Shoqata e invalidëve, komisioni mjekësor në Durrës punon me sekserë

01/11/2012 - 00:00

 

Personat me aftësi të kufizuara janë ndër shtresat më në nevojë të shoqërisë. Në pamundësi fizike për të punuar ata detyrohen të jetojnë në kufinjtë e mbijetesës. Problematikat me të cilat përballet kjo shtresë jo vetëm që nuk kanë marrë udhën e zgjidhjes, por janë thelluar edhe më tej duke ua vështirësuar jetën invalidëve paraplegjik.

Kryetari i shoqatës së paraplegjikëve në Durrës, Kujtim Salku, deklaron se invalidëve nuk u paguhet asnjë subvencionim nga shteti për energjinë elektrike, shërbimin telefonik dhe karburantin. Këtë të fundit e kanë marrë të gjithë përfituesit deri para një viti, ndërsa askush nuk u ka dhënë përgjigje nëse do të vijojnë ta marrin apo jo. Gjithashtu prej 6-7 vitesh shteti nuk ka dhënë më asnjë fond për të blerë motorë apo karroca për invalidët. Shumë invalidë kanë nevojë të domosdoshme për motorë, pasi u duhet të lëvizin për të bërë analiza dhe ekzamimine të ndryshme si dhe për të marrë pjesë në mbledhje e takime të shoqatës apo të pushtetit lokal.

“Shumë prej tyre janë mbyllur brenda në shtëpi dhe nuk dalin as për të marrë ajër të pastër ngase nuk kanë me se të lëvizin”,- thotë Salku. Shoqata i është drejtuar institucioneve të Këshillit të Qarkut, Prefekturës, Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore, Ministrisë së Punës, kryeministrit dhe hallkave të tjera shtetërore duke u kërkuar të marrin në shqyrtim ankesat dhe vështirësitë me të cilat po ndeshen invalidët. Salku ka marrë vetë pjesë në një grevë të organizuar në Tiranë për të sensibilizuar qeverinë për rikthimin e subvencionit të energjisë elektrike, kërkesë që nuk është marrë në konsideratë sipas tij.

Ai pohon se pensioni që marrin është i pamjaftueshëm pasi me të nuk mund të përmbushin as detyrimet më të domosdoshme. Kohët e fundit vihet re edhe një problem shumë shqetësues, vonesa në dhënien e pensionit dhe lekëve për paketën higjenike apo për pagesën e shoqëruesit. Vonesat janë të përsëritura. Kjo e ka shtyrë shoqatën t’i drejtohet pushtetit lokal në Durrës dhe qeverisë me qëllim që të përcaktohet një datë e caktuar në muaj për të marrë këto para.

Shqetësim i mbartur në vite është edhe lënia pas dore e tyre në drejtim të strehimit të invalidëve që gëzojnë statusin e të pastrehit. Salku ankohet në emër të shoqatës lidhur me indiferentizmin që tregojnë Bashkia, Prefektura, Qarku, drejtoria rajonale e Sigurimeve Shoqërore etj, të cilët nuk i ftojnë dhe as nuk organizojnë takim për problemet që ata kanë. “Ne, duke qenë të pamundur fizikisht, nuk na japin as borxh për të plotësuar nevojat tona të përditshme”,- thotë kreu i shoqatës.

Paraplegjikët në Durrës prej disa vitesh nuk pajisen me karroca apo motorë, ndërsa një vit më parë u është ndërprerë dhënia e karburantit për mjetet, subvencioni i energjisë elektrike dhe ai i telefonit. Çështja e pazgjidhur është dhe ajo e strehimit të invalidëve paraplegjikë. Nga ana tjetër ata pranojnë se detyrohen të paguajnë para nën dorë për të rifituar të drejtën e KEMP-it

Në sajë të këmbënguljeve të vazhdueshme shoqata ka një zyrë, të cilën ia ka dhënë bashkia, por ajo nuk ka asnjë orendi, pasi as shteti, as shoqata dhe as bizneset nuk u kanë mundësuar furnizimin me një tavolinë, karrige, raft, dosje, letër e të tjera gjëra të domosdoshme për ta bërë shoqatën aktive. Salku shprehet se deri më tani asnjë shoqatë e huaj apo vendëse, asnjë institucion apo biznes nuk ka dhënë ndihmën më të vogël në ushqime e veshmbathje për invalidët paraplegjikë.

Si për të mos mjaftuar këto shoqata dhe anëtarët e saj janë ndeshur me dy fenomene të përsëritura dhe shumë të rënda. Kryetari i shoqatës së invalidëve paraplegjik në Durrës, Kujtim Salku denoncon rastet e përsëritura të marrjes në farmaci të ilaçeve të skaduara si dhe korrupsionin e madh në të cilin është përfshirë KMCAP-i në Durrës. Salku flet për raste konkrete dhe për emra konkretë të sekserëve, mjekëve dhe anëtarëve të komisionit.

Ju si invalidë bëni ekzaminimet e duhura për të parë gjendjen shëndetësore?

Nuk bëjmë analiza dhe as ekzamiminet e tjera. Po të sjell një shembull. Shtetasi Sali P më ka bërë 5-6 zile vetëm sot që ne po flasim bashkë. Pret të mësojë se kur do të dalin lekët për të blerë panolinat. Gruaja e tij është e paralizuar dhe të gjitha nevojat i kryen në shtrat. Ai është aq i varfër sa nuk ka ku shkojë më. Edhe borxh nuk gjen dot. Shteti i jep lekë për higjenën e gruas. Këtë kërkon edhe burri saj që vet e ndërron, pasi nuk ka njeri tjetër për t’i bërë shërbim. E ku do t’i gjejë lekët ky njeri për të bërë ekzaminimet? Duan lekë ngado që të shkosh për analiza e vizita. Të gjithë invalidët duhet të bëjnë analiza dhe ekzaminime të shumta. Asnjëri prej nesh nuk i bën. Duan për çdo gjë lekë. Ka invalidë që kanë 28 vite në Kemp. Ia hoqën. Ishim në Tiranë, s’ia dha Durrësi.

Cilat janë arsyet që ia hoqën pas 28 vitesh Kempi-n dhe si e rifitoi këtë të drejtë?

Haki Koroni quhet. Me karton të verdhë. 28 vite invalid. Ia hoqën Kempi-n. I ka thënë doktoresha “Ti kërcen, loz futboll”. Kam hyrë unë dhe e pyeta doktoreshën se “ku banon ky person që e ke parë ti duke luajtur futboll”. Personi është vrarë (plagosur) më 1984, në kohën e Enverit. E ka pajisur shteti me motor me karburant. Ka të dëmtuar shtyllën kurrizore. Ishim në Tiranë, s’ia dha Durrësi. Atje, në komisionin epror na thanë se askush nuk ka të drejtë të heqë Kempi-n, nëse personi është i pajisur me karton të verdhë. Tirana ia dha direkt. Ai ka pesë muaj pa e marrë dhe është zhytur në borxhe. Ka edhe nënën në shtëpi.

 

Në qarkun e Durrësit janë rreth 300 persona që gëzojnë statusin e paraplegjikëve

50.000 lekë të reja u kanë dhënë invalidët komisionit të Kempi-t në këmbim të marrjes së vërtetimit

Invalidët ankohen për vonesa të përsëritura për pagesat e përmuajshme

Prej kohësh nuk marrin paratë e subvencionimit të energjisë elektrike dhe karburantit

Sa herë dhe kur duhet invalidi të paraqitet përpara komisionit?

Me ligj një paraplegjik duhet të dalë para komisionit një herë në tre vjet. Këtu (në Durrës) invalidët e punës dalin 2 herë në vit. Një herë si invalid pune dhe një herë si paraplegjik. I kërkon komisioni. Kempi i Durrësit është bërë gjithë peshkaqenë. Duan lekë. Flasin sekserët: “Më jep kaq lekë se ta ndreq unë kempi-n”. Kjo doktoreshë i gërryen të gjithë invalidët paraplegjik. U ka ndodhur disa invalidëve, më ka ndodhur edhe mua. Edhe mua ma kanë hequr. Ka qenë Landi. Mbiemrin nuk ia di. Është hequr nga Kempi epror, por kanë hyrë peshkaqenë të tjerë. Në Durrës i kam dhënë 500 mijë lekë të vjetra Landit. Kam shitur bagëtitë. Kam qenë i internuar në Lushnjë, në sektorin e Çermës. Nga atje mora bagëtitë dhe i shita. Ku t’i kërkoja lekët?

Keni bërë përpjekje për ta denoncuar rastin tënd apo të të tjerëve në institucionet shtetërore dhe ato të drejtësisë?

E kam bërë problem edhe në Tiranë tek Kempi epror i KMCAP. E kam denoncuar tek sigurimet shoqërore në Durrës e në Tiranë. Kryeministri nuk të përfill. Kam qenë në grevë urie. Na hoqën lekët, kompensimin për energjinë elektrike. S’kemi ku t’i kërkojmë. Nuk të përfill njeri.

Jo pak problem për ju mbetet çështja e marrjes së ilaçeve. Si e keni zgjidhur?.

I marrim me gjysëm çmimi. Unë paguaj vetëm 5 mijë lekë, të tjerat i paguan shteti. Kemi librezën dhe me atë kryejmë veprimet. Vuaj nga zemra dhe marr ilaçe muaj për muaj. Po janë të skaduara. Nuk na japin ilaçe të mira asnjëherë. Kur i hap ilaçet më thërrmohen në dorë. Pluhur bëhen.

Shoqata, vetëm 80 anëtarë të regjistruar

Shoqata e invalidëve paraplegjik në Durrës sot numëron më shumë se 80 anëtarë, por ky numër rezulton të jetë disa herë më shumë. Kreu i shoqatës, Kujtim Salku, bën të ditur se Durrësi ka afro 300 invalidë, shumica e të cilëve nuk janë anëtarësuar ngaqë nuk kanë asnjë shpresë se do të mund t’i zgjidhin problemet ekonomike dhe personale që kanë nëpërmjet shoqatës, por nga ana tjetër nuk kanë para për të paguar detyrimin e anëtarësisë. Thuajse të gjithë invalidët e kësaj kategorie janë kryefamiljarë, gjë që e bën edhe më të vështirë mbijetesën përballë pamundësisë për të shlyer detyrimet. Salku shprehet se në grupimin e tyre janë të përfshirë të gjitha moshat, nga fëmijët 6-7 vjeç deri tek burrat e gratë 70 vjeçarë. Në mesin e tyre ka invalid të lindur, të tjerë të aksidentuar, invalidë punë apo edhe djem e burra që janë plagosur gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak dhe gjatë trazirave të vitit 1997-1998. Në këtë shoqatë ka jo vetëm anëtarë nga Durrësi, por edhe nga Shijaku e Sukthi dhe në një kohë të afërt shoqata do të krijojë degën e saj në Krujë në kuadër të riorganizimit të plotë të saj. Kujtim Salku sqaron se rreth gjysma e anëtarësisë janë invalidë të punës dhe kjo kategori merr një pension prej 15 mijë lekë në muaj. Çdo person që ka këtë status është pajisur me librezë përkatëse nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Shteti në mënyrë të përvitshme i ka dhënë ministrisë së linjës një fond prej 50 milion lekë që përdorej për të blerë karroca apo mjete motorike lëvizëse për invalidët.

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

(Trendi Evropën për të rënët, jo plehrinat dredharake’’pa uniformë e pa armë’’, të shpikura në gjirize mitomanësh të korruptuar…)

Ishte vetëm 13 vjeç, thuajse fëmijë, kur hipi për herë të parë në një anije.

Për 84 vjet me rradhë qëndroi në qendër të qytetit, duke u kthyer në një nga simbolet e Durrësit, pjesë e memories kolektive të shumë bre

Një sërë fotosh të publikuara sot në faqen zyrtare të Autoritetit Portual Durrës i përkasin periudhës së viteve 1960-1970  në portin më t

Prof. Dr. SHYQYRI ALIAJ

TËRMETET NË SHQIPËRI – SA TË SHPESHTA DHE TË RREZIKSHME JANË?