Një rrëfim ndryshe për Genci Alizotin...

16/02/2020 - 10:39

Me rastin e 3-vjetorit të ndarjes nga jeta...

     Një rrëfim ndryshe për Genci Alizotin

-Sa do të desha të ishim gjithnjë së bashku!

-Sa e bukur fotoja e jonë me kapedan Rapon!

-Nuk ja miratova idenë për t’u marrë me politikë

-Genci shkeli në shtigje të tjera, që nuk ishin të tijat

-E vrau politika!? E vranë konjukturat!?

Nga BUJAR QESJA

16 shkurt 2020. Është një ditë e zakonshme, si të gjithë të tjerat. Njerëzit mendojnë dhe shkojnë secilin në hallin e tij. Akrepat e orës do të lëvizin njëlloj, pa vënë më të voglin dyshim, se një minutë do të jetë 70 sekonda. Pra normaliteti në këtë ditë, pritet të jetë në monotoninw e njohur. Por për mua ka një veçanti. Kam një arsyje, që të mos më duket njëlloj kjo ditë si të tjerat. Pasi jam i bindur, se sa të ngrihem në mëngjes, mëndja s’ma ka lënë rehat qetësinë, duke më folur në veshin e ndjeshmërisë time:

-Bujar sot është 16 shkurti 2020. Genci Alizoti, miku i hershëm i viteve 90-të, ka 3 vjetorin, e të mos qenit në botën tonë të të gjallëve. Dha frymën e fundit pikërisht në këtë ditë, por të vitit 2017.

Doja të shkruaja në ditën e ndarjes nga jeta. Por nuk isha i qetë. Doja përsëri të merria lapsin e ta mrehja, në përvjetorin e parë të pas vdekjes së tij. Por përsëri ngurrova. Dhe pas dy viteve nga kjo datë, isha pranë të shkruajturit mbi letrën e bardhë. Por mendimet m’u stepën dhe më vështruan me kureshtje, nëse isha në ditën time të guximit. Por jo thashë. Le të heshtë dhe mbase kështu është më mirë. Thuhet se me heshtje nganjëherë, njeriu flet më mirë se sa kur vërtet artikulohet me zë. Mbase ky presion prej dy vitesh, nuk mundi të mos vlerësohej në vitin e tretë, e mua më mundonte një diçka e brendëshme, që e kisha të varur në shpirt. Përpiqesha ta çfaqja dhe ta ulja, në sipërfaqen e mendimit të lexuesit.

Atëhere jam në të drejtën time, kur mendoj, gjykoj dhe tash po veproj, se 16 shkurti 2020 nuk është i zakonshëm për mua, ndonëse tjetër është ai formati i rutinës së përditshme.

Genci Alizoti! Nuk kisha dëgjuar asgjë për të dhe nuk kisha asnjë fare ideje se cili mund të ishte ky njeri, me këtë emër. Duhet të ketë qenë vera e vitit 1995, kur më kërkon një njeri që quhej Genci Alizoti. E prita me shumë përzëmërsi. Atë e shoqëronte një tjetër djalosh, që për mua do të krijonte mbresa të veçanta. Ai djalë e kishte emrin Ilirjan Tanko. Qëllimi i takimit me mua, ishte fare i thjeshtë. Genci punonte si mësues në fshatin “Katundi i Ri” dhe kërkonte të ofrohej në Durrës, duke nisur më parë bashkëpunimin me gazetën sportive “Sport Ekspres”. Kjo gazetë kishte nxjerrë njoftim, që kërkonte korespondent edhe për Durrësin. Kisha edhe një porosi nga miku i vjetër Fatmir Mëneri, që e drejtonte këtë organ btues, që të ndihmoja në këtë drejtim. Këtë më kërkoi edhe Genci Alizoti, me një ndërhyrje të sinqertë edhe nga shoku dhe kolegu i tij Ilirjan Tanko.

Genci më la përshtypje shumë të mira. Ishte i sinqertë, me një naivitet që buronte nga dëshira për t’iu futur një rruge të re, adresën e së cilës ende nuk e dinte, por kërkonte ta mësonte. Humori ishte nga treguesit më të preferuara dhe siç do të vijonin ditët  e mëpasme, u bë edhe një mik preferencial i imi. Një gazetë e re si “Sport Ekspresi”, kërkonte shumë punë, mundim dhe sakrifica. Madje i paharruari im Ilirjan Tanko, i ndarë nga jeta me 18 janar 2020, luante rolin e fotografit duke marrë foto nga ndeshjet dhe natën vonë niseshin në Tiranë, me njeriun e urtë dhe të mirë Genci Alizotin për të çuar bashkëpunimin. Kujtojmë që është 3 shtatorit i vitit 1995 dhe teknologjia e shtypjes së gazetave, nuk ishte kjo e sotmja. Në atë kohë, botoja gazetën time private “Teuta Sport”, po në Tiranë.

Na lidhën me Genci Alizotin, sakrificat për punën dhe angazhimi i përbashkët në bashkëpunimet me shtypin sportiv. Ai e kishte me shumë dëshirë të shkruajturit. Ishte korrekt dhe tepër serioz, ndonëse humorin dhe të qeshurën e kishte armë të fortë të tijën. Genci ishte në vitin 1995 28 vjeç, e unë si një vëlla i madh i tij 44 vjeç. Nuk kishte gabuar kur i ra derës time, pasi kishte të bënte me një gazetar me 24 vite përvojë jete dhe pune. Genci erdhi në Durrës. Filloi punë në mos gaboj në Drejtorinë Arsimore. Nisi të bëj edhe emër, pasi sporti është shumë masiv. Na bashkoi një miqësi e sinqertë dhe kudo që shkoja nuk lëvizja pa Gencin.

Kështu kur kemi shkuar në disa stadiume në rrethe, por edhe në Austri kur “Teuta” luante me Rapidin e Vjenës. Kam disa foto me Genci Alizotin, por zgjodha njërën dhe jo pa qëllim. Nuk e di nëse Genci e kishte këtë foto, por ajo është nga më të bukurat, e fiksuar pas një ndeshje në dalje të stadiumit “Flamurtari” të Vlorës. Kemi dalë këtu me kapedanin e futbollit vlonjat, të famshmin Rapo Taho. Që të dy jemi në detyrë, brenda pasionit dhe zellit tonë, brenda asaj që dinim të bënim më mirë, megjithëse pozicioni im ishte dukshëm i avancuar, për vetë statusin e gazetarit profesionist që kam.

E kam shprehur më se njëherë, për të mos thënë njëmijë herë, se politika jo vetëm nuk ka qenë synimi im, por as ta mendoja ndonjëherë se do të më takonte. I qendroja shumë larg kësaj të “mallkuare”, pasi kisha argumentin më të fortë në dorë: dënimi prej 35 vitesh burg i xhaxhait tim Xhavit Qesja. Vetëm për politikë, apo siç thuhet i burgosuri i ndërgjegjes. Por nga ky virus i frikshëm, u prek miku im Genci.

-Do ti futem politikës më tha një ditë. Më pëlqen. Mbase më krijohet edhe një pozicion tjetër në jetë. Dhe nëse do të ndodhë kjo, atëherë do të shkëputem nga gazeta. Mund t’ia dorëzoj shokut tonë Agron Shametit.

Reagimi im ishte i menjëhershëm. Nuk ja miratova këtë synim. I kujtova momentet e bukura, emocionuese, të lodhshme por të kënaqshme tonat, duke u angazhuar itensivisht në shtypin sportiv. Raportet me sportëdashësit, me trajnerët, futbollistët, komunikimet aktive me to. Të gjitha na kishin dhënë frymëzim, kënaqësi dhe një punë e prekshme pozitive. I kujtova foton me Rapo Tahon, humorin e madh që na ka shoqëruar në të gjitha ndeshjet. Ilir Tanko, oh ky njeri kaq i mrekullueshëm, që më ka krijuar boshllëk me ndarjen e papritur nga jeta, e përkrahu sygjerimin tim. Por Genci Alizoti, e kishte ndarë mëndjen.

Dhe siç do të rridhnin ngjarjet, Genci shkeli në shtigje të tjera, që nuk ishin më të tijat. Politika ia zbehu vlerat e njohura. Dhe unë këtë po e prekja për ditë. Genci im po ndryshonte. Ishte bërë më serioz, pasi edhe punët që po i ofroheshin ishin drejtuese. Sa ngrihej në detyrë, aq më shumë ne largoheshim nga njëri tjetri. Natyra e tij e qetë, ndershmëria dhe sinqeriteti i lindur, nuk i përshtateshin kësaj lloj politike tonën, që veçse rregulla loje nuk ka. E qeshura e tij ishte varur në kujtesën time, si dukuria më e pëlqyeshme i këtij njeriu idealist, por që për mua bëri një zgjidhje të gabuar, që siç u pa më pas me kosto të lartë për jetën.

Shqetësimi im është krejt i natyrshëm, në pozicionet e një miku të hershëm, që e doja Genci Alizotin ja si tani, të pinim një kafe, e ta kisha mbështetje në planet e përbashkëta, për historinë qoftë sportive apo jo të qytetarisë durrsake. Ai ishte njeriu i duhur për ta bërë këtë. Dhe unë dridhem tani dhe nuk mund ta mendoj, e aq më pak ta besoj, se plot 36 muaj jetojmë pa prezencën e Genci Alizotit, këtij djaloshi ëndrrimtar të verës së vitit 1995, i cili është strehuar në parajsë me 17 shkurt të vitit 2017.

E vrau politika!? E vranë konjukturat, të cilave ai nuk mundi t’i përgjigjej apo t’i përshtatej!? E ç’rëndësi kanë këto tani. Unë e desha të jetonte Genci Alizoti, të jetonte. Të ishte si dikur pranë meje, si dikur pranë meje.....

Tre vite pa ty Genci! A po mësohemi vallë me këtë mungesë? Tre vite pa ty, kur ishin të gjitha mundësitë të ishim me ty. Vetëm një laps dhe një fletë, mbetet binomi i jetës time. Dhe kësaj i mbeta dhe i mbetem besnik deri në fund. Kjo ishte dhe mbeti politika ime. Dhe më mirë që është kështu, pasi gjithçka fillon dhe mbaron me veten. Dhe jam i brengosur që zgjidhja yte e re, ishte fatale.

Tre vite pa ty Alizot! Sa e bukur fotoja e jonë, me kapedan Rapon e Vlorës e vitit 1996! Sa do desha të mbeteshim si në atë foto, gjithnjë së bashku!

 Vetëm 50 vite Alizot jetove! Shumë pak, kur do të doja të plotësoje të 100-tat. Do t’i takoj kujtesës time ta realizojë këtë shifër, duke mbetur kurdoherë  ai Genci simpatik dhe me zemër flori, i takimit tonë të parë.

Tre vjet pa ty Genci!

Durrës, 16 shkurt 2020

Në foto: Nga e majta GENCI ALIZOTI, Rapo Taho dhe Bujar Qesja

Vlorë, mars 1996

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: