Nga BUJAR QESJA

Surprizë, në këtë ditë relativisht ngrohtë të 3 prillit 2019. Sikur kishin rënë nga qielli, më çfaqen në vendin tim të punës një dyshe e kërkuar, por e pa menduar se mund ta bënin këtë. Gani Beliu, një tironas i jashtëzakonshëm, me të birin flori Andin vijnë të më takojnë. Pasi kishin shkuar për ngushëllim në familjen Urumi, pas ndarjes nga jeta të artistes së mrekullueshme të skenës durrsake Vera Urumi, në planet e tyre ishte edhe takimi me Bujar Qesen, me këtë mik të sinqertë të tyre.

Çfarë mesazhi që dhanë! Në këtë kohë, individualiteti ka dëmtuar shumë sinqeritetin dhe miqësinë e ndershme dhe pa interes. Ka që nuk të përshëndesin. Bëjnë sikur nuk të shikojnë. Bëjnë sikur s’të kanë parë ndonjëherë. Shkurt, bezdisen, pasi në shpirtin e tyre merimangat e ngushtësië shpirtërore, kanë bërë rrjetën e tyre të bërë pis. Por jo! Nuk kanë marrë fund vlerat, ajo që quhet bujari dhe shpirtmjaltësi njerëzore. Kështu janë edhe këto dy tiranas shumë të njohur, që fisnikërinë e kanë të shenjtë dhe nuk e shkëmbejnë pavarësisht nga çmimi.

-A je Gani Beliu, o njeri njeri i bekuar nga Zoti?
-Të mbaj mënd mirë Bujar Qesja, kur ishe student në gazetari dhe flije në konviktin e filologjikut. Ka qenë një brez mahnitës i kuadrove. Njerëz të rinj, por me mençurinë dhe përgjegjësinë e të rriturve. Komunikonim mjaft natyrshëm. Edhe ne si drejtues të konviktit, por edhe ju studentë aq të mirë, e dinim se na mungonin shumë gjëra. I kalonim me shumë mirkuptim. Nuk e teproj t’ju trajtoj edhe si brez sakrifice.

Gani Beliu! Një veteran i sportit. Një njeri i domosdoshëm për shoqatën Tirana, për kulturën dhe fisnikërinë e tij, për kulturën dhe fisnikërinë e familjes së tij të mrekullueshme. Kemi shkëmbyer me Andin mesazhe miqësie në fb, por kur të vijnë e të takojnë, kënaqësia e çan shpirtin dhe bëhet pjesë e investimit njerëzor. Shoqata Durrësi dhe shoqata Tirana, kanë bashkëpunim dhe lidhje miqësore me njëra tjetrën. Janë të inkuadruara në shoqatat e Shqipërisë së Mesme. Dhe kur mblidhen nuk ka gjë më të bukur, më tërheqëse.

Belitë kanë një biznes familjar. Janë të dy djemtë e Ganiut, Andi dhe Paridi që e përdorin. I bëjnë një respekt të paparë babait të tyre, duke ruajtur traditat e hershme të qytetarisë dhe moralit disi të çeduar njerëzor. Jetojnë kur thotë populli, me djersën e ballit. Qendruan më pak se 1 orë. Ganiu 84 vjeçar, i mbështetur në fuqitë e tij, por edhe në majën magjike të bastunit, vuan nga diabeti por gëzimi për familjen dhe djemtë, e bën të harrojë këtë dukuri ngacmuese shëndetësore. Shembull ideal kjo e djemve të Ganiut. I kemi rastet pozitiv, ndonëse familjet shqiptare në këtë tranzicion janë të tronditura, janë të krisura, duken të brejtura nga ngacmime psikologjike, nga emigracioni, nga stresi dhe traumat ekonomike dhe financiare.

Por familja Deliu, m’u në mes të Tiranës, shkëlqen dhe mbetet autentike në vlera dhe në një krenari brenda asaj qytetarie dhe edukate që kanë familjet e hershme dhe fisnike tiranase. Ganiu, është i vëllai i portjerit të njohur dinamovit Esat Beliu. Por vetë Gani ka lidhje miqësore me futbollistë të Lokomotivës së rinisë së tij, ndër to Feti Golashin dhe Bardh Bilalin. Dhe kur mblidhen o Zot, o Zot se çfarë bëhet. Durrësi dhe Tirana kanë shumë lidhje miqësore, që zanafillën e ka pikërisht tek marrdhëniet e shkëlqyera të këtyre fisnikëve, një prej të cilëve është Gani Beliu dhe familja e tij.

Kaluam minuta mahnitëse. Nuk e ndjemë kohën. I qerasa me rakinë e mrekullueshme të dollinjës, që ma kishte dhuruar miku im Edmond Naçi. Ganiu e prishi peherizin. 
-Pak gram do ti pi Bujar Qesja, për këtë muhabet që na kishte aq shumë lezet.
Kështu foli plaku i mënçur tiranas Gani Beliu. E Andi si një “nuse me tel”, buzëqeshte dhe e ndiqte të jatin në muhabet.

I thashë pronarit të Goldit, Bes Koçiasit të na bëjë një foto.
Dhe më duket, se realizova një tjetër mrekulli. Tashmë jam i fiksuar në pamje, me Gani Beliun dhe djalin e tij Andin.

Mirutakofshim, o miq për t’u pirë në kupë, tiranas aq bujar dhe aq të ëmbël!

Minutat me ju, janë më shumë se mrekulli.