Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve Durrës, hap dyert për pushuesit e rinj

05/07/2018 - 10:28

*Përpjekje për t'u kthyer në një institucion pushimi bashkëkohor

Nga Shefqet Kërcelli

E pozicionuar gjeografikisht rreth 8 km nga qyteti i Durrësit, thuajse në kërthizë të gjirit të qytetit më të madh bregdetar, Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës, (ose ish-Kavaloshenca) ka qenë dhe mbetet një strehëz e ngrohtë pushimi dhe relaksi thuajse për shumicën e familjeve të ushtarakëve shqiptarë, por dhe një dëshirë e përhershme për familjet qytetare.

Historia e SHPUD, ështe e lidhur pazgjidhshmërisht me çdo hap e zhvillim të Forcave tona të Armatosura, që nga çlirimi e këtej, sepse këtu jo vetëm është pushuar, por, ushtarakët e gradave e niveleve të ndryshme kanë shkëmbyer mbase me lirshëm mendime për punën, detyrat, jetën e tyre të përditëshme, kanë medituar, janë qetësuar nga stresi që i krijonte qëndrimi larg familjes për ditë të tëra. Janë shkruar poezi e krijime për jetën në Ushtri, kanë lindur dashuri e miqësi të reja. Gjithashtu ato pak ditë të mirëpritura për gjithë vitin, shërbenin për të konsoliduar familjet me problem. Ndaj si prindërit dhe fëmijët mbanin mend dhe i shënonin në kalendarin e jetës së tyre si ditët më të bukura. Vërtet një fletë kampi ishte luks i kohës dhe vlerësim për punën.

Strehëz dashurie për ish-ushtarakët dhe fëmijët e tyre

Jo vetëm kaq, por në sallat e ambientet e kësaj qendre pushimi dhe social-ushtarake janë zhvilluar mbledhje të rëndësishme ku janë përcaktuar hapat e mëtejshëm të Ushtrisë sonë, janë përpunuar teori dhe strategji të ndryshme, madje dhe janë marrë vendime për fatin e mjaft ushtarakëve shqiptarë. Kujtojmë se vendimi për Tezat e Lira, apo dënimi i ushtarakëve të lartë shqiptarë, që nga ish-ministri Beqir Balluku, Shefi i Shtabit Petrit Dume, (i ashtuquajturi grupi puçist) etj, në vitet 1973-‘ 74, është marrë në ambientet e kësaj shtëpie të madhe.

Dikur ambientet e kësaj shtëpie mbyllnin dhe radhën e gjatë të ndërtesave të pushimit të mjaft institucioneve shtetërore shqiptare të shtrira nga Ura e Dajlanit, në pjesën fundore të tyre, me plazhe që shqiptarët i mbanin mend të gjithë sipas emrave të vjetër. Por, banorët e Durrësit e përqark, i tërhiqte kjo shtëpi, me virgjërinë, sekretet, qetësine por dhe me shërbimin e saj.

Mjaft qytetarë durrsakë fusnin miq për të kaluar një darkë ose një fundjavë te klubi i Myzit dhe ambientet e saj.

Ndërtesat e saj karakteristike 2-3 katëshe, të modelit lindor, tashmë dhe me arkitekturë perëndimore, apo stil classic, me ambientet e saj të shumta sportive dhe argëtuese, me rerën e pastër dhe hapësirën e nevojshme të plazhit, sipërfaqen e gjelbëruar, të vendosura në një sipërfaqe 18 ha, të krijojnë pamjen e një qyteze të mirëfillte pushimi me mundësi të pafundme.

Në vite janë bërë ndërtime shtesë, riparime, përmirësime të infrastrukturës, strukturës, të drejtuesve e personelit të saj. SHPU, ka pasur disa drejtues herë ushtarakë e herë civilë, që mbahen mend nga ushtarakët dhe qyetarët durrsakë si psh. Thanas Ruci, Petro Cela, Qazim Larti, Rifat Bido, Hamdi Zaja, Artur Lekbello, Shkëlqim Reci, Agron Zeqo dhe Luan Balla.

Është punuar e shërbyer, është vënë nga një tullë si thuhet popullorce, janë përcaktuar mënyra të ndryshme menaxhimi e drejtimi financiar, deri në Sh.a, për rrjedhojë dhe efektiviteti i të gjithë aksesorëve ka variuar sipas këtyre politikave ekonomike..

Kjo qytezë në një farë mënyre është barometër dhe për gjendjen e zhvillimin e Forcave tona të Armatosura në vite apo në momente kulmore.

Për disa vite ka qenë dhe strehë për Komandën e NATO-s në Shqipëri (NHQT), nga 1999-2003, të cilët paguanin një qira të mjaftueshme për kohën. Nga viti 2010, në ambientet e SHPUD u vendos dhe Komanda e Forcës Detare, gjë e cila i shton asaj dimesionin ushtarak.

Nga viti 2016 e në vijim, në çdo vjeshtë, në SHPUD, qëndrojnë kundrejt pagesës trupa ushtarake angleze bashkë me pajisjet e tyre, të cilat zhvillojnë stërvitjen e përvitëshme “Albanian-Lion”.

Por a e ka kapur SHPU, trendin dhe zhvillimin e vrullshëm të sistemit të pushimit e argëtimit, të hotelerisë e restoranteve në vendin tonë, qofshin private apo shtetërore, mbas viteve ’90?

Ky ka qenë një shqetësim kryesor për ekzistencën dhe menaxhimin jo vetëm të kësaj qendre pushimi, por dhe simotrat e saj të vendosura në zona apo qytete të tjera, pronë e FA.

Me shtimin e kontakteve e vizitave me ushtarakët dhe qendrat e pushimit  të NATO-s, mjaft ushtarakë dhe specialistë të kësaj fushe u njohën konkretisht me menyrën e funksionimit të këtij sistemi të vendeve anëtare të aleancës.

Madje grupe të veçanta kanë pasur si qëllim dhe objekt vetëm këtë problem:-të njohin duke parë konkretisht mënyrat e trajtimit, shlodhjes dhe argëtimit të ushtarakëve të NATO-s.

Në përbërje të një grupi të tillë në pranverën e vitit 1993, pamë konkretisht një qytezë të ushtarakëve të SHBA, në periferi të Shtutgartit.{Gjermani}.

Ishte mbase një nga eksperiencat më të mira, një infrastrukturë e tërë e ngritur për edukimin, shlodhjen dhe argëtimin e ushtarakëve të çdo niveli bashkë me familjet e tyre. Një sistem rekracioni teper i thjeshtë dhe funksional. Ndërsa për ushtarakët mbas kthimin nga çdo mision, kishte program të vecantë, madje funksiononte një bërthamë sociologësh, psikologësh, kapelanësh që punonin me durim për të riaftësuar ushtarakët me probleme apo mbistres. Ishte përgatitur një teori e sistem i tërë mbi baza shkencore për funksionimin e familjeve të ushtarakëve, jetës së tyre, deri tek ato të ribashkimit mbas një ndarje të gjatë, sepse familjet e ushtarakëve kanë një specifikë të veçantë, dhe rrjedhimisht duan një trajtim të veçantë socio-psiko-teoriko-praktik.

E pra, pamë se atje jeta e ushtarakut dhe familjes së tij ishte e shtrenjtë, vlente më shumë se kushdo, problemet social-psikologjike minimizoheshin dhe për ushtarakun s’kishte vend kthimi i kokës mbrapa.

Bazuar në këto përvoja konkrete mjaft ushtarakë dhanë mendime, programe dhe projekte për të përmirësuar sistemin e pushimit të ushtarakëve sipas përvojes perëndimore.

Gjatë stërvitjeve të para me partnerët e huaj por dhe deri vonë, SHPU (ose kavoleshenca sic i thonë rëndom), u bë rezidencë për të gjithë ushtarakët e huaj.

Kështu “Hameret”, “Shavelotët”, “Benzat”, “Fiatët” e parë shkelën në rrugicat e kësaj qendre.

Me ambientet e saj të shumta ajo u parapëlqye nga ushtarakët e NATO-s, pëlqim që vazhdon dhe aktualisht.

Tërhoqa mendimin e disa specialistëve, ishdrejtuesve  dhe drejtuesve aktualë të kësaj shtëpie të madhe për menaxhimin dhe administrimin e saj të efektshëm, për të riaktivizuar asetet e saj të “fjetura”, për ta kthyer atë në qendër pushimi efektive për komplet ushtarakët e NATO-s, sepse dhe ushtarakët tanë dhe familjet e tyre janë pjesë përbërëse e tyre.  

Kampusi ka nevoje për një plan urgjent dhe një plan perspektiv, për ta bërë atë të konkurueshem me të gjithë operatorët e tjerë në zonë.

Një oficer i ri, që ka marrë pjesë në disa operacione paqeruajtëse, po më thoshte, kjo qendër duhet të ofrojë shërbime cilësore si të NATO-s, psh. Veç rërës e detit, të ketë, varka, mjete lëvizëse në det, siç i kanë të tjerët. Le të afrohen shërbime të kualifikuara dhe cilësore dhe të paguhet dhe dicka më tepër.

Infrastruktura dhe ambientet e qendrës të afrojnë mundësi pa fund, hapësira për shumëllojshmëri shërbimesh, fusha futbolli, minifutbolli, basketbolli, ku mund të stërviten dhe ekipe të klubeve të ndryshme kundrejt një takse, parking  për civilet me pagesë, kënde shlodhëse, kinema verore, qendra interneti, salla mbledhjesh e brifingjesh, zyra e ambiente për delegacione e persona VIP, fushë helikopterësh, ambiente dekorative, hoteleri e ushqim cilësor, siguri e qetësi brilante ku dëgjohet vetem cicërima e zogjve.

Në ambientet e saj mund të organizohen koncerte të grupeve artistike ushtarake dhe civile, mund të organizohen dasma dhe ditëlindje të familjeve të ushtarakëve, kundrejt një pagese me të ulët se ato që të afrojnë lokale të tjera.

Madje përballë godinës së Komandës së Forcës Detare, është një godinë e ndërtuar me lëndë druri, shumë e bukur, që e shoqëruar me dy të tjera, mund të shërbejë shumë mirë për personat VIP dhe gjeneralët.

Një ish-drejtues më thoshte se, çdo cm² e SHPU është vlerë dhe prodhon të ardhura. Duhet laps i hollë dhe drejtim vizionar, të kombinohen bukuritë e natyrës me duart dhe mendjen e njeriut, se është palca e vendit. Paret ne i kemi këtu, më thotë ishushtaraku Kadri Celibashi. Ushtria jonë ka shumë pasuri infrastrukturore që mund të sjellin të ardhura, shprehet zoti Celibashi.

Madje për pushuesit mund të afrohen dhe guida turistike, ku të përfshihen vizita në vende të ndryshme historike të qytetit të Durrësit, Tiranës, Krujës, Kavajës, etj.

Po të realizohen këto, MM, apo komandat e ndryshme të Forcave tona të Armatosura, nuk kanë pse t’i çojnë delegacionet e NATO-s në vende të tjera, kur shumë mirë këto delegacione mund të akomodohen në SHPU, dhe të ardhurat të ngelen po në MM.

Gjithashtu shumë mirë kontigjentet që kthehen nga misionet mund të pushojnë këtu për disa ditë, të riaftësohen energjitë e tyre fizike dhe mendore, të rrinë dhe me familjet e tyre, të ndara pas disa muajsh. Problemet familjare duan vendin dhe kohën e duhur, dhe SHPU e afron këtë mundësi,bashkë me trajtimin psikologjik. Pastaj dhe stafi i saj e ka një eksperiencë të afërt, të krijuar nga tragjedia e Gërdecit, ku rreth 280 të prekur nga kjo ngjarje, shumica fëmijë u strehuan, u trajtuan dhe u riaftësuan në ambientet e qendrës.

Kolonel{R} Bashkim Kozeli, IshDrejtor i Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në FA, shpjegon se, SHPU, me nje menaxhim e drejtim të kujdesshëm dhe efektiv, afron shumë mundësi dhe mund të bëhet e konkurueshme ndaj subjekteve private e shtetërore që merren me këtë aktivitet.

Natyrisht shërbim i kualifikuar dhe me kulturë kërkon një personel të mirëkualifikuar dhe profesionist, që nga drejtuesi, me kapele ose jo, specialistët e mirëmbajtjes e shërbimit, servirjes, guzhinjerët, etj.

Pra, kërkohet vizion, imagjinatë, mendje e mprehtë dhe laps i hollë për ta bërë SHPU konkuruese në tregun turistik, por dhe reklama. Nuk kanë më shumë mundësi e aftësi operatorët private. Mendime të ndryshme ka pasur dhe për mënyrën më të mirë për menaxhimin e investimeve, të ardhurave, fitimeve. Dikush thotë se, më fitim prurëse është me vetëadministrim, dikush tjetër me kontarktor, dikush të varet nga Drejtoria Ekonomike në MM, etj. Gjithsesi për këtë lipsen studime serioze.

Si përfundim themi se një shërbim i kualifikuar e shumëllojshëm, me standarte si simotrat e NATO-s, të cilat ushtarakët tanë tashmë i kanë parë, mund t’i bejë eficente asetet e fjetura të SHPU jo vetëm në Durrës. Kështu mund të shtohet dhe numuri i pushuesve dhe të mbijetohet përballë konkurrencës së deritanishme nga operatorët e tjerë.

Natyrisht duke parë këto kërkesa dhe pritshmëri, drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, të Reparteve përgjegjse e SHPU kanë bërë përpjekje të lavdërueshme për ta nxjerrë atë nga një lloj prapambetje në raport me mjaft institucione të këtij lloji.

Fakt është se, në sajë të punës së drejtuesve dhe personelit të saj janë plotësuar nevojat kryesore qe ka kjo Shtëpi Pushimi për të pritur pushuesit në këtë sezon veror.

Shtëpia e pushimit ka hapur dyert për këtë sezon veror

Sezoni i pushimit veror ka filluar, dhe gjendja aktuale e godinave dhe ambienteve është optimale për pushuesit.

Drejtuesit dhe punonjësit kanë punuar në vijimësi në terren duke bërë pastrime territori, lulishte, kënde sportive, mirmbajtje e pastrim të brendshme të godinave, dhomave, pajisjen e tyre  me kondicionerë, frigoriferë, boljerë, etj.

Ndërkohë është vënë në funksion sistemi elektrik dhe hidraulik, tubat flesibël, pllakat, dyert, dritaret. Aktualisht kampusi furnizohet me ujë të rrjedhshëm 10-12 orë, janë disiplinuar ujërat e zeza, duke mos sjellë probleme të ndotjes së mjedisit.

Dhe gjatë vitit, por sidomos tani, personelin e pakët të SHPU e gjen në këmbë nga mëngjesi deri në darkë, për të bërë diçka me ato mundësi që kanë. Me forcat e veta është arritur që të punohet pjesa e rërës, të priten pemët e vjetra, që rrezikojnë pushuesit, të priten lulet, duke krijuar ambiente të jashtëme te bukura, plus ambientet sportive, parkingu i makinave, që bashkë me rërën dhe ujin e detit, shezlonët e rinj, krijojnë një atraksion të vecantë për pushuesit, thotë Drejtori i SHPU Durrës, zoti Luan Balla. Por ajo që ne na shton pikë, është siguria e pushuesve, vijon ai. Në ambientet tona ka qetësi e siguri, që na i jep prania e strukturave ushtarake këtu. Po ashtu kemi Rojen Bregdetare dhe kullën funksionale për këtë. Në SHPU funksionon një ambulancë e mirëpajisur me medikamentet e nevojëshme. Mjekja Anduela Minocuko dhe infermierja Eli Xhani, që kryenin shërbimin e radhës, na tregojnë një rast kur një pushuese të moshuar ju dha ndihma e menjëhershme më datën 23 qershor. Ajo vuante nga hipertensioni dhe ishte në det, kur ra në ujë pa ndjenja. Menjëherë ju dha ndihma e shpejtë dhe u cua pa rrezik në spitalin rajonal të Durrësit.

Theksojmë se si rezultat i kësaj pune disavjecare, cmimeve të arsyeshme dhe masave të marra ka rritje të pushuesve nga viti në vit, psh. Në vitin 2016, ishin prenotuar 60 dhoma, me 250 pushues, në vitin 2017, 96 dhoma, 340 pushues, dhe sivjet janë prenotuar 100% të dhomave, pra 134 dhoma me rreth 550 pushues. Zonja Alma Llukani, Drejtore e Shtëpive të pushimit në MM, sqaron se, krahas punës së mirë të personelit të SHPU, nuk ka munguar ndihma nga Komanda e Mbështetjes Logjistike dhe strukturave përkatëse në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sigurisht këtyre masave të gjithanshme për pritjen dhe akomodimin e pushuesve nuk u mungon dhe përmirësimi i cilësisë së ushqimit, menuja e pasur kundrejt një cmimi të arësyeshëm. Pushuesit ishin të kënaqur për gatimin, pastërtinë dhe servirjen e ushqimit. Ka një përmirësim të dukshëm në krahasim me vitet e kaluara, shprehet një pushues. Kryeguzhinjeri Bektash Duka, me një eksperiencë shumëvjecare në këtë guzhinë na shpjegon se, kemi ndërtuar një menu të arësyeshme për pushuesit, mëngjes, drekë, darkë, dhe firma “Gustoso”, është tepër korrekte me kontratën e lidhur. Zoti Duka na sqaron se, ne kemi gjithashtu një personel të aftë e të certifikuar, me librezë sanitare e shëndetsore. Ndërkohë që shteti merr taksën e caktuar sipas kontratës, thekson zoti Duka.

Një lajm i mirë për të gjithë ish-ushtarakët...

E thamë më lart që SHPU ka qenë strehë dhe nostalgji për gjithë ushtarakët shqiptarë. Ndaj ata cdo vit kërkojnë të pushojnë  në këto ambiente. Mjaft prej tyre kërkojnë dhe pushime ditore ose në fundjavë. Për ti ardhur në takim ushtarakëve, ishushtarakëve dhe familjeve të tyre, këtë vit Ministria e Mbrojtjes, ka nxjerrë një udhëzim të vecantë, që lehtëson procedurat e hyrje-daljeve në SHPU. Kështu udhëzim i datës 06.06.2018, i ministrit të Mbrojtjes, thekson se ishushtarakët dhe familjet e tyre kanë të drejtë të hyjnë në SHPU, thjesht duke treguar dokumentin që kanë qenë ishushtarakë, ose dokumentin e tanishëm. Nuk ka nevojë të nxjerrin lejë e të sorollaten si më parë. Ky regjim nuk cënon as rregullat e sigurisë. Vecori tjetër është se cdo ishushtarak e familjar i tyre mund të pushojë jashtë sezonit të planëzuar për pushim. Kështu SHPU kthehet vërtet në një strehë të ngrohtë, pushimi dhe argëtimi për ushtarakët dhe familjet e tyre.

Shënim:Mjaft mendime i kam dhe në bazë të eksperiencës së marrë nga qyteza e ushtarakëvë amerikanë në Shtutgart, të cilën unë e kam vizituar në funksionin e Shefit të Degës së Socilogjisë të Divizionit të Shijakut. {D7K} më 1993-shin.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Sot shënohet 2-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe që në Shqipëri është festë zyrtare.

   Memorie qytetare

Anastas Mima pranë nesh, në parajsën e kujtesës

   Në këtë libër kam kërkuar të tregoj historinë e një dinastie të madhe financiare nga dita e arritjes të parit të fisit (themeluesit të

Siguria është e tillë kur është e garantuar 100% në çdo pjesë përbërëse të saj: nëse po kërkoni cilësi, siguri dhe klas në një të vetme,

Mjeku Ashim Zogu, njihet si një prej atyre pak mjekëve të ndershëm në Urgjencën e spitalit të Durrësit I cili ka marrë të gjithë vlerësim