Protagonistë të Qytetarisë Durrsake

21/05/2020 - 18:07

Nga BUJAR QESJA

Kjo foto është fiksuar në tetor të vitit 2012. Pra i bie të jetë 8 vite të shkuara. Në këtë fiksim nuk ka heronj. Nuk ka protogonistë. Nuk janë përfshirë më të mëdhenjtë e sektorëve përkatës, prej nga ato vijnë. Po hajde më thuaj mua, se nuk është një pamje, nga ato përjetime fotografike që nuk të len mbresë. Me 15 maj 2020, çfaqa një foto ku qendronin tok mjeku i njohur Koçi Moisiu dhe aktori dhe sportisti i famshëm Spiro Urumi. Më erdhi mirë që durrsakët reaguan masivisht. Kjo tregon se ndjehemi të jemi së bashku dhe ti dalim zot moralisht dhe shpirtërisht njerëzve tanë.

Tani publikoj një foto, ku janë përfshirë 5 njerëz. As ata dhe as unë, nuk mund ta kundërshtojmë dhe jemi të bindur, që ata nuk janë heronjtë e qytetit. Përkundrazi janë të thjeshtët dhe të zakonshmit e tij. Por hajde ma mbush mëndjen mua, se ato nuk janë në një pikë të veçantë. Janë përfaqësues të qytetarisë durrsake, për të cilën unë “vdes” nga mbresat dhe nga malli. Janë vetëm pesë, por mund të ishin më shumë, apo edhe më pak. Rëndësi nuk përbën numuri, apo shifra, por përfaqësimi i tyre, ngjyrat apo kolori i veshur.

Janë pjesë e jona. Janë pjesë e atij përfaqësimi që quhet qytetaria durrsake. Pse pak është kjo? Nga e majta është vendosur Jusuf Fani. Fisi i Fanëve është shumë i njohur. Më fisnikë nuk ka si bëhet. Jusufi si vëllai më i madh, është në fushën e arsimit. Ka dhënë matematikë. Por mbi të gjitha ka dhënë qytetarinë durrsake siç është, e urtë, e bukur, e thjeshtë por e ëmbël, e qetë si një det bunacë, që ecën gjithnjë në rrugën e Zotit. I dyti që vjen pas tij, është i mirnjohuri Esat Hafizi. Oh çfarë njeriu! Është fotografi ynë. Ka treguar rrugën apo formuluar historikun në foto të prindërve tanë, por edhe ne nga pak. Nuk e kemi më ndër të gjallët, por gjithnjë i gjallë në atë që quhet memoria e çdo durrsaku.

Në mes është mjeku i njohur Refik Kajsiu, një veprimtar i thekur i Shoqatës “Durrësi”. Një familje pikante, që ushqehet dhe mbahet gjallë nga të qënit qytetaria durrsake. Vijon fotoja me Skënder Lilën. Tani në moshën 83 vjeçare. Studius i historisë së qytetit, por edhe mësues letërsie. I qeshur Skënderi ynë, me një të folur si “nuse”, me një nur për ta patur zili. Kultura e gjërë e tij, është për t’u çmuar dhe vlerësuar.

Dhe e mbyll këtë foto të “pesë yjeve” të qytetarisë durrsake Ruzhdi Cërloi. Profesioni i tij inxhinjer kimist, i vendosur prej vitesh në fabrikën e gomës. Mbiemri Cërloi është i tepërt të komentohet, pasi është shumë i njohur në Durrës. Dhe Ruzhdiun nuk e kemi në mesin tonë fizikisht, por gjithnjë shpirtërisht.

Premtova se nuk do të heq dorë, së bëri të njohura, së bëri publike, së bëri pronë të çdo durrsaku, pamje që i takojnë dhe përfaqësojnë në thelb qytetarinë durrsake. Unë i falem kësaj qyetarie dhe do ti falem sa të kem frymë, pasi jam pjesë e gjallë, pjesë aktive, pjesë që përcjell pozivitet të saj.

Ta ruajmë dhe ta mbrojmë këtë pasuri që kemi, e krijuar në breza që quhet qyetaria durrsake, kryelartësia e saj nuk ka të çmuar. Le ta ndjekim foton dhe të shijojmë buzëqeshjen dhe gëzimin e të pestëve.

Janë pesë nga njerëzit tanë. Të atyre njerëzve, që nderi dhe nami i mirë, nuk kanë për t'u shuar kurrë. Le ta përqafojmë këtë qytetari dhe ta mbajmë si pasuri të jashtëzakonshme deri në të gjallët tonë. Ky është mision.

Dhe misioni duhet çuar deri në fund.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: