Një vit pa Ymer Shullanin, një nga ekonomistët më në zë në Durrës

11/10/2020 - 11:11

Nga BUJAR QESJA

Duhet të ishte 8 apo 9 tetori i vitit 2019, që e takova Ymer Shullanin, shumë pranë punës së tij të fundit, në degën e thesarit, që përfshihet në ndërtesën e njohur të tatimeve të Durrësit. Kisha kohë pa e parë mikun e vjetër, ekonomistin mendje flori, lapsin e mprehtë të llogarisë durrsake, atletin me emër të viteve 60-të Ymer Shullanin. Por duket, vitet mbi shpatulla e kishin plakur dukshëm, por jo dorëzuar. Në duar kishte mjetin e artë të lëvizjes biçikletën. Ishte i zbehur në fytyrë dhe pa dashur të më bëj merak, nuk më tregoi se kishte bërë grafi për mushkëritë tek Profiti.

Qëndruam disa minuta ashtu kalimthi dhe u ndamë siç ndahen dy miq të hershëm, të takoheshim në një rast si ky, për të pirë një kafe dhe të ngacmonin prushin e kujtimeve tona për jetën. E kam fiksuar pamjen e tij, por më shumë buzëqeshjen që ia hijeshonte edhe më shumë fytyrën e zeshkët dhe tërheqëse.

As nuk mund ta mendoja, se ky do të ishte takimi i fundit me Ymer Shullanin. Me 12 tetor 2019, vetëm 13 ditë larg 80-të vjetorit të lindjes 25 tetor 1939, ku ai kishte taksuar të bënte një tryezë me miq e të afërm dhe natyrisht, do të besohej edhe për optimizmin e vazhdimit të jetës edhe më tej, do të ndodhte ajo ngjarje e tmerrshme që do të na këpuste shpirtin. Krejt papritur, pa e ditur se nga i erdhi e keqja fatale, apo cili u bë shkak i këtij rrisku tragjik dha frymën e fundit, shoku dhe miku ynë i mirë, familjari dhe bashkëshorti i përkushtuar, vëllai i dashur i katër motrave Ymer Shullani.

Dhe ja disku i fuqishëm i kalimit të ditëve, na dërgon në këtë 12 tetor të vitit 2020, në një vjetorin e largimit nga jeta të ekonomistit mëndje artë, të kuadrit të përkushtuar, të mikut tonë aq të dashur, ku çquhej për humorin tërheqës dhe që na nxiste të qeshnim me të madhe Ymer Shullani.

Dëgjoj që flitet në opinion që po ikin njerëzit e mirë dhe durrsakët e hershëm. Dhe që të mos i mbuloj harresa, zoti më ka taksur mëndjen dhe dorën, dashurinë dhe respektin, që këto njerëz të mirë të mos na largohen si Ymer Shullani pa i lënë një kujtim kësisoj. Është detyrë e përhershme kjo, për të nderuar dhe vlerësuar njerëzit me merita, që i kanë dhënë Durrësit të tyre me aq sa kanë mundur, duke u privuar ndoshta edhe nga kënaqësitë e jetës së tyre. Nuk kam as më të voglin dyshim, që një i tillë është edhe Ymer Shullani ynë.

Ymeri ishte djali i parë nga të shtatë fëmijët e Islam dhe Aishe Shullanit. Tre djem dhe katër vajza ishin gëzimi më i bukur i kësaj familje, që e preku Durrësin në fillimet e shekullit të kaluar. Baba Islami që kur lindi djali i madh, ia vendosi emrin Ymer. E bekoi me fjalët e urtësisë së Zotit:

-Paç Ymerin djalë!

Pra Islami dhe Aishja ia përshtatën djalit të parë, emrin Ymer, paç uratën, paç veçse të mira. Kur ishim të vegjël, më është fiksuar një shprehje: “I pari me shpat ari”. Dhe Ymeri e mbajti me nder shpatën e urtësisë, shpatën e vlefshmërisë si njeri, shpatën që në betejat e jetës i solli veçse fitore dhe suksese, veçse emër të mirë, veçse mbarësi, duke qenë njëlloj zotni si ndaj të madhërishmit, ashtu edhe ndaj prindërve aq të dashur dhe aq të shtrënjtë.

Ymer Shullani! Jeta dhe puna i fali shumë cilësi, ashtu si fati e kishte paisur me një bukuri fizike. Në fabrikën e gomës, nisi punën si dizenjator. Por koha e nxiti, t’i shtynte më tej aftësitë dhe vlefshmërinë ndaj familjes dhe shoqërisë. Kërkonte më shumë nga vetja. Fitoi me meritë, një të drejtë studimi në Universitetin e Tiranës në degën ekonomi kontabël. Por ishte ngushtë ekonomikisht. Por vetë ia doli. Punoi fort dhe nuk i lëshoi librat nga dora.

Dhe nga këtu Ymerit iu hap një perspektivë, e cila mbeti gjithnjë e ndezur derisa doli në pension. E nisi karrierën si ekonomist në bankën e shtetit Rrëshen, emërohet më tej si kryetar i degës së financës në Parkun e Industrisë dhe me të njëjtëen detyrë kalon në NSHRAK.

Me aftësitë, urtësinë, mirësinë dhe profesionalizmin fitoi emër të mirë në Durrës. Sekush ndërmarrje, kërkonte ta merrte në punët financiare dhe ekonomike të saj. Ndërmarrja Tregtare e Ushqimit Social (NTUS) ia “rrëmbeu” aftësitë Ymer Shullanit dhe nga kryetar i Degës së Financës, emërohet drejtor i kësaj ndërmarrje. Rruga e sukseseve dhe arritjeve, ishte gjithnjë e hapur për Ymerin tonë.

Lapsi i tij i mprehtë, kishte mprehur vigjilencën e të tjerëve, për t’i detyruar që ta vendosnin si drejtues i Degës së Thesarit, një detyrë delikate por shumë autoritare, që i shkonte kostumit të këtij ekonomisti të thekur. Për disa vite, Ymer Shullanit iu dëgjua zëri edhe në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Durrësit, ku gjithnjë tërhiqte vëmëndjen e parlamentit të qytetit, me mendimet dhe gjykimet e tij të argumentuara, që ndihmuan në zgjidhjen e shumë problemeve.

Ymer Shullani do të mbahet mënd edhe si atlet cilësor në garat e shpejtësisë. Shkëlqeu sidomos në vitet 60-të, ku atletikën durrsake e drejtonin ustallarë me mjekërr si Rruf Kazazi, Idriz Çinari, Iliaz Elezi dhe ku Durrësi ishte vatër talentesh. Sprintjeri Ymer Shullani, vraponte me shpejtësinë e erës dhe s’kishte zot ta kapte.

Viti 2006 shënoi kohën e daljes në pension, por absolutisht të ndërprerjes së punës. Si një besimtar i thekur i fesë myslimane, Ymer Shullani punoi pa shpërblim si ekonomist kontabël në xhaminë e Durrësit. Dhe kudo i njëjti, i urti dhe fisniku me emrin e bekuar nga Zoti Ymer Shullani.

Ymeri manifestonte një dashuri të pakufi për familjen e tij të shenjtë, për katër motrat dhe dy vëllezërit. U ligështua kur u nda nga jeta në moshën 56 vjeçare, i vëllai Skënderi, që ishte aq me humor dhe buzagaz me të gjithë. I donte si drita e syve dy djemtë Laidonin dhe Elvisin. Por si një dhuratë që i fali Zoti, ai trajtonte tre fëmijët e Elvisit Jasminën, Enesin dhe Rejan. Gjysh Ymeri përgjërohesh për ta dhe mezi priste t’i përqafonte.

Ymer Shullani ishte shumë popullor. Sa i thyeshëm, komunikues dhe hokatar që ishte në shoqëri, aq i saktë, serioz dhe tejet korrekt mbeti me detyrën. Asnjë shok nuk guxonte ti ndërhynte, për të bërë qoftë edhe një kompromis të “vogël” Kjo ia rriti karatët e prestigjit dhe autoritetit në punë dhe jashtë saj.

12 tetori i vitit 2019 erdhi i ligsht për Ymerin Shullanin, për miqtë, shokët, familjarët dhe të afërmit. Megjithëse ishte me energji të pashterura, megjithëse e qeshura e tij s’ishte ende venitur dhe ende ia shndriste fytyrën, krejt papritur teksa ishte në proçes vizitash mjeksore, për të zbuluar “armikun” e padukshëm, vjen edhe goditja fatale që na dëshpëroi të gjithëve.

Ymer Shullani ndali frymëmarrjen e fundit, por nuk mund të ndalet kurrë kujtimi dhe memoria e kthjellët e jona për jetën, punën dhe përkushtimin e tij.

La mbresa dhe kujtime nga më të bukurat, që ia vlejnë t’i kujtojmë gjithnjë. Ymer Shullani renditet ndër ato intelektualë të spikatur dhe kuadro të zot, që e shndrisin më shumë fondin e artë të qytetarisë durrsake. Prandaj ajo kurrë nuk ka për të harruar djalin dhe birin e saj të çmuar, me emrin aq të njohur Ymer Shullani.

Qofsh gjithnjë shërbëtor i Zotit, në parajsën e përjetshme Ymeri ynë!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: