Personazh/ Taip Kadiu, dirigjenti i korit të portit të Durrësit

27/09/2020 - 09:54

Taip Kadiu është një nga bashkëqytetarët tanë, që nuk jeton më prej më shumë se një viti. Emri i tij u bë i njohur në kohën kur drejtonte Korin e Burrave të portit detar, një nga ansamblet vokale më të mirë të vendit tonë.

60 koristët punëtorë këndonin së bashku, sikur të ishin profesionistë dhe sytë e tyre nguleshin thuajse në çdo moment në duart e dirigjentit Taip Kadiu, që nuk ishte vetëm muzikanti i zoti, por ishte edhe njeriu që i kuptonte më së miri hallet e tyre jashtë skenës.

Fizarmonika proverbiale, që bartte vazhdimisht mbi shpatulla dukej se ishte instrumenti që e kishte futur Taipin në botën e artit që kur ishte i vogël. Babai i tij Besimi, në kohën kur banonin në Kavajë, e dalloi pasionin e të birit, ndërsa një instrumentist italian e ndihmoi djaloshin që të hidhte hapat e parë në tastierën e fizarmonikës.

Në moshën 20-vjeçare ai thirret të kontribuojë në Korin e Ushtrisë.

Ishte fillimviti 1948. Pak ditë më parë, rasti kishte sjellë të takonte dirigjentin e shquar Gaqo Avrazi. Sapo kishte filluar shërbimin ushtarak dhe do të radhitej përkrah personazheve që do të bëheshin kolosët e muzikës shqiptare: Cesk Zadeja, Luk Kaçaj, Mustafa Krantja, Abdulla Grimci, Kostandin Trako, etj.

Jeta e Taip Kadiut do të shenjohej përfundimisht nga muzika.

-60 koristë përballë dirigjentit-

Në fundin e viteve 1960, në Shqipëri specialistët llogaritnin tre Kore të mirëfillta, dy nga të cilët, ai i  Teatrit të Operas dhe Baletit, si dhe ai i Ushtrisë, përbëheshin nga muzikantë profesionistë. Kori i Burrave të portit ishte kori amator mjaft cilësor, që përbëhej nga 60 komponentë, shumica e të cilëve punëtorë në brigadat e ngarkim-shkarkimit të anijeve. Të talentuar dhe pasionantë në artin e të kënduarit, ata mblidheshin rregullisht në Klubin e portit “Mujo Ulqinaku” për të përgatitur shfaqjen apo veprimtarinë e radhës.

Përballë tyre, si përherë Taip Kadiu. “Shembulli i tij do të mbetej përgjithmonë dirigjenti i Korit të Ushtrisë, Gaqo Avrazi – kujton Naim Nova, ish-drejtor i Klubit të portit në periudhën 1967-1974. Përveç drejtimit, Taip Kadiu harmonizonte dhe përpunonte këngë popullore apo krijime për kor-nënvizon Nova, i cili shton se dirigjenti Kadiu kishte krijuar marrëdhënie të shkëlqyera me pjesëtarët e Korit. “Ata ishin vokalistë natyralë, por serozitetin dhe disiplinën e ansamblit e fitonin çdo ditë, së bashku me dirigjentin- vlerëson Nova. Punonin me grupe, tenorët, baritonët e në fund basbaritonët. Kësaj kohe i përket edhe bashkëpunimi i frutshëm me kompozitorin e shquar durrsak Shaqir Kodra (1948 – 1996).

Kori i portit bëhet pjesmarrës në të gjitha veprimtaritë lokale dhe kombëtare. Në vitin 1968, anëtarët e tij janë të gjithë pjesëmarrës në skenat masive të operas “Bijtë e Skënderbeut” me libret të Matish Gjelucit dhe muzikë nga Abdulla Grimci. Mjeshtri Taip Kadiu, është pjesë e stafit që bashkë me korin përgatit edhe solistët.

Koristët e portit fitojnë emër shumë të mirë në paraqitjet e tyre në festivale kombëtare. Këngëtarët shquhen për talentin vokal, megjithëse arsimimi i tyre nuk ishte i plotë. Në këto kushte, Taip Kadiu paraqet në skenë grupe të vogla vokale, kuartete, sekstete, oktete.

Këngët e kënduara nga Eqerem Shaqja, Latif  Dauti, Xhevdet Maloku dhe Hamit Dapi, mbahen mend edhe sot. “Është e vërtetë, thotë Naim Kërçuku, një nga këngëtarët e Festivaleve në vitet 1970. Kënga që i kushtohej pushkës është kënduar nga Kuarteti i portit në një nga Festivalet e Këngës në Radiotelevizion dhe duartrokitjet për ta nuk kishin të mbaruar.

Grupi i Korit ishte mbledhur në 2-3 brigada pune, vetëm në turnin e parë. Kjo gjë e lehtësonte pjesëmarrjen e tyre në prova- kujton Naim Nova, i cili kujton edhe episodin kur koristët e portit vraponin mëngjeseve me këngë rreshtore në çdo cep të portit për të nxitur punën e punonjësve nëpër sektorë.

Taip Kadiu e bëri Korin e portit të këndojë “a capella”. Nuk ishte e lehtë, përkundrazi! Kishin vesh muzikor të jashtëzakonshëm, por ata nuk ishin profesionistë dhe megjithatë këndonin të pashoqëruar me orkestër, apo thjesht nga një piano.

Mjaftonte një intonim nga fizarmonika e dirigjentit.

Shpesh herë Mjeshtri Kadiu bisedonte me ta dhe kur një krijim i paraqitur nuk i bindte koristët kërkohej diçka tjetër. Edhe në këtë pikë Taip Kadiu ishte mjeshtër-shprehet ish-drejtori Nova.

-Fizarmonika, dashuria e parë-

Jeta e Taip Kadiut nuk ka qenë e lehtë.

Deri kur fitoi “liçensën” për të drejtuar një nga koret më të mëdhenj e më të respektuar në shkallë vendi ai kishte provuar punë të ndryshme, sidoqoftë, që të gjitha lidheshin me muzikën.

I lindur më 11 gusht 1928 në Kavajë, jeta e tij u lidh fillimisht me fizarmonikën që i bleu babai, dhe më pas me këngën dhe dirigjimin, leksionet e para të të cilave i morri nga i madhi Gaqo Avrazi. Korist në Ansamblin e ushtrisë në fund të viteve 1940 Kadiu shijon drejtpërdrejt suksesin në turneun që zhvillohet në ish-Bashkimin Sovjetik, e më pas në Rumani e Bullgari.

Me tu kthyer në Durrës, ku ishte vendosur ndërkohë familja e tij, 23-vjeçari bëhet pjesë e orkestrinave të lokaleve. Paradite punonte në administratë, ndërsa në mbrëmje së bashku me instrumentistët Petrit Myshketa, Xhek Kozmaçi dhe Bujar Vuçiterni luan në piano në bar “Moska”. Ai e braktis punën në zyrë dhe fillon të riparojë fizarmonika, instrumenti që do t’a shoqërojë gjatë gjithë jetës. Në shënimet që ka radhitur pak kohë para se të largohej nga kjo jetë, Taip Kadiu shkruan se gjithmonë në Durrës, në ndërmarrjen e Grumbullimit e kooperativën e Konsumit krijon ansamblet e para, më pas së bashku me aktorin e mirënjohur Ramazan Njala krijojnë edhe korin e Spitalit.

Puna me formacionet korale vijon më pas edhe në Korpusin ushtarak pranë qytetit, dhe shumë më gjatë në ndërmarrjen NTLAP.

Për më shumë se 30 vjet, Taip Kadiu ishte një nga instruktorët e mësimit të fizarmonikës në Shtëpinë e pionerit të Durrësit. “Ishte metodist shumë i mirë-kujton ish-drejtori Naim Kërçuku, i cili tregon se në mesin e viteve 1990 Kadiu u tërhoq për shkak të moshës. Aventura e jetës së tij, ajo e Korit të portit fillon në vitin 1965. Veprimtari që kujtohet edhe sot me shumë nostalgji dhe respekt nga të gjithë bashkëpunëtorët e tij.

Fizarmonikën e prekte gjithnjë e më rrallë-kujtojnë fëmijët e tij Nirvana, Besimi dhe Mesila. Bashkëshortja, Naimja, shton se nuk do të harrojë pasditen kur në shtëpi erdhi për vizitë një mik i vjetër, këngëtari dhe kompozitori i mirënjohur, Avni Mula, me të cilin ishin njohur në kohët e shërbimit ushtarak. Biseduan për vitet e shkuara, por edhe kënduan së bashku meloditë e rinisë.

Taip Kadiu shoqëronte në fizarmonikë, ashtu si e mbajmë mend sot e kësaj dite edhe ne bashkëqytetarët e tij. /APD

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: