumë trishtim, për largimin tënd nga jeta. Kam detyrim ndaj teje, i nderuari Abedin Çetaku! Më ke dhënë mësim. Më ke dhënë urtësi dhe durim. Më kë dhënë kulturë dhe formim. Më ke nxitur në maksimum dëshirën dhe vullnetin, për të mësuar, për tu aftësuar, për ti shërbyer saktë dhe me ndershmëri qytetit tonë të lindjes, njerëzve të shkëlqyer të tij. 

Më preku ndjeshëm lajmi, për largimin tënd nga jeta. Jetove gjatë dhe pate privilegjin dhe fatin e madh, që u respektove dhe u çmove gjatë. Bashkëqytetarët e tu, nuk do të kenë më rastin të të takojnë dhe të të përshëndesin. Ti nxirrje mjaltë nga goja, mirësi nga shpirti. Shumë njerëzor. Njeri i rrallë, që po i ikën këtij qyteti të lashtë, të kulturës dhe dijes, të njerëzve të zot e konkurues. 
Rexhep Çetaku e ndërtoi Durrësin që nga themelet dhe ti profesori im, profesori ynë, profesori i të gjithëve, i mësove durrsakët e mi, i dhe arsim e dije, i dhe forcë të arsyjes dhe të vetëdijes. Ndikove dhe ndihmove shumë, që ata të ndjenin forcën e rizgjimit, të aftësisë dhe vlerave të tyre të spikatura. Nuk e teproj në se formuloj këtë figuracion: rrugët e Durrësit qeshnin, ndriçonin kur lëvizje ti Abedin Çetaku, gjigandi i komunikimit njerëzor. Të shikoja që ndaloje dhe bisedoje me të gjithë, pa dallim moshe. Inkurajoje, nxitje vullnetin e mirë, për të qenë të zot, për të qenë të aftë dhe të ditur, e për ti dalë zot afirmimit të vlerave më të mira të këtij qyteti dhe njerëzve të tij bujarë e fisnikë.
Viti i lindjes 1928. I ndarjes nga jeta 17 mars 2018. Segmenti jetësor i i këtij kolosi të arsimit durrsak, zgjati plot 90 vite. Në shifra duket se jetove gjatë, por shumë e shkurtër jeta juaj, në raport me domosdoshmërinë e të qënurit pranë durrsakëve të tu, pranë njerëzve të tu të dashur, pranë nxënësve të tu, që të donin e të respektonin pa kufi. Jam rritur që i vogël, me respektin ndaj këtij njeriu të artë, plot kulturë dhe edukatë. I kam patur komshi, në lagjen numër 4, me emrin e vjetër të rrugës Nail Kondi. Ustai i famshëm Rexhep Çetaku, e kishte fëminë e parë Abedinin dhe pasi tij vinin i talentuari i elektronikës Ali Çetaku (Ciku), Ikbale Çetaku, mësuesja e bilogji kimisë, Agim Çetaku, miku im i shkëlqyer, me profesion mekanik, Fozi mësuesja e matematikës. Familja e Rexhep Çetakut, nga më brilantet, nga më fisniket, nga më dinjitozet në Durrës. Prandaj ndjejmë dhëmbje, kur këta fisnikë po na ikin, ja kështu si sot në rastin e Abedin Çetakut. Ndjej dhëmbje për ty mësuesi im. I gëzoheshe nxënësve me një vizitë, apo kartolinë urimi. Kurrë ana materiale, ska zënë vënd tek ty, për të çfrytëzuar njëanshmërinë në trajtimin e nxënësve. Ti ishe vizionar, shembull i mahnitshëm i detyrës tënde fisnike. Ti kurrë nuk i pe nxënësit e tu nga duart, siç është bërë rëndom sot, por i çmove nga sjellja, nga dijet, nga niveli dhe kultura. Dhe kur ata çedonin në ndonjë rast, ti Abedini im i çmuar, shtoje fuqinë e mëndjes tënde, për të testuar atë që nevojitej, që nxënësit kërkonin më shumë nga mësimdhënia yte. 
Nëkëtë pranverë të parë të vitti 2018, kemi humbur një pjesë të rëndësishme të përfaqësimit pikant të kulturës, arsimit dhe historisë së Durrrësit tonë të madh. Kemi humbur Abedin Çetakun, përfaqësuesin më të zëshëm, të të gjithë këtyre cilësive të veçanta që po tregojmë. Kemi humbur shenjën tonë më dalluese, më konkrete, më ekspozuese, më konkuruese, më të veçantë, më mburrëse për ne të gjithë. Ishte një pjesë e rëndësishme, e identitetit tonë kulturor dhe arsimor. Ishte vërtet një kolos. Nuk ishte vetëm babai i tre fëmijve të tij, Bujarit, Bardhylit dhe Mirës. Ai ishte babai i vërtetë i arsimit durrsak, që nisi faqen e parë të historisë së tij pas luftës, në vitin 1945, për ta ndalur vetëm tani, po po vetëm tani, në këtë fillim pranvere të vitit 2018. Edhe më pas, do ta ndjejmë më shumë se, çfarë kemi humbur. Shuarja e tij, na bën të shtrëngojmë fort kujtesën, për të qenë tejet të ndjeshëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të tij, të arsimit durrsak, të identitetit tonë. Në fund të fundit janë vlerat tona, që Abedin Çetaku me një brez idealistësh punuan, e punuan pa ndërprerje, për të ndezur dhe ruajtur skajshëm, atë që quhet qytetaria durrsake. 
Lamtumirë Abedin Çetaku, profesori im i paharruar!