*Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ka qenë, është dhe do të mbetet epopeja më e lavdishme e popullit tonë.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte një nga epopetë më të lavdishme të historisë së kombit. Duke u renditur në krah të aleancës fituese Shqipëria pati fatin e madh të konsiderohej si një nga kombet kontribues në krah të aleancës fituese Anglo-Amerikane-Ruse, duke qenë i vlerësuar për kontributin e saj gjatë kësaj lufte ndaj okupatorëve nazi-fashistë. Politika shqiptare, si gjëja më e mbrapshtë që i ka rënë në hise këtij kombi, është munduar të përbaltë dhe të nënvlerësojë kontributin e atyre që dhanë jetën, e atyre që luftuan dhe u përgjakën me okupatorët, duke mos e ndarë kontributin e tyre fizik nga idetë e tyre politike. Si sot 76 vjet më parë, në 15 gusht 1943, në Vithkuq të Korçës u themelua Brigada e Parë Sulmuese,  një nga formacionet më të rëndësishme dhe me kontribut të plotë në luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Vetitë dhe virtytet kryesore të Brigadës së Parë Sulmuese ishin ndër më të mirat të gjitha njësive partizane. Më pas taktikat e saj u morën nga të gjitha brigadat. Nuk është e rastit këtu të shtjellojmë parimet rregullat dhe normat e luftës partizane. Por në qoftë se më këtë rast do të orvateshim të përcaktonim në formë tepër të shkurtër vetitë dhe virtytet kryesore të Brigadës së Parë Sulmuese, ato mund të përmblidhen si më poshtë, gatishmëria, besnikëria, urrejtja për armikun, marrëdhëniet shoqërore mes anëtareve të saj, shpirti sulmues dhe papërkulshmëria.

Grumbullimi dhe organizimi i Brigadës së Parë 

Si vend për grumbullimin e partizanëve u zgjodh Vithkuqi, i cili ndodhet 20 kilometër në jugperëndim të Korçës në një lartësi prej 1000 metrash. Në të vërtetë, aty nuk ka veçse një shesh prej jo më shumë se 2500 metër katrorë, rrethuar me kodra dhe pisha. Ishte 15 gusht dhe në qiell s'kishte asnjë re. Megjithatë, nuk bënte shumë vapë. Lartësia prej më shumë se 1000 metrash katrorë dhe pishat e freskonin shumë motin. Në anën lindore të sheshit ishte ngritur tribuna e stolisur me gjethe të njoma dhe me flamuj kombëtarë. Në ballë dhe në të dyja anët e saj qenë shkruar shumë parulla. Brigada ndodhej e rreshtuar përballë tribunës sipas batalioneve e kompanive me gjithë armatimin dhe pajisjet që zotëronte. U zgjodh pikërisht ky fshat për pozicionin e tij strategjik të rrethuar nga malet dhe pyje pishash dhe bredhi. Ky fshat ka qenë një nga zonat më të lidhura me luftën Nacionalçlirimtare dhe përbëhej nga rreth 200 shtëpi. Si qendër për grumbullimin e partizanëve u caktua Manastiri i Shën Pjetrit i ndërtuar në shekullin e 18. Grupet e para të luftëtarëve që do të ishin pjesë e Brigadës së parë mbërritën në fund të Korrikut. Në këtë Brigadë me urdhër të Enver Hoxhës u zgjodhën luftëtarët më të mirë nga gjithë Shqipëria që merrnin pjesë në formacionet e ndryshme luftarake. Nga Korça, Elbasani, Vlora, Tirana, Kukësi, Berati, Gjirokastra dhe nga zona të tjera, erdhën djemtë më të zgjedhur të çetave dhe batalioneve që ishin pjesë e rezistencës antifashiste. Gjithë brigada e parë kishte në radhët e saj rreth 556 partizanë, nga të cilët vetëm dhjetë ishin vajza.
 
Strukturimi i Brigadës së Parë

Strukturimi i kësaj brigade u bë deri në datën 10 gusht. Të 556 partizanët u ndanë në 4 batalione pushkatare me rreth 120 veta secili, në një kompani kundërajrore, në një kompani kundërtankesh dhe në një bateri artilerie. Batalioni pushkatar përbëhej prej tri kompanish dhe çdo kompani kishte tre skuadra. ndërlidhja do të bëhej nëpërmjet korrierëve dhe rolin e njësiteve xheniere do e luanin pushkatarët. komandant i Brigadës së Parë u caktua Mehmet Shehu dhe Komisar u caktua Tuk Jakova. Mehmet Shehu vinte nga eksperienca e Luftës së Spanjës, ku kishte marrë pjesë në Brigadën Garibaldi në luftën kundër Frankos dhe koalicionit fashist. Meritë për veprime të suksesshme në luftë ka patur shtabi drejtues i kësaj njësie dhe në veçanti komandanti legjendar i saj, Mehmet Shehu, njëri me intuitë e talent të veçantë në artin ushtarak, takticien e strateg i zoti, mjeshtër i zbatimit të taktikës partizane, por edhe i luftës së rregullt ballore, me vizion e kompetent në drejtimin e operacioneve. Ai ishte padyshim komandanti më i shquar, më në zë dhe më rezultativi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Armatimi i kësaj brigade linte për të dëshiruar, dhe ky armatim dallohej për një përzierje markash të ndryshme. Arsenali i armatimit përbëhej  nga marka të ndryshme pushkësh, duke filluar nga prodhimet greke, serbe, italiane, belge, franceze etj. Kryesisht baza e armatimit ishte italiane. Çdo skuadër kishte nga një mitraloz të lehtë italian dhe çdo kompani kishte nga një mitraloz të rëndë të markës "Breda". Veshmbathja përbëhej nga ngjyra të ndryshme dhe nuk mund të imagjinoje një formacion të rregullt, për arsye se uniformat ishin me mundësitë personale të çdo partizani.

Inaugurimi

Më 15 Gusht Brigada e Parë u rreshtua në fushën e Makërzës pasi kishin bërë për disa ditë rresht prova për parakalim. Trupat u vendosën përballë tribunës ku do të qëndronin krerët e lëvizjes, ndërkohë që rreth e rrotull ishin mbledhur banorë nga të gjitha zonat rrotull Vithkuqit. Fjalën e rastit e hapi Spiro Moisiu si komandant i Shtabit të Përgjithshëm pas dhënies së komandës në drejtim të trupave.  Spiro Moisiu i dorëzoi flamurin simbol të brigadës së Parë me një yll të artë në mes me mbishkrimin "Brigada e 1 e UNÇSH". pas kësaj fjalën e mori Enver Hoxha dhe kështu me radhë gjithë kupola drejtuese e Luftës Nacionalçlirimtare. Pas fjalimeve të ndryshme nga agjitatorë dhe funksionarë të PKSH, u krye një marshim përmbyllës i krijimit të formacionit të parë luftarak të këtyre përmasave.

Betejat e para
 
Luftimin e parë të ashpër e të përgjakshëm , Brigada e zhvilloi më 17 Gusht 1943 kundër nazistëve gjermanë, në kthesat e Barmashit të Kolonjës dhe vargu i luftimeve e i betejave të saj nuk u ndërpre. Deri në çlirimin e plotë të Atdheut ato arritën mbi 200, një pjesë e mirë e të cilave përmenden si betejat më të shëndosha të UNÇSh. Të tilla janë: Lufta e Vithkuqit, goditjet e ashpra në Xyrë, në Derven, në rrugën Elbasan-Peqin, luftimet në Mallakastër, Mesaplik, Kurvelesh, Kiçok , Dëshincë, beteja e Tendës së Qypit, operacioni armik i Dimrit 1943-1944, marshimi heroik i tre batalioneve në Veri, në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm në Tomorricë, Dumre, Pogradec, Mokër , operacioni i qershorit 1944, Vërçë, Shpat, Sulovë, tek ura e Moglicës, në Qafën e Gjarpërit, e Gurin e Prerë, Shënbërdhenj, Qafë Dardhë, Çërravë, Gollobordë, Peshkopi, Dibër, Mat, Krujë, Prezë, beteja e ashpër për çlirimin e Tiranës etj. Brigada e I "S' përshkoi një rrugë luftarake prej më 2260 km, luftoi në 52 krahina të Shqipërisë, duke dalë edhe tej kufijve shtetërorë dhe kudo krijoi imazh të shkëlqyer në popull dhe besim absolut tek ai në fitore, u shkaktoi okupatorëve nazistë dhe kolaboracionistëve humbje të ndjeshme që arrijnë mbi 3500 të vrarë fashisto-nazistë, rreth 5000 të plagosur dhe më se dhe më se 4000 robër, duke nxjerrë jashtë luftimit mbi 12000 nazifashistë e kolaboracionistë. Brigada e I "S" i ktheu pozicionet e luftimit në pozicione zjarri e flake që dogjën e përvëluan nazifashistët dhe shërbëtorët e tyre vendës. Rruga e saj luftarake u përflak dhe u skuq me gjakun e mbi 370 dëshmorëve që dhanë jetën heroikisht për çështjen e madhe të çlirimit të Atdheut kundër shkelësve të huaj dhe kolaboracionistëve. Midis të rënëve janë katër komandantë batalioni Gjok Doçi, Xheladin Beqiri (Karadaku), Fejzi Micoli (Vullneti), Tercilio Kardinali, dy komisarë batalioni Myslym Shyri e Leo Dalponte, një zv.komisar batalioni Irakli Tërova, 31 komandantë kompanish. Ndër dëshmorët 76 ishin anëtarë të P.K.SH, ndërsa 1000 partizanë morën plagë plumbi. Për heroizmin masiv të luftëtarëve të saj, Brigada e I "S" është dekoruar "Hero i popullit" si dhe me urdhra e medalje të tjera. Ndër luftëtarët e saj 14 janë dekoruar "Hero i Popullit" dhe 16 të tjerë kanë merituar gradën e Gjeneralit.

Drejtuesit kryesorë të Brigadës së Parë

Brigada e Parë Sulmuese pati 49 kuadro dhe drejtues të saj që e udhëhoqën nga fillimi deri në fund. Por ata që shkëlqyen më tepër dhe që dhanë kontribut të çmuar për të janë, Mehmet Shehu e Muhamet Prodani, komandantë të brigadës. Komisar të brigadës kanë qenë Tuk Jakova dhe Arif Hasko. Todi Naço ka qenë komandant i Artilerisë së Brigadës. Aleks Verli ka qenë ekonomist, përgjegjës i prapavijës. Andrea Konomi ka qenë përgjegjësi për shëndetësinë së bashku me mjekët italianë që ishin në brigadë. Dhori Panariti ka qenë përgjegjës për organizmin e rinisë. Ndreko Rino, komandant i Batalionit të Parë të Brigadës. Xhelal Staravecka, Ferid Radovicka, komandant të Batalioni II Sulmues. Gjeli Argjiri ka qenë komandant i Batalionit III Sulmues. Gjok Doçi e Feti Smokthina, komandantë të Batalionit IV Sulmues. Muhamet Prodani e Xheladin Beqiri, komandantë të Batalioni V Sulmues. Terciolio Antoni ishte ndër trimat italianë që u bashkuan me Brigadën e Parë dhe drejtonte batalionin italian "Antonio Gramshi". Ndërsa Fiqiret Sanxhaktari ishte përfaqësuese e Seksionit Politik të brigadës, një detyrë jo pak e rëndësishme kjo. Më pas lista vjen me një sërë kuadrosh dhe drejtuesish të aftë të brigadës. Porosia e Shtabit të përgjithshëm ishte që në radhët e kësaj brigade të mblidheshin djemtë më të mirë të zonës. Dhe komandantët ishin ajka e ushtrisë shqiptare. "Luftëtarët të zgjidhen nga të gjitha krahinat. Të kenë qenë anëtarë të çetave sulmuese dhe territoriale, të vendosur një qind për qind për Luftën Nacional Çlirimtare. Luftëtarët të jenë trima dhe të kenë marrë pjesë në aksione, të bindur dhe të disiplinuar", thuhet në një nga dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Dita e themelimit

Në orën 10.00 në tribunë zunë vend personalitet qendrore e lokale të LANÇ-it me në krye Enver Hoxhën, komisar e major Spiro Moisiun. Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm nën ovacionin e të pranishmëve hapi ceremoninë me himnin Kombëtar. Spiro Moisiu në emër të Shtabit të Përgjithshëm përshëndeti Brigadën dhe popullin e pranishëm dhe formacionit të madh që u krijua i dorëzoi flamurin luftarak dhe tha: "Ju dorëzoj këtë flamur, ta ngrini gjithmonë lart e ta çoni nga fitorja në fitore". Në çastin e marrjes në dorëzim të flamurit, komandanti i Brigadës , Mehmet Shehu në emër të efektivit bëri betimin solemn para Shtabit të Përgjithshëm dhe popullit pjesëmarrës në ceremoni, me shprehjen "Betohemi për këtë flamur, do ta mbajmë kurdoherë lart, do të zhvillojmë luftë të paepur kundër fashizmit okupator dhe armiqve të popullit" Pas dorëzimit e marrjes në dorëzim të flamurit luftarak nisën fjalimet. I pari ndër oratorët foli Enver Hoxha që mbaroi ligjëratën drejtuar Brigadës me fjalët "Bëhuni tmerr për armikun dhe shpresë për popullin. Këtë detyrë Brigada e I "S" e kreu me patriotizëm të lartë . Armatimi vetjak i efektivit të Brigadës ishte i llojeve të ndryshme. Në luftime e beteja me nazifashistët u zëvendësua dhe u perfeksionua me armë të prodhimit italian e kryesisht gjerman. Bateria e artilerisë të Brigadës u zëvendësua me obuza malorë 75/13mm. Në tetor 1943 pranë Brigadës , u formua batalioni "Antonio Gramshi" me vullnetarë ushtarë italianë të Divizionit "Firence". Në Janar 1944 u formua dhe batalioni i V-të . Kështu efektivi i Brigadës arriti 1500 vetë .

Xhafer Peçi, ish-komandanti i Gardës rrëfen 15 gushtin e vitit 1943 dhe luftën e Brigadës së Parë
 
Shkuam për të bërë një aksion në grykën e Barmashit, pasi gjermanët kishin bërë një masakër në Borovë. Ky aksion na dështoi për arsye se na zbuluan gjermanët. Megjithatë, bëmë një aksion, ku vramë disa gjermanë, si dhe kapëm trofe një armë gjysmë automatike, të cilën ia bëmë si dhuratë komandantit të Brigadës, Mehmet Shehut. Por italianët u informuan se Brigada e Parë u kthye në Vithkuq dhe në 26 qershor filloi një operacion të madh me 10 mijë ushtarë nga Korça dhe Kolonja. Për herë të parë ne u goditëm dhe nga forcat e aviacionit që ngriheshin nga aerodromi i Korçës. Në Vithkuq ne rezistuam pa ndërprerë për rreth 12 orë. Më pas na u dha urdhër të merrnin Pogradecin. Ishte pragu i kapitullimit të Italisë. Fillimisht ramë dakod me komandën italiane që ata të dorëzoheshin. Por në atë kohë nga Ohri erdhi një kompani gjermane, që nuk i la të dorëzoheshin dhe bëmë një luftë të madhe. Aty na u vra dhe komisari i kompanisë, Hasan Mëhilli. Në këtë luftim kemi përdorur dhe artilerinë e Brigadës së Parë që na i kishin dhënë anglezët. Kur kapitulloi Italia, erdhi komunikata e Shtabit të Përgjithshëm. Në Brigadën e Parë u dorëzuan rreth 700-800 ushtarë italianë. Mehmet Shehu u mbajti një fjalim, duke u thënë: “Kush do që të dalë partizan me ne”. Rreth 150 veta pranuan dhe formuan batalionin “Antonio Gramshi”. Të tjerët u shpërndanë nëpër familjet shqiptare. Me këta italianë unë kam patur rastin të luftoj krah për krah. Po ndërsa ne filluam të luftonin së bashku, me gjermanët u bë Balli Kombëtar. Në Berat na sulmuan gjermanët së bashku me forcat balliste të Abaz Ermenjit. Në operacionin e dimrit ata bënë terror, pasi ballistët e Vlorës të komanduar nga Hysni Lepenica njihnin rrugët dhe sugjeronin nazistët për të vrarë e pushkatuar. Pas Kongresit të Përmetit u formua dhe Divizioni i Parë, në përbërje të të cilit ishin Brigadat e 1-rë, e 4-t, e 5-të Sulmuese dhe komandoheshin nga gjeneral Dali Ndreu dhe nënkomandant kolonel Mehmet Shehu. Na u dha urdhër që në qershor të kalonim në Shqipërinë e Mesme e në Veri. Pas disa përpjekjesh me forcat naziste u hodhëm në Maqedoni. Kaluam zonën e Gostivarit, qëndruam në Kërçovë për 20 ditë, ku anglo-amerikanët na hodhën nga ajri ushqime, veshmbathje e municione. Aty sulmuam Dibrën dhe këtë aksion e ka udhëhequr Mehmet Shehu, i cili kishte nën komandë edhe Brigadën e Parë Kosovare dhe Brigadën e Parë Maqedonase. Në 28 tetor na u dha urdhri për të sulmuar Tiranën. Një nga marshimet më të gjata luftarake mbetet inkursioni i Brigadës I-S, me objektiv nxjerrjen nga rrethimi të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, që kryesohej nga Enver Hoxha. Xhafer Peçi, kujton se edhe pse u bënë 360 kilometra udhëtim i sforcuar, Brigada nuk e arriti realizimin e objektivit. “Ishte një udhëtim i gjatë prej 23 ditësh në të cilën mbetën të vrarë 84 partizanë. Profesor Uran Butka shkruan se:në luftën e Selenicës, në 1 prill 1943, kundër 126 karabinierëve dhe 116 bersalierëve italianë të komanduar nga një nënkolonel, forcat nacionaliste të prof. Isuf Luzajt dhe ato partizane të Çetës Plakë të Vlorës, komanduar nga Neki Ymeraj,  i shpartalluan italianët, duke lënë mjaft të vrarë e të plagosur dhe duke zënë 83 robër. Menjëherë pas luftës, atje arriti Mehmet Shehu, komandanti i Brigadës I, i cili mori një pjesë të robërve me gjithë nënkolonelin, që e kishte pasur shok shkolle në Itali. A  i pushkatoi dhe i masakroi barbarisht dhe pa gjyq 83 robërit italianë, bashkë me nënkolonelin, natën e 2-3 prillit 1943 në luginën e Romsit, Mallakastër”.

Për pushkatimin e nënkolonelit dhe të robërve italianë, shkruan edhe i biri i Mehmet Shehut, Bashkim Shehu në librin “Vjeshta e ankthit”

Në luftën e Dukatit, më 30 nëntor 1943, merrte pjesë edhe  batalioni  italian “A.Gramshi” që kishte dezertuar nga ushtria kapitulluese italiane dhe ishte inkuadruar në Brigadën e Parë Sulmuese. Jo vetëm pjesëmarrja aktive e batalionit italian të pajisur me altileri të rëndë kundër banorëve të një krahine  patriotike si Vlora, por edhe të një fshati si Dukati, si edhe goditja e fshatit me predha artilerie nga italianët, zgjoi zemërimin e dukatasve, që rezistuan me heroizëm. Beteja  zgjati 14 orë, u vranë mjaft luftëtarë nga të dy anët ndërluftuese,  si dhe u plagosën shumë të tjerë nga popullsia, midis tyre edhe 4 gra, që shërbenin si ndërlidhëse midis dy lagjeve: Feride Aleni, Xhemile Shajake, Dudi Havara dhe Xhixhe Jazo. As në ato lagje, as në krejt fshatin Dukat s’kishte të huaj, as italianë as gjermanë, as rusë, por vetëm shqiptarë që luftonin kundër njëri-tjetrit. Forcat e Brigadës së I e rrahën fshatin me mortaja të drejtuara nga oficerë italianë, duke shkaktuar djegien e disa shtëpive dhe vrasjen e banorëve të pafajshëm të fshatit. Sipas informacioneve arkivore, nga banorët e fshatit u vranë tetë vetë: Beqir Elmazi, Salo Mëhilli, Shyqyri Nezha, Murat Bodo, Muharrem Beqiri, Musa Aliçka, Bino Hasani dhe Selim Hasani si dhe 10 të plagosur, ndërsa nga komunistët 15 të vrarë, 4 robër, ndërmjet të cilëve edhe një italian.

M.Shehu, pasi e bisedoi me Enver Hoxhën dhe Ramadan Çitakun në Labinot këtë propozim të Tahir Kadaresë dhe mori pëlqimin e tyre, urdhëroi komandantin e batalionit II të Brigadës së I që t’i merrte në dorëzim nga komandanti Kadri Hoxha dhe t’i pushkatonte ushtarët dhe oficerët italianë me në krye nënkolonel Akile Rosito  dhe kolonel Gamuçi, që ishin bashkuar vullnetarisht me partizanët. Xhelal Staravecka dëshmon se në Orenjë kishte vrarë me dorën e vet 17 karabinierë, ndërsa italianët  e tjerë i pushkatuan, pasi i kishin zhveshur lakuriq për t’u marrë rrobat dhe këpucët. Këtë masakër makabre e pohon edhe Kadri Hoxha në dëshmitë e tij,  e pranon edhe vetë Mehmet Shehu në raportin që i dërgon Shtabit të Përgjithshëm më 29.10.1943: “Në Labinot na lajmëruan se në Orenjë ndodheshin rreth 130 karabinierë italianë dhe oficerë të karabinierisë (edhe koloneli, nënkryetar i shtatmadhorisë së karabinierisë italiane në Shqipëri). U këshilluam me shokun Baca, i cili pranoi propozimin tonë për ekzekutimin e këtyre.. I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative.”(AQSH, F.41, d.32, v.1943). Këtë krim kundër njerëzimit, për vrasjen e të vetëdorëzuarve, e pohon me gojën e tij Mehmet Shehu: “I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative” (Kadri Hoxha, luftëtar i paepur,Tiranë 2006).

Lufta është një akt force për ta detyruar armikun që të përmbushë vullnetin tonë

Lufta Nacionalçlirimtare në përgjithësi dhe lufta e Brigadës së I, ishte apo nuk ishte luftë civile? Përleddhja mes forcave politike kundërshtare për të marrë pushtetin duhet vlerësuar gjithmonë në kontekst historik. Kjo përleshje nuk ka të njëjtin kuptim e qëllim në një vend të pushtuar nga një ushtri e huaj siç do të kishte në një vend të pushtuar. Kur një vend është i pushtuar nga një fuqi e huaj, forcat politike brenda tij dallohen dhe ndahen qartazi në dy grupe: në ato forca politike që luftojnë për çlirimin e vendit nga pushtuesi i huaj dhe ato forca që bashkëpunojnë me pushtuesit duke iu kundërvënë pjesës më të madhe të bashkëkombësave të tyre. Në një luftë nacionalçlirimtare mund të mbahen vetëm dy qëndrime: ose kundër pushtuesit, ose me të, rrugë të mesme nuk mund të ketë. Nga ky këndvështrim mund të thuhet se lufta mes ushtrisë nacionalçlirimtare dhe formacioneve të armatosura balliste ishte një luftë brenda luftës, një luftë forcash kundërshtare, të cilat në raport me pushtuesit fashistë e nazistë, ishin pozicionuar në dy krahë të kundërt: ushtria partizane luftonte për çlirimin e vendit, ndërsa ballistët u rreshtuan në një front me pushtuesit dhe kundër çlirimtarëve të vendit.

Lufta ka ligjet e saj të cilat duhen zbatuar, kush nuk i zbaton, ndëshkohet. Dua të them se në veprimtarinë e saj luftarake, me besnikërinë dhe vetëmohimin e saj ndaj çështjes së popullit dhe Atdheut, kjo njësi meritoi plotësisht besimin e popullit, kombit, frontit të LANÇ-it dhe shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, emri i Brigadës së I u bë shpejt  një nga emrat më të njohur dhe më të dashur ne zemrat e mbarë popullit shqiptar. Fitoret luftarake politike të saj ngjallnin gjithnjë ndër masat e popullit gëzim, shpresë dhe besim në fitoren e plotë të lirisë dhe demokracisë ndaj pushtuesve dhe tradhëtarëve ballisto-zogistë. Nga ana tjetër, emri i Brigadës së I ishte bërë tmerr për armiqtë, një tmerr i tillë që as në gjumë nuk i linte të qetë. Pothuajse në çdo rast, pushtuesit dhe tradhëtarët e kishin zakon që ta rrisnin numrin e luftëtarëve të saj disa herë për të përligjur disfatat që pësonin. Me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Atdheut dhe fitores së luftës me fashizmin e bashkëpunëtorët e tyre, Brigada e I u nderua nga partia dhe presidiumi i Kuvendit Popullor me titullin “Hero i Popullit” me këtë motivacion: “Për heroizmin e lartë masiv të luftëtarëve të saj dhe për shërbimet e shquara në çlirimin e atdheut nga pushtuesit fashistë e tradhëtarët dhe për vendosjen e pushtetit popullor”.

Edhe pse Preng Cali u dorëzua në besë, disa partizanë të Brigadës së I i bënë një vrasje model këtij, për të trembur të gjithë “reaksionarët” e Shkodrës. Vrasja kishte arsyen e vet, pasi Preng Cali njihej si mbrojtës i vendit nga serbët, të cilët nuk e harruan armikun e tyre. Ky hero i vitit 1924 që shpëtoi Vermoshin, mori vulën e tradhëtisë në historiografinë komuniste. Nuk kam ndër mend të dialogoj me akuzat e Ballit Kombëatar për Brigadën e I dhe komandantin e talentuar të saj, gjeneral Mehmet Shehu. Unë i përkas filozofisë që kritika në grup, si për ballistët, ashtu edhe për partizanët, nuk mund të bëhen, pasi çdo formacion ka anët pozitive dhe negative të tij. Dua t’ju kujtoj “profesorëve hibridë”  për hir të vërtetës se ballistët do të shkonin në Mukje për bashkëpunim me frontin nacional-çlirimtar. Megjithëse kishin përhapur në popull idenë se ishin antifashisë, deri në fund të vitit 1942 numëroheshin 6500  të burgosur që vuanin çdo ditë torturat dhe masakrat barbare të bashkëpunëtorëve ballistë të fashizmit. Qazim Mulleti ankohej: “Në burgun e Tiranës ndodhen një sasi djelmoshash që nuk janë marrë ende në pyetje prej sigurimit publik. Në këtë burg ka 800 e ca veta në kushte tepër të vështira”. (faqe, 46, 152, 161). Edhe Fejzi Alizoti nga Berati, në 14 prill 1942 i kërkon ndihmë Ministrisë së Punëve të Brendshme: “Me transportue në fushën e përqendrimitnë German të Matit për mungesë automjetesh të internuemit e Fierit, numri i të cilëve arrin në 100 veta”. (faqe 111, 152, 310). Antifashistët ose partizanët shqiptarë vriteshin nëpër qytete siç ndodhi me Koci Bakon, Qemal Stafën, Misto Mamen, Mihal Durin, Kristaq e Margarita Tutulani etj. Të  dënuarit politik vareshin nëpër sheshe publike për të tmerruar popullin, siç qe rasti i lazaratasit Muhamet Gjollesha dhe Nazmi Rushitit. Të gjitha këto realizoheshin pasi më parë emrat propozoheshin nga bashkëpunëtorët e fashizmit që ishin veglat e tij ballistë dhe zogistë. Taktika e pritjes së Ballit për të mos hyrë në luftë kundër fashizmit pasqyrohet edhe në letrën e 29 qershorit 1943 e komandantit të çetës balliste në qarkun e Beratit Abaz Ermenji dërguar Safet Butkës: “Në qoftë se ne e heqim punën zvarrë si e kemi hequr deri tani, më mirë të hedhim armët në strehë. Duhet të lëvizim, pa dëgjuar se ç’thotë komiteti politik i Tiranës, se nëse nuk lëvizim, natyrisht inglizi do të përkrahi anën tjetër që lëviz dhe luftën”. (Bashkimi, 4 tetor 1943).

Në luftën dhe veprimtarinë e saj revolucionare si formacioni i parë i madh i ushtrisë nacional-çlirimtare, ajo u bë shembull për të gjithë repartet dhe njësitë partizane duke korrur fitore pas fitoreje mbi armiqtë dhe duke fituar një dashuri të zjarrtë dhe një mbështetje të pakufishme nga populli. Bijtë dhe bijat e popullit që luftuan me armë në dorë kundër fashizmit dhe ballistëve, janë nderi dhe lavdia e kombit. Besnikëria e kuadrove dhe e parizanëve ishte e pakufishme deri në çlirimin e vendit nga pushtuesit. Brigada e I e këmbësorisë që vazhdoi rrugën e saj njëlloj si brigada mëmë, të gjithë oficerët, nënoficerët, ushtarët që kanë kryer shërbimin ushtarak, kanë qenë shembull në kryerjen e detyrave të caktuara. Kjo njësi ka qenë qendra e zhvillimit dhe eksperimentimit të mësimeve metodike, stërvitjes së trupës, kuadrove, komandave dhe shtabeve. Baza e edukimit ushtarak ka qenë dhe duhet të jetë arti ushtarak i popullit  shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, me përparësi studimi të artit ushtarak të Luftës nacional-çlirimtare. Ai që nuk studion të kaluarën nuk mund të ndërtojë të ardhmen. Ushtria shqiptare si më e goditura në kohën e monizmit, me strategjinë e keqe të fshatarizimit e shpërndarjes së saj, dëmtoi rëndë aspiratat e gjithë trupës së saj. Me të drejtë ajo ushtri do të duhej ti nështrohej një reforme të thellë, të kthehej në kazermë e të shkurtohej numri i efektivëve duke rritur cilësinë e armatimit e teknikës. Në kuadër të anëtarësimit në NATO, ajo po modernizohet dhe po kryen detyra të rëndësishme, por si kuadrot drejtues, ashtu edhe ushtarët e thjeshtë, duhet të modernizojnë mendjen dhe ndërgjegjen e tyre; të njohin historinë, artin e luftërave të popullit tonë për liri. Kush ka liri mendimi, ka dinjitet.

Nga ana tjetër, po ndodh në vendin tonë që vitet e fundit të rehabilitohen ish-kolaboracionistë që i shërbyen me zell pushtuesit të huaj. Këto janë përpjekje dhe punë sistematike e klanit sllavo-rus, me mbështetjen e viçidolasit Sali Berisha dhe Fatos Nanos, Edi Ramës e Ilir Metës. Për fat të keq, këta janë të ushqyer nga një ndjenjë urrejtje dhe përçarje krahinore, pasi hedhin baltë mbi luftën e lavdishme antifashiste nacional-çlirimtare, mbi ata që dhanë jetën, mbi dëshmorët e këtij vendi, ndërsa nga ana tjetër ngrejnë në piedestal antiheronjtë dhe ata që bashkëpunuan me pushtuesit fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria, për fat të keq, ka shumë pak njerëz me vlerë dhe shumë levantinë pa vlerë, siç ka shumë anonimë që me të padrejtë e në mënyrë të njëanshme, akuzojnë udhëheqësit e luftës antifashiste e mburrin ata ballisto-zogistë. Unë kësaj kategorie i them: “populli ynë me kuadrot drejtues dhe partizanët e tij duhet të krenohet me luftën që ka bërë dhe tradhëtarët e asaj lufte, i kanë bërë asaj atentat për së gjalli dhe për së vdekuri, por tashmë ky atentat po i bëhet historisë kombëtare të Shqipërisë”. Me bindje e them se populli ynë do t’i çojë gjithmonë lart e më lart traditat e lavdishme të luftës nacional-çlirimtare.

Dok.Shkenc Novruz ZEJNATI

Kolonel. R