Nga Aleksandër Cangonja

Periudha e drejtimit të shtetit nën Ahmet Zogun, njihet ndryshe si periudha e hedhjes së themeleve të shtetit Shqiptar. Reformat shtetformuese të cilat nisën në atë peridhë ishin dhe një tregues i largpamësisë së administratës të atyre viteve.

Në arkivin e shtetit gjendet një shkresë e kryetarit të bashkisë Durrës Rustemi Ymeri e vitit 1937, drejtuar Zyrës së Bujqësisë ku i kërkon kësaj të fundit mënyrën sesi do mbidhen fidanët për pyllëzimin e Kodër Vilës në Durrës. Vlen të theksohet se kjo zonë nëpërmjet pyllëzimit të saj eliminoi erozionin e dherave duke e bërë tokën më të qëndrueshme, por edhe duke i dhënë asaj dhe një pamje shumë të bukur dhe qetësuese për syrin e banorëve të qytetit.

Më poshtë letra e kryetarit të Bashkisë Rustem Ymeri:

“7/XII/37

Zyres se Bujqesies

Ketu.

Ne baze te mareveshtjes se banum ne mes te titullarit te kesajë Bashkije dhe te Zotni Agronimit, lutemi te nepen spjegimet dhe drejtimet e duhuna mbi menyren e çeljes se gropave dhe rregullimit te mjelljes se pemëve ne kodrat e Viles, personit te caktuem per ket sherbim, mbasi do te fillojmë ne pullizimin e kodrave ne fjale si mbas rregullave per nji pyllezim modern.

Lutemi te na lajmerohet perfudnimi.

Kryetar’i Bashkies.

(Rustem Ymeri).”(1)

Po kush ishte Rustem Ymeri (1897-1972) !

U lind me 1897 në Dibër, është i biri i Ymer beut dhe i Ruzhdies. E gjejmë edhe me emrin Rustem Ymer Dibra. Filloi studimet e larta në Selanik, por u përjashtua nga shkolla, pa e kryer të plotë. Gjuhë të huaja: frëngjisht, italisht, serbokroatisht dhe turqisht. Filloi karrierën në detyrën e kryesekretarit të Dibrës së Madhe. Në 21 janar 1921, Rustem Ymeri ka zëvendësuar në detyrën e prefektit në Lushnjë Veli Vasiarin, por nuk e dime sa qëndroi në këtë detyrë. Ka qenë në grupin e mbështetësve të Ahmet Zogut, për riardhjen në pushtet në fundin e vitit 1924. Më 16.6.1925, i propozuar nga ministri Ceno bej Kryeziu, Rustem Ymeri nga kryesekretar i Prefekturës së Dibrës u emërua nënprefekt i Pogradecit. Në maj të vitit 1926, u emërua prefekt në Vlorë, post të cilin e mbante provizorisht toger Dulejman Çela. Në detyrën e prefektit, më 23.8.1926, i shkruan Ministrisë së Punëve të Brëndshme ku i thotë se nuk do të lejojë kryetarin e Bashkisë të festojë 3 shtatorin, ditën e fitores së Luftës së Vlorës më 1920, sepse cënohen mardhëniet midis dy shteteve Italisë dhe Shqipërisë. Më pas festimi u lejua. Me shkresë nr. 93/156, date 20.12.1926, ministri i Brendshëm Musa Juka, i ka propozuar kryesisë së Këshillit të Ministrave, emërimin e zotit Rustem Ymeri si drejtor i Policisë, “I cili asht i zoti dhe ka të gjitha cilësinat e duhuna për atë detyrë”, ndërsa Këshilli i Ministrave e dekretoi më 23 dhjetor 1926. Më 2 mars 1927 emërohet nënprefekt në Pogradec, ndërsa në tetor të 1927 kalon nënprefekt në Lushnjë. Gush 1928 deri më maj 1929 kryetar i Bashkisë Shkodër, më 3 dhjetor 1929 kryetar i Bashkisë Elbasan, kthehet përsëri në Shkodër në vitet 1931-1933 dhe më pas në Korçë deri më 1937 ku emërohet kryetar i Bashkisë Durrës. Në nëntor 1935 dekorohet nga mbreti Zog me urdhërin “Kumandar i Urdhrit të Skënderbeut”. Në vitet e okupimit fashist konsiderohet si “person me rrezikshmëri të madhe” dhe internohet 3 vjet në Itali. Mbas luftës nuk shpëtoi nga regjimi komunist ku sipas proçesverbalit nr.15 i mbledhjes së Komisionit të internimeve evidentohet se “ka zhvilluar aktivitet politik me rëndësi të dyshimtë dhe të dëmshme për regjimin” vdes në vitin 1972 në Durrës.