Nga BUJAR QESJA
E mërkurë, 24 qershor 2020. Petraq Ikonomi, nga futbollistët më të njohur të “Lokomotivës”, nga specialistët më të spikatur të futbollit durrsak, ndër intelektualët më në zë të sportit të Durrësit, mbush 80 vite jetë. Në fakt është një ngjarje e shënuar. Naun Ranxha nga Udine, ku tashmë jeton familja Ikonomi me të gjithë degëzimet, dhëndërri i shtëpisë, e publikon në fb këtë ngjarje.
Si kronikan i jetës qytetare durrsake sport dhe jo sport, nuk mund të lija në hije këtë jubile të rëndësishëm jo vetëm për Petraq Ikonomin, por në tërësi për futbollin durrsak. Ikonomi është një figurë shumë e njohur dhe me një karrierë të pasur. Ka raporte të shkëlqyera me opinionin qytetar të Durrësit, pasi edhe dera e Ikonomëve është shumë e njohur dhe e ngulitur prej kohësh në qytetin port të rëndësishëm të vëndit.
Janë kohë delikate dhe pak i bëjmë edhe vetë të tilla, pasi në këtë ditë Durrësi duhej të prekte një tjetër atmosferë për këtë ngjarje. Një nga idhujt e tifozërisë durrsake, një nga pikantët e qytetarisë durrsake Petraq Ikonomi, mbush as më shumë dhe as më pak plot 80 vite jetë. Mbetet një jetë aktive, i këtij djali të Durrësit që i dha futbollit durrsak. Madje i dha edhe jetën e babait të tij, të mirnjohurit Ksenofon Ikonomi.
Kur ishte në Tiranë, në kohën kur vazhdonte studimet në Institutin e Kulturës Fizike e Sporteve “Vojo Kushi”, të fortët e 17 Nëntorit e kishin përfshirë shtatlartin e mbrojtjes Petraq Ikonomi në ekip. Madje edhe titullar. Ksenofon Ikonomi, në një ditë të lagësht, me motorin e tij udhëton në drejtim të Tiranës. Shiu i rrëmbyer, rruga me një lagështirë të paparë, ishin fatale për këtë kuadër aq të vyer të Durrësit. Aksidenti i mori jetën, duke e lënë në pikëllim familjen Ikonomi dhe duke tronditur një Durrës të tërë.
Futbolli na lidhi shumë me Petraqin. Kohë më parë, kur isha fare i ri dhe luaja me ekipin Shpresa, Ikonomi pas Papadhopullit drejtoi “Lokomotivën” dhe ishte trajneri im. Por akoma më shumë u lidhëm me këtë fisnik, me këtë gjigand të mbrojtjes, me këtë intelektual të veçantë, me këtë hulumtues të arkivave të futbollit, kur botoja gazetën “Teuta Sport”, nga kulmet e zhvillimit të letrave sportive në Durrës. Konsultohesha me këtë njeri të madh dhe shkëmbenim mendime nga më të ndryshmet. Ditët e hëna, kur kthehesha nga Tirana me numurin e ri të Teuta Sport, i pari që do ta kishte këtë botim, do të ishte Petraq Ikonomi.
Në bahçen tërheqëse të shtëpisë së tij dy katëshe, në një mjedis të magjishëm uleshim dhe kalonim orë ëndërruese me Petraq Ikonomin, duke diskutuar për futbollin durrsak, për zhvillimin dhe historinë e tij. Dhe këto për mua kanë qenë kohë të bukura, të vlefshme për tu kujtuar. Petraqi ka edhe një arkivë të pasur të historisë së futbollit të Durrësit.
Disponoj një dokument të rrallë, ku Mithat Hoxha i lutet Petraq Ikonomit, që t’ia dorëzoj arkivën e krijimit të futbollit, të dhënë në mirbesim nga Stefan Druga, sekretar i SportKlub Teuta në vitin 1935, vajzës së tij Merita Forës. Dhe janë renditur me rradhë të gjitha dokumentat e dorëzuara. Po kështu djali i të madhit Mikel Nushi, nga futbollistët historikë të Teutës në vitet 30-të, më tregon se në minutat ëe fundit të largimit të të jatit nga jeta, ai lutet të birit për një amanet.
-Dorëzoi Petraq Ikonomit, stemën origjinale të Klubit të Futbollit Teuta. Më mirë se ai nuk ka cili ta ruaj!
Dhe kjo relike e rrallë, është në duart e këtij njeriu të madh të futbollit durrsak. Edhe më parë, por edhe tani, i shtrij dorën e bashkëpunimit këtij mjeshtri të topkëmbës, këtij intelektuali në traditë brezash, me bindje të plotë për të ndihmuar e evidentuar vlerat historike të futbollit durrsak. Për të çuar në vënd amanetin e atij brezi që nuk jeton më, por që kanë lënë vlerat e një punë të jashtëzakonshme në dobi të përparimit dhe zhvillimit të futbollit të qytetit tonë me tradita, duhet ti publikojmë këto materiale, pasi tregojmë me fakte traditat tona të shkëlqyera të futbollit.
Ti sot miku im, ke një ngjarje të shënuar të jetës tënde. Mbushe 80 vite jetë. Me ty festojmë edhe ne. Është një ngjarje e shënuar edhe për ne miqtë e tu. Ti i ke shërbyer qytetit tënd, duke lujtuar futboll, duke bërë trajnerin, duke qenë mësues i edukimit fizik, por mbi të gjitha duke krijuar një pozicion komod në qytetarinë durrsake. Besoj se ndjehesh krenar, kur të gjithë të thërrasin: Profesor Petraqi! Shtëpia e Ikonomëve është e famshme në Durrës. E gjithë familja e juaj i ka dhënë qytetarisë, por edhe futbollit dhe sportit të Durrësit. Kam parasysh këtu edhe Kristaq Ikonomin, të mbiquajtur Çiço, djalin tënd Ksenofonin që i vendose emrin e babait tënd. Por edhe dhëndërri Naun Ranxha i ka dhënë çiklizmit.
Është rasti të evidentoj vlerat e bashkëshortes tuaj, Astrites aq të mirë dhe të komunikueshme, e cila është nga dera e njohur e Toptanasve të Tiranës. Mësuese klasi, por që të befason me një fisnikëri që ia rrit vlerat jo vetëm vetes, por edhe familjes Ikonomi. Familja Ikonomi ka të drejtë të gëzojë për ditëlindjen e babait, gjyshit, bashkëshortit Petraq Ikonomit. Ndonëse festa e këtij përvjetori zhvillohet në kushte familjare në qytetit Udineze të Italisë, ajo ndjehet prezente edhe në Durrës, në vendlindjen tonë të përbashkët. Një vlerësim nga Durrësi yt, do të ishte i domosdoshëm. Ndryshe ç’vlerë kanë dedikimet?!
Por ajo që vlen Petraq Ikonomi është, që qytetaria durrsake të vlerëson dhe të ka dhënë titullin më të madh, atë të mirnjohjes, për atë çka ke bërë në dobi të zhvillimit të futbollit të Durrësit, me traditë dhe histori të famshme, që vlen të zbulohet e pronësohet nga durrsakët.
Kam menduar që shkrimin ta ilustroj me dy pamje. Njëra është kujtimi i ynë, por që publikohet për herë të parë. Jemi në përvjetorin e 65-të të notarit të famshëm durrsak Eqerem Korra dhe tjetra “Lokomotiva” e fortë e vitit 1967. Sipas një sondazhi të zhvilluar, ky formacion i “Lokomotivës”, konsiderohet si më i fortë në historinë e futbollit vendas.
Të uroj gëzuar 80 –të vjetorin e lindjes, miku im i çmuar dhe shok nga më të rrallët! Të ndjekshin gjithnjë gëzime të tilla! Fiziku i fortë, e qeshura jote që trondit atmosferën durrsake, është ende e fuqishme.
Të paçim edhe për shumë vite pranë, mjeshtri dhe mësuesi ynë Petraq Ikonomi!