Një ditë në lagjen e mbytur në blozën e fonderisë

27/11/2011 - 00:00

Mjeku i familjes në qendrën shëndetësore numër 7, Osman Hazizaj, deklaron se fonderia dëmton me pasoja të pariparueshme rrugët e frymëmarrjes, mushkëritë, zemrën, aparatin tretës. Bashkia dhe institucionet e tjera bëjnë një vesh shurdh e një sy qorr para katastrofës ambientale që shkakton prej vitesh kjo fonderi. Bashkëjetesa mes fonderisë dhe banimit është rezultat i zhvillimit kaotik të urbanizimit, pasi njerëzit kanë ndërtuar vend e pa vend edhe në zona që në planin e vitit 1986 kanë qenë parashikuar si industriale. Gjithsesi, sot kemi fonderi dhe banim ngjitur dhe Bashkia duhet të gjejë zgjidhje të shpejtë, duke e futur këtë rast në prioritetet e saj...

Sapo kalon Urën e Dajlanit në Durrës dhe përshkon rrugën përmes Shkozetit të bie në sy një re mjegulle mbi banesat, pallatet, lokalet, shkollat e bizneset. Shoferët e mjeteve nxitojnë të mbyllin xhamat e dritareve, udhëtarët zënë hundët, kurse kalimtarët hedhin vështrimin andej nga vjen reja e madhe dhe e zezë. Të gjithë ata që jetojnë në lagjen 14, në Shkozet, e dinë mirë të vërtetën e kësaj historie, e cila herë ndizet nga debatet dhe herë fashitet. Pasi përshkon rrugën dhe kalon stacionin e parë të urbanit të linjës Durrës-Nish Tulla, disa metra më tej gjendet rruga “Hazis Shkupi”. Saktësisht rruga është në të majtë të aksit kryesor. Diku 50 m në thellësi të rrugës gjendet fonderia. Këtu të bën përshtypje gadishmëria e banorëve për të komunikuar dhe për të treguar deri në detaj se çfarë po ndodh me ta. Banorët kanë të gjithë ankesa pikë së pari për shëndetin pasi thonë se fonderia lëshon gazra e lëndë që helmojnë shëndetin. Janë burra, gra, fëmijë e të moshuar të cilët tregojnë atë që ata thonë se po u merr ditë pas dite jetën para kohe.

Këtu është diçka rutinë të dëgjosh sesi nga mëngjesi deri në darkë, të rinj e të moshuar, fëmijë e pleq kolliten, pështyjnë në anë të rrugës apo ulen në mes të trotuarit, ngase u zihet fryma nga mushkëritë e dëmtuara prej blozës. Teksa merr rrugën poshtë lagjes dëgjohen pa pushim goditjet që vijnë nga një kapanon aty afër ku thyhen bateri makinash. Kapanoni i mbuluar me eternit është i gjerë e i gjatë. Firma është kujdesur që të gjitha kapanonet e saj të kenë vetëm një hyrje e dalje për ta pasur kështu nën kontroll çdo gjë aty brenda. Edhe muret e kapanonit e të kapanoneve janë të larta dhe nuk të lejojnë të shikosh asgjë. Kamionët futen natën për të mos rënë në sy, tregojnë banorët e lagjes. Këtu vetëm ndonjë hardhi rrushi ka mbetur në këmbë, pasi pemët e tjera nuk i mbijetojnë “mikroklimës” së Shkozetit.

Bloza ka lënë gjurmë gjithandej: në kulmet e shtëpive, në oborre, dritare, dyer, pemë, tenda, plaçka. Gjithandej bloza, shtresa e zezë është e pranishme. Në dimër e në verë, ditën e natën. Nëse do të ndodhë të bjerë shi gjatë kohës kur oxhaqet nxjerrin tym, në lagje duket sikur bie baltë e zezë nga qielli, pasi bloza përzihet me renë e madhe tëtymit për të rënë mbi banorët e shtëpitë e tyre. Këtu nuk mund të bëhet fjalë për të lënë diçka jashtë në oborr, apo për të hapur rrobat në tel. Një pakujdesi e tillë kushton shumë, pasi rrobat marrin ngjyrën e blozës. E njëjtë është situata edhe në verë. Izolim i plotë për njerëzit e për mallin. Nuk pihet kafe jashtë, në verandë. Nuk mund të qëndrosh nën hijen e rrushit për të kaluar vapën e verës. Edhe dritaret duhen mbajtur të mbyllura. Më mirë të durohet temperatura e lartë sesa ndotja, sëmundja.

Të rënë në pikë të hallit dikush e ka braktisur banesën, të tjerë kanë marrë me qera shtëpi në qytet sa për të strehuar fëmijët. Halil Hoxha është njëri prej tyre. Ai e ka shtëpinë një katëshe, ngjitur me murin e fonderisë. Iku e mori një banesë me qera në Durrës. Mjekët e këshilluan të largohej sa më parë, pasi e shoqja e tij e sëmurë me asmë nuk mund të jetojë në atë mjedis të ndotur. Bashkëshortja e tij vdiq pa mundur të kapërcejë problemet e frymëmarrjes. Por Halili vazhdon të mos kthehet edhe tani në shtëpinë e tij. I druhet frikës se mund të përballet përsëri me situata të papritura për shkak të infeksioneve e sëmundjeve. Të gjitha këto të këqija ai e të tjerë i lidhin me atë që sjell në jetën e banorëve fonderia, gazrat e tymi i saj. Në të njëjtin hall e merak janë edhe dhjetëra e dhjetëra familje. Aty, ngjitur me fonderinë, jeton edhe familja e Shkëlqim Veliut, Arqile Nrekos, Gentian Kovaçit, Hazis Dodës, Engjëllushe Mehmetit, Kujtim Nexhipit, etj. Sherif Bogdani ka ardhur për të banuar këtu rreth tetë vite më parë. Ai ka qenë emigrant në Greqi dhe nuk kishte shumë dijeni për atë që i tregonin në telefon pjesëtarët e familjes. Shtëpia e tij është në anë të rrugës “Hazis Shkupi” dhe vetëm 30 m larg nga muri i fonderisë.

Sherifi thotë se ndihet shumë keq pikërisht për shkak të pisllëkut, sëmundjeve dhe zhurmave të shkritores. Arqile Nreka mori familjen e iku në Itali. Mbylli derën dhe i ktheu kurrizin shtëpisë, vendit, lagjes e gjithçkaje. Burrat e gratë këtu janë të papunë. Vetëm një pjesë e vogël e kanë lidhur ekonominë e tyre me atë pagë që u afrojnë subjektet me aktivitet ngjitur me shtëpitë e tyre. Të tjerët enden sa andej-këndej për të kërkuar punë sezonale. Gjendja e vështirë ekonomike ua ka mbyllur mundësitë për të trokitur në dyert e shtetit në kërkim të të drejtës për të jetuar të pacënuar nga sëmundjet, që ata ia faturojnë shkrirjes së metaleve me ngjyrë në një punishte e cila nuk ka mundur të bëjë asgjë për të rinovuar teknologjinë përpunuese dhe për të izoluar ndotjen e lagjes. Tani lagjia është disi e qetë edhe pse nuk e di mirë se sa do të zgjasë kjo qetësi. Oxhaku ka disa ditë që nuk nxjerr tym dhe oborret janë pastruar nga bloza, ndërsa familjet kanë hapur dyert e dritaret për të ajrosur shtëpinë.

Por asnjëri prej tyre nuk di të thotë se sa do të zgjasë një situatë e tillë dhe as si e pse ka ndodhur. Kanë dështuar përpjekjet për kompromise, pasi shoqëritë nuk kanë marrë asnjëherë përsipër të dëmshpërblejnë familjarët, të kompensojnë apo të paguajnë dëmet që u sjell ndotja e zhurma. Sulejman Tivari, Remzi Meta dhe Gëzim Mehmeti kërkuan në emër të banorëve të lagjes ndërhyrjen e pushtetit lokal për të vënë në rrugën e zgjidhjes hallin e tyre të disa viteve. Ndërsa shpresat nuk kanë qenë të pakta, përgjigja nga prefektura e Durrësit i demoralizoi. Prefektura u rradhit në anën e ndëshkuesve duke hedhur poshtë të gjitha ankesat e banorëve. Në materialin kthim përgjigje drejtuar familjarëve të mësipërm edhe prefektura, pa bërë asnjë përpjekje për të takuar banorët apo për të parë nga afër se çfarë ndodh e mbyll hesapin e saj duke iu referuar raportit të Institutit të Studimeve Ambientale.

Fonderia

Banorët e lagjes 14 në Shkozet denoncojnë aktivitetin e një fonderie, pronë e dy subjekteve që prej vitesh ushtrojnë aktivitetin e tyre në mes të lagjes së banuar duke shkrirë metale me ngjyra. Ato janë vendosur në ish-mjediset e fonderisë, e cila i përkiste ORMN-së e që është nën juridiksionin e bashkisë së Durrësit. Fonderia punon duke shkrirë më së shumti pjesë alumini si dhe pjesë të baterive të automjeteve. Ndonëse nuk ka një pohim të plotë e të saktë thuhet se tërë sipërfaqja e zënë nga ky biznes është më shumë se 3000 m2 dhe se ka disa kapanone për mbajtjen e stokut të mallit, lëndës së parë si dhe disa të tjerë për proceset teknologjike. Kjo linjë e industrisë e vendosur në mes të shtëpive të banimit ka shtuar aktivitetin. Kështu proçeset janë të ndara duke krijuar zinxhirin e punës. Në krye të lagjes të bie në sy reparti-kapanon i thyerjes së baterive. Më tej është reparti për shkrirjen e plumbit dhe një i tretë shërben si kapanon dhe furrë e fonderisë së aluminit.

Në kohën kur fonderia ishte pronë shteti, para viteve 1990, kishte një oxhak dhe proçesi i shkrirjes ndodhte rrallë. Sipas banorëve oxhaku nxirrte tym një herë në dhjetë ditë, ndërsa pas privatizimit me zgjerimin e aktivitetit u shtuan edhe oxhaqet. Sot janë tre të tillë nga vetëm një oxhak para viteve 1990. Për shkak të proçesit që kryen, ndotja e ambientit është e pashmangshme. Nisur nga sa deklarojnë banorët, shoqëritë nuk kanë marrë asnjë masë për të minimizuar ndotjen, e cila shoqërohet me rriskun e lartë të shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme. Lënda e parë merret nga pika të ndryshme si brenda Durrësit edhe jashtë tij. I vetmi repart shkrirjeje në pellgun e Durrësit është ai i Shkozetit. Gëzhojat e fishekëve dhe metali i plumbit transportohen natën në fonderi, në punishten e cila merret kryesisht me shkrirjen e metaleve me ngjyrë. Banorët flasin me siguri se dërgesat zbarkojnë në lagjen e tyre, disa metër larg murit me të cilin ndahen me firmat e shkrirjes së metaleve tek fonderia, gjë që nuk është pranuar nga pala tjetër. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

*(In Memoriam për Djemtë e Kostë dhe Maria Boshkut)

Nga Gëzim Kabashi

Në lagjen e vjetër “Varosh” të qytetit të Durresit, e cila njihet në ndarjet e reja administrative si lagjja nr 11, kalonte çdo ditë një

Ndërtimi i portit modern të Durrësit ka nisur në fund të viteve 1920, në të njejtën kohë kur filloi edhe ndërtimi i institucioneve dhe i

Nëntoka e lagjes 11 në qendër të Durrësit i ka befasuar përsëri arkeologët me një zbulim të ri, ndërsa bashkëjetesa e ndërtimeve të fundi

Nuk ka qytet në Shqipëri për të cilin të jetë shkruar më shumë se sa për Durrësin, po ashtu edhe për portin e tij.

Duke lundruar dhe u lëkundur mbi barkë, vetëm kështu mund t’i pikasësh një buzëqeshje në fytyrë Anna Ninës.

*Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ka qenë, është dhe do të mbetet epopeja më e lavdishme e popullit tonë.

Mbrëmja e së martës ishte nata e parafundit e Bienales së Muzikës Klasike 2019, programi i i së cilës ishte Muzika Hispane ku interpretoi