Shyqyri Ballgjini: Ju rrëfej pengun që më ka mbetur nga futbolli

26/03/2014 - 17:26

  •     Shyqyri Ballgjini është nderuar me titullin “Legjenda e futbollit shqiptar”, titull të cilin e kanë marrë vetëm 5-6 futbollistë gjithsej.
  •     Gjatë karrierës së tij, Shyqyri Ballgjini ka shënuar më shumë se 100 gola në Kampionatin Kombëtar dhe më shumë se 50 në ndeshjet për Kupën e Republikës.
  •     Mbrojtësi austriak me emër Robert Sara, kur është pyetur në një emision në Euronews se cili sulmues i ka sjellë më shumë probleme, ai ka përmendur dy emra: Gerd Myler dhe Shyqyri Ballgjini.

Durrës, 26 mars 2014- Shyqyri Ballgjini është një ndër të paktët futbollistë që është nderuar me titullin më të lartë për kontributin e tij në fushën e futbollit. Ai është nderuar me titullin “Legjenda e futbollit shqiptar”, titull të cilin e kanë marrë vetëm 5-6 futbollistë gjithsej. Ai është në listën e 100 futbollistëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, ndërkohë që në vitet 1973-1982 ai ishte një ndër tre sulmuesit që shënuan historinë e artë të klubit të futbollit “Dinamo” duke arritur rezultatet më të larta. Shyqyri Ballgjini pak ditë më parë ka festuar 60 vjetorin e tij të lindjes në një festë mes të afërmve dhe miqve, ku kanë marrë pjesë shumë figura nga më të shquarit e futbollit shqiptar të të gjitha klubeve shqiptare. Po kështu në këtë ceremoni festive kanë marrë pjesë edhe presidenti i FSHF-së Armando Duka, ministri Lefter Koka, deputeti Agron Duka etj. Të gjithë emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar kanë vlerësuar karrierën e shkëlqyer të Shyqyri Ballgjinit i cili ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar. Shyqyri Ballgjini është një ndër të paktët sulmues që është aktivizuar me skuadrën e Shpresave dhe atë të të rriturve si dhe me katër skuadrat më me emër të kampionatit shqiptar të futbollit të asaj kohe “Dinamo”, “17 Nëntori”, “ Partizani” dhe “Vllaznia”. Në historikun e klubit sportiv “Dinamo”, Ballgjini zë me meritë vendin e tij në 42 mjeshtrat e futbollit të këtij klubi. Në lidhje me statistikat, për fat të keq nuk ka shifra të sakta, por ai ka shënuar më shumë se 100 gola në Kampionatin Kombëtar dhe më shumë se 50 në ndeshjet për Kupën e Republikës. Nuk është e rastit që mbrojtësi austriak me emër Robert Sara, i cili është shpallur mbrojtësi më i mirë në botë në 1978, kur është pyetur në një emision në Euronews në lidhje se cili sulmues i ka sjellë më shumë probleme, ai ka përmendur dy emra: Gerd Myler dhe Shyqyri Ballgjini. Në këtë intervistë për “Dyrrah”, Ballgjini kujton shumë nga emocionet e përjetuara në ato vite, skuadrat ku është aktivizuar, por dhe pengun më të madh që i ka mbetur nga futbolli, faktin që nuk mundi ta mbyllte karrierën me një takim lamtumire para tifozerisë së zjarrtë të qytetit të tij.

Jeni sulmues i njohur me shumë gola të shënuar dhe me pak aktivizime në ndeshje ndërkombëtare. Si shpjegohet një gjë e tillë?

Po, kjo është e vërtetë. Kur ika nga Dinamo në vitin 1982 dhe erdha tek skuadra  e qytetit tim, Lokomotiva unë kryesoja listën e golashënuesve. Nga ato që më kanë thënë, se unë vetë nuk i kam mbajtur shënim dhe as ditar nuk kam, mund të jenë pa frikë 100 gola në ndeshjet e kampionatit dhe po të shtosh edhe ndeshjet e kupës në total shkojnë më shumë se 150 gola. Në lidhje me aktivizimet dhe ndeshjet jashtë shtetit (ne foto ekipi Shpresa i shpallur Kampion Ballkani, Shyqyri Ballgjini, kapiten i skuadres), dua të përmend se në ato vite, bëhet fjalë për fundin e viteve ‘70, skuadra jonë përfaqësuese, u penalizua nga UEFA. Kjo sepse ne refuzonim të ndesheshim me skuadra si Izraeli apo Bashkimi Sovjetik që cilësoheshin si vende armike. Sa për shembull më kujtohet se kur do të niseshim për në Skoci na thanë para ndeshjes: “Kujdes, po shkojmë në një vend armik dhe paret e xhepit nuk do t’i prishni aty, por kur të kthehemi dhe të qëndrojmë në Jugosllavi”. Në ato vite në fakt jam aktivizuar për përforcimin e skuadrës me Partizanin në ndeshjen që ka bërë me Selltikun ku humbëm jashtë fushe 4-1 dhe golin për skuadrën tonë e shënoi Agim Murati pas një krosi që i dhashë unë. Ne ishim në avantazh 1-0, por skocezët e përmbysën rezultatin shumë shpejt në 4-1, ishin të papërmbajtur në fakt. Kështu, më pas jam aktivizuar edhe me 17 Nëntorin dhe Vllazninë, krahas Dinamos që ishte skuadra nga unë vija.

Cila ka qenë ndeshja që ju ka mbetur më shumë në kujtesë?

Në vitin 1978, Vllaznia ka luajtur me Austrinë e Vjenës (ne foto). Në atë vit ne kemi dalë kampion të Ballkanit për Shpresat dhe skuadra shkodrane kishte lojtarë shumë të mirë. Më morën edhe mua për përforcim në ndeshjen që do bëhej në Vjenë. Në Shkodër, Vllaznia fitoi 2-0 me golat që u shënuan nga unë dhe Medin Zhega. Kur mbërritëm në Vjenë, u habitëm kur morëm vesh se austriakët dinin gjithçka për ne, që nga pesha, gjatësia, parametrat më të hollësishëm dhe skuadrat nga vinim. Ishte një ndeshje që pritej me mjaft interes nga austriakët edhe për faktin se ata kishin humbur në Shkodër 2-0. Në atë vit Austria kishte mundur RFGJ-në në kampionatin botëror dhe 7-8 lojtarë të ërfaqësues austriake ishin me skuadrën e Austrisë së Vjenës. Ne e humbëm ndeshjen 4-1, por në kohën që shënuam golin me anë të Astrit Hafizit, kishte edhe 20 minuta lojë dhe austriakët u trembën shumë duke i nxjerrë pa fund topat jashtë fushe. Kemi humbur për faj të gjyqtarit në fakt, por edhe portieri ynë nuk u tregua në lartësinë e duhur. Në këtë skuadër ishte edhe mbrojtësi Robert Sara, i cili atë vit ishte cilësuar mbrojtësi më i mirë në botë. Në Shkodër ai ishte caktuar të më mbulonte mua, ashtu si dhe në ndeshjen e kthimit, por duke e lënë mënjanë modestinë dua të them se në të dy ndeshjet, ai humbi pothuajse në të gjitha dyluftimet me mua. 

Në përfundim të ndeshjes në Vjenë që mbaroi 4-1, ai vrapoi të ndërronte fanelën me mua, por më ka mbetur peng i madh që ia refuzova një gjë të tillë. Ai natyrisht u habit dhe nuk mund ta kuptonte se përse unë nuk doja ta këmbeja fanelën time me të tijën. Në atë kohë ne na i kishin lënë ngarkim fanelat me shumën 10 mijë lekë vetëm e vetëm që të mos i shkëmbenim me lojtarë të huaj. Edhe kur luajtëm me RFGJ në Tiranë një vit më pas, desha ta ndërroja fanelën me mbrojtësin gjerman Kalze (ne foto se bashku me Shqyqyri Ballgjinin), por nuk më lanë. Më kanë thënë se pas disa vitesh mbrojtësi i famshëm austriak Robert Sara u mor në një intervistë nga televizioni Euronews dhe kur e pyetën se cilët sulmues i kishin sjellë më shumë probleme në punën e tij si mbrojtës, ai përmendi emrat e Gerd Myler dhe emrin e Shyqyri Ballgjinit dhe kjo gjë në fakt shkaktoi habi tek drejtuesit e emisionit se emrin tim nuk e kishin dëgjuar ashtu si të sulmuesit gjerman. Skuadra shkodrane e ‘78 kishte një grup lojtarësh mjaft të mirë si Jan Kaçi, Lutfi Basha, Suad Duraj, Seit Çanga, Millan Vaso, Astrit Hafizi, Sabah Bizi, Luan Vukatana dhe në sulm Medin Zhega dhe Fatmir Axhani me trajnerë Xhevdet Shaqiri dhe Ramazan Rragami.

Cili ka qenë për ju trajneri që ju ka lënë më shumë mbresa?

Për mua trajnerët më të mirë kanë qenë Loro Boriçi dhe Skënder Jareci. Loro Boriçi më kishte pikë të dobët dhe gjithmonë më thërriste në ndeshjet e kombëtares. Mbaj mend një herë isha në zbor dhe Loro Boriçi më thirri si përforcim në ndeshjet kundër gjermanëve. Kurse Skënder Jareci ishte njeri mjaft i zgjuar dhe me intuitë. Gjithmonë i kam respektuar porositë e trajnerëve dhe kjo gjë ka bërë që pothuajse deri në fund të karrirës time të respektoj të gjitha oraret e stërvitjeve dhe analizave që zhvillonte klubi. Në vitet ‘86-87 unë  e mbylla karrierën time tek Lokomotiva dhe megjithëse isha lojtari më i vjetër në moshë, isha i pari në stërvitje.

Çfarë keni ndier kur jeni aktivizuar me skuadrën e qytetit tuaj, Lokomotivën?

Sigurisht që ka qenë një kënaqësi e veçantë që të aktivizohesha me skuadrën e  qytetit ku kam lindur, pasi të njohin të gjithë dhe mbështetja është më e madhe. Në këtë skuadër kam ardhur për herë të dytë pasi ika nga Dinamo në 1982 dhe në këtë kohë Lokomotiva kishte një brez lojtarësh mjaft të mirë si Agim Çela, Niko Jani, Haxhi Ballgjini, Fatmir Hima, Artur Lekbello, Bujar Hado, Edmond Miho, Bujar Meta, Bashkim Koka, Xhovalin Engjëlli, Arben Oketa si dhe dy vëllezërit Manushi. Në këtë kohë herë pas here aktivizohej edhe Lefter Koka nga të rinjtë. Trajner kishim Kristaq Toçen.

Ju jeni aktivizuar me të treja skuadrat e kryeqytetit. A kanë qenë të favorizuara nga Federata në njëfarë mënyre këto skuadra?

 Ekipi më i privilegjuar ka qenë Partizani dhe këtë e them jo sepse dua të mbroj Dinamon. Shumë herë neve na kanë marrë nëpër këmbë. Dinamo ka pasur kulmin e saj në futboll në vitet ‘76, 77 dhe 78. Në kampionatin e ‘77 ne kishim shënuar në total 56 gola dhe nga kjo shumë, 19 gola i kishte shënuar Ilir Përnaska dhe nga 13 gola kishim unë, Vasillaq Zëri dhe Agim Murati. Atë vit na u premtua se do të na aktivizonin në Kupën Ballkanike, sepse në kompeticionet e UEFA-s nuk merrnim pjesë. Në 9 vjet që isha me Dinamon u ndeshëm një herë me Ajaksin ku i humbëm të dyja ndeshjet 2-0 në Tiranë dhe 1-0 në Amsterdam dhe ndeshjen me Karlzaisjena e RDGJ-së ku fituam 1-0 në Tiranë dhe humbëm 4-0 në RDGJ. Ndeshja e fundit u gjykua në mënyrë skandaloze nga një treshe rumune. Ka pasur nje episod interesant në atë vit. Duke pritur të aktivizoheshim si klub në Kupën Ballkanike bëmë një ndeshje me një skuadër kineze ku ne e shkatërruam atë 5-1 dhe në fund të ndeshjes një lojtar kinez vrapoi drejt meje për të më dhuruar këpucët e tij. Këpucët i kam marrë me shumë frikë dhe ka qenë insistimi i Ismet Bellovës që unë t’i merrja, pasi kisha frikë. I kam ruajtur për shumë vite dhe i përdoja vetëm për ndeshje të rregullta, jo për stërvitje. 11 lojtarët e Dinamos në ato vite ishin pa dyshim më të mirët. 5 lojtarë të Dinamos ishin në kombëtare (Sejdini, Ibërshimi, Zëri, Përnaska dhe Ballgjini ndërsa më vonë edhe Targaj) ku sulmi ishte tërësisht dinamovit. Në këto vite kemi rrahur edhe Algjerinë, 3-0 ku golat u shënuan nga Bizi, Përnaska dhe Ballgjini.

Cila ka qenë ndeshja më e bukur që keni zhvilluar me Lokomotivën?

Në kampionatin e vitit 82-83 ka qenë koha kur erdha në Durrës dhe mendoj se Lokomotiva ishte skuadra më e mirë e vendit. Në fazën e parë dolëm me pikë të barabarta me 17 Nëntorin dhe erdhi radha që të ndesheshim edhe me Dinamon, ish skuadrën time dhe të gjithë lojtarët kemi qenë të etur për të dalë kampion me Lokomotivën. Me Dinamon fituam 1-0 në “Qemal Stafa” . Kam bërë një gjuajtje unë, e ka kthyer portieri Luarasi dhe vëllai im, Haxhiu shënoi golin e vetëm. Ditën tjetër gazetat shkruan “Ballgjini i madh e firmosi golin, i vogli e vulosi”. Megjithëse ne fituam ndaj Dinamos, pasi ishte hera e parë që Lokomotiva fitonte në Tiranë ndaj kësaj skuadre, klubi ynë në Durrës nuk na dha rrogat që duhej të jepte në bazë të aktivizimit dhe rezultateve. Kjo gjë ndikoi në demoralizimin e lojtarëve dhe natyrisht nuk e fituam kampionatin.

Keni luajtur për disa vite në një skuadër me Haxhi Ballgjinin. Si ndiheshit që ishit dy vëllezër në skuadër?

Kujtoj një episod të lezetshëm. Ka qenë ndeshja Dinamo-Partizani ku ne ishim kundërshtarë, unë tek Dinamo, Xhiu tek Partizani. Gjatë lojës, unë në një moment arrita të triploj dy lojtarë të Partizanit dhe vjen edhe një i tretë, i cili më ndërhyn mjaft keq duke më rrëzuar përtokë. Unë u ngrita i inatosur, por pashë Xhiun si dhe fifozët që filluan të qeshnin. Ndeshjen e ndiqnin nëpërmjet televizorit edhe dy prindërit tanë dhe në momentin e ndërhyrjes babai thotë “t’u thaftë këmba” për Xhiun, kurse nëna ia pret “pse thua ashtu për djalin, i madhi duhet t’i hapë rrugë të voglit”. Këtë gjë, sigurisht, e morëm vesh më vonë.

A keni ndonjë peng nga koha që ju keni qenë futbollist?

Po. E para, e thashë edhe më lart, është ajo që nuk munda të shkëmbej fanelën me mbrojtësin e famshëm austriak Robert Sara. Do të ishte një kujtim mjaft i bukur për mua të kisha fanelën e tij sot. Tjetra është ajo që me gjithë atë karrierë që pata me shumë skuadra, por që e mbylla me Lokomotivën, nuk munda ta lë futbollin me ceremoni ashtu siç e lënë të gjithë futbollistët në fund të karrierës së tyre. Kjo gjë nuk u realizua për shkak të përjashtimit që më bëri nga skuadra në mënyrë të padrejtë trajneri i Lokomotivës në atë kohë (86-87) dhe si përfundim unë nuk e lashë futbollin ashtu si gjithë të tjerët. Kjo gjë më ka mbetur peng i madh, ashtu siç kam pasur dëshirë të madhe që të zhvilloja një ndeshje me skuadrën e qytetit tim me një skuadër tjetër të huaj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

URT-ja e Durrësit është e njohur në të gjithë vendin për radiot dhe televizorët.

*In memoriam/ Lajm i dhimbshëm, Salvator Sotiri shkëputet nga jeta

Sot shënohet 2-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe që në Shqipëri është festë zyrtare.

   Memorie qytetare

Anastas Mima pranë nesh, në parajsën e kujtesës

   Në këtë libër kam kërkuar të tregoj historinë e një dinastie të madhe financiare nga dita e arritjes të parit të fisit (themeluesit të

Siguria është e tillë kur është e garantuar 100% në çdo pjesë përbërëse të saj: nëse po kërkoni cilësi, siguri dhe klas në një të vetme,

Mjeku Ashim Zogu, njihet si një prej atyre pak mjekëve të ndershëm në Urgjencën e spitalit të Durrësit I cili ka marrë të gjithë vlerësim