Për 84 vjet me rradhë qëndroi në qendër të qytetit, duke u kthyer në një nga simbolet e Durrësit, pjesë e memories kolektive të shumë brezave.

Tani qëndron i braktisur në një nga sheshet e kalatave të portit më të madh në vend, në pritje që dikush të kujtohet për të. Një foto e publikuar pak ditë më parë nga DurrësLajm në rrjete sociale nxiti reagimin e shumë qytetarëve. Shumë prej tyre shprehën nostalgjinë për shatërvanin e projektuar dhe ndërtuar nga arkitekti Kristo Sotiri, në vitin 1930, i cili u hoq nga sheshi qendror i qytetit në janar 2015, pasi nuk ishte përfshirë në projektin për rivitalizimin e sheshit “Liria”.

Gjendja aktuale e shatërvanit

Me gjurmët e shenjave të kohës mbi shpinë dhe me bojën e dikujt që vendosi të linte një mbishkrim në të, shatërvani pret të rikthehet të kryejë funksionin për të cilin u projektua. Ngjyra gri e tij është në unison me grinë e kalatës dhe magazinave të amortizuara që e rrethojnë, ndërsa në sfond shihen tragetet që lidhin portin e Durrësit me portet e Italisë. Kur sheh atë sfond gri të theksuar të duket sikur shatërvani është futur në filmat bardhë e zi të dekadave më parë, ndërsa ngjyrat që dikur e rrethonin me lulishten dhe gjelbërimin rreth e qark do të mbeten vetëm në memorien tonë

Një natë dimri, shatërvani u hoq për të përfunduar në një cep të kalatës lindore në port, ku edhe sot e kësaj dite qëndron i vetmuar, larg zhurmës së njerëzve dhe automjeteve që kalonin çdo ditë para tij, larg syrit të fotografëve që për shumë vite me rradhë kishin shkrepur foto për familjet durrsake. Shumë prej nesh ruajnë në albumet familjare foto me shatërvanin në sfond.

Nëse do të kishte pasur këmbë, ai mund të ishte larguar drejt vendit fqinjë. Italianët mund të ishin kujdesur më shumë për të… Në ndryshim nga ne, fqinjët tanë përtej Adriatikut ruajnë me skrupulozitet gjurmët e historisë përmes së cilës ka kaluar vendi i tyre.

Dikush mund të thotë me të drejtë se dhe kur ishte në qendër të Durrësit më shumë ishte pa ujë sesa me ujë, ndonjëherë uji vinte erë të rëndë, pasi flinte për shumë ditë me rradhë pa u ndërruar, por duhet të kujtojmë se për këtë nuk kishte faj shatërvani…

Protestat për ruajtjen e tij

Në gjysmën e dytë të vitit 2014, shoqata “Për mbrojtjen e vlerave të Durrësit” protestoi për muaj me rradhë duke kundërshtuar projektin për heqjen e shatërvanit. Projekti që u shpall fitues nga bashkia, i hartuar nga studio italiane “Michele Cro”, ishte i vetmi që nuk e integronte në shesh shatërvanin e ndërtuar nga arkitekti Kristo Sotiri.

Krahas protestave për muaj me rradhë, grupi organizator bëri dhe një peticion dhe mblodhi rreth 7000 firma për t’ia paraqitur Këshillit Bashkiak, ku kërkohej ndryshimi i projektit për rivitalizimin e sheshit dhe përfshirja në të e shatërvanit, në të njëjtin vend ku kishte qëndruar për 84 vite me rradhë. Protesta dhe rezistenca e tyre përfundoi një natë janari të vitit 2015.

Mëngjesi i 10 janarit e gjeti qytetin pa simbolin historik në qendër të tij. Shatërvani u hoq në orët e natës me justifikimin se vinçi që veproi për zhvendosjen e objektit ishte i përmasave të mëdha dhe nëse do të vepronte ditën, do të krijonte kaos në trafik.

Projekti për ta spostuar në një tjetër shesh

Në kohën kur u hoq, bashkia premtoi se ai do të restaurohej dhe do të vendosej në një tjetër vend, por rreth 6 vite më pas, shatërvani vijon të mbetet i harruar nga strukturat shtetërore, megjithëse gëzon statusin e Monumentit të Kulturës.

DurrësLajm i është drejtuar me një kërkesë për informacion bashkisë për të mësuar nëse ka një projekt konkret për shatërvanin, për rivënien e tij në funksion, dhe është në pritje të përgjigjes.

Në kohën kur u hoq, u fol se shatërvani do të vendosej në hyrje të portit, përballë Torrës Veneciane, por tashmë aty është drejt përfundimit Veliera, projekti që i kushtoi taksapaguesve durrsakë miliona euro.  

Në vend të epilogut

Shatërvani, simbol i memories kolektive të qytetit, vazhdon t’i rezistojë efekteve kohë, reshjeve të dendura të shiut dhe diellit përvëlues të verës. Këtë e bënte kur ishte në qendër të qytetit, vazhdon ta bëjë edhe aty ku gjendet i braktisur. Qytetin, ku më parë ishte i integruar në qendër të tij, tani e sheh nga larg, nga ai shesh i harruar ku e kanë degdisur. Pret një sinjal nga institucionet, ndoshta kujtohen!!!

Në fund të fundit është pjesë e historisë së qytetit, pavarësisht se për disa pushtetarë historia nis të shkruhet vetëm atëherë kur ata nisin të qeverisin…

M.B.