Remonti i peshkarexhave kryhet në mënyrë primitive

15/10/2012 - 00:00

 

Një anije peshkimi, e cila nuk dilte prej më shumë se dy vitesh për gjueti, është mbytur këtë javë pranë bankinës jugore, duke iu shtuar numrit të mjeteve të mbytura në kalatën e peshkimit në portin e Durrësit. Mjetit, në pronësi të një peshkatari durrsak, për një kohë shumë të gjatë nuk i ishte bërë asnjë riparim i nevojshëm.

Pronari i saj e dinte fatin e peshkarexhës, me të cilën kishte punuar për dy dekada me radhë për të mbajtur familjen. Nuk mund të bënte asgjë për mjetin e tij, madje nuk lajmëroi askënd, se peshkarexha e tij po zhytej disa metra nën ujë. Ishte paralajmëruar fati i keq i saj kohë më parë, ashtu siç shumë peshkatarë të tjerë durrsakë kanë paralajmëruar mbytjen e varkave dhe anijeve të tyre të peshkimit për mungesë remonti.

Prej dy vjetësh një pjesë e mirë e flotës së peshkimit nuk del më nga deti e për t’iu nënshtruar minimalisht remonteve dhe kolaudimit një herë në vit, procese këto të domosdoshme për sigurinë e mjeteve lundruese. Të vjen keq kur konstaton një situatë të tillë, kur sheh se një industri e tërë “rënkon” dhe një pjesë e madhe e mjeteve janë në ngrahmat e fundit. Sektori i peshkimit është një pasuri për qytetin, sepse përveç peshkut të freskët që siguron ai krijon vende pune dhe mundësi për mbajtjen e familjes për shumë kryefamiljarë durrsakë.

Shpresa nuk ka vdekur ende

Por sapo lë bankinat e trishtuara ku lidhen varkat e amortizuara të peshkimit, në krahun tjetër, aty ku dikur ka qënë kantieri detar, dëgjon çekicët, zhurmat e zërat e punëtorëve. Një shteg i vogël është hapur midis peshkimit dhe kantierit e një burrë na thotë se është e lehtë të kalosh për në krahun tjetër.

Deri një vit më parë, aty gjendej “muri i Berlinit”, pavarësisht se i padukshëm, por vetëm me një tel me gjemba. Askush nuk mund të kalonte matanë, pavarësisht se në atë krah ku gjendej kantieri i Durrësit, gjendej edhe “slipi”, pajisja që bënte ngritjen e peshkarexhave, remontin e tyre dhe kolaudimin para daljes në det për gjueti. Kjo pajisje u ndërtua në vitet 70 dhe shërbeu jo vetëm për remont, por edhe për ndërtimin e peshkarexhave, nën markën “Made in Albania”.

Ecim jo më shumë se 500 metra, nën vështrimin e godinave të rrënuara të Kantierit dhe pikërisht aty ku më parë gjendej slipi, disa punëtorë, të vjetër e zanatçinj, kanë sajuar me mjete rrethanore, mundësinë për t’i ngritur nga toka dy peshkarexhat e për t’i rregulluar ato. Pas shkëmbimit të përshëndetjeve të para në raste të tilla: Puna e mbarë dhe Mbarë paç vëmë re se përmbi ballë e flokët e dy ustallarëve dallohet qartaz djersa e pluhuri, ndërsa në sy një shkëndijë gëzimi, sepse ia kanë dalë që me ato fasheta, fuçi, dërrasa e hunj, të mbajnë përmbi tokë dy peshkarexha, njëra prej të cilave peshon 66 ton.

Me duart e tyre të arta kanë filluar të kryejnë punimet, saldimet, kallafatin, lyerjen me bojë dhe riparimet jashtë e brenda të peshkarexhës. Ata janë të etur për këtë punë. Në fund të fundit është zanati i tyre, ai që kanë bërë për vite me radhë, puna me të cilën janë rritur e kanë mbajtur familjet e tyre. E teksa i pyet, një re trishtimi përvijohet në sytë e tyre. Thonë se “peshkimi ka marrë fund, se fundi ky është, i gjithëpranuar dhe i ditur nga të gjithë”.

Më shoqërojnë 4 a pesë metra jashtë rrezes së anijes në rikonstruksion, pasi qëndrimi afër saj nuk ofron siguri. Xhevahir Dule, bojaxhi dhe Skënder Koni, kallfator, e bëjnë prej vitesh këtë punë. Koni tregon se së bashku me familjen e tij ka punuar për rreth 40 vjet në këtë sektor.

“Nuk është i sigurt qëndrimi këtu. Ne e kemi ngritur këtë ‘babaxhane’ nga toka me mjetet tona rrethanore për ta rregulluar sepse po mbytej. Na e kërkoi pronari i saj”. Së bashku me ta janë edhe të tjerë punëtorë, që u është hapur një front pune, i cili do të zgjasë dy muaj. Më pas do të nisin të kërkojnë të riparojnë një peshkarexhë tjetër.

