Portali "DurrësLajm" kërkon të punësojë një gazetar/e për web, të interesuarit të dërgojnë CV-në në adresën e email: [email protected]

Një rrëfim ndryshe për Durrësin, fuqia historike e memories qytetare (FOTO)

17/01/2021 - 14:00

Nga BUJAR QESJA

Jeta ime tashmë e ka bërë kreshendon dhe si një avion, vjen e ulet në pistën e fazës përmbyllëse të saj. Mosha 70-vjeçare, është peshë e rëndë, për të formuluar mendime me ngarkesë shprehëse dhe qartësuese, për temat që vendos në shenjestër.

Durrësin tim, Durrësin e vendlindjes time, Durrësin e varreve të prindërve të mi, Durrësin e të afërmve, të miqve dhe të shokëve, e shikoj pa u lëkundur të guxoj të heq një presje, nga orientimet e hershme, apo thënë ndryshe popullore.

Shumë gjëra kanë ndryshuar. Janë ndërtuar pallate shumëkatëshe. Janë transformuar rrugë dhe sheshe. Durrësi është rritur dhe zgjeruar. Të ardhurit kanë krijuar edhe figuracionin “Durrësi i ri”. Një shqipfolës, jo i rritur në Shqipëri po më thonte: ku është “Durrësi i Detit”. E kishte fjalën për plazhin.

Eci rrugëve të vendlindjes time dhe në imagjinatë dëgjoj të qarat e një foshje, që lindi në gushtin e vitit 1951. Shikoj gjurmët e fëmijërisë së tij, të rinisë, formimit e pjekurisë. Ndërtimet e shumta me kriter e pa kriter, këtij 51-shi tentojnë t’ia çedojnë memorien.

Ndaloj dhe kërkoj të lëviz ingranazhet, ende të fuqishme të memories. Dua të kujtoj. Dua të rrëmoj. Dua të shfaq njëherë si në një kohë, tablo të hershme, me emra njerëzish të larguar me kohë nga kjo botë, por edhe rrugësh, vende e pikëtakimesh tradicionale. E dua tani më shumë se kurrë, këtë lloj historie. Pasi besoj se kështu i ofrohem kujtimit të prindërve të mi, të njerëzve të mallit të rrugës time, të lagjes time, të qytetit tim.

Shumë i vogël, nuk mund të mendohej se do të fiksoja pamjet, që më duhen tani më shumë se kurrë. Janë pamje të jetës time, por edhe të jetës tonë. Është ajo jetë e thjeshtë, e varfër disi, pse jo dhe me pak brenga dhe halle, por shumë e ëmbël, shumë e bukur, shumë e dashur, shumë e shtrenjtë.

Kam kërkuar foto të hershme. Diçka gjeta, por jo tamam siç i doja. Të tjerat i kam plotësuar vetë, por të kohës së sotme. Tani zor se gjen ndonjë pamje që të kujton traditën, e të mos ketë një makinë përpara. Qyteti ka ndryshuar, po zor se ndryshon kujtesën tonë.

Së bashku me ty lexues nxitës i krijimtarisë time, të ecim, të prekim pak nga e kaluara jonë dhe të ritheksojmë mjaft emërtime të hershme, por joshëse edhe se viti 2021 nisi t’i kafshojë dhe t’i largojë nga vetja, ditët e para të startit të gjatë 12 mujor.

Janë marrë vendime, janë përpiluar shkresa, janë vendosur tabela në çdo cep a qoshe rruge, por ne vazhdojmë njëlloj si më parë.

Kur na pyesin se ku ndodhet kjo rrugë, qendër pune a institucion tjetër, menjëherë reagojmë me emërtimet e hershme dhe tradicionale. Kjo mbetet një forcë zakoni e fuqishme, por edhe se mjaft emra të reja të vendosura, nuk i bindin shumë njerëzit. Ato ndjehen më të lehtësuar, kur i thjeshtojnë me emrat e mëparshëm, që kujtesa popullore as ka ndërmënd t’i shkisë nga vetja.

Do të merremi në këtë material super ekstra, me shumicën e emrave që banorët e vjetër, por mbase edhe të ardhurit prej kohësh në Durrës, janë mësuar të orjentohen në jetën e tyre të përditshme. Shkrime të tilla janë të lodhshme dhe gjithnjë lejnë diçka mangut, për ta plotësuar publiku i gjërë. Por ajo që vlen është fuqia e palëkundur e sigurisë së qytetarëve, që të mos lëkundet në emrat e vjetër të emërtimeve, ndonëse Durrësi i tanishëm me atë të mëparshmin ka ndryshuar dhe po ndryshon rrënjësisht.

“Sefer Efendiu”, banjo publike, “Pusi i Topanasë”, gjykata, punishtet, Befotrofi

Sefer Efendiu, apo thënë durrsakshe Sefer Efeniu, rruga më tipike në kujtesën e durrsakëve. Rrugë legjendare, me shumë histori, me njerëz gjigandë të veprimit, të patriotizmit, të kulturës dhe qytetarisë, të sportit dhe civilizimit, të punës dhe ndërtimit, të qendresës dhe historisë më pikante të Durrësit tonë. Rruga “Sefer Efeniu”, më duket sikur është vetë Durrësi. Nuk e rrah shpesh tani. Zemra ime e lodhur disi, e riparuar nga dëmtimet serioze, nuk e mban tatëpjetën. Për herë të fundit u ngjita, kur u ligështova nga largimi nga jeta i mitikut Rruf Kazazi. Është i nipi, i të famshmit luftëtar, patriot, erudit, fantazist dhe transformues i natyrës Sefer Kazazi, pasi Efendi iu dha si titull nga fillimi i shekullit të kaluar.

Është ky Efeni (shqipërimi madein durrsakshe), që u vendos në këtë kodër dhe duke e kthyer në një vënd që këndonin bilbilat. Historia Sefer Kazazit na bën nder të gjithëve. Pas mbarimit të Akademisë ushtarake në Stamboll, emërohet komandant i trupave turke në Urën e Mostarit në Bosnje Hercegovinë.

Në njërin prej lokaleve më të preferuara të elitës ushtarake turke, ai filloi të këndojë një këngë shqiptare. Por një kolonel turk iu shpreh:

“Pis arnaut, Shqipëria nuk ekziston”! Kaq iu desh Seferit, të nxirrte shpatën dhe t’ia prente kokën turkut kërcënues. E dënuan me vdekje. Florinjtë e dhënë nga familja dhe ndërhyrja e mikut të tyre Gani Toptanit, që ishte në shërbim pranë oborrit të Sulltan Hamitit, ndikuan në faljen e jetës.

Burg i përjetshëm në Çad të Afrikës, ishte dënimi më i butë që iu dha. Arratiset dhe vjen në Durrës, ku ishte djegur nga malli për të. Bleu kodrën që mban emrin e tij dhe e bëri një kopësht të lulëzuar. Hapi puse, mbolli frutikulturë dhe e ktheu në një kopësht të lulëzuar. Banorëve u fali troje dhe e bëri këtë zonë shumë të famshme, famë të cilën e gëzon edhe tani.

Kjo mburrje e durrsakëve, nuk ka për t’u zbehur kurrë. Këtu lindi futbollisti me nam Panajot Pano. Këto ka banesën i nipi i Sefer Efeniut, i paharruari Ruf Kazazi dhe të tjerë emra me nam si Abdulla Duma, Shazivar Gruda, Fatos Muço, Bernardina Qerraxhia, Burhan Truma, notarët Kapexhiu dhe fise të tjera të njohura si Novat, Ferrat, Rubjeka, Xhenetët, Kuqët, Rrogozhinat, Kollakët, Xhaxhiu, Reçët, Jasinët, Voglët, Pusët, Kapllanët, Gjepalët e shumë e shumë të tjerë.

“Pusi i Topanasë”, është qindra vjeçarë. Është vlerë hulumtimi, historike dhe kulturore. Por durrsakët ndjehen të lehtësuar kur thonë, që kjo që kërkoni ju është pranë “Pusit të Topanasë”, apo pranë gjykatës së qytetit. Para rrugës së “Sefer Efeniut”, në krahun e majtë, kur po lëviz drejt muzeumit të qytetit, kanë qenë me rradhë punishtet e ëmbëlsirave, të qumështit dhe të bozës. Duke shtuar këtu edhe ish vendndodhjen e dikurshme banjon publike (përballë gjykatës së qytetit), kemi të bëjmë me orjentime popullore nga durrsakët. Edhe kujtesa popullore, nuk ka hequr presjen nga tradita.

Muzeleumi, Rruga e “Stanit”, Kodra “Moisive”, Kopështi “1 qershori”, Haznedarët

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Durrësi natyrisht nuk ishte ky i sotmi, as në sipërfaqe, as edhe në numurin e banorëve. Ishte shumë më i zvogëluar në këto dy tregues, por çuditërisht vendasit nuk heqin dorë nga e kaluara e tyre. Kanë amanet nga disa breza që nuk jetojnë, por edhe e kanë prekur në fëmijërinë e tyre, atë “zakon” që nuk e heqin as sot. Nisim me Muzeleumin e Luftës, që është shkurtuar në fjalën muzeum. Me këtë vendndodhje kuptohet e gjithë sipërfaqja, që përfshin baret dhe lulishtet pranë, pika e kalimit të këmbësoreve dhe automjeteve, kthesat përkatëse në drejtim të spitalit, drejtorisë së policisë, apo në krahun e kundërt nga gjykata, Qarku dhe Prefektura, pallati i kulturës, xhamia dhe Bashkia e qytetit.

As mos u lodh kot, se do të kuptoj ndokush po ti tregosh, se ku ndodhet iks rrugë.

Pranë muzeumit ndodhet rruga e famshme e Stanit, rrugë karakteristike, me një tatëpjetë që të nxjerr mall. Kjo rrugë që nga mosha e hershme e brezit tim, por e shtyrë edhe më tej në kohë, përdorej edhe si një kthim kur kaloja lart mbi Currila, duke përshkuar Kodrën e Vilës, ecje pranë kodrës së “Moisiut” dhe prekje asfaltin puq me muzeumin. Dhe kjo rrugë në zbritje kaq e përmallshme, quhet rruga e “Stanit”.

Kuptimi i kësaj fjale është thjesht stani. Vënd ku rritej dhe mbarështrohej bagëtia. Sipas Nastës, mikeshës tonë nga familja e njohur e Martikëve, më kujtoi shumë stanorë, që janë pjesë historisë së qytetit dhe hershmërisë së banorëve të tij. Nga këto kujtojmë mbiemrat e njohur Martika, Teodori, Bihiku, Arapi, Zaka, Heba, Prifti, Lito, Unçi, Lepuri, Pizha, Driza, Shima, Mima, Koraqi, etj.

Pranë qendrës së rrugës së “Stanit”, çfaqet gjelbërim i i një kodre dominuese. Është kodra shumë e njohur e “Moisive”. Aty janë ngulitur prej kohësh, njëri prej fiseve më të vjetër të Durrësit, me format tradicional. Familja e gjeneral Moisiut, apo i mjekut të njohur Koçit, janë degëzime të të njëjti trung. Durrsakët e mi, e kanë Kodrën e “Moisiut” pika tradicionale orjentuese.

Kopështi “1 Qershori” dhe Haznedarët janë dy referime të tjera. “1 Qershori” është kopshti im, është kopshti i shumë brezave. Tërmeti që ra, i krisi muret e kopshtit tonë, por nuk i lëvizi nga vëndi kujtimet, ato kujtime që kanë të bëjnë me vetë jetën e qytetit. Pranë kopshtit, është një vënd shumë i njohur për durrsakët. Është shtëpia ku kanë jetuar dhe jetojnë Haznedarët. Një fis i urtë, punëtorësh dhe qytetarësh të formuar. Një mbiemër dominues, si vetë historia e tyre. Një fis me krushqira të gjëra dhe me miqësi me rrënjë e me degë, të lidhura me shumë fise në Durrës. Kopshti “1 qershori” dhe Haznedarët janë të famshëm në orjentimet e vendasve, madje dhe e të ardhurve.

Çezmja Ferrës, Tod Trungu, magazinat tek policia e vjetër, depo e lëkurave

Nuk i shkon kujt ndërmënd të kujtojë emrin e rrugës, kur është fjala për të kaluar në bllokun e shtëpijave pranë ish shkollës “Naim Frashëri” dhe sot “Eftali Koçi”. Menjëherë në gjuhën e një vendasi, reagohet shkurt “Çezmja e Ferrës”. Kuptimi është zbatimi formal i fjalës. Sipas banorëve të zonës, kjo është një pjesë e qytetit mbushur kohë të shkuara me ferra dhe driza. Shpyllëzimi i saj me sa duket përbën vetë historinë e zonës dhe është kthyer si një shenjë dalluese “Çezmja e Ferrës”.

Interesant është referenca e shtëpisë së një individi, me emrin Tod Trungu. Me sa duket, shtëpia e tij ndodhej në periferi të një Durrësi që ishte i mbledhur. Ai trajtohej si pika më e largët. Janë ndryshuar disa breza, por ajo që nuk lëviz as sot, madje as edhe nesër mbetet shprehja tek“shtëpia e Tod Trungut”, për të shpjeguar vendasit se ndaj pyetjes që u është bërë, duhet të marrin atë drejtim.

Pranë këtij Tod Trungu, është shpjegimi tjetër i ndërtesës së policisë së vjetër dhe magazinës së frutave zarzavateve. Pavarësisht se ato janë tjetërsuar nga ndërtime çpërfytyruese, mbeten orjentime aktive, ku durrsakët i japin drejtim njëri tjetrit. Mos u lodh kot të kalosh e të përmëndësh emrin e rrugës, se menjëherë atë që ke takuar të jesh i sigurtë do të të ngrejë shpatullat dhe do të thotë “nuk e di këtë se ku ndodhet”.

Përballë rrugës që të çon tek “Çezmja e Ferrës”, ka qenë dikur depo e lëkurave. Por sa i freskët është emërtimi i saj edhe tani.

“Lagja e re”, parku sportiv “Nako Spiru”, pallati i sportit, pallati i Shijakut, Dovanat

Durrësi është i “coptuar” me ndarjen popullore teritoriale. Emra të shumtë janë hequr. Emra të shumtë janë vendosur me shkresa dhe vendime. Por populli i thjeshtë mbetet i njëjti. Edhe se ndryshimi i lekut është bërë që në vitin 1964, gati të gjithë ne hesapet i bëjmë me lekun e vjetër dhe zor se lëvizim nga ky pozicion edhe për mjaft kohë. “Lagja e Re” është shumë e njohur në Durrës. Ciganët e ardhur aty, thuhet se janë një etni e vjetër në Durrës. Por ishte bërë problem strehimi i tyre. U deshën të organizohen aksione të fuqishme popullore, që kjo lagje të bëhej me të vërtetë e re, me ndërtime dhe infrastrukturë.

Dy formulime të fuqishme janë këtu. E para tek dyqani i gëlqeres, tek Isuf Xhymerti dhe e dyta tek ciganët, në “Lagjen e Re”.

Kufizim aktiv mbetet edhe parku i famshëm sportiv “Nako Spiru”, megjithëse është transformuar dhe tjetërsuar, është vendosur i gjallë në memorien e durrsakëve. Kam prezantuar pamjen e jashtëme, ku kanë qenë zyrat e klubit sportiv “Lokomotiva” dhe ato të Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të Rrethit të Durrësit. Punonjës të kësaj administrate kolosë të sporteve. Kujtoj Dhimitraq Gogën, Milorad Jeremiqin, Dilaver Carën, Tom Gjirin, Mustafa Çelkupën, Anesti Petanin, Lluka Priftin, Rexhep Bagojin, Fatmir Shytin, Petrit Kërtushën, Ruzhdi Demirin, shefin e financës Milto Spiron, Serie Verzivollin, Drita Mustafën etj. Po dua të përmënd edhe punëtorët që lanë kujtesë si Fatime Kuminin, Halit Strugën (qerosin), xha Fronen etj. Mall për to.

Po kështu edhe pallati i sportit i lojrave me dorë, mbetet emblemë e piktakimeve të vëndasve. Përbri këtij pallati sportiv, qëndron si dëshmi e kujtesës pallati i Shijakut, qendër e tregtarëve të vjetër durrsakë me të njëjtin mbiemër, që merreshin me blojën e drithrave të bukës. Pallati i “Shijakut” arkivë më vete. Hershëm aty ka qenë edhe restorant peshku. Në pjesën anësore të këtij pallati, ku është vendosur Banka Tirana, doli edhe një formulim i ri alla durrsakshme: 21-15, vlera e kafes dhe e konjakut.

Pasi bën një kapërcim në distancë, ndeshesh me një tjetër emër të famshëm. Pallatet e Dovanave. Njëri disi më në miniaturë, është në ish ekspozitën bujqësore dhe tjetri më i madh në hapsirën ku është tani Raifajsen Bank. Pallati i Dovanës, sa pranë shpirtit tonë orjentues. Dovanat janë një fis shumë i njohur në Durrës. Tregtarë të zot. Më të spikaturit ndër to portjeri i njohur Niko Dovana, emri i të cilit i ëshë vënë stadiumit të qytetit dhe shkrimtari e përkthyesi Alfons Dovana.

Fabrika e miellit, Centrali, hotel “Durrësi”, Gastranomi, Fermentimi, dyqani Kadriut

Vijmë tek një grupim tjetër tradicional. Ecim nëpër rrugët e Durrësit. Teksa më çfaqen vitet e para të jetës, më dalin në ekranin gjigand të memories, e cila ende punon me kapacitet të mjaftueshëm, emra ku kemi caktuar pozicionin e vendodhjes të lëvizjeve tona. Fabrika e miellit. Ende në foton që prezantojmë, nuk është hequr fjala Silos. Kanë qenë dy të tilla, që bluanin drith. Janë që nga vitet 20-të në zotërimin e tregtarëve vendas. Në afërsi është edhe centrali elektrik, aq i lakuar për banorët. Historia është e njohur. Nga pak orë drita në ditë nga vitet 50-të dhe deri tek pagesat, sektorët dhe drejtoria e “korentit” në Durrës.

“Kërcejmë” pak në distancë. Dhe përballemi me hotelin e njohur me emrin e qytetit “Durrësi”. Dikur ishte edhe drejtoria e NTUS-it. Shumë i rrahur në fjalorin e përcaktimit të vendndodhjes nga vendasit. Përballë pjesës anësore të këtij hoteli shtrihet ish gastranomi. Sa jehonë pati kur u ndërtua!

U bë edhe si një vetshërbim. Sipas modelit rus aty ishin të përqendruara të gjitha njësitë ushqimore, nga buka, mishi, bulmeti, ushqimet etj. Sa kujtime! Këtu shitej e famshmja buka 52 lekëshe, qahi, panine, bukë misri etj. Dhe gastranomi veç kësaj habije, u kthye edhe në një mjet ku liheshin takimet, apo përcaktoheshin kalime të ndryshme.

Ecim. Marrim drejtimin nga “Flegshipi” dhe “Blu Stari” i sotëm. Ishte ndërtesa gjigande e fermentimit të duhanit. Durrësi ishte qendër aktive dhe e rëndësishme e prodhimit të cigareve dhe manipulimit të duhanit. Dhe përballë këtij fermentimi, mbetet i pacënuar e njohura, e famshmja, e hijshmja “Dyqani i Kadriut”, lidhur me emrin e një shitësi emblematik në Durrës. Sa takime qytetarësh, të ardhurish dhe vendas liheshin këtu. Madje edhe tani vazhdon tradita dhe më duket sikur Kadri Ngjela, ka për të mbetur kurdoherë i gjallë në kujtesë.

“Pranvera”, lulishtja “1 Maji”, Posta, Rruga “Kumini”, Furri i Bidulëve

Sheshi “Pranvera” u bë i njohur veçanërisht pas ndryshimit të sistemeve. Me sa duket pikënisje ishte, një kafe bar me emrin tërheqës “Pranvera”. Duke qenë edhe një qendër, ku gërshetoheshin këmbësorët dhe pikë qendrimi taksish dhe automjetesh të ndryshme, linja urbanesh, vendasit e kaluan në vëmëndjen e tyre. Dhe kur thoje takohemi tek “Pranvera”, ishte e qartë për cilindo. Sheshi “Pranvera” zëvëndësoi orjentimin e hershëm tek “merkata e vjetër”. Kjo merkatë, kishte pika tregtimi të frutave perimeve të ndërmarrjeve tregtare shtetërore, por ishte edhe tregu fshatar. Një treg origjinal, shoqëruar edhe me burime ujore me ornamente të lindjes. Vendodhja e kësaj merkate, qendron shumë e freskët në memorien tonë.

Gati ngjitur me tregun e vjetër fshatar, përballë njëra tjetrës qendrojnë Posta Qendrore e Durrësit dhe lulishtja e famshme “1 Maji”, por që tani është zëvëndësuar me një pallat gjigand, duke i prerë përfundimisht shanset për ta kthyer në një zonë të gjelbërt. Por lulishtja “1 Maji” mbetet një mall i pashuar për durrsakët, për fëmijërinë dhe rininë tonë, madje edhe të paraardhësve tanë.

Edhe Posta Qendrore është kthyer në domosdoshmëri, ku do ti referohesh shpesh si pikë takimi.

Dhe vijmë tek Rruga apo rrugicat e “Kuminit” të famshëm, të kësaj rruge që gati çdo durrsak e përmënd tërë kohën. Një rrugicë, që shërben si një nyje lidhëse shumë e rëndësishme, për të kaluar nga shtëpia e Tivarëve, e për të dalë në rrugën kryesore pranë Bllacave, rrugës “Sefer Efeniu”, gjykatës së qytetit dhe ish banjos publike. Do të përmënd vetëm disa mbiemra, duke i kërkuar ndjesë të tjerëve. Niset kjo rrugë me Kovaçët, familjen e Remzi Tivarit, me thellë kalon tek Kost Loni, Currët, motrat Bushi, për të qenë e fundit nga e nisa të njohurit Çumashët. Kam prezantuar me këtë rast tre pamje të kësaj rruge, që sipas informacioneve që kam mbledhur, ka të bëjë me punime balte, kumi, tulla e punime të tjera qeramike. Poshtë në themele ka gjurmë kumini.

Duke çfletuar fjalorin e gjuhës shqipe, fjala kumi do të thotë furrë për të pjekur tulla ose tjegulla. Vendasit sikur ta kishin bërë të gjithë me fjalë, e kanë vendosur emrin e kësaj rruge në fjalorin e tyre të përditshëm: Rruga “Kumini”.

Hani i Bidulëve apo furri i Bidulëve, një memorie e patundur. Pranë repartit të njohur të berberëve, teksa merr drejtimin në një rrugicë origjinale të Durrësit, ku të çon nga rruga e poshtme dhe del tek Blu Stari, ka qenë shtrirë Hani i njohur i Bidulëve i krijuar nga Dalip Biduli. Një fis i gjërë, miqtë tanë të mëdhenj. Deri nga mesi i viteve 50-të, më tregon piktori i njohur Besnik Biduli, djali i Islam Bidulit, ka qenë han. Vinin fshatarë për të bërë tregti në qytet. Lidhnin kafshët tek hani dhe flinin kur i zinte mbrëmja. Më pas hani mbyllet dhe hapet një furrë, fama e të cilit as nuk mund të soset ndonjëherë. Kujtoj këtu furrtarin, burrin zotni Shaqir Biduli dhe gruan e tij, zonjën Zyra. Me fëmijët e Shaqirit kemi patur lidhje miqësore si Zijain, Dikun, Fajën (artist i drurit dhe çelikut) dhe sidomos me pianisten e njohur, shoqen time të ngushtë të fëmijërisë Hiqmete Bidulin. Tek ky furrë ruaj kujtime të gjalla, veçanërisht kur për vitin e ri piqte e gjithë lagja gjelin e detit, bakllavanë, birekët me qumësht dhe me gjithçfarësh.

Kur del pas nga një rrugicë nga shtëpia e Bidulëve dhe kërcen në xhadenë kryesore, m’u përballë rrobaqepsi Modës dhe pranë rrugicës së famshme të Dakolëve, ndodhej dyqani i enëve të guzhinës dhe materniteti i vjetër. Dhe durrsakët e kishin të lehtë të thonin menjëherë, nëse dikush kërkonte të merrte atë drejtim:

-Është pranë maternitetit të vjetër dhe dyqanit të enëve të guzhinës.

Kujtime të gjalla. Mall i pashuar. Mbresa të pashlyeshme. Dashuria e përjetshme për çdo pëllëmbë të Durrësit, për çdo gur, për çdo tullë, për çdo tjegull, për çdo, për çdo pambarimisht.

“Adriatiku”, kinema “Iliria”, klinika e vjetër dentare, dyqani i luleve, poliklinika

Është ky një bllok përkufizimesh, ku është mbajtur dhe vazhdon të mbahet në këmbë një pjesë e dukshme e memories qytetare të durrsakëve. Kaloj dhe vështroj. Ndalem dhe çekani i kujtesës bie fuqishëm në mëndjen time dhe më shkund pluhurin e harresës. Ndodhem para taverna “Adriatikut”. Sa i famshëm!

Kujtoj Rexhep Grudën, një portjer elitar i fund viteve 40-të dhe fillimin e viteve 50-të. Agim Kashami më kujton, se këtu ka punuar edhe Tofik Mullaliu, mbiemër sportiv shumë i njohur në Durrës. Luhej bilardo, kishte edhe lojra të ndryshme. Përgatitej kafe e konsumohej pije alkolike. Diskutohej shumë për sportet e qytetit. Ishte qendër kryesore, ku mblidhej rinia dhe mosha e mesme për kohën.

Përballë është kinema “Esperia” e vitit 1927, apo më vonë kinema “Iliria”. Mbresa dhe emocione pa fund. Për kinemanë, sigurisht edhe në mungesë të televizorëve, kishte interes të jashtëzakonshëm. Ndiqnim filma me 2 lekë, enkas për fëmijët. Për të rriturit bileta shkonte 15 deri në 20 lekë. Më kujtohet Alo Hoxha, kineasti i parë. Por edhe Kamber Ndreu, operatorët Vasil Duka, Miri Muharremi, Xhemal Avdyli, Fadili, Pëllumbi etj.

Kujtoj gjithashtu drejtorin e parë Thoma Lika, por edhe Eqerem Merhorin dhe Edmond Dobin. Argjironë një grua e shkathët që priste biletat. Frekuentonim edhe filma historik, ku preferonim shumë kinematografinë franceze dhe italiane ku luanin Zhan Mare, Zhan Gaben, Zherar Filip, Antoneta Lualdi, Raf Valone etj. Ndiqnim aktorët e famshëm të Hollivudit si Stivi Rives dhe Silvestër Stalonen. Por edhe filmat shqiptarë, me tematikë shoqërore na tërhiqnin. Veç kësaj kinema “Iliria”, ishte një mundësi për të lënë takime me shokë dhe me miq, pasi ishte qendër kulturore pikante dhe shumë e njohur edhe për vizitorët që vinin në Durrës.

Një rrugicë e ndan kinema “Ilirinë” me klinikën e vjetër dentare, që sot është kthyer në kopësht privat. Klinika e vjetër dentare është vendosur në një rrugicë kyçe, që të çvendos nga rruga Kuminit, në bulevardin kryesor ku ndodhet tani akullorja e Andi Bllacës, djalit të Sulë Bllacës. Në këtë klinikë kam fiksuar portretin e burrit fisnik, një profesionisti të dorës së parë, i arsimuar në perëndim. Quhej Hasan Jero, ku regjimi i Hoxhës ia bërë copë copë jetën. Këtu kanë punuar kolosë të stomatologjisë së qytetit si Enver Kotori, Fiqiri Deliallisi, Pirro Qerimi, Vangjel Aleksi, Elsa Mima, Haki Bllaca etj. që në këtë çast nuk m’i ofron memoria. Durrsakët e hershëm e kanë pikë të dobët tek “Klinika e vjetër dentare”. Nostalgjia vjen si një tajfun dhe përplaset në ballin e kujtimeve të një djaloshi, që këtë vit magazinon vitin e 70-të në inventarin e jetës së tij.

Dyqani i luleve, mbretëresha e vend takimeve. Eshtë në një pozicion nyje, ku vijnë e përplasen në një pikë, rruga që të çon tek poliklinika e qytetit, me vazhdimin mbrapa teatrin “A. Moisiu” dhe del nga portiku në drejtim të gjykatës. E rruga që krijon perpendikularen kalon sa në drejtim të Bashkisë së Qytetit, aq edhe në kahjen e lëvizjes nga hotel “Durrësi”, ish gastranomi dhe lulishtja “1 Maji”. Edhe kur kishte lule edhe tani që ka mbetur i”thatë”, dyqani i luleve nuk e ka humbur rëndësinë e pikpjekjeve të njerëzve. Dhe poliklinika e Durrësit, apo poliambulanca e dikurshme, mbetet e pandryshuar në pikë referuese kryesore.

Blloku i furrave, “Danubi”, stacioni i vjetër i trenit, serat, magazina e krypës

Nga rruga e poshtëve në lagjen 4 dhe dilje nga Kaditë, Toskat, Fanët, Koretët dhe me një kërcim kaloje nga rruga ku shtrihej fermentimi i duhanit (tani Blu Stari dhe drejtoria e gjelbërimit), po të nxitje disa hapa dhe të vije tek shtëpia e Salih Verdhës, një kuadër i vjetër dhe shumë popullor në Durrës, përkundruall shtrihej blloku i famshëm i furrave. Aty përgatiteshin apo piqeshin bukët për qytetin. Punonte aty edhe babai i shokut tim të fillores Haki Haxhisë. Dhe shkonim atje disa herë pas mësimit dhe babai i Hakiut, na servirte ndonjë kulaçë të ngrohtë pasi shkolla e jonë “Dalip Tabaku”, ishte pranë bllokut të furrave.

Përballë shkollës “Dalip Tabaku”, ishte dhe bufeja e famshme me emrin e veçantë “Danubi”. Është emri i lumit të dytë më të madhin në Europë pas Vollgës, me gjatësi 2850 kilometra. Buron në Gjermani dhe derdhet në Detin e Zi duke përshkuar 10 shtete Gjermaninë, Austrinë, Sllovakinë, Hungarinë, Kroacinë, Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Po e bëj këtë rezume, për të ditur enigmën e këtij emri, që kurrë nuk ia mësova qëllimin pse quhej “Danubi”. Por ky emër vazhdon të lakohet fort edhe sot. Kur thua bufe “Danubi”, menjëherë e kupton se ku duhet të shkosh, e ku duhet të ndodhesh.

Ecën mbi “Danub” dhe arrin tek stacioni i vjetër i trenit. Në mungesë të trenit, tani atje ndodhet Drejtoria e Përgjithshme e Hekurdhave. Por sa mall kemi për këtë stacion të hershëm. Jeta jonë studentore ka qenë pikërisht këtu. Një Durrës i tërë shkulej herët në mëngjes me trenin e orës 05.50 për të shkuar në fakultete, apo të tjerë që edhe punonin. Kohë të bukura të rinisë tonë. Treni kishte peshë të madhe. Kur kujton që hekurrudha e parë Durrës- Tiranë u ndërtua në vitin 1947 dhe pas 74 vitesh, kur bota ka ndërtuar metro moderne, krahas trenave të fuqishëm elektrikë me mbi 300 km/orë, në vëndin tonë nuk kemi qoftë edhe një metër shinë. Prandaj edhe na është bërë aq i shtrenjtë, treni i rinisë tonë.

Por nuk është ky qëllimi i temës, thjesht e shënova si një mangësi të kohës, ku padyshim do të ndreqet dhe brezi ynë do të ketë dëshirë të udhëtojë me trenin elektrik madein Albania. Por stacioni i vjetër i trenit, është fiksim referues i shumicës së durrsakëve.

Po serat? Përbri pallatit të kulturës dhe në anën tjetër të rrugës krysore, ka qenë shtrirë një lokal i madh, rrethuar i tëri me xhamllëk. Durrsakët ia vendosën menjëherë emrin “Serat”. Kujtoj që aty ka shërbyer në guzhinë, miku ynë i paharruar Ibrahim Halili. Ishte kafe dhe gjelltore. Dikur nga vitet 50-60 –të këtu ka qenë qofteria e famshme e Fadil Hoxhës. E kam një foto që do të jetë pjesë e këtij shkrimi, të ngarkuar me fakte dhe ngjarje. Tek serat kanë mbetur gjurmë të dikurshme, duke u përfaqësuar kjo relike memoriale me dyqanin e të njohurit Ton Ceka.

Vazhdojmë. Prapa Bashkisë, hidhemi në rrugicat origjinale dhe karakteristike të Durrësit. Pasi kalojmë rrugicën ku jetojnë djemtë e Fehmi Tepelenës, miqtë e mi Ceni dhe Veri, ku janë Myderrizët, shtrihet vëndi aq i njohur që quhej magazina e Krypës, shkurt tek krypa. Fjala kripa në versionin durrsak shqiptohet krypa, ashtu si tlyni, milli, qilli, dilli, voji, koma, dhami etj. dialektalizma që i dallojnë vendasit nga të ardhurit. Dhe “tek krypa” ka mbetur e palëkundur edhe tani. Edhe kur ishte një dyqan vajguri, orjentoheshim dhe thonim:”vajguri tek krypa”.

Dyqani i Avdylit, Shkallët e Ermenit, Shatrivani, bufe “Detari”, hotel “Vollga”

Janë edhe këto pjesë të përcaktimeve vendore nga bashkëqyetarët e mi. Shkrimi pëson një gjatësi të veçantë, nga vetë ngarkesa tematike, ku janë trajtuar me dhjetra e dhjetra pika përkufizuese dhe orjentuese të Durrësit të banorëve vendas. Është pjesë e një lloj toponimie origjinale, e krijuar mjaft herët dhe që vazhdon gati gati e palëkundur edhe në ditët e tanishme.

Dyqani i Avdylit. Kështu i ka mbetur, ndonëse aty kanë punuar edhe shitësa të tjerë. Por ky Abdyli u fiksua në zhargonin popullor. Dyqani ngjitur me fillimin e rrugicës që të çon në një drejtim nga amfiteatri, në muret rrethuese të kalasë dhe më në lëvizje shkon në drejtim të fabrikës së duhan cigareve, asetit të përmallshëm dhe shumë të dashur dhe të paharruar për durrsakët. Dhe kujtesa e ngacmon këtë pikë takimi, tek “dyqani i Abdylit”.

Por para dyqanit të Abdylit, shndrit një tjetër memorie. Janë shkallët e Ermenit. Na bie të kemi një emërtim për dy shkallë të tilla. Njëra mbi tatëpjetën e lagjes së vjetër të durrsakëve, përbëri xhamisë së madhe dhe ku lartësohet amfiteatri gjigand. Do të prezantoj foto përkatëse. Janë fillimi i shkallëve tek ish Drejtoria e dikurshme e Librit, ku punoi shoqja e jonë e paharruar Hatixhe Gaxho.

Dhe versioni i dytë i shkallëve të Ermenit, që është edhe në vëmëndjen time, mbetet ngjitur me dyqanin e xhaxhit (Zahar Kumes) dhe ngjitesh në rrugicën aq të preferuar për vendasit, kalon në këtë lagje të vjetër ku ka patur shtëpinë edhe shoku im i ngushtë i fëmijërisë, kemi qenë së bashku nga klasa e parë e deri në vitin e fundit të gjimnazit, Hajg Zaharian (Haig Zacharian), kompozitor i njohur dhe profesor në Akademinë e Arteve.

Këtu jetojnë edhe Zazat, Bylykbashët, Myshketat etj. Hajgu është me origjinë Armene. Një komunitet armenësh, ka qenë vendosur që në vitet 20-të në Durrës. Një prej tyre është edhe Grigor Bodikian, i jati i Agopit dhe Xhildës, e cila ka lidhur jetën me kampionin e tenisit Llambi Prifti. Armenët kanë qenë pjesë aktive, si në jetën ekonomike, tregtare, kulturore por edhe sportive në Durrës. Kemi foto ku janë aktivizuar lojtarë armenë me mbiemrin Ballxhian dhe Bodikian.

Takohemi tek shkallët e Ermenit, është aktuale edhe sot. Shtrihemi tek shatrivani, zemra dhe shpirti i durrsakëve, pikë qendrore dhe referuese e qytetit. Të gjithë e kemi një foto nga shatrivani. Por edhe vizitorët e trajtonin shatrivanin, si pikë origjinale dhe kujtim i çmuar nga Durrësi.

Shatrivani krijonte një kurorë të artë me qendrën e qytetit, ku ishte zemra pasi qendronte në mes të xhamisë, pallatit të kulturës, Bashkisë dhe ndërtesave të tjera, ku tanimë shumëkatëshet çajnë qiellin.

Mjaft pikante mbetet bufe “Detari”. Ky klub i hershëm “zaptohej” nga punëtorët e ngarkim shkarkimit të portit, të cilët veçanërisht në ditët e rrogave bënin tym të gjitha të ardhurat e 15-të ditëshit. Lokal i ëmbël për durrsakët. Sa herë që kaloj andej, nuk mund të vazhdoj ecjen pa ndaluar pak. Kujtimet rrjedhin si një ujvare dhe lagin mendimet e mia të ndjeshme si atëhere.

Torra veneciane, palmat aq të bukura në një mjedis të gjelbëruar e të kopsitur mirë nga arkitekti, për të vazhduar me interklubin, portin detar dhe veçanërisht hotel Vollgën, monumentin e heroit të rezistencës antifashise Mujo Ulqinakun, lulishten aq nostalgjike të Vollgës, ku luhej muzikë e pihej një krikëll birrë aq të kërkuara. Ku harrohet orkestra aq e përmallshme e Vollgës, ku vinin edhe nga Tirana për të dëgjuar trompën e Enver Marës, pianon e Rexhep Zemblakut, fizarmonikën e Rifat Dedjes. Duke mos haruar edhe parkun “Rinia”, në një nga kodrat dominuese të Vilës për ta mbyllur me muzeun arkeologjik dhe pishinën e qytetit.

E kështu mund të vazhdojmë gjatë, pambarimisht. I nxita përpjekjet për të mos harruar vendet e lakuara nga vendasit, që shërbenin si pika referimi, orentimi të takimeve ditore me të afërmit, miqtë, shokët, të ardhurit etj.

Ura e Dajlanit mbresa dhe kujtime pa fund

Nga vëndet më të preferuarat tona dhe më të përmallshmet. Kur këneta e Durrësit ishte aktive, në këtë zonë periferike të qytetit, ku ngjitur është fillimi i sektorit Agip të plazhit, ishte krijuar një lloj ngushtice që ngjasonte me një dajlan. Kjo lagunë përdorej nga vendasit për peshkim. Brezin tim e kapi çasti i tharjes së kënetës dhe ishte liruar një tokë e kripur e konsiderueshme. Dhe në këtë tokë luanim futboll në mënyrë shumë masive. Sipërfaqe me xunkth, me kripë e ujë është vendosur në nostalgjinë tonë, në atë që quhet koha e artë e fëmijërisë tonë. Kujtime, mbresa dhe një ADN në rritje.

Në atë urë e shtruar me zift, kishim dëshirë që në verë të shtypnim flluskat e panumurta që krijonte kjo serë natyrale. Dhe i shtypnim me tabanin zbath të këmbëve. Pastaj grupe grupe drejtoheshim nga Agipi, fillesa e Plazhit të Durrësit.

Tani ky vend është ndryshuar plotësisht, por kurrë nuk lëvizin nga vëndi memoria dhe kujtimet tona.

Epilogu i gjithë kësaj rezumeja drithëruese

Eh qyteti im i shtrenjtë! Durrësi im i bukur! Durrësi i fëmijërisë, rinisë, i punës dhe përpjekjeve dhe tash i përvojës së një 70-të vjeçari. Durrësi im i lindjes dhe e sigurtë, i banesës së përjetshme. Durrësi i trashigimtarëve tanë. Durrësi në tokën e ngrohtë të të cilit janë varret e të afërmëve tanë, gjyshes, babait, nënës, kushërinjve, të miqve, shokëve, të njohurve të ndryshëm. Durrësi i mallit dhe i shpirtit tim. Nuk do të lodhem se shkruajturi për ty, për njerëzit që në breza janë strehuar në çatinë tënde, derisa mendimet të më shterren, trupi të më drobitet, fryma të më ndalet, fiziku të më bëhet i pamundur. Por deri atëhere le të mbetem me shpresë e besim, se do të vazhdoj punën, frymëzimin, nxitjen e asaj që na mban në këmbë optimizmin dhe bindjen për të bërë më të mirën, më të bukurën, më mbreslënësen.

Parakaluam së bashku, nëpër Durrësin e kujtimeve dhe të memories tonë. U ndalëm. Goditëm memorien. Takuam me vendet e preferuara dhe tradicionale për durrsakët dhe për një çast na u duk, se u takuam edhe me ato që nuk jetojnë më. U çmallëm. Dhe biseda është e njëjta: si është qyteti dhe si ndjehen njerëzit e tij.

Dhe amanetet janë po të njëjta: ta duam dhe respektojmë njëri tjetrin! Ta ndihmojmë dhe përkrahim njëri tjetrin!Jeta është e shkurtër dhe të mos e shkurtojmë më shumë.

Një shkrim i lodhshëm, me ngarkesë mendimi, por edhe me foto të shumta. E kemi rrethuar Durrësin dhe e kemi vendosur në unazën e florinjtë të kujtimeve dhe mallit të pashuar.

S’ka më bukur dhe më mirë, kur i përkushtohesh Durrësit, qytetit tënd të zemrës dhe të shpirtit, qytetit më të bukurit në botë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: