Pak fjalë për tre “shijakas të mirë”…

12/05/2019 - 09:31

Nga Nikolla Sudar

Sulë Gallaj, Xhemal Kruja, Cen Gurabardhi

“Vështirë është të gjesh njerëz të mirë, - thotë një fjalë e urtë, - por më vështirë është t’i mbash ata pranë vetes”.
Mbase, kjo është arsyeja që shpesh dëgjojmë të thuhet se e keqja përhapet me progresion gjeometrik, ndërsa e mira me atë arithmetik. Pikërisht njerëzit e mirë janë ata që e zbukurojnë mjedisin shoqëror, janë ata që ushqejnë shpresat dhe optimizmin në mesin e tij, janë ata që merren si “etalon i modelit shoqëror”. Të tillë ka kudo dhe respekti e dashuria për ta do të rrojë sa edhe vetë jeta.

Lidhur me këtë “filozofim”, mendimet e vlerësimet janë të ndryshme, megjithatë, mbase edhe “subjektive”, por unë do të përmend tre shijakas të tillë, që e meritojnë t’i quash “njerëz të vërtetë, me shpirt të madh dhe të prirur për të bërë vetëm mirë”. Ata janë të paharruarit Sulë Gallaj, Xhemal Kruja dhe Cen Gurabardhi.

Ishte viti 1942 kur një djalosh i ri, me atë entuziazmin e moshës dhe dëshirën për të kënaqur bashkëqytetarët, do të hapte në Shijak të parën kinema, me emrin “Gloria”, këtë “oaz kënaqësie të veçantë”. Ai quhej Sulë Gallaj, (apo siç do ta thërriste më vonë, i madh dhe i vogël këtë njeri babaxhan, “Babë Sula”). Kjo iniciativë u realizua bashkë me operatorin me energji të pashtershme, të paharruarin Hashim Berhami (apo “Rapi i kinemasë”, siç e thërriste populli). Të moshuarit e mbajnë mend jehonën e madhe që bëri në qytet kjo ngjarje, sidomos në masën e të rinjve. Gjithçka jepnin ata për të parë një film. Në atë kohë njerëzit magjepseshin nga “bëmat e” Xhon Veismylerit, këtij aktori të famshëm, që luante “Tarzanin e pavdekshëm”, apo filma me dyshen jashtëzakonisht simpatike, seritë e të cilëve ishin shumë të frekuentueshëm e që në popull njiheshin me nofkën “I holli dhe i trashi” (Olio dhe Stelio).

Ndërkohë, Sula, ky antifashist i orëve të para, do të bëhej një nga kuadrot kryesore të luftës ilegale në Shijak e pastaj do të vinte çlirimi, i cili do të sillte ndryshime në jetë e në mentalitet.

Por Sulë Gallaj do të ishte një nga ata njerëz të mrekullueshëm që në devizën e tij të padeklaruar do të kishte vetëm postulatin “Kudo, ku të jepet rasti, bëj vetëm mirë!” Dhe ai e respektoi me fanatizëm këtë, duke u shndërruar në një “bamirës të vërtetë” e me shumë kurajo, në atë zymtësi, mjerim dhe urrejtje, që ndeshej në periudhën e diktaturës. Mirësitë e këtij njeriu të rrallë janë të shumta, sidomos gjatë kohës kur ishte drejtor i fermës së Sukthit. Ferma ishte një konglomerat të ardhurish nga të katër anët e vendit, me mentalitete dhe zakone nga më të ndryshmet, mirëpo, njeriu zemërbardhë, i durueshëm dhe mbajtës i fjalës, hyri thellë në zemrat e tyre dhe u bë “si i shtëpisë”. Kjo është arsyeja që dashuria dhe respekti për këtë humanist të mrekullueshëm edhe sot ruhet si hajmali në zemrat e atyre që e kanë njohur dhe dashur.

Me kurajo ai shkeli edhe “vijën e partisë” për të sistemuar në punë dhe ndihmuar materialisht mjaft “të deklasuar”, tek të cilët ngjalIi besim dhe shpresë për të jetuar. Shpesh herë e përmendim me respekt të thellë në familjen time këtë njeri të mirë, kur kujtojmë peripecitë e mia për të ndjekur studimet e larta. Ai linte mbledhjet e punës, madje edhe njerëz të dërguar nga “qendra”, dhe tregohej gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar.

I dyti nga këta të tre, të cilët miqësinë e vërtetë midis tyre e ruajti si gjënë më të shtrenjtë, ishte Xhemal Kruja, rrobaqepësi virtuoz dhe i papërtuar. Ky njeri i rrallë, ky dashamirës i vërtetë shijakas, do të linte mbresa të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e bashkëqytetarëve të vet. Dikur në rininë e vet kishte marrë pjesë në luftën ilegale. Dyqanin në qendër të qytetit e kishte kthyer në qendër takimesh dhe gumbullimi materialesh ilegale, ndërsa shtëpinë në bazë të rëndësishme të luftës për nënprefekturën e Shijakut.

Me kalimin e viteve ai do të arrinte perfeksionim shumë të lartë e do të shndërrohej në një mjeshtër të vërtetë të zanatit. Njeri gojëmbël, i padjallëzuar, me atë shpirtbutësinë e tij karakteristike, pa bërë asnjë dallim, ishte i gatshëm pa kurrëfarë interesi të ndihmonte edhe materialisht cilindo. Shpesh herë kjo mirësi e tepruar edhe do ta zhgënjente, por ai nuk do të hiqte dorë. Rastet në këtë drejtim nuk numërohen.

Dikush nga fshati Shetel porositi një kostum për dasëm, por hallexhiu e donte brenda në një kohe rekord. Atëherë Xhemali mbyllet në dyqan dhe nuk del prej tij, derisa e qepi kostumin. Për çudi, ku rastisa edhe vetë, fshatari erdhi për të marrë kostumin, por… paratë nuk i kishte me vete. Mirëpo ustai me atë buzagazin e tij karakteristik i thotë: “S’ka gjë, merre kostumin dhe pas dasmës m’i sill lekët”. Një miku i tij i ngushtë, që u ndodh bashkë me mua, iu “hakërrye”: “More, Xhemal, a je në vete? Pa e njoft tjetrin dhe vetëm në mirëbesim i dhe kostumin? Mos ke dalë për sevap? Po sikur të të vijë ndonjë kontroll nga ndërmarrja?”

Ky njeri fisnik, pasi na vështroi, vuri buzën në gaz dhe u përgjegj me atë çiltërsinë e tij të zakonshme: “S’ka gjë, se e kam rrogën në xhep, kështu që edhe po të vijë kontrolli… ”. Si aktivist shoqëror ai ishte i pazëvendësueshëm në zgjidhjen e problemeve në lagje, madje, edhe në ato brenda familjes, prandaj edhe njerëzit e donin dhe e respektonin jashtë mase. Kurrë nuk do ta harroj mbështetjen e fuqishme dhe me rrezik të madh që na dha ky burrë i vërtetë në lidhje me njohjen e figurës së Qemal Deliallisit. Ai qe nga të parët që, jo vetëm lëshoi deklaratë, por kërkoi me këmbëngulje që Qemali të njihej dëshmor i atdheut.

I treti nga këta, por jo më pak human, ishte mjeshtri i madh, usta Cen Gurabardhi, orëndreqësi i famshëm në të gjithë republikën. Ky burrë i urtë, gjithnjë fytyrëqeshur, që nuk dinte te nxirrte një fjalë të keqe nga goja, ishte një profesionist i rrallë, një njohës i jashtëzakonshëm i të gjitha llojeve të orëve. Që në fëmijëri ai u dha me mish e shpirt pas këtij profesioni saqë mrekullohej si fëmi, kur i binte në dorë një markë e panjohur ore, prandaj linte çdo punë derisa të zbulonte mekanizmin e saj. Ishin fare të rinj kur bashkë me të vëllanë, Hamitin, do të angazhoheshin në rininë antifashiste të qytetit. (Asnjëherë ky njeri modest nuk e përmëndi kontributin e tij të asaj kohe).

Shpesh ne, të rinjtë, kthenim tek dyqani i usta Cenit në qendër të qytetit e, duke pirë kafe me ustain e përmendur, bisedonim për pobleme të ndryshme. Prej tij do të dëgjonim vetëm mendime të pjekura dhe shumë dashamirëse. Keqdashjen, hipokrizinë, pabesinë, që ishin të huaja për të, ai i luftoi deri në fund në marrëdhëniet me njerëzit. Të shumtë janë ata që i drejtoheshin për hallet e tyre usta Cenit dhe ai, pa mëdyshje, me atë bujarinë e veçantë, që e karakterizonte, hiqte shumën nga paratë e tij dhe ndihmonte hallexhiun. Madje, arrinte deri atje, sa që të merrte edhe vetë borxh diku për t’i kryer punë bashkëqytetarit në nevojë .

Profesionin e tij të bukur usta Ceni ia la trashëgm së bijës, Nebahetit, ndërsa dy fëmijët e tjerë do të merrnin drejtim krejt tjetër: i madhi, Dashi, do të bëhej një piktor i suksesshëm, si brenda dhe jashtë vendit. Këtë reputacion tashmë ai e ka shtrirë dhe në Nju-Jork, ku jeton sot familiarisht. Djali tjetër, Bahriu, asi më i mirë i të gjitha kohëve në historikun e shkollës së mesme të Shijakut, kreu degën e ekonomisë agrare dhe sot jeton e punon në Durrës.

Ç’i lidhte midis tyre këta burra të vërtetë? Mosha? Ata ishin gati të një moshe! Shijaku? Ai do të mbetej mjedisi i veprimtarisë së tyre! Por mbi të gjitha tri do të ishin arsyet bazë të kësaj miqësie shumë të ngushtë, derisa qenë gjallë: sinqeriteti, dashuria dhe respekti i jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin, gadishmëria për t’u shërbyer në çdo kohë dhe me të gjithë mundësitë njerëzve dhe e treta, e vogël në dukje, por me domethënie të madhe: pasioni i patreguar për futbollin e në rradhë të parë për skuadrën e tyre të zemrës, “Erzenin”.

Mbase, mund të jetë edhe rastësi, por ngjarjet e ndryshme personale dhe shoqërore të tre ata i përjetonin thellë, prandaj mbresat do të ndikonin shumë fort në shëndetin e tyre. Ato do t’ua dobësonin organizmin e sidomos pjesën më vitale të tij, zemrën. Të tre këtyre burrave të shquar, për fat të keq, dëmtimi i zemrës do t’ua shkurtonte jetën.

Ata sot nuk janë më, por ne që i kemi njohur e ndiejmë thellë në çdo hap praninë e tyre. Ajo mirësi e rrallë, ajo gadishmëri njerëzore, ai përkushtim për hallet e njerëzve do të mbeten të ngulitura thellë në mendjen dhe zemrën e çdo shijakasi. Jo vetëm ne, por edhe brezat që do të vijnë do të thonë: “Shijaku ka pasur shumë njerëz të mirë, por midis tyre gjithmonë do të shkëlqejnë tre burra të vërtetë, të cilët janë: Sulë Gallaj, Xhemal Kruja dhe Cen Gurabardhi”.

Mirënjohje për jetë këtyre njerëzve të rrallë e të mrekullueshëm, që e kanë mbajtur gjithmonë lart emrin e mirë të Shijakut.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

*(In Memoriam për Djemtë e Kostë dhe Maria Boshkut)

Nga Gëzim Kabashi

Në lagjen e vjetër “Varosh” të qytetit të Durresit, e cila njihet në ndarjet e reja administrative si lagjja nr 11, kalonte çdo ditë një

Ndërtimi i portit modern të Durrësit ka nisur në fund të viteve 1920, në të njejtën kohë kur filloi edhe ndërtimi i institucioneve dhe i

Nëntoka e lagjes 11 në qendër të Durrësit i ka befasuar përsëri arkeologët me një zbulim të ri, ndërsa bashkëjetesa e ndërtimeve të fundi

Nuk ka qytet në Shqipëri për të cilin të jetë shkruar më shumë se sa për Durrësin, po ashtu edhe për portin e tij.

Duke lundruar dhe u lëkundur mbi barkë, vetëm kështu mund t’i pikasësh një buzëqeshje në fytyrë Anna Ninës.

*Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ka qenë, është dhe do të mbetet epopeja më e lavdishme e popullit tonë.