Nga Aleksandër Cangonja

Në qëndrën e qytetit të Durrësit qëndron krenare xhamia e madhe e saj, një ndërtesë e cila deri para pak vitesh ishte më e madhja në Shqipëri si objekt i fese myslimane. Por si qëndron historia e kësaj godine ? Përpara se të shkruaj rreth xhamisë, duhet bërë një rezyme e përgjithshme e Durrësit për atë periudhë kohore !

Ishte tërmeti i 17 Dhjetorit 1926 i cili përpos dëmeve të mëdha që shkaktoi duke dëmtuar shumë objekte banimi apo godina qeveritare në Durrës (1), ai tërmet në optikën e sotme i solli qytetit mundësinë e artë për zhvillimin urbanistik, social dhe ekonomik. Siç dihet nga historia Shqipëria e asaj kohe i kishte hyrë një rruge të re drejt zhvillimit, marrëveshjet dhe huatë midis shtetit Shqiptar dhe Italisë (“Paktet e Tiranës”) kishin filluar të jepnin impakt në jetë publike dhe ekonomike të vendit, për më tepër që Durrësi duke qenë një qytet port ky zhvillim i vrullshëm ekonomik ishte akoma dhe më i prekshëm. Pra mbas tërmetit filloi ridimensionimi i rrugëve kryesore të qytetit, duke filluar nga bulevardi tregtar e cila ishte një risi për Durrësin. Bëhet fjalë për një segment ku përshkruhej nga të dy krahët e saja me ndërtesa të reja dhe të vjetra por me fasada të stilit klasik dhe rruga në mes ishte mjaftë e gjërë, duke bërë kështu përdorimin e rehatshëm të automobilave ndryshe nga sa më parë kur rrugët shfrytëzoheshin vetëm nga kalimtarët, qerret dhe kuajt. Nga krahu tjeter nisi po me të njëjtin stil si bulevardi tregtar dhe bulevardi i cili sot mban emrin “Dyrrah” që atëhere quhej “Destrunel De Kostan” duke rritur kështu ndjeshëm cilësinë e shërbimeve tregtare ku përpos impaktit ekonomik ajo i dha qytetit dhe nga ana estetike më shumë jetë dhe gjallëri.

Mbas tërmetit filloi dhe zbatimi i një projekti ambicioz për zgjerimin dhe thellimin e portit të Durrësit, të cilin do ta kthente në një nga portet kryesore në krahun lindor të detit Adriatik. Ndërtimi dhe thellimi i portit modern të Durrësit, punimet të cilat i kishte firma mirënjohur Italiane “Mazzorana” dhe zgjatën deri në vitin 1933, ndërsa në vitin 1934 përfundoi së ndërtuari dallgëthyesi i saj (2). Porti i ri do rriste cilësinë dhe sasinë e shkëmbimeve tregtare jo vetëm në Durrës por në të gjithë Shqipërinë, ndërsa në vitin 1928 do ndërtohej një nga godinat më të bukura publike të qytetit siç është ajo e bankës së Shqipërisë po në afërsi të portit mbi ish bastionin e madh të murit bizantin. Durrësi çdo ditë dhe më shumë po merrte pamjen e një qyteti të zhvilluar dhe perëndimor, ndërkohë ishte bërë elektrifikimi i qytetit i cili menaxhohej nga bashkia e Durrësit dhe shumë shpejt do jepej në koncesion ku pati filluar rivaliteti midis shoqërisë Italiane S.E.S.A dhe shoqërisë Shqiptare S.T.A.M.L.E.S dhe në përfundim do fitonte shoqëria aksionare S.T.A.M.L.E.S (3) edhe pse në shumicën e qyteteve tjera kishte fituar shoqëria Italiane ku kishte filluar të dukej dominimi Italian në jetën ekonomike në vend (4). Të gjitha këto vepra publike do u konkretizoheshin me ridimensionimin e sheshit “Liria” ku fillimisht u shembën të gjitha barrakat dhe objektet të cilat pengonin implementimin e planit rregullues të qytetit, pra u ndërtua godina e sotme e bashkisë nga një krah dhe përballë saj u hap i tërë sheshi duke prekur kështu plani edhe xhaminë e Varoshit e cila u shpronësua nga regjimi i asaj kohe duke e kompesuar myftininë Durrës në tokën ku ndodhet sot xhamia e madhe e qytetit, por le të ndalemi pak tek Xhamia e Madhe.

Sebep për ndërtimin e xhamisë së madhe u bë zgjerimi i sheshit “Liria” e cila solli dhe prishjen e xhamisë Varosh dhe zhvendosjen e varrezave të saja por edhe një sëre objektesh dhe barakash që gjëndeshin në perimetrin e sheshit të sotëm. Duke pasur dhe asistencën e inxhinierëve dhe arkitektëve italianë të cilët me eksperiencën e tyre u munduan ti jepni vlerë planifikimit të sheshit dhe ndërtesave përreth, pushteti i asaj kohe arriti në përfundimin dhe dakortësinë me komunitetin musliman që të ndërtohej një xhami e madhe e cila do ishte më e madhja në Shqipëri dhe qëndronte krenare mbi kodër ku do kishte mundësi të shihej nga të gjitha anët e qytetit.

Xhamia ishte projektuar të ishte më e madhja jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë ballkanin (përveç atyre të Turqisë) ajo do ndërtohej në kodrinën perëndimore të sheshit “Liria” dhe se do dominonte totalisht në aspektin figurativ këtë shesh sëbashku me godinën e bashkisë. Sipërfaqja e ndërtimit të xhamisë do ishte 1319 m2 ndërsa sipërfaqja totale e sheshit të saj 1776 m2 , krahas xhamisë do ndërtohej dhe godina e vjetër e myftinisë dhe dyqanet poshtë saj gjithmonë në funksion të myftinisë Durrës. Punimet e xhamisë së madhe apo xhamia “Zogu” (emri për nder të mbretit Ahmet Zogu) nisën më 9 gusht vitin 1931 (5) ajo u projektua nga arkitekti Valkov ndërsa mbiqyrjen e punimeve e realizuan inxhinierët Kiço Papavangjeli, Nijazi Pilku dhe Lutfi Strazimiri, duke bërë të mundur implementimin në projekt midis asaj që është traditë Islame e xhamiave dhe kolonave tipike të antikitetit në Durrës. Fillimisht financimin për fillimin e punimeve e bënë tregtarët durrsakë, por edhe shoqatat si “Shoqnia Bamirse e Durrësit” me 250 anëtare dhe Rinia Myslimane me 75 anëtare ku të dyja bashkë dhuronin 400 franga ari në muaj (6), dhe të gjithë bashkë kontribuan kështu masivisht për këtë objekt, por normalisht ato ishin të pamjaftueshme duke pasur kështu vetëm një vlerë simbolike në kontributin e ndërtimit të saj, e ndërsa peshën më të madhe të financimit e kishte vetë Komuniteti Mysliman Shqiptar (K.M.Sh) dhe donatorë të tjere të ndryshëm, duke e ndarë financimin në tre etapa, ku shuma totale do shkonte 121.583.8 franga ari, një shifër shumë e madhe për kohën por realisht financimi nga komuniteti dhe donatorët ishte 93.664.9 franga ari (7). Pjesa e parë e punimeve ju besua sipërmarrësit Hajdar Toksa, e dyta Sulejman Demirit dhe e treta Sulejman Damit, lyerja me bojë u bë nga specialistat Italian Carlo Fabris, Peppi Mazarolli dhe Nicola Mininni, kurse plotësimi i brendëm me sexhaden etj u bë nga populli musliman i Durrësit e cila pati një kosto prej 12.000 franga ari. Proçesi i ndërtimit zgjati deri në vitin 1938, ku u ndalua për shkak të mungesës së fondeve (9) duke mos e përfunduar plotësisht zbatimin e projektit e cila vlen të theksohet se xhamia do kishte dy minare ndërsa u ndërtua vetëm një, por në përgjithësi xhamia ishte gati për besimtarë myslimanë që të praktikonin besimin e tyre në shtëpinë e Zotit.

Inagurimi i saj !

Ndërkohë që xhamia ishte e hapur për besimtarët, edhe pse e pa perfunduar plotësisht ajo u inagurua vetëm mbasi vendi ynë u pushtua nga Italia fashiste. Italianët duke pasur një përvojë të hidhur nga lufta e Vlorës në vitin 1920, këtë rradhë kishin ndryshuar taktikë në pushtimin e Shqipërisë, ata tashmë do ishin të kujdeshëm në disa fusha që kishin të bënin me jetën publike në vend dhe një nga ato ishte feja e shumicës së popullsisë.

Inagurimi i Xhamisë së madhe të Durrësit do bëhej pikërisht 2 muaj mbas pushtimit Italian nga autoritetet e kohës. Ditën e djelë të datës 10 Qershor 1939 ora 09:30 (do fillonte ceremonia ku për formalitetet e një evenimenti zyrtar pjesmarrëse ishte xhandarmëria dhe marina ushtarake. Sipas programit nga ora 09:30 deri në orën 10:00 do priteshin të gjithë ata të ftuar si besimtarët e përhershëm por edhe ata me ftesa të posaçme, në orën 10:15 në ambjentet e xhamisë do vinte Francesko Jacomoni i shoqëruar nga autoritetet e larta të vendit si Xhafer Ypi ministër i drejtësisë apo kryetari i komunitetit musliman Bexhet Shapati të cilët do priteshin nga Myftiu i qytetit Ismail Ndroqi dhe Imami i Xhamisë Mustafa Varoshi. E gjithë atmosfera e asaj dite në Durrës do shfaqej në mediat Italiane duke e propaganduar si fillimin e një jete të re në Shqipëri(10).

Referenca:

1)Revista Dituria 1927.

2)Historia e qytetarisë durrsake fq.85, prof. Danish Bebeziqi.

3)Gazeta “Besa” Tirane 15 Shtator 1934, e bashkangjitur me kontratën midis Stamles dhe Bashkisë Durrës- Arkivit i Shtetit nr.238.

4)Libri Ahmet Dakli – Hilmi Dakli fq.85, shtëpia botuese “Onufri” 2017.

5)Revista Fetare ZANI I NALTË, Shtator 1931 nr.1.

6)Revista Fetare ZANI I NALTË, Shtator 1938 nr.9.

7)Aqsh, F. 482 (Komuniteti Mysliman), V. 1938, D. 1-91.

8)Aqsh, F. 482 (Komuniteti Mysliman), V. 1939, D. 1-161.

9)Aqsh, F. 482 (Komuniteti Mysliman), V. 1938, D. 1-91.

10)Gazeta “La Stampa” 16 qershor 1939.