Nga BUJAR QESJA

Një foto, një fakt. Një foto, një ngjarje. Një foto, një histori. Një foto, një rrëfim. Një foto dhe shumë kujtime.
Është 16 janar 2016. Ilia Xhako feston 70 vjetorin e lindjes. Si zakonisht në të tilla raste, isha prezent. Mendova të prezantoj një pamje të rrallë, me njerëz durrsakë puro, që i kanë shërbyer komunitetit vendas, veçanërisht në linjën e sportit.

Këta njerëz në këtë foto, kanë ngritur peshë sportëdashësit, pasi kanë qenë dikushi në kohën e tyre. Po e prezantoj foton.

Nga emajta: NAIM DOLLAKU. Portjer i njohur i Lokomotivës së viteve 70-të. Ndryshe është quajtur portjeri i penalltive, pasi në karrierë ka pritur 19 të tilla. Kujtim i çmuar me Naimin tonë, pasi me 22 qeshor 2017, krejt papritur, si rezultat i një arresti kardiak ndahet nga jeta, për të mbetur në kujtimet tona.

BUJAR QESJA. Kronikani i paepur i qytetarisë durrsake, në të gjitha planet.

ILIA XHAKO. Një basketbollist i talentuar, duke spikatur në vitet 60-të e pak më tej. U aktivizua edhe me ekipin e Partizanit. Është punëtor i madh, pasi merret ende me basketbollin dhe me kantinën e tij private.

AGIM FAGU. Ylli i basketbollit shqiptar. Absolutisht basketbollisti shqiptar më i miri i të gjitha kohrave. Vjen të gëzojë me miqtë e tij nga Durrësi, duke treguar shkallë të lartë qytetarie dhe mirkuptimi civilizues.

EDMOND ZALLA. Emër i njohur i futbollit durrsak dhe nga teoricienët më të spikatur të tij. E vlefshme ndihmesa e Zallës, në fushën e trajnimit. Është i biri, i futbollistit të njohur durrsak Ali Zalla, që aktivizohet me Durrësin në vitet 50-të.

AGIM ÇELA. Nga mbrojtësit më energjikë të Lokomotivës së viteve 70-të. Agim Çela është një njeri për tu pirë në kupë dhe mban një reputacion admirues në qytetarinë durrsake. Aktivitetet e tij të biznesit, frekuentohen nga i gjithë vëndi.

Ulur. KOSTANDIN GAJDA. I njohur si mësues i edukimit fizik. Mbresat nga puna e tij, janë transmetuar nga shumë breza. Për shumë vite, ishte edhe Sekretar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të rrethit të Durrësit, kur kryetari i saj ishte i mirnjohuri MUSTAFA ÇELKUPA.

VLADIMIR AJAZI. Portjer titullar i Lokomotivës në vitet 70-të. Mbaroi shkollën e futbollit në Universitetin e Sporteve dhe ishte pjesë e Shkëndijës së famshme, risisë së futbollit shqiptar.

Të gjithë këta njerëz që janë në këtë pamje, kanë një pozicion të konsoliduar në qytetin e Durrësit dhe masa e gjërë e njerëzve i don dhe i respekton.

Ky ishte edhe qëllim i publikimit të kësaj fotoje. Janë një grup njerëzish që meritojnë duartrokitje, për atë ç’ka dhanë dhe meritojnë të respektohen edhe për atë ç’ka japin. Homazh gjithashtu edhe për Naim Dollakun. Edhe Agim Fagu e meriton respektin e pakufishëm tonin.

Ju jam mirnjohës, nëse vërtet bëra gjetjen e duhur!