“Këto janë pasuri për një qytet si Durrësi, i cili ka patur një flotë peshkimi dhe një flotë tregtare me të cilën krenohej. Por kjo i përket së shkuarës. Sot bëhet fjalë për mbijetesë, sepse Kurumi na shkatërroi, shteti ia dha me duart e tij kantierin, e tani peshkarexhat po mbyten njëra pas tjetrës. Ne na lanë pa punë, peshkatarët, mbetën pa punë, të gjithë dolëm të humbur!”,- shprehen njëzëri ata.

Xhevahir Dule

Punojmë në kushte të rrezikshme

Ustai i vjetër Xhevahir Dule rrëfen se është vetë i nëntë në familje dhe i duhet të sigurojë mbijetesën e familjes përmes kësaj pune. Ai ndihet i trishtuar për fatin e keq të kantierit, shkatërrimin e pajisjeve dhe shitjen e tyre për skrap. “Ndërsa vite më parë pronarët e anijeve prenotonin javë e muaj përpara për t’i riparuar mjetet në kantierin e Durrësit tani këtu çdo gjë ka marrë fund”,- thotë ai 

Xhevahir a ka kërkesa për riparime të anijeve nga peshkatarët e Durrësit?

Kërkesat janë të shumta dhe të vazhdueshme. Mendojnë që ku do t’i çojnë për riparim dhe kjo ka shkaktuar krizë. Këtu ju e shikoni, nuk ka asnjë mundësi sepse kantieri, që ishte pasuri kombëtare u shkatërrua, pajisjet na i prenë e na i shitën për skrap. Ne na hoqën nga puna, sepse nuk kishim, ç’të bënim më. Ajo që ndodhi këtu ishte masakër. Veç ta kishit parë, kur prenë dhe bënë copa-copa slipin, i cili ngrinte anijet e peshkimit, jo vetëm të Durrësit, por nga të gjitha portet e vendit. Vinin edhe anije peshkimi nga Italia e Greqia, sepse punohej mirë dhe lirë. Na prisnin anijet në radhë, prenotonin javë e muaj përpara, për t’u riparuar në Durrës.

Ku i riparojnë tani peshkarexhat armatorët durrsakë?

Në Itali, në Greqi. Ata që kanë anije të mëdha e të fuqishme i riparojnë atje, sepse peshkarexhat ju po i shikoni vetë, po mbyten njëra pas tjetrës. Një peshkarexhë u mbyt para tre ditësh, i shikohet vetëm direku se është zhytur nën ujë.

Si e keni nxjerrë anijen nga uji dhe e keni ngjitur në bankinë? Çfarë procesi po kryeni në të?

I krijojmë vetë kushtet. Me ndihmën e vinçit të bigës “Adem Reka”, anija doli nga uji, ndërsa për të qëndruar këtu i krijojmë vetë kushtet ja siç po e shikoni. Me tako druri, fasha, punë me mjete rrethanore. Unë bëj lyerjen e të gjithë anijes. Do të zgjasë nja dy muaj. Jam vetë i nëntë në shtëpia dhe me këtë zanat kam mbijetuar.

 

Skënder Koni

Kantieri ka marrë fund

Skënder Koni, i cili është kallfator thotë se në kohën e lulëzimit të kantierit, deri para 10 viteve, ishte e punësuar aty e gjithë familja e tij, madje edhe bashkëshortja, por tani gjenden pa punë, pavarësisht se kërkesa për këtë zanat është mjaft e lartë. Sipas tij shteti i vuri kazmën kantierit duke lënë pa punë mijëra familje durrsake.  

Skënder ju e keni ngritur anijen me mjete rrethanore. A përbën rrezik për ju kjo?

Është mjaft e rrezikshme, sepse anija është 66 ton. Ne tërë jetën kështu kemi punuar, por tani nuk ka asnjë garanci, sepse duhet të punojmë, për të mbajtur familjen e për të mbijetuar. Kantieri ka marrë fund sepse u shitën për skrap pajisjet dhe lanë me qindra punëtorë si ne pa punë.

A mendoni që do të punoni këtu edhe në ardhmen?

Jo, kjo punë nuk është e sigurt aspak. Nuk është se këtë bankinën do të na e lënë neve që të punojmë. Iku Kurumi dhe kërkesa e lartë e peshkatarëve ka hapur këtu këtë front pune që patë ju. Dikur ne kallfatorët, nuk merrnim dot frymë nga puna e madhe që kishim. Këtë zanat e kam të trashëguar prej familjes, por ja që shteti i vuri kazmën kantierit dhe u bëri gjëmën mbi 2 mijë vetave që punonin dhe ushqeheshim nga kjo punë. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori