Nga Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e Natan Schachner, mjekut me origjinë hebraike i cili gjatë periudhës së pushtimit ishte në rradhët partizane të Brigadës së Mehmet Shehut dhe pas Luftës shërbeu si mjek në disa rrethe të vëndit si: Kukës, Burrel, Shkodër, Krujë Durrës, etj. Rrëfimi i bashkëshortes së tij Mila Çorati Schachner rreth misterit të zhdukjes së tij në qelitë e Degës së Brendshme të Durrësit në vitin 1973 pas dy letrave që sapo i kishin ardhur nga Londra, ku i njoftohej gjetja e pasurisë tij në Bankën e Tel-Avivit dhe alibia e Sigurimit të Shtetit….

Më datën 11 janar të vitit 1973, që përkonte dhe me festën e Republikës, në shtëpinë tonë në qytetin e Durrësit, erdhën rreth 12 civilë të Sigurimit me në krye Kryetarin e Degës së Brendëshme të asaj kohe K.E. Në atë moment që ata hynë në mënyrë demostrative në shtëpi, Natani që po luante tavëll me dy shokë të tij, ngriu në vënd dhe nuk foli asnjë fjalë, kur ata i komunikuan se “në emër të popullit ishte i arrestuar”. Unë u tremba dhe menjëherë zura të bërtisja duke u thënë se ai nuk kishte bërë asgjë, por njëri nga ata, një djal i ri i quajtur Vladimir Çuçi, me shumë dashamirësi gjeti momenetin dhe më tha në italisht se unë nuk duhej të flisja. Pas arrestimit të Natanit, ata i bënë një kontroll të imët të gjithë shtëpisë dhe morën me vete të gjitha dokumentat e tij, si dhe dy libra të vëllait tim Agron Çoratit, të cilat i kishte shkruar gjatë kohës që ishte në internim në Zvërnec. Që në fillim të kontrollit të banesës, ata u drejtuan për tek komedina dhe morën dy letra me zarfe të cilat i kishin ardhur Natanit ato ditë nga Londra, ku njoftohej gjetja e pasurisë së nënës së tij Bertës, në Bankën e Tel-Avivit. Më bëri përshtypje se kur bënë proçes-verbalin e sekuestrimit të dokumentave, ato dy letra nuk i shënuan fare”. Njeriu që flet është Mila Schachner (Çorati), ish-komuniste e orëve të para dhe Përgjegjëse e Rinisë në Brigadën e Dytë të Beqir Ballukut, e cila tregon gjithë historinë e bashkëshortit të saj me origjinë izraelite, Natan Schachner, që u zhduk në mënyrë misterioze nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1973 në qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit. Po kush është Mila Çorati dhe cila është e kaluara e saj? Si u njoh dhe u martua ajo me mjekun e famshëm me origjinë hebraike Natan Schancner dhe si kishte përfunduar ai në Shqipëri, pasi i kishte shpëtuar pushkatimit të gjermanëve në kampin e internimit në Jugosllavi? Përse Natani u largua si i padëshirueshëm nga rradhët e Ushtrisë, ku ai kishte shërbyer si mjek që në Brigadën e Parë të Mehmet Shehut në vitin 1943? Cili ishte qëndrimi i tij lidhur me konfliktin arabo-izraelit në vitin 1966 dhe çfarë tha ai publikisht në dasmën ku ishte thirrur tek komshijtë e tij në qytetin e Durrësit?! Përse pas asaj dite ai u vu nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit dhe çfarë thuhej në dy letrat e fundit që atij i erdhën nga Londra? Përse në momentin e arrestimit, oficerët e Sigurimit u drejtuan përnjëherë tek ato dy letra dhe përse nuk i shënuan ato në proçes-verbalin e sekuestrimit të dokumenteve që iu gjetën atij?! Cila është e vërteta e misterit të zhdukjes së tij nga qelitë e Degës së Brendëshme të Durrësit ku ai u mbajt për gjashtë muaj nën tortura dhe kush është njeriu që ka dëshmuar se trupin e Natanit me kokë të prerë, e ka parë deri në fundin e viteve 1980-të në morgun e Tiranës ku mësonin studentët e Mjeksisë?

Rrëfimi i Mila Çoratit

Mila Schancher (Çorati), bashkëshortja e mjekut të famshëm me origjinë hebraike, deri para pak vitesh ka jetuar krejt e vetme me të motrën e saj Vandën (dy-tre vjet më e vogël se ajo) në një shtëpi të vjetër tiranase që ndodhet diku në të djathtë të rrugës ku zbret për tek Pazari i Ri. Ndonëse tashmë në moshë të thyer dhe me një shëndet të drobitur nga peripecitë e një jete plot vuajtje dhe brenga, me një kujtesë brilante për t’ia pasur zili, ajo na ka rrëfyer gjithë historinë tragjike të jetës së saj. Erugina, apo siç njihet ndryshe me emrin Mila, u lind në qytetin e Tiranës në vitin 1925, kur babai i saj Ferit Çorati që punonte në PTT e Vlorës, u transferua që andej për në Kryeqytet. Gjatë viteve të Luftës, nëna e saj Feruzja, dy vëllezërit, Muharremi me Agronin, si dhe motra Vanda, u lidhën të gjithë me lëvizjen antifashiste dhe shtëpia e tyre në Tiranë, u bë një nga bazat më të rëndësishme të komunistëve, ku streoheshin krerët e PKSH-së. Pasi qëndroi disa kohë si ilegale, Mila Çorati doli në mal si partizane, duke arritur deri përgjegjëse e Rinisë në Brigadën e Dytë të komanduar nga Beqir Balluku. Pas mbarimit të Luftës ajo punoi disa kohë në Drejtorinë e Propagandës në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në atë kohë ajo u njoh me mjekun Natan Schachner, i cili do të bëhej dhe bashkëshorti i ardhëshm i saj.

Martesa e Milës me Natanin

Lidhur me njohjen dhe martesën me mjekun Natan Schachner, Mila Çorati tregonte: “Aty nga vitet 1953-‘54, gjatë periudhës që unë punoja në Drejtorinë e Propagandës së Ministrisë Shëndetësisë, u njoha për herë të parë me Natanin, i cili në atë kohë punonte si mjek në qytezën e Fushë-Krujës. Natani ishte një njeri shumë i mirë, tepër inteligjent dhe mjaft human, gjë të cilat e dallonin atë nga të gjithë mjekët e tjerë që vinin në Ministri për probleme të ndryshme. Pas njohjes ne vendosëm të martoheshim, por Natanit i vunë kusht se në rast se nuk ndërronte shtetësinë e tij, atë nuk do ta lejonin që të lidhte kurorë me mua. Ai u mërzit jashtë mase nga kjo gjë, jo vetëm pse kishte një krenari për Moldavinë ku kishte lindur dhe origjinën e tij hebraike, por dhe për faktin tjetër që nuk kishte asnjë lloj simpatie për komunistët e regjimin që ishte vendosur në Shqipëri. Po kështu ndonëse atë e lidhin mjaft gjëra me Gjermaninë dhe Austrinë, ku familja e tij kishte banuar për disa kohë, ai kishte alergji për nazizmin që i kishte pushkatuar babanë. Duke mos pasur rrugdalje tjetër, Natani e ndërroi shtetësinë e tij dhe pas kësaj ne na lejuan që të vendosnim kurorë e të martoheshim. Në atë kohë unë e lashë Tiranën e Ministrinë e Shëndetësisë ku punoja prej disa vitesh dhe shkova të jetoja së bashku me Natanin në Fushë-Krujë, tek banesa e tij pranë Teqes së Bektashianëve, ku atë e kishin strehuar në një hapësirë të madhe. Pasi u martuam bashkë, shteti na dha një banesë private në fshatin Arrameras të Fush-Krujës, dhe aty filluam të ndërtonim jetën tonë. Në atë kohë, ndonëse Natani shihej me sy të keq dhe nuk trajtohej mirë nga regjimi komunist, ai kurrë nuk e kishte zakon që të fliste me njeri, qoftë për padrejtësitë që i bëheshin atij personalisht, ashtu dhe për regjimin komunist që nuk e donte fare. Natani e nuhaste qëndrimin që mbahej ndaj tij dhe vetëm në raste shumë të rralla më hapej dhe fliste me mua kundër regjimit komunist. Ndonëse ai kishte alergji për regjimin ku jetonim, kurrë nuk e konfondonte atë gjë me njerzit e thjeshtë dhe banorët e atyre zonave ku punonte si mjek, të cilëve u shërbente me korrektesën më të madhe duke u shkuar nëpër shtëpira për t’i vizituar dhe mjekuar”, shprehej mes të tjerash Mila Çorati, për njohjen e saj të parë me bashkëshortin e ardhshëm, mjekun me origjinë hebraike, Natan Schachner.

Nëna e Natanit vdes në Fushe-Krujë

Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri, pasi Natani kishte mësuar për fatin tragjik të babait të tij që ishte pushkatuar nga nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai vazhdonte të interesohej dhe të kërkonte të dhëna apo ndonjë lajm për fatin e nënës së tij, Bertës, për të cilën kishte mësuar se ishte internuar nga gjermanët në një kamp përqëndrimi në Siberi. Lidhur me këtë, Mila Çorati kujtonte: “Në vitin 1956, pasi kishin kaluar plot 20-vjet që kur Natani ishte larguar nga familja për të studjuar në Bolonja të Italisë, ku dhe u diplomua si mjek, atij i erdhi një lajm i mirë që e bëri të qante nga gëzimi. Në atë kohë, Kryqi i Kuq Shqiptar, me anë të një telegrami e njoftoi Natanin që të dilte në Durrës, për të pritur nënën e tij Bertën, e cila ishte nisur me një vaporr nga Bashkimi Sovjetik. Ajo gjë ishte bërë e mundur pasi Berta i ishte drejtuar me anë të një letre, vetë udhëheqësit numër një të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovit, dhe ai i kishte dhënë lejen që ajo të vinte përgjithmonë në Shqipëri. Nuk mund ta përshkruaj dot atë takim në Portin e Durrësit, kur Natani pas 20-vjetësh u përqafua me nënën e tij, Bertën. Nga ai takim prekës e mallëngjyes, të gjithë ne që kishim dalë për ta pritur, u shkrehëm të ngashëryer në vaj. Nëna e Natanit erdhi dhe qëndroi me ne për katër-pesë muaj në fshatin Arramerras të Fush-Krujës, dhe pastaj u nis për në Rumani ku kishin banuar familjarisht vite më parë me të shoqin, Leonin, dhe djalin e tyre, Natanin. Para se Berta të nisej për në atë vënd ku kishte kujtimet e të shoqit, unë i thoshja shpesh Natanit që të shkonte dhe ai bashkë me nënën e të rrinin përgjithmonë atje. Natani më përgjigjej se atje në Rumani nuk njihte njeri, kurse këtu në Shqipëri, të paktën shteti i kishte dhënë një punë dhe e njihnin si mjek. Pasi nëna e Natanit qëndroi pak kohë në Rumani, ajo vendosi dhe u kthye përsëri në Shqipëri, pasi atje nuk e priti asnjeri. Aty në qytezën e vogël të Fush-Krujës ku Berta banonte bashkë me ne, për të mos u mërzitur, Natani paguante rregullisht me 3000 lekë në muaj një person që dinte gjuhën ruse, i cili vinte në shtëpi dhe bënte muhabet me nënën e tij. Pas afro dy vjetësh qëndrimi me ne, në fundin e vitit 1957, nëna e Natanit ndërroi jetë në Fush-Krujë dhe varrimin e saj e bëmë në Tiranë. Në ceremoninë mortore të varrimit të saj erdhën pothuaj të gjithë hebrejtë që jetonin asokohe në Shqipëri. Atë e vumë në varrezat e Sharrës në një parcelë që shteti shqiptar e kishte lënë apostafat për hebrejtë që kishin vdekur në Tiranë”, kujtonte Mila Çorati lidhur me ardhjen nga Moska dhe vdekjen në Shqipëri të vjehrrës së saj, Berta Schachner.

Natani, në mbrojtje të Izraelit

Deri aty nga viti 1960, mjeku me origjinë hebraike, Natan Shakner së bashku me bashkëshorten e tij, Mila Çoratin, jetuan e punuan në fshatin Arramerras të Fush-Krujës. Në atë vit, atyre iu dha e drejta e trasferimit. Lidhur me këtë, Mila Corati kujtonte: “Pasi kishim qëndruar për afro shtatë vjet me rradhë në qytezën e vogël të Fush-Krujës dhe pas shumë kërkesash, ne na u dha e drejta e trasferimit për t’u larguar që andej. Pas kësaj ne na dërguan në qytetin e Durrësit, ku na dhanë edhe strehim duke na sistemuar me shtëpi në një pallat. Për ca kohë Natanin e dërguan të punonte në spitalin e qytetit dhe më pas e hoqën që andej dhe e çuan në Poliklinikë. Ndonëse ai vazhdonte të ishte mjaft i rregullt dhe tepër korrekt në punën e tij, duke bërë emër të mirë si mjek në atë qytet,(i ndiqte pacientët e tij deri në Tiranë), ai përsëri shihej me sy të keq nga regjimi i asaj kohe. Pozita dhe figura e Natanit në sytë e regjimit komunist, u ndërlikua së tepërmi dhe u vështirësua pas vitit 1966 kur ndodhi konflikti i armatosur Arabo-Izrealit dhe filloi lufta ndërmjet tyre. Në atë kohë unë me Natanin ishim thirrur në një dasëm tek një komshiu ynë dhe gjatë bisedës ra fjala edhe për luftën ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit, që në atë kohë ishte pikë kryesore për gjithë propagandën shtetërore. Gjatë asaj bisede, Natani mbrojti vëndin e tij Izraelin duke kundërshtuar bashkëbiseduesit, të cilëve iu tha se Izraeli nuk kishte sulmuar Egjiptin, por ai kishte bërë luftë vetëmbrojtëse. Duke parë situatën që u krijua, unë ndërhyra përnjëherë për ta zbutur bisedën dhe iu drejtova Natanit duke i thënse ai nuk kishte folur asnjëherë ashtu. Atë gjë e bërë që t’i jepja të kuptonte se nuk duhej të fliste më në atë mënyrë, pasi ishte krejt në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të shtetit lidhur me konfliktin Arabo-Izrealit. Pas asaj bisede, Natanin e raportuan në Degën e Brendëshme dhe që nga ajo ditë ndaj tij filloi një survejim i përhershëm nga Sigurimi i Shtetit. Në një rast kur ai ishte shtruar i sëmurë në Tiranë, ndërhyri Sigurimi duke e nxjerrë nga spitali me pretekstin se ai nuk kishte gjë dhe simulonte vetë”, kujtonte Mila Çorati duke shtuar se në atë kohë Natanin dhe atë i ndiqnin kudo.

Arrestimi i Natanit në janar të vitit 1973

Gjatë kohës që nëna e Natanit ishte në Shqipëri, ajo i kishte treguar atij se pasurinë e familjes së saj, e cila përmblidhej në një sasi të madhe bizhuterish të floroinjta, i kishte lënë në ruajtje tek një i afërmi i saj, para se të nisej nga Moska. Natani mundi të lidhej me kushëririn e tij që në atë kohë punonte në Konsullatën e Izraelit në Londër dhe ai i solli dy letra ku i shpjegonte se pasurinë e nënës së tij ai e kishte depozituar në Bankën e Tel-Avivit dhe si fillim do dërgonte një televizor. Pak ditë pas ardhjes së atyre letrave, më 11 janar të vitit 1973, Natani u arrestua nga Sigurimi i Shtetit. Lidhur me këtë Mila Çorati tregonte: “Atë ditë që ishte dhe festa e Republikës, në shtëpinë tonë aty në qytetin e Durrësit, erdhën 12 oficerë të Sigurimit së bashku me Kryetarin e Degës K. E. Në atë moment që ata hynë brenda në mënyrë demostrative, Natani që po luante tavëll me dy shokë të tij, ngriu në vënd dhe nuk foli asnjë fjalë, kur ata i komunikun se në emër të popullit ishte i arrestuar. Unë u tremba dhe zura të bërtisja duke thënë se ai nuk kishte bërë gjë. Por njëri nga ata, një djalë i ri i quajtur Vladimir Çuçi, që dallonte nga harbutllëku i kolegëve të tij, gjeti momentin dhe me shumë dashamirësi më tha në italisht që të mos flisja më. Pasi u vunë hekurat Natani, ata i bënë një kontroll të imët gjithë shtëpisë dhe gjëja e parë që morën, ishin dy letrat që sapo kishin ardhur ato ditë nga Londra, nga kushëriri i Natanit. Më bëri përshtypje se gjatë proçes-verbalit që ata bënë për sekuestrimin e dokumenteve, (ku shënuan dhe librat në dorshkrim të vëllait tim Agronit që i kishte shkruar në internim në Zvërnec) ato dy letra nuk i shënuan fare. Gjatë atyre gjashtë muajve që Natani qëndroi në hetuesi, mua më thërritën disa herë dhe më pyesnin për gjithshka rreth tij. Njëherë më thanë të firmosja për ato që kishin shkruar pasi mi dhanë për t’i lexuar. Unë firmosa në mirbesim njërën nga fletët, pasi shkrimi nuk lexohej fare dhe unë nuk shihja mirë nga sytë. Kur vajta në shtëpi i tregova vëllait Agronit, i cili më tha se kisha bërë gabim që kisha firmosur, pasi ata kastile e kishin bërë shkrimin në atë mënyrë që unë të mos e lexoja dot. Të nesërmen e asaj dite ata më erdhën në shtëpi dhe më thanë se ishin nxituar një ditë më parë dhe unë duhej të firmosja dhe fletët e tjera. Unë iu thashë që të lexonin çfarë kishin shkruar dhe kur e pashë se ata kishin shkruar ndryshe nga sa kisha folur, fillova të bërtisja dhe ata më çuan tek Kryetari i Degës K.E. Unë i thashë atij se nuk doja të firmosja, sepse ato makinacione nuk m’i kishin bërë as fashistët kur më kishin arrestuar në 1943-in. Ai më goditi me duar dhe unë u rrëzova përdhe”, kujtonte Mila Çorati atë kohë kur iu arrestua bashkëshorti i saj Natani, duke shtuar se nga që nuk kishte asnjë lloj fakti dhe argumenti për ta dënuar atë, Sigurimi i bënte presion asaj që të dëshmonte kundër tij.

/Memorie.al