Rrëfimi i kolonel Zejnatit: Si vdiq marinsi amerikan në gjoksin tim

20/07/2014 - 18:51

Durrës, 20 korrik 2014 - Novruz Zejnati është një nga ushtarakët madhorë që ka shërbyer për një kohë të gjatë në ushtri, duke filluar nga komandant toge dhe deri në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Me gradën doktor shkencash, kolonel Novruz Zejnati është ndër të paktët ushtarakë të rinj që u vu shumë shpejt në poste drejtuese, kjo falë rezultateve të shkëlqyera me të cilat ka përfunduar studimet ushtarake në shkollën e mesme dhe të lartë. Kolonel Novruz Zejnati ka qenë mjaft i njohur në vend si komandant i Brigadës së Parë, por edhe si pedagog i jashtëm i Akademisë Ushtarake nga 1972 deri në 1996, ndërkohë që ka qenë dy herë në Vietnam në kohën e luftës që ky vend zhvillonte me SHBA, pasi së bashku me 11 oficerë të tjerë shqiptarë të zbulimit, u dërgua në atë vend për të marrë eksperiencë. Shumë nga ata oficerë që kanë qenë në kohën e luftës në Vietnam, e mohojnë një gjë të tillë, por kolonel Zejnati tregon mjaft gjëra nga dy udhëtimet e tij në Vietnam, edhe aspekte të një lufte të pamëshirëshme, por që ndjenjat njerëzore dhe ligjet ushtarake triumfonin mbi urrejtjen e pashembullt të shkaktuar nga lufta e gjatë.

Kohë më parë ju keni përfunduar librin më të ri për një figurë mjaft të diskutueshme siç është Esat Pashë Toptani. Çfarë trajton ky libër?

Në libër flitet për mjaft aspekte të jetës dhe konflikteve që ekzistonin në kampe të ndryshme politike të vendit tonë në kohën e Luftës së Parë Botërore dhe më pas. Unë kam dashur që nëpërmjet këtij libri, midis të tjerash, të hedh dritë rreth faktit nëse Esat Pashë Toptani e ka vrarë Riza Pashën, apo jo. Në libër trajtohen edhe aspekte të tjera në sfondin politik të kohës, roli i vërtetë që ka pasur Esat Pashë Toptani në zhvillimet politike të kohës. Më shumë nuk dua të zgjatem dhe do t'ia lë në dorë lexuesit që të gjykojë për të. Libri është shpërndarë në disa librari në Durrës dhe Tiranë dhe ka patur një interesim të kënaqshëm.

Të kthehemi pak tek jeta juaj si ushtarak. Ju keni qenë komandant i Brigadës së Parë, e cila ka qenë një brigadë me historik të pasur. Kur keni shkuar në këtë formacion dhe çfarë mbani mend?

Komandant i Brigadës së Parë kam qenë në vitet 1972-1978 dhe kam vajtur aty duke zëvendësuar Veli Llakën. Më parë kam qenë në Shtabin e Përgjithshëm dhe zbrita si komandant drejtimi në këtë brigadë. Ajo ishte e vendosur në Tiranë dhe kishte detyra speciale për të përmbushur, kishte efektiva specialë dhe njësi shkollë. Historitë janë të shumta tek kjo njësi dhe brigada e parë, midis të tjerash, kryente detyra në interes të shtabit të përgjithshëm si dhe të stërvitjes etj. Efektivat e kësaj brigade kanë bërë fortifikime rrugësh, kanë ndërtuar depo si dhe kanë hapur rrugë të reja në Malësinë e Madhe, në Koman, në Skrapar si dhe mjaft objekte kapitale të rëndësishme. Kryesisht brigada e parë ka pasur reparte këmbësorie me 3000-3500 efektiva të rreshtuar. Në përbërje të saj ishin 3 batalione këmbësorie, 1 brigadë tankesh, ndërkohë që detyra speciale ishte që të krijonte një rrjet bashkëpunues për desantët ajrorë në shërbim gatishmërie me qëllim që të merrej udhëheqja dhe të dërgohej në vende të ndryshme. Brigada e Parë ka bërë shumë marshime dhe inkursione që zgjasnin nga 5-21 ditë me itinerare të ndryshme Tiranë-Berat, Tiranë-Vithkuq etj. Me pak fjalë stërvitja që bënin efektivat e kësaj brigade ishte stërvitje gladiatorësh dhe gjithmonë në përfundim të këtyre stërvitjeve, mbaj mend se unë humbja 7-10 kg nga pesha trupore.

Ju keni marrë pjesë dy herë në Vietnam dhe keni shkruar edhe dy libra për këto udhëtime. Përse keni shkuar?

Është e vertetë që kam qenë dy herë në Vietnam dhe vajtja ime aty së bashku me 11 oficerë të tjerë ka qenë për eksperiencë. Në vitet 1966-1967 në kohën e luftës që Vietnami zhvillonte me SHBA-të kam qenë për herë të parë dhe një herë tjetër në vitet 1970-1971. Ne shkuam për të marrë eksperiencën e luftës vietnameze, kryesisht të luftës zbuluese, ose diversioniste. Ishim 12 oficerë zbulimi dhe qëllimi ynë ishte që shikonim veprimet e zbulimit, pra do të kishim një peshë jo të vogël. Ajo luftë ka qenë luftë guerrile, e cila në thelb është luftë terroriste po ta themi me termat e sotëm. Kjo lloj lufte krijohet në bazë personash prej tre, pesë, shtatë dhe 11 vetësh që veprojnë në konspiracion të plotë dhe me bazë vullnetare. Interesante është se kjo mënyrë organizimi kishte një kod të vetin: e para, veprimet do kryheshin në fshehtësi të plotë, e dyta ai që tregon-pushkatohet, e treta kush gënjen –dënohet, e katërta kush mbetet gjallë dhe më vonë merr gruan e shokut- pushkatohet etj. Mbi bazën e këtij kodi është punuar edhe në Kosovë në kohën e luftës në vitet 1998-1999, por për fat të keq nuk dha rezultat. Në Kosovë u shkatërrua shumë shpejt ushtria e Adem Jasharit, sepse në Kosovë nuk kishte pasur ushtri para fillimit të luftës dhe nuk ishin përgatitur efektivat e saj për luftë frontale të rregullt dhe të barabartë me ushtrinë serbe. Në ushtrinë e Jasharit   kishte djem të rinj oficerë të përgatitur në shkollat e Kroacisë, Sllovenisë dhe Beogradit, por ata asnjeherë nuk kishin zhvilluar luftë. Kjo punë duhej të bëhej pak nga pak dhe të fillonte puna nga poshtë, pra nga celulat drejt formacioneve më të mëdha. Prandaj dështoi Adem Jashari dhe për mendimin tim ishte e parakohëshme lufta e rregullt me një ushtri të madhe si ajo serbe. Ky koncept ka ekzistuar edhe në kohën e Zogut, në kryengritjen e Qershorit 1924 nga Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi. Noli ngriti batalionin e Vlorës dhe Përmetit, kurse Luigj Gurakuqi atë të Shkodrës. Për mua Noli është rebel, prandaj dhe Zogu nuk pranoi të ndërhynte, sepse do shkaktohej gjakderdhje e madhe, e cila përfundoi me ikjen e Zogut nga Shqipëria në 10 korrik.

Çfarë eksperience fituat në Vietnam dhe a patët ndonjë përballje me amerikanët?

Ne kishim si detyrë që të ndiqnim veprimet luftarake të grupeve zbuluese diversioniste. Ndaheshim në grupe të sulmit, mbështetjes dhe grupit të zbulimit. Grupi i mbështetjes ka qenë tepër i fortë me rreth 15 vetë dhe ai mbulonte me zjarr në rast se zbulohej grupi i sulmit nga ana e armikut. Unë kam shoqëruar kur isha atje, një grup zbulimi nga Laosi i Kamboxhias deri në Deltën e Saigonit. Aty amerikanët bënin një mbrojtje të fortë me grupet e njohura Alfa, Beta, Delta, Zeta etj. Neve na kishin paralajmëruar ruset dhe kinezët që të kishim kujdes se ata e mbronin kufirin me grupe marinsash mjaft të fortë. Me ne erdhi edhe komandanti i regjimentit. Ishte një vietnamez rreth 38-40 vjeç, unë 26. Bashkë me ne ishin edhe 5-6 ushtarë kinezë. Parimi bazë i zbulimit ishte prekja e bazës armike në fillim dhe më pas, ditën e dytë ajo goditej dhe sulmohej. Në shumë raste të tilla  ka ndodhur që janë njohur në front babai me djalin pas shumë vjetësh. Të gjithë ne që erdhëm nga Shqipëria, kemi qënë në luftë kundër amerikanëve, pavarësisht se shumë prej tyre nuk e pranojnë një gjë të tillë. Kur u kthyem nga Laosi u futëm në një shpellë ku qëndruam 10 ditë rresht. Ajo shpellë ishte çerdhe e gjarpërinjve që ishin nga 2 m të gjatë. Vietnamezët i vrisnin dhe i hanin. Gjatë rrugës u ndeshëm me një grup amerikan Beta. Me ne ishin 7 kinezë, 9 vietnamezë dhe përkthyesi. Nga ne shqiptarët ishte edhe Zyk Zyka, Kujtim Lumani, Besim Mema, Viktor Dhosua etj. Ramë në pritën e amerikanëve dhe aty kinezët goditën të parët. 6 prej tyre u vranë dhe luftimi ka qenë mjaft i egër, kemi luftuar me thika dhe grushta dhe në fund mbeti gjallë një amerikan, i cili kishte marrë një të çarë të madhe në bark. Ai më pa mua dhe kur vuri re se nuk isha nga raca e vietnamezëve erdhi drejt meje dhe më tha: Çfarë të kam bërë unë ty? Pas kësaj ra në gjoksin tim dhe ndenji disa çaste derisa vdiq. Unë qava nga kjo skenë, nxora kanotierën time të bardhë e lidha në një shkop bambuje dhe e drejtova lart që ta gjenin helikopterët amerikanë. Kinezët donin ta digjnin, por unë kundërshtova duke këmbëngulur që të respektonim parimet ushtarake dhe rregullat e luftës. Për këtë ngjarje kam pasur shumë probleme më pas në Shqipëri.

Për çfarë problemesh e keni fjalën?

Unë nuk ikja nga zbulimi vetë dhe në këtë menyrë persona të ndryshëm donin të më hiqnin me çdo kusht. Arsyeja ishte sepse isha treguar i mëshirshëm me marinsin amerikan dhe kjo gjë u mor vesh shumë shpejt në Tiranë. Nga ana tjetër kisha edhe probleme me biografinë, pasi vija nga Lazarati. I pari që më bëri divorc ishte Petrit Dume dhe duke parë këtë luftë që më shpallën thashë të iki nga zbulimi dhe kalova në këmbësori. Në atë kohë thashethemet dhe shpifjet   fabrikoheshin fillimisht nga vetë Komiteti Qendror dhe më pas hidheshin tek populli që të bëheshin të besueshme. Nga kjo gjë nuk shpëtova as unë. Më thoshin se gënjeja për Vietnamin, se nuk thosha të vërtetën, por unë nuk e mohoj se kam qenë në këtë vend dhe ishim përkrah forcave vietnameze. Vetë Petrit Dumja më ka pyetur se përse nuk e vrava ushtarin amerikan kur u përballa me të dhe unë iu përgjigja se: "Unë vij nga bota ushtarake dhe nuk mund t'i shkel rregullat ushtarake. Marinsi amerikan m'u drejtua mua se më njohu se isha evropian, ndonëse ishte duke vdekur për shkak të plagës që kishte marrë". Gjatë kohës që isha me detyrë në Manzë nuk më linin rehat spiunët, aq sa spiunuan edhe për disa libra që kishin lidhje me ushtrinë të Mehmet Shehut që unë i mbaja edhe pas vrasjes apo vetëvrasjes së tij.

Gjeneral Zhukovi gjatë vizitës që bëri në Shqipëri në 1957 i ka dhuruar ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes 30 pistoleta të rralla dhe thuhet se njëra nga ato iu është dhuruar ju. Si qëndron e vërteta rreth kësaj historie?

 Po, është e vertetë deri para disa vitesh unë e mbaja pistoletën e ardhur nga ish Bashkimi Sovjetik dhe që erdhën në formë dhurate nga Zhukovi për oficerë madhorë të ushtrisë shqiptare. Në gusht të 1973 kur isha komandat i Brigadës së Parë, bëmë një marshim për nder të krijimit të kësaj brigade dhe gjatë një bisede me Petrit Dumen i thashë që të më jepte një xhup si ai që mbante vetë, ishte një xhup aviacioni. Më tha se pas përfundimit të marshimit do të ma jepte së bashku me një pistoletë. Nga rreth 30 pistoleta të dhuruara nga Zhukovi, ishin edhe 5 pa shpërndarë. Ajo ishte e markës "Makarov" me 9 fishekë në krehër dhe 1 në fole, ishte një armë automatike që jepej në atë kohë vetëm për elitën e ushtrisë. E mbajta pistoletën derisa më më akuzuan sikur unë po përgatisja puç ushtarak, megjithatë më dënuan me përjashtim 1 vit nga ushtria dhe më pas rifillova punë në Manzë. Ajo qenë një kohë që çdokush ndiqej dhe survejohej mjaft rreptë. Mbaj mend se koburja ime e famshme u bë molla e sherrit dhe kërkohej nga shumë vetë që unë ta ktheja, por unë nuk pranoja se ishte dhuratë. Ka ardhur një herë Mehmet Shehu dhe më thotë "Nxirre koburen", se e dinte se unë nuk e jepja, dhe më pas vazhdoi me fjalët "Ti do të ishe vrarë dhe futur në beton, por të shpëtoi partia dhe Enver Hoxha", unë ia ktheva se "Partia ç'kishte për të bërë, e bëri për mua dhe ti më shpëtove". Një ditë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, më thërret Luto Hasko, anëtar i Komitetit Qendror dhe më thotë se "ti u mbrojte padrejtësisht nga Mehmet Shehu për problemin e pistoletës dhe duhet të dënohesh". Unë i shpjegova se nuk isha mbrojtur padrejtësisht se pistoletën ma kishin dhuruar. Në atë kohë mund të isha dënuar shumë kollaj, por më ka dalë në mbrojtje Adil Çarçani si dhe Muho Asllani që ka nëndërhyrë për të mos shkuar gjërat më tej. Madje në vitin 1977 mund të më kishin vrarë.

A ishte e përgatitur ushtria shqiptare në atë kohë sipas gjykimit tuaj?

Unë do t'iu them vetëm këtë. Ushtria shqiptare u riorganizua në bazë të eksperiencës vietnameze, tezat e luftës partizane u përpunuan, brigadat sulmuese përpunuan strategjinë e reparteve të zbulimit dhe të diversionit. U riorganizuan repartet në bazë të parimit “Një brigade, një kompani” dhe stërvitja u intensifikua më shumë. Ne kryenim gjatë dimrit në Bizë për tre muaj rresht stërvitje mjaft të fortë sipas modelit amerikan në zbulim dhe të njëjtën gjë bënte edhe zbulimi grek për 2-3 muaj në malet e Pindit, pra kishte konkurencë të fortë me ushtritë dhe përgatitjet e vendeve fqinje. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

“Le Figaro” ka botuar, të mërkurën e 2 dhjetorit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me krijimin e një linje të re detare të rëndësi

Nga Metila Dervishi

Kur 'patriotizmi' nuk tregohet vetëm me një flamur dhe për dy ditë festash! 

URT-ja e Durrësit është e njohur në të gjithë vendin për radiot dhe televizorët.

*In memoriam/ Lajm i dhimbshëm, Salvator Sotiri shkëputet nga jeta

Sot shënohet 2-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe që në Shqipëri është festë zyrtare.

   Memorie qytetare

Anastas Mima pranë nesh, në parajsën e kujtesës

   Në këtë libër kam kërkuar të tregoj historinë e një dinastie të madhe financiare nga dita e arritjes të parit të fisit (themeluesit të

Siguria është e tillë kur është e garantuar 100% në çdo pjesë përbërëse të saj: nëse po kërkoni cilësi, siguri dhe klas në një të vetme,