Një treshe e artë dhe e paharruar e Durrësit

15/11/2020 - 16:57

Në foto: Nga e djathta Sotiraq Manushi, Banush Pasha dhe Alush Merhori

Nga BUJAR QESJA

Gjithçka kam do ta ekspozoj, por ditë pas dite, hap pas hapi, çast pas çasti. Freskoj memorien teksa i hedh nga një sy arkivës time, e cila është strehuar në atë që quhet kutia e kujtesës. Kaloj foto nëpër duar. Ndalem. Bie në kujtime dhe harrohem jo rrallë për të ndjekur problemet e ditës. Është një pjesë e zemrës, shpirtit dhe jetës tonë, që kanë ikur fizikisht për tu' strehuar në banesën e përjetshme. Por kanë lënë pas punën, emrin, idealizmin dhe përkushtimin, që njerëz që vijnë pas tyre të kujtohen dhe të tregohen humanë, për të mos ia harruar të gjallët.

Shatrivani i Durrësit. Simboli historik i qytetit. Pika e referimeve dhe e takimeve për njerëzit brenda dhe jashtë Durrësit. Duhet të jetë foto në limitet e fundit të shekullit 20-të dhe fillimit të shekullit 21-të. Janë të tre artistë të topit, por mbi të gjithë janë tre fenomene si njerëz. Askush nuk u nis për t'i parë xhepat njëri tjetrit, por shpirtin dhe zemrën po. Atë shpirt që ua pa një popull i tërë, duke u ngritur peshë nga loja e tyre, pasi e luanin topin deri në lodhje. Janë personalitete të futbollit. Janë historia vetë. Janë legjenda, janë ikona, janë të papërsëritshëm, janë ndër më të mëdhenjtë, janë...., e çfarë nuk janë, e çfarë nuk mund të thuash për to. Je brenda në gjithfarë krahasimesh që mund të bësh.

SOTIRAQ MANUSHI

I njohur thjesht në Durrës dhe më gjerë me emrin Raqi. Mik i çmuar, duke na lënë një boshllëk që nuk mund të plotësohet. Një atlet i jashtëzakonshëm, por edhe një futbollist krahu i papërmbajtur. Rrojti 80 vite dhe u nda nga jeta në janar të 2009-tës. Vetëm era mund t'ia kalonte në shpejtësi Manushit. E qeshura e tij, xhentilesa dhe pozicioni i kavaljerit historik, mbeten shenja kryesore që i la njerëzve që e njohën. Mungesën e Raq Manushit e ndjen Durrësi, e ndjejnë durrsakët, pasi shkëlqente me atë bukurinë fizike dhe komunikimin prej njeriu shumë të fisëm. Nuk është rasti të kujtojmë persekutimin e tij, pasi do t’ia zbehnim ato cilësi të mrekullueshme, pse jo edhe të jashtëzakonshme që kishte.

BANUSH PASHA

Arapi ynë i madh. Një nga futbollistët historikë dhe më popullor në Durrës. Një njeri i vuajtur, punëtor në porto, por në fushë mbeti një kalorës i madh, një futbollist i madh, një i urtë i madh. Sa i thjeshtë dhe sa i lënë në harresë. Nuk kërkoi asgjë në shkëmbim të talentit të tij. Atij i mjaftonte fukarallëku, për ti ngrysur i heshtur mbrëmjet. Por Manushi zemër madh e shikonte arapin, gjithnjë e mbante afër. Pasi ishin shokë, ishin miq, luftonin për të nderuar të njëjtat ngjyra dhe interesi nuk përcaktonte marrdhëniet e tyre. Dhe kur vendosa njëherë të bëj profilin e tij televiz, në arkivën e një televizioni humbi kaseta e transmetimit dhe gjithë ajo punë e kryer na shkoi dëm.

Mbiemri Pasha është i njohur në futboll. Pothuajse mori natyrën e një dinastie përfaqësimi. Djali, nipërit i ranë edhe ato topit, por shkëlqimi i plakushit të hershëm të topkëmbës Banushit të mrekullueshëm, nuk mund të arrihet asnjëherë. Finesë, bukuri, art. Tre nga cilësitë kryesore që mbahen mënd, nga Arapi ynë, nga historikët dhe mitikët e futbollit durrsak. Edhe Banushi i larguar nga jeta prej vitesh, duke na lënë dhuratën më të çmuar, kujtimin e një futbollisti, pse jo të veshur me cilësi braziliane.

ALUSH MERHORI

Shok dhe mik i ngushtë i Raqit dhe Banushit. Një brez që zor se i afrohet tek thonjtë e këmbëve ky i tanishmi. Kavajasi i famshëm i futbollit, e kishte Durrësin shtëpi të dytë. I urti dhe i miri Lush Merhori, themeli i dinastisë së famshme të Merhorëve të Kavajës, e ndau në dysh dashurinë për "Besën" dhe miqtë e tij të futbollit të Durrësit. Lindi me 23 shkurt 1923 dhe u nda nga jeta me 13 janar 2011, vetëm dy vite pas Raq Manushit. Është përfshirë në formacionin e shekullit të "Besës". Mesfushor klasi, trajner mbreslënës duke ndikuar në performancën e mrekullueshme të dy portjerëve të famshëm Qemal Vogli dhe Sulejman Maliqati. Trajner në vite i "Besës", "Shkumbinit" dhe "Egnatias". "Qyetar Nderi" i Kavajës.

Që të tre në një foto, Sotiraq Manushi, Banush Pasha dhe Alush Merhori. E kanë fiksuar historinë në të gjallë të tyre dhe pas largimit nga jeta në arkivën e një njeriu të letrave. Shatrivani i Durrësit. Një buzëqeshje që ia hijeshon fytyrën, ia freskon fizikun, ia mban gjallë miqësinë.

Dhe kjo tashmë e përjetshme!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: