"Pompei i Durrësit", Gjergj Frashëri: U varros me vendim shtetëror

Postuar: 03/06/2014 - 18:42

Nga Fatmira Nikolli

Tiranë, 3 qershor 2014  - Katër vite më parë në zonën e njohur si "Lulishtja 1 Maji" në Durrës, dolën në dritë struktura arkeologjike të rëndësishme. Muaj më vonë, paçka zbulimit, mbi to u ndërtuan dy godina. Sot, katër vite me vonë, botimi i dy dokumenteve, ka risjellë në vëmendje atë që humbëm: e cilësuar së fundmi si Pompei shqiptar. Në vitin 2010, arkeologu Gjergji Frashëri, i kreu gërmimet me firmën e tij 'AKeR shpk'. 

Në një intervistë për "GAZETA SHQIPTARE" ai sqaron pozicionin e tij dhe hedh dritë mbi ngjarjen, ndërsa thekson se vetëm IMK dhe DRKK e Durrësit, kishin mundësinë ligjore për ta vënë në mbrojtje të shtetit, ose në mbrojtje paraprake strukturën arkeologjike të varrosur tashmë. 

Si është e vërteta e zbulimit arkeologjik në Lulishten 1 Maji në Durrës dhe ndërtimit të bërë aty? Cila është lidhja juaj me këtë zbulim arkeologjik? 

Sipërfaqja e gërmimit përbëhej nga dy fusha ndërtimi - Fusha 1 (e vogël) dhe Fusha 2 (e madhe). Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) miratoi me Vendimin e tij nr. 59, dt. 18.03.2010 këto dy sipërfaqe si vend për gërmim arkeologjik shpëtimi, pasi aty ishin planifikuar dy ndërtime. Ky vendim u mor në bazë të sondazheve arkeologjike paraprake të kryera më parë nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA). Firmës 'AKeR shpk', ku unë punoj iu besua sipas rregullave kryerja e këtyre gërmimeve të shpëtimit. Asaj iu miratua nga KKA-ja, Projekti i detajuar teknik, organizativ dhe profesional që paraqiti. Firma 'AKer shpk' i realizoi me sukses të plotë të dy gërmimet. 

Flitet se shtresat e sipërme janë hequr me volume të mëdha dhe janë zhdukur edhe varre të shek. 6-9 të erës sonë? 

Gërmimet janë filluar prej nesh në Lulishten 1 Maji më datën 17 Maj 2010. Pak përpara fillimit të gërmimeve tona në të dy fushat bëheshin punime për nguljen e pilotave në konturin e shesheve të ndërtimit. Në këtë kohë nga ana e të dy investitorëve ishin kryer në pjesë të mëdha të sipërfaqes me skreper largime voluminoze të shtresave të sipërme deri në thellësinë 1,4-1,6 m. Me sa u sqarua ata kishin keqinterpretuar shënimet në projektin tonë, se shtresat e sipërme, të cilat nga sondazhet e ASHA-s rezultonin mbushje të vona pa përmbajtje arkeologjike, mund t'i largonin ata vetë. Për këtë u bë denoncimi nga ana jonë pranë ASHA-s me nr. 70 Prot (KKA) dt. 10.05.2010 dhe tjetra më 17.05.2010. Nga ana e vet ASHA bëri procesverbalet e ndëshkimit duke dokumentuar edhe heqjen e shtresave pa praninë e arkeologëve të autorizuar. "Grupi i kontrollit" të profesorëve me në krye z. Neritan Ceka që erdhën 3 javë më vonë pretenduan se aty ishin prishur varre të shek. 6-9 p.Kr. Kjo nuk ishte e saktë. Profilet e dheut në konturet e fushave tregonin se këto shtresa nuk i takonin mesjetës së hershme. Varre të mesjetës së hershme u gjenden më vonë shumë më në thellësi. Ato nuk përbënin varrezë, por grupime të pak varreve në hapësirën e një ndërtese të madhe. Gjithkush mund të shohë ato në dokumentacionin e dorëzuar me kohë. 

Çfarë dokumentesh administrative dispononi për rastin e këtij gërmimi? 

Firma jonë disponon të gjitha dokumentet, të gjithë praktikën në origjinal dhe në kopje të ruajtura në vende të ndryshme. Ne vijmë tashmë nga një përvojë e madhe drejtuese dhe administrative, brenda dhe jashtë vendit. Përpiqemi të punojmë si qytetarë bashkëkohorë dhe të nxjerrim nga duart ato që i vlejnë shoqërisë përgjithmonë. 

Kush e ka përgjegjësinë që nuk u ruajt e tëra ajo ashtu siç doli pas gërmimit? 

Qysh para mbarimit të gërmimit në Fushën e Vogël 1 - që çuditërisht përflitet më shumë në medie (?!) - lindi problemi i ruajtjes in situ të substancës arkeologjike. E vetmja rrugë që ajo të ruhej e tëra in situ ose pjesërisht, i takonte Ministrisë së Kulturës me ndihmësit e saj, Institutin e Monumenteve të Kulturës (IMK) dhe DRKK-në e Durrësit. Vetëm ato kanë mundësinë ligjore për ta vënë në mbrojtje të shtetit, ose në mbrojtje paraprake. Pikërisht kjo - nuk u bë! 

Këtë sugjerim tekniko-ligjor e kemi dhënë si qytetarë në kohën e duhur. Përse IMK-ja nuk e bëri, pyeteni ish-drejtorin e saj kohe dhe ish-drejtuesit e DRKK-së. Duke mos u shpallur në mbrojtje paraprake, hapësira arkeologjike e Fushës 1 e humbi fatin për t'u ruajtur in situ. 
Ju lutem, çfarë rrugësh dhe mundësi të tjera ligjore dhe organizative ekzistojnë në këtë vend për ruajtjen e substancës arkeologjike in situ? Asnjë rrugë tjetër, veç marrjes në mbrojtje nga shteti si mjedis me vlera arkeologjike. Përgjegjësia dhe përgjegjësi është këtu brenda. Në vend të saj, pas katër vjetësh dëgjon forúmsa të përrallosin nëpër media me copa letrash të grabitura nga Ministria e Kulturës dhe pasi i presin e i ngjisin ato sipas oreksit, ngrenë akuza me këto dokumente të shtrembëruara, duke ngarkuar padrejtësisht me përgjegjësi dhe duke dëmtuar pa të drejtë imazhin e investitorit që ka paguar për kryerjen e gërmimit arkeologjik dhe të subjektit privat që i ka kryer me korrektesë gërmimin dhe konservimet e lëna si detyrë nga KKA-ja. 

Po firma 'AKeR' nuk kishte gjë në dorë për ta ruajtur?

Firma arkeologjike private që kryen gërmimet e shpëtimit nuk ka asnjë përgjegjësi dhe asnjë të drejtë të vendosë mbi fatin e substancës arkeologjike që del nga gërmimi, do ruhet ajo e tëra in situ, do ruhet pjesërisht apo nuk do ruhet fare. Ajo nuk ka kontratë apo fuqi ligjore për këtë, as ndaj Ministrisë dhe as ndaj investitorit për këtë çështje. Kështu është praktika juridike në mes të Europës, kështu thotë edhe ligji shqiptar. E vetmja forcë është detyrimi si qytetar dhe profesionist të luftoj privatisht në ruajtjen e mbrojtjen e pasurisë arkeologjike. Më duket se nuk kam bërë pak deri sot për këtë, për Lulishten 1 Maji dhe për vetë arkeologjinë e Durrësit. 

Si rrodhi fati i ruajtjes? 

Derisa nuk e shpallën sheshin me substancë arkeologjike në mbrojtje paraprake shtetërore, sheshi u dha për ndërtim. Ndërkohë investitori i kishte kryer detyrimet kontraktore me shtetin për zbulimin arkeologjik. 
Para përfundimit të gërmimit, firma jonë u çlirua plotësisht me vendim nr. 97, dt. 07.07.2010 të KKA-së nga detyrimet e saj, të cilat i kishte kryer me sukses. Fatin për ruajtjen e substancës arkeologjike e mori një grup i përbërë nga pesë anëtarë të KKA-së, njëkohësisht përfaqësues të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore dhe të ASHA-s pranë MTKRS-së, IA-së dhe IMK-së, të cilët hartuan 3 procesverbale njëri pas tjetrit. Në vizitat e tyre në fushën e gërmimit u bënë pjesëmarrës edhe investitori privat dhe firma private arkeologjike, për të qenë në dijeni të vendimeve, të cilat ishin të lidhura ngushtë me shpenzimet (Procesverbal nr. 1, dt. 13.07.2010; procesverbal nr. 2, dt.16.7.2010, etj.). 
Firmosja e këtyre procesverbale nga këta dy të fundit është për marrjen në dijeni të detyrave që i cakton atyre grupi i punës. Edhe kjo shtrembërohet me qëllim në media. Të paktën investitori nuk mund të jetë anëtar i Grupit të Punës të Ministrisë, as edhe Firma ime private 'AKeR', as unë vetë, sepse kjo është në radhë të parë konflikt interesi. Grupi i punës është pjesë e KKA-së dhe përbëhet vetëm nga punonjës të shtetit dhe jo nga privatë me licenca. 
Detyra e këtyre takimeve nuk ishte se do të ruhej substanca arkeologjike in situ, kjo tashmë ishte vendosur që nuk do ruhej. Por do bëheshin propozime se çfarë mund të hiqej dhe të vendosej nesër në muze. Njëkohësisht edhe çfarë mund të rivendosej përsëri në garazhet e ndërtesës së re nëpërmjet anastilozës. Në këto takime pune janë bërë propozime nga më të ndryshmet në përputhje me mundë-sitë financiare të investitorit dhe me kriteret e restaurimit, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. 

As ruajtjet e pjesshme nuk kanë qenë vendime të lehta? 

Aspak. Shumica e strukturave nuk ishin në gjendje të lëvizeshin (të hiqeshin) dhe të rivendoseshin. Ne arritëm të translokonim mozaikë duke i shkulur dhe vendosur në telajo, si dhe një dysheme të një punishteje për prodhimin e qelqit, etj. Ato tashmë janë të gatshme për t'u ekspozuar në muzeun që njëri prej dy investitorëve do ta ndërtojë me dëshirën e tij në katin -1 të ndërtesës së vet. 

A paraqiste vështirësi të tjera ruajtja teknike e mjedisit arkeologjik? 

Njerëzit shohin fotot e këtij gërmimi dhe kujtojnë se ai mjedis me rrënoja ishte gati për vizitorët, ashtu siç duket e bukur në foto. Por nuk është ashtu. Do të duhej shumë punë dhe shpenzime që një ditë të kthehej në park për t'u vizituar, kur të zgjidheshin para së gjithash problemet e ujit nëntokësor. Po të mbyllej sistemi i pompave që ngritëm gjatë gërmimit për të larguar ujin, e gjithë substanca e "bukur" do të ishte brenda një ditë nën ujë. Me pompa nuk mund të mbahen tërë jetën kushtet e vizitueshmërisë! Për ta shmangur përgjithmonë këtë masë uji nga parku do të duhej paraprakisht të ndërtoheshin mure izoluese të thella të paktën deri në 12 m anembanë kontureve të sheshit pranë pilotave rrethuese, të cilat nuk ishin në gjendje të pengonin asnjë litër ujë. Mendon kush se çfarë kosto financimi kanë këto punime mbrojtje të fushës arkeologjike nga uji? Madje ky rrethim duhej të ishte bërë përpara se të kryheshin gërmimet, më pas nuk është e mundur. 
Kjo është një përvojë që doli nga ky rast. Ja pra, se çfarë Ministria e Kulturës duhet t'u vërë si kusht investitorëve që domosdoshmërisht kërkojnë të ndërtojnë më tej në zonën B të Durrësit - të ndërtojnë të tilla mure ujëizoluese në vend të pilotave të sotme para fillimit të gërmimeve, për të siguruar izolimin e parkut arkeologjik të ardhshëm nga ujërat nëntokësore dhe burimeve natyrore. 

Po me fushën e madhe nr. 2? 

Edhe këtu u veprua me të njëjtën mënyrë: gërmimi arkeologjik në Fushën 2 mbaroi më 30 tetor 2010. Këtu doli më shumë substancë arkeologjike prej sipërfaqes më të madhe. DRKK-a e Durrësit, IMK-ja dhe KKR-ja e Ministrisë së Kulturës nuk e vlerësuan dhe nuk vepruan për ta shpallur atë në mbrojtje paraprake shtetërore si monumentet kulture - pra duket se nuk ishin të mendimit që kjo substancë kishte vlerë për t'u ruajtur. Rezultati ishte se kjo pasuri u braktis nga institucionet shtetërore, të cilat janë direkt përgjegjëse që kanë kompetencën dhe të drejtën e vendimit për ta ruajtur. Fusha me substancë arkeologjike mbeti më se një vit e hapur, tashmë e mbushur me ujë. Vendimi ishte marrë që ajo nuk do të ruhej plotësisht. Çështja ishte si mund të shpëtohej diçka in situ prej saj? Situatën nuk e ndihmuan as vizitat e Akademikut Baçe me profesorë apo misionarë italianë, siç pretendohet. Nuk e ndihmuan as drejtorë e profesorë të IA-së, që merrnin pjesë në vendimet e shumta të KKA-së. Një vit më vonë, me vendimin nr. 147, dt. 01.03.2011 në mbledhjen e saj të 18, KKA-ja shqyrtoi konkluzionet e Grupit të Punës të ngritur me Urdhër nr. 114, dt. 12.10.2010 të Ministrit MTKRS-së dhe nr. 572, dt. 04.11.2010 (i përbërë nga Klodian Pajuni, Drejtor i Përgjithshëm i Trashëgimisë MTKRS, Ols Lafe, Drejtor i Trashëgimisë Kulturore MTKRS, Roland Olli, drejtor i ASHA-s, Surja Lela, Përgjegjës i Sektorit të ASHA-s, Apollon Baçe, Drejtor i IMK-së dhe Luan Përzhita, Instituti Arkeologjisë) vendosi që strukturat arkeologjike të ruheshin in situ vetëm pjesërisht. Gjithashtu investitori duhej të ndryshonte projektin e mëparshëm dhe të jepte dy projekt-ide të tjera, ku të merrej në konsideratë krijimi i një ambienti muzeor brenda ndërtesës për vizitueshmëri dhe të përballonte vetë të gjitha shpenzimet për këtë punë. Edhe nga kjo fushë janë translokuar dhe restauruar dy sipërfaqe mozaiku prej Firmës tonë që ndodhen po ashtu në Muzeun Arkeologjik Durrës. E gjithë sipërfaqja e gërmimit është matur me Skanerin 3 Dimensional, me shpenzimet e firmës arkeologjike 'AKeR'. 

Ju vetë, keni qenë pjesë e këtyre vendimeve? 

Nuk kam qenë asnjëherë anëtar i KKR-së apo i KKA-së, madje as edhe anëtar i ndonjë grupi pune të ngritur nga MTKRS apo ndonjë institucion tjetër. Si mund të jem anëtar i ndonjë vendimi shtetëror duke qenë një subjekt privat? Natyrisht kam qenë shoqërues kur këto grupe kanë vizituar fushat e gërmimit, ku kam raportuar për ecurinë javore të gërmimit dhe kur jam pyetur për mendimin tim mbi ruajtjen e mundshme të substancës arkeologjike, gjë të cilën e kam ndjerë për detyrë që ta bëj si profesionist dhe për të ndihmuar punën time dhe të tjerëve. Propozimet që i kam dhënë grupit të punës ishin realiste, nuk jam romantik, por profesionist arkeolog dhe restaurator me përvojë të gjatë. 

A janë dorëzuar në muze gjetjet arkeologjike? 

Të gjitha gjetjet 100% janë pastruar, restauruar, regjistruar, katalogizuar, datuar, hedhur në database e në lista sipas standardeve të arkeologjisë evropiane bashkëkohore dhe bashkë me dokumentacionin janë dorëzuar me korrektesën më të madhe ASHA-s sipas Rregullores në fuqi dhe gjenden në Muzeun e Durrësit. 
Është një Mbledhje e posaçme e KKA-së (me pjesëmarrje të zgjeruar) nr. 99 Prot. dt. 04.06 2012 ku është paraqitur dhe vlerësuar e gjithë puna arkeologjike e bërë nga Firma "AKeR shpk" në Lulishten "1 Maji", nga projekti fillestar deri në dorëzimin e dokumentacionit dhe gjetjeve, si dhe janë trajtuar akuzat e pabaza të katër profesorëve të datës 11 qershor 2010. Në këtë mbledhje KKA-ja ka vlerësuar pozitivisht tërë punën e firmës 'AKeR' dhe janë mbyllur të gjitha diskutimet dhe dyshimet mbi realizimin e projektit të arkeologjisë së shpëtimit. 

Aktualisht, a mund të bëhet diçka për të zhbërë ç'është bërë? 

Me arkeologjinë ajo që zhbëhet nuk bëhet më. 

A duhet hetuar kjo çështje për të sqaruar një herë e mirë ngjarjen? 

Hetojeni seriozisht, domethënë në rrugë juridike, jo të talleni nëpër media dhe në "Facebook"-un e Forumit të Mëkatarëve të Trashëgimisë Kulturore. 

Si i lexoni debatet për këtë cështje? 

Arkeologjia e “Lulishtes 1 maji” ka tash katër vjet plot që është varrosur prej vendimit shtetëror - tani u kujtuan ta qajnë! Mediat nuk po merren me shtetin që nuk e mori në mbrojtje të tij in situ arkeologjinë e Lulishtes ‘1 Maji’, por po merren me firmën arkeologjike, e cila ka zbatuar me përpikëri urdhrat dhe ligjet e shtetit. Pra nuk po i dhemb kujt pse nuk u ruajt Lulishtja ‘1 Maji’, që të nxjerrin mësim për të ruajtur Lulishten ‘1 Maji’ tjetër që do të vijë me siguri nëqoftëse në Durrës vërtet do vazhdojnë ndërtimet në zonën B. Ata po merren në një mënyrë të paqytetëruar, me shpifje, shantazhe dhe fyerje që janë të kundërligjshme dhe të dënueshme. Vetëm disa shembuj mjaftojnë. Sinjalet e para mbi këtë sulm të organizuar i mora nga një akuzë e papërgjegjshme e një arkitekti Arben Biçoku, që i referohet një montazhi të shëmtuar anonim në një gazetë me titull “Masakra e Dakos, pallate mbi qytetin antik” të datës 08.03.2014, duke aluduar hapur se ai është një kompozimi im. Unë ju drejtova gazetës ku i kërkova të nxirrte në shesh se kush ishte autori i atij kompozimi. Gazeta nuk ma tregoi, por botoi një njoftim në shtyp, se nuk isha unë. Megjithatë, në një emision televiziv Biçoku vazhdoi ta përsërisë pa përgjegjësi këtë akuzë. 
Gjergj Gjurën, e kanë shtyrë të shantazhojë në emër të DRKK-së së Durrësit, se “materialet e gjetura në gërmimin në fjalë nuk janë dorëzuar pranë asnjë muzeu”. Nuk mungon edhe profesori Skënder Muçaj, që deklaron se Lulishtja ‘1 Maji’ “është ndoshta krimi më i madh në fushën e gërmimeve arkeologjike”. Ky harron se me gërmimin dhe dokumentacionin që është bërë në Lulishten ‘1 Maji’, substanca arkeologjike e saj të paktën ka shpëtuar, është e tëra në arkivë, edhe duke mos qenë e ruajtur in situ. Ajo nuk është zhdukur pa lënë gjurmë, si dhjetëra e dhjetëra fusha të tjera në Durrësin e zonës A dhe B gjatë këtyre njëzet vjetëve, të cilat ai ka qenë në krye të detyrës në Shqipëri dhe nuk ka denoncuar asnjë prej tyre, as edhe ato që ka shkaktuar dhe po shkakton vetë në gërmimet e pafundme të panevojshme “shkencore”, si plagë të lëna djerr. Nuk e kuptuam kurrë se si e ndihmoi ai Lulishten ‘1 Maji’, duke ardhur si servil i zotit Ceka në atë farë kontrolli “gjueti shtrigash” të 11.06.2010. Duke qenë nëpunës i Qendrës Studimeve Albanologjike, i nderuar profesor, së bashku me kolegët e tu kontrollorë të Lulishtes ‘1 Maji’, Prof. Ceka, Akademiku A. Baçe dhe Prof. L. Përzhita, kini pasur shumë më tepër mundësi se unë, që t’i detyronit në kohën e duhur institucioneve ministrore dhe të sensibilizonit mediat që Lulishtja ‘1 Maji’ të shpallej në mbrojtje shtetërore, ashtu siç kini vënë piskamën sot mbas pilafit. 

/Gazeta Shqiptare/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Mjeku Ashim Zogu, njihet si një prej atyre pak mjekëve të ndershëm në Urgjencën e spitalit të Durrësit I cili ka marrë të gjithë vlerësim

*Përpjekje për t'u kthyer në një institucion pushimi bashkëkohor

Nga Shefqet Kërcelli

   Pasditja e së shtunës së 23 qershorit do të mbetet gjatë në kujtesën e maturantëve të 40 viteve më parë, të gjimnazit të njohur të Dur

   Mbi kodrat e buta të fshatit Shkallnur, vetëm 2 km larg nga rruga nacionale Plepa - Ndroq, gjendet ferma më e re “Pema e jetës”, inves

   Me dhjetëra djem e vajza nga Shqipëria po arsimohen në universitetet më të mira të botës, duke u kthyer në “brezin” e shpresës që do t