Portali "DurrësLajm" kërkon të punësojë një gazetar/e për web, të interesuarit të dërgojnë CV-në në adresën e email: [email protected]

Rëra bregdetare e Durrësit, e pasur me polimetale

09/02/2021 - 20:32

• Arkivat gjeologjike, kështu gjeologët sovjetike, kinezë dhe shqiptarë kanë zbuluar në Rrushkull, Jubë dhe deri në Romanat zirkon, rutil etj

Si toka ashtu dhe rëra bregdetare e Durrësit janë të pasura me minerale të rralla, aq të kërkuara në industrinë elektronike, fakt që ka tërhequr dhe vëmendjen e gjeologëve rusë dhe kinezë.

Sipas arkivave gjeologjike, për kërkimin e metaleve të çmueshme të arit, platinit e grupit të tij, kanë punuar gjeologë sovjetikë e shqiptarë.

Gjatë viteve 1958-1960, gjeologu rus E.S. Anciferov ka bërë kërkime për ar në shtretërit e lumenjve, për mineralet e rënda në shkrifërimet bregdetare, të cilat i ka paraqitur në tre raporte, që flasin për praninë e polimetaleve në bregdet dhe në shtretër lumenjsh të Shqipërisë së Mesme.

Pas largimit të sovjetikëve, gjeologë shqiptarë kanë bërë kërkime shkrifërimet bregdetare.

Disa nga rezultatet e studimeve Z. Sinoimeri i ka paraqitur në artikujt “Mbi përbërjen e rërave të bregdetit të Adriatikut”; “Mbi një tip të ri të shkrifërimeve në bregdetin Adriatik”; ”Kushtet e formimit të tipave kryesorë të shkrifërimeve, perspektiva për vendin tonë”; ndërsa për leverdinë ekonomike të shfrytëzimit të shkrifërimeve , ai bashkë me V. Mullaraj janë shprehur në studimin “Shkrifërimet bregdetare dhe leverdia ekonomike e shfrytëzimit të tyre”; dhe në studimin e përgatitur bashkë me specialistët e tjerë “Kërkimi i burimeve rrënjësore të arit” në vitin1967.

B. Ostrosi ka bërë studime për shkrifërimet bregdetare, të cilat i ka paraqitur në studimin “Mbi kërkimin e shkrifërimeve bregdetare të Adriatikut”.

Dh. Karanxha ka bërë kërkime për zirkon, rutil etj. në shkrifërimet bregdetare dhe në shkrifërimet e vjetra që i ka përshkruar në raportet “Disa të dhëna mbi zirkonin e shkrifërimeve tona bregdetare” dhe “Mbi shkrifërimet e vjetra zirkon-rutil-ilmenit-mbartëse”; “Studim mbi mundësinë e ripërtëritjes së shfrytëzimit në përroin e Rrushkullit dhe karakterin e shpërndarjes së arit me ndihmën e provave gjeologe-teknologjike” në vitin1967.

Rezultatet dhe studimet mineralogjike të shkrifërimeve janë paraqitur D. Gjokuta, P. Kati “Disa të dhëna mbi granatet e shkrifërimeve bregdetare të zonës së Rrushkullit” në vitin 1966.

Punime kërkim-zbulimi për zirkon, rutil, leukoksen etj. në shkrifërimet e reja bregdetare dhe në shkrifërimet e vjetra janë bërë gjerësisht nga disa gjeologë.

K. Imami ka punuar për zbulimin e vendburimit të Rrushkullit duke i paraqitur në studimin “Raport gjeologjik mbi punimet e kërkim zbulimit të kryera gjatë viteve 1962-1963 dhe 1964 në shkrifërimet e vendburimit Rrushkull me llogaritjet e rezervave”.

R. Cara, F. Mullaj kanë bërë punime gjeologe-zbuluese në rajonin Jubë-Berlakë, Karavasta-Ndërnenas, Vjosë dhe Mat-Fushë Kuqe të shoqëruar edhe me studimin mineralogjik, “Raport mbi rezultatet e punimeve gjeologe-zbuluese të rërave të pasur me rutil-zirkon leukoksen dhe minerale të tjera për zonën Jubë-Berlakë (Durrës) me gjendje 1.1.1966” në vitin 1966.

Gjatë vitit 1970, N. Çili bashkë me gjeologun kinez Li Sun Sin kanë bërë kërkime për shkrifërime të vjetra në depozitimet e tortonianit duke i paraqitur në “Raport mbi rezultatet e punimeve të shkrifërimeve të vjetra në rajonin Manëz- Marikaj- Romanat gjatë vitit 1970”.

Studimin mineralogjik të shkrifërimeve e ka bërë A. Çina me raportet “Veçoritë e ndërtimit të kokrrizave të mineraleve të vendburimeve të shkrifëta të bregdetit Adriatik” dhe “Disa veçori të ndërtimit të brendshëm dhe përbërjes së kokrrizave të mineraleve metalore të shkrifërimeve të bregdetit tonë”.

Studimet për pasurimin e rërave bregdetare dhe shkrifërimeve të vjetra janë bërë nga A. Kaltani, L. Vinjau, K. Aleksi me artikujt “Studim mbi pasurimin laboratorik të rërave bregdetare” në vitin 1966; “Raport mbi rezultatet e provave të pasurimit të rërave bregdetare të kryera në impiantin eksperimental në Durrës” në vitin 1967 etj.

Th. M.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: