Nga BUJAR QESJA*

Duke rrëmuar për largimin nga jeta, të kryetarit të Shoqatës “Durrësi” Shpëtim Metani, “kapa” edhe këtë foto. Nuk mund të largohem prej saj, pa i dhënë një “nishan”. Jo për mburrje, pasi e kam shpjeguar më se njëherë, që nuk është veti e imja, po për dinjitetin që ato përfaqësojnë, për emrin e mirë që na kanë lënë, për personalitetin e krijuar në punët e tyre, por edhe në modelin e arritur, në raport me qytetarinë durrsake.

Unë jetuesi në një kohë me ta, nuk mund të anashkalojë këtë pamje të shkëlqyer, të bukurisë së tyre së pari shpirtërore, e së dyti dhe fizike. Kështu janë durrsakët e mi. Janë 12 persona, ndërmjet tyre e vetmja femër, një yll i kulturës dhe arsimit durrsak. Bashkëshortja e denjë i të madhit Dhimitraq Goga, që nuk iu nda të shoqit asnjë minutë, sa qe gjallë. Nga të 12-tët, shtatë na janë larguar nga jeta, duke na ligështuar sa herë që shikojmë pamjet e tyre. Sa të mëdhenj janë, në atë që transmetuan kur merrnin frymë.

Emocionohem kur i shikoj të gjithë grup. Janë bashkuar në atë të ëmblën dhe të mirën tonë, shoqatën “Durrësi”. Sa të denjë, në përfaqësimin e qytetarisë durrsake! Sa më rritej rrybja, kur ndodhesha pranë tyre. Sa të urtë! Po sa të ditur! Oh çfarë kulture! Autoriteti dhe emri ynë merrte më shumë jetë, kur ndodheshim pranë tyre. I kemi patur mësues. I kemi patur përfaqësuesit tanë të dinjitetit, personalitetit dhe të identitetit tonë qytetar dhe kulturor.

Oh çfarë peshe fjala e tyre! E ku ka matës të saj! Kur takoje Danish Bebeziqin, fluturoje nga gëzimi. Hajde komunikim, hajde! Hajde kulturë dhe personalitet! Eh Danish, Danish! Gurët e rrugicës time, luanin nga vendi kur kaloje ti. I luante pesha e rëndë e kulturës tënde të pakufi, erudicioni yt ekselencë. Por kur bashkohej me Matish Gjelucin, këtë shkodran të përjetshëm të Durrësit? Eh çfarë humori krijohej! Ndonëse të mëdhenj, na respektonit ne të rinjve, që se kishim krijuar ende personalitetin tonë. Na jepnit shumë vlera, kur ju ishit vlera vetë. Kur ecnit, një Durrës i tërë kthente kryet për t‘ju parë, e për t’ju ndjekur. Babaxhanë, në përmasa gjigandësh për shpirtin tuaj, që i dhatë shpirt qytetit tonë dhe brezave e brezave, që meritoni të kujtoheni nga breza e breza.

Qemal Velja, nga dera e njohur e Veljave të Durrësit. Fis i fisëm në breza. Po Dilaver Cara?! S’ma bëri mbarë vetja, të të kushtoja një profil të plotë, ndonëse vdekja e jote më ligështoi pa masë. Arbitër ndërkombëtar në sportin e rrjetës. Arbitrove deri në Izrael, kur shteti ynë nuk bëhej me ta. Por ishte aftësia e juaj që shkëlqyet në Tel Aviv, duke shkëlqyer shpirtërat tanë, që të ndiqnim me shumë emocion. Nuk jeton më Dilaver Cara, një personalitet i sportit durrsak! Kuadër i edukimit fizik, kuadër drejtues dhe specialist në sporte. Sa dhimbje ndjej, kur të kujtoj! Sa lumturohesha kur takonim bashkë. Ishe mik edhe me Xhafer Qesjen, babain tim, i thekur edhe ky në kulturën sportive.

Krahas Danish Bebeziqit, Matish Gjelucit, Dilaver Carës, nuk jetojnë më edhe Dhimitraq Goga, Qemal Velja, Salvator Sotiri dhe tash së fundi edhe Shpëtim Metani.

Dhimitraq Goga! Kolos në sporte, por edhe në qytetari. Shumë herët ishte edhe violinist dhe është përfshirë në operetën e parë në Durrës, në fillimin e viteve 50-të “Era e Lirisë” e Pjetër Dungut. Padiskutim më i miri basketbollist, i të gjitha kohrave në Durrës. I merituar emri i pallatit të sportit, vendosur nga i nipi Igli Goga.

Përkrah tij, qendron mësuesja ime e klasës së parë Eleonora Goga. Tashmë e vetme, por e rrethuar nga dashuria dhe respekti ynë i përjetshëm. Eh zysh Nora! E mira dhe e ëmbla zysh Nora!

Salvator Sotiri! Një tjetër peshë e rëndë, i Durrësit tonë të përbashkët. Tori i ynë! Të kujtoj me shumë mall. Intelektual rrace. Por sa i doje durrsakët e tu! Në çdo hap, në çdo sekondë takoje një prej tyre. E filloje ti pyesje hollësisht. Ti njihje dhe doje çdo pëllëmbë tokë dhe çdo njërin prej nesh dhe nuk ndaheshe pa na lanë, atë mirupafshim aq origjinal dhe aq të kërkuar.

Tim Metani nga 29 shtatori 2019, është në një dhomë të përjetshme me Danishin, Matishin, Torin, Qemalin, Dilaverin dhe Dhimitraqin. Ju edhe aty jeni pjesë e jona. Nuk mund të tjetërsoheni!
Nuk tjetërsohet gjaku!

Dhe tani me të gjallët tanë. Agim Drita, që dritë ju bëftë shpirti. Kam mësuar, se nuk është mirë me shëndet. Ai ecte si “nuse me tel” kur shprehet urtësia. Mjek radiolog me aftësi profesionale. Kemi një të tillë sot!? Po na ikin njerëzit tanë të njohur, por edhe shumë të zot. Fuat Bilali specialist i mirfilltë bujqësie, madje shkencëtar i saj.. Përfaqësues i një fisi shumë të njohur. Themel i qytetarisë durrsake. Bilalët janë shumë të denjë dhe fisnikë. Eh kultura e tyre! Dinjitoze.

Nora ime është po aty, e bukur si më parë, e urtë si më parë, fisnike si më parë. 90 vjeçe. Jetëgjatë zysha ime, malli i një shtatë vjeçari të 58-tës.

Po Nikolla Jorgoni! Çfarë zotnije! Sa shumë ka ky Durrësi ynë, prerje të tilla që aq shumë i duam! Qytetarë, njëmijë herë qytetarë të merituar, të këtij Durrësi me shumë vlera dhe qytetari. Sa me fat jemi, që kemi këto njerëz! Sa me fat kemi qenë, që kemi merituar këto njerëz të rrallë, themel i kulturës dhe identitetit tonë! Ka lënë derë pa trokitur doktori jonë i çmuar dhe që nuk i është hapur plot respekt nga qytetarët e tij!? Edhe tani Jorgoni ynë i famshëm, është aktiv dhe nuk përton të të sqarojë si më parë. Hajde gjej një Jorgon të dytë?! Çfarë yjesh? Çfarë mjeshtrash?!

Dhe në fund një Selami Dakoli për t'u pirë në kupë. I urti i Dakolëve, autoktonëve durrsakë, Selë Dakoli përfaqësues i denjë dhe i merituar i tyre. Dakoli im, ka bërë edhe libra mbi urtësinë. Por sa lexon? Pambarimisht. Kjo e ka bërë të urtë, të pranueshëm dhe të preferueshëm në shoqëri. Po e mundon shumë diabeti, por ia ka dalë. Ka edhe një grua zonjë që i qëndron pranë. Durrsakët e m’i, kanë edhe familje të përkryera, që kanë ndërtuar historinë më të tërheqëse të qytetit të lindjes.

Këto doja të thoja për këtë foto, që më bën të përkulem dhe të përulem para tyre. Se mos vetëm unë! Ato jemi ne. Ato janë nga të mirët tanë. Ata janë historia e jonë më e bukur, më konkuruese ndër të tjerët.

E unë nuk do të rresht, pa punuar për to, pa shkruar për to, pa qenë mirnjohës për to, pa qenë deri në fund i shlyer detyrimisht për to. Vetëm e vetëm si një borxhli qytetarësh, të vlerave, historisë dhe kryelartësisë që na kanë lënë.

Dhe besoj të gjitha këto, jo vetëm unë!

*Mjeshtër i Madh