Nga Mark Brunga

Ai themeloi të parin kantier modern detar.

Por historia e tij do të përfundonte tragjikisht. Pas një gjyqi të montuar nga sigurimi i shteitt dënohet me vdekje së bashku me ekonomistin Kristaq Koçinë dhe 5 ditë më vonë pushkatohen në Spitallë te kanali i varrezave të vjetra të Durrësit.

Nëqoftese do të kërkohej një emër ndërmarrjeje përfaqësuese të qytetit të Durresit, padyshim që pas Portit, do të ndaleshim tek Kantieri Detar i këtij qyteti. Kantieri është një ndërmarrje simbol me një të kaluar historike të herëshme që sot pas shkatërrimit të tij, kujtohet më shumë nga ata që punuan ndër vite me shumë konsideratë dhe nostalgji njëkohësisht.

Në vitin 1944 kjo ndërmarrje zuri vënd në sheshin ndërmjet bregut të detit dhe Bankes Kombetare dhe grumbulloi nje kolektiv mjeshtrash dhe punëtoresh durrsakë që u shquan për vlerat qytetare. Gjatë viteve të mepasme punëtorët e këtij kantieri, të drejtuar nga mjeshtrat më të aftë, ia dolen që të meremetojne por edhe të ndërtojnë lloje të ndryshme anijesh, nga më të te voglat deri te peshkatoret e më pas  te anijet  oqeanike, duke treguar kështu vlera të shquara pune krijuese.

Kantieri Detar e ka nisur veprimtarine e tij pas luftës, në dhjetor te vitit 1944 dhe fillesa ka pasur edhe një ngjarje tragjike…Ka qënë djaloshi durrsak  22 vjeçari Tom Goga, ai që mori nismen e krijimit të tij duke bashkuar mjeshtra italianë dhe shqiptare që ishin marre me riparimin e mjeteve detare gjatë luftës. Më 13 maj 1945 kantieri ka përuruar lëshimin në det të motovelierës 75 tonëshe " Misiri 2 " e porositur nga pronari Riza Jakupi.

Atë kohë u thanë fjalë shumë të mira për punëtorët e kantierit, inxhinierin italian Rafaele Vangnini dhe Tom Gogën, të cilin shtypi i kohes e cilësonte inxhinier. Në këtë përurim kanë marre pjesë figura të rëndësishme të shtetërore të asaj periudhe Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu. Nga kronikat e kohës mësohet se:  " Nga autoritetet e asaj periudhe ishte i pranishëm Gjeneral Leitnant Koçi Xoxe, ndërsa fjalen e rastit e mbajti gjeneral major Bedri Spahiu.

Pas ketij përurimi po atë muaj lëshohet në det motoveliera 70 toneshe "Kalamishi" ndërsa në qershor të vitit 1945 U.N.R.R.A i ka falur Shqiperisë 6 anije të vogla. Sektori detar i ATASH-it ka marrë në dorezim 2 anije, 2 rimorkiatorë, nga 20 metra të gjatë dhe 2 maune 200 tonëshe.

PUSHKATIMET DHE SHTETËZIMI I KANTIERIT
Tom Gogën pak njerëz kanë pasur mundësinë për ta parë fizikisht nga brezi që është tani, por për të është folur shumë. Ilir Kavaja banues në lagjen nr 2 të Durrësit, ka një lidhje familjare me Tom Gogën. Nëna e tij Kalipsoja e ka pasur djalë xhaxhai.

Dhe Iliri ruante në shtëpinë e vet disa foto interesante ku ndodhej edhe Goga. Në njërën prej tyre Toma po përcillte nuse Kalipsonë dhe pas fotos ka të shkruar: “Kujtim nga martesa celebruar në Durrës me datën 21 /7/1942. Duke dalë nga shtëpia e Kalipsosë”. