"Njeri me vlera dhe cilësi për të mos u harruar!" Humbje që dhemb për sportin në Durrës, ndahet nga jeta Halit Dapi

22/04/2020 - 17:56

Nga BUJAR QESJA

Nga materialet për 70-vjetorin e lindjes së gjigandit të çiklizmit durrsak dhe atij kombëtar Lutfi Zino dhe 66-vjetorit të futbollistit popullor Fatmir Hima, e kthej “timonin” e gjendjes shpirtërore 360 gradë. Një lajm i hidhur, nga ato që të trishtojnë, u përhap në mëngjes e 22 prillit 2020 në rrjetet sociale. Denada Dapi, njofton largimin nga jeta të të jatit, Halit Dapi. Janë emra që jam marrë në jetën time publiçistike. Kam lidhur miqësi dhe kemi shkëmbyer biseda në pistën e vrapimeve, në pedanat e hedhjeve, në vendin e kërcimeve së larti dhe së gjati, duke mbyllur me dhjetra e dhjetra pasdite, teksa nata na kapte në stadium.

Më ka rënë në shpinë përgjegjësia e madhe, që jo vetëm të vlerësoja punën kolosale që kryenin dhe përfundimet e shkëlqyera që arrinin, por edhe ti përcjell në sfondin e një dhimbje tronditëse, duke kujtuar dhe mos harruar atë ç’ka bënë në të gjallë të tyre. Dhe as nuk mund të mendohej, se mund të tolerohej edhe ky rast, i largimit nga jeta të njërit prej specialistëve më në zë të atletikës durrsake. Bëri shumë emër, duke mos bërë kurrë pazar, me atë lartësi që po zhvillonte atletikën e lehtë të “Lokomotivës”, në shkallë vështirësije të epërme, siç është ajo e femrave.

Si mos të lëvizja nga vëndi, e të mos vrapoja drejt kompjuterit, për ta ndezur më parë atë e më pas memorien time dhe të rrotulloja mjaft herë në mëndje, emrin aq të lakuar të atletikës durrsake Halit Dapi. Duhet të jenë dashur pak vite për t’iu ofruar vitit 1970, kur një djalë simpatik, zeshkan, me trup të brishtë dhe shumë atletik, të vendoste se do të punonte me vrapueset femra. Një sektor nga më delikatët, nga më të vështirët, por në mëndjen e Halit Dapit vërtiteshin plane ambicioze, të avancuara, nga ato lloj synimesh që ia ngren kryet lart vetes dhe ne të tjerëve.

Lajmi në të mërkurën e 22 prillit 2020, vjen me fuqinë e dhimbjes dhe trishtimi të këput në mes e të ngujon në kafazin e mendimit. Në mbrëmjen e 21 prillit 2020, në një nga siptalet e qytetit të njohur italian Padova, jep frymen e fundit një emër në përmasat e madhështisë të atletikës durrsake dhe jo vetëm. Mjekët italianë, mbase edhe tani nuk e dinë, se në duart e tyre mbylli përgjithnjë kapët e syve, një specialist rrace i atletikës i shtetit fqinj, por duke lënë hapur shikimin e përjetshëm të një pune, që as ka ndërmënd të shëmbet, e aq më pak të harrohet. Pas 48 orësh nga kjo shuarje, drejt varrezave të Padovës, do të strehohet përjetësisht, një njeri që punoi dukshëm në qytetin e njohur shqiptar të Durrësit, në sportin e atletikës, që dha shumë dhe nuk është rasti të trajtojmë fajtorin, se nuk përfitoi asgjë, mbase edhe emrin pak të sfumuar. Ai është Halit Dapi. Dhe me siguri në pllakën e varrit do të vendosen dy data, ajo e lindjes 23 mars 1945 dhe ajo e ndalimit të frymëmarrjes së fundit 21 prill 2020. Jetoi plot 75 vite, e 29 ditë.

Por njerëz të tillë kanë një privilegj. Që jeta e tyre nuk matet me vite, por me peshën e rëndë të emrit të tyre, që ka vetëm përmasat e historisë të vlerave të një pune që veçse ndizet dhe nuk shuhet kurrë, kurrë. E kam bërë këtë shkrim, duke ndjekur një trajektore të veçantë: Durrës – Mioveni (Pitesht – Rumani)- Padova (Itali). Atletja e njohur, një nga kuadrot më në zë të fizkulturës Zamira Koçi, ndodhet në Rumani tek djali Ertoni. Shkoi të festonte 5 vjetorin e nipit. Dhe mbeti atje për shkak të këtij virusi të mbrapshtë, që i thonë Koronë. Dhe Zamirën e kishte pushtuar dhimbja, duke kujtuar moshën 12 vjeçare, që veshi për herë të parë këpucët me thumba dhe u drejtua nga Halit Dapi. Zamira bëri karrierë. Kampione në vrapimet 400 dhe 600 metra për moshën 14 vjeçare dhe ekipi i 15-16 vjeçareve të “Lokomotivës” nën drejtimin e Halit Dapit kampione të Shqipërisë. Botojmë edhe një foto ku janë atletet Zamira Koçi, Ollga Anastasi, Meliha Desha, Viola Bekridheli, Drita Selimi dhe në mes mësuesi i tyre Halit Dapi.

Dhe me emrin e Halit Dapit janë lidhur shumë atlete, kampione dhe rekordmene në garave 800, 1500 dhe 3000 metrave. A nuk ishin të tilla Pranvera Dyrmishi, Nermin Mullaj, Zamira Koçi dhe më pas në 100 dhe 200 metra Fatbardha Dervishi. Dhe kulmi arrin me kampionen absolute për shumë vite, vajzën e famshme nga Fushë Kuqja, “Mjeshtren e Madhe” Marinda Preka. Djersa dhe mundi i Halit Dapit, u konvertua me kupa, rekorde, medalje dhe fjalë nga më të mirat. Dapi drejtoi edhe ekipin kombëtar të vrapimeve të gjata për femra. Ky atlet ndonëse për arsyyje dëmtimi nuk e vazhdoi vrapimin, por e bëri këtë si trajner, si specialist. Ai punoi krahas të mëdhenjve të atletikës durrsake si Rifat Kazazi, Idriz Çinari, Iliaz Elezi, duke i dhënë një dorë të fuqishme zhvillimit të atletikës durrsake, ku lulëzoi veçanërisht në vitet 70-të dhe në fillim të viteve 80-të.

Për të mos i harruar kujtojmë edhe atlete të tjera, që mbajtën peshë jo të vogël në atë përfaqësim, që me të drejtë quhet tradita e atletikës durrsake të femrave. Dhe shënojmë Suzana Prroi, Lejla Balliu, Suzana Dauti, Valbona Gega etj. Që i bashkëngjiten emrave të tjera, që i strehuam në rradhët e këtij materiali me nota dhimbjeje dhe përkujtimi.

Halit Dapi drejtoi për 25 vite atletikën e femrave dhe e la në pararojë. Ndonëse mbaroi teknikumin e fizkulturës, ai nuk kërkoi kurrë punë si mësues, pasi interesohej të sistemoheshin vajzat e tij. Nuk linte derë pa trokitur, derisa ti qetësonte “fëmijët” e tij atlete, që të kishin të ardhura modeste për të vazhduar sportin. Dhe vetë u mjaftua të merrte një pagë punëtori në Ndërmarrjen e Prodhimeve Artistike (NPA). Kur e pyetja se sa fëmijë ka, më thonte: një djalë dhe shumë vajza. Një grup vajzash atlete, ai nuk i ndante dhe nga tri vajzat e tij. Prandaj edhe Zamira Koçi qante me dënesë, nëpërmjet telefonit nga Piteshti i Rumanisë.

Halit Dapi iku drejt parajsës brenda 16 ditësh. Kishte shkuar në Itali tek vajza Denada, për të qendruar disa ditë. Dhe kishte në plan të kthehej përsëri në vendlindje, me të cilën e lidhte gjithçka. Mbase edhe strehën e përjetshme, e donte në tokën e tij, në dheun e tij, në Durrësin e tij, që ishte vetë jeta e tij. Një këputje e lehtë dhe më pas një frymëmarrje e vështirë. Një masë tumorale po ia dërrmonte mushkëritë, po ia ndërpriste frymëmarjen atij njeriu, që i dha frymëmarrje atletikës durrsake. Derisa vjen mbrëmja e vonë e 21 prillit 2020.

Halit Dapi ndonëse varrin do ta ketë në Itali, por jetën e pastër mbushur me ëndërra dhe synime, mbushur me punë dhe përjetime, përjetësisht e la në qytetin tonë, Durrësin e përbashkët.

I paharruar Haliti ynë! Haliti i punëve të mëdha! Le të jenë këto rradhë, homazh përcjellje të përjetshme në memorien tonë për njeriun e mirë, njeriun e dallueshëm të sporteve, me emrin mbreslënës Halit Dapi.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: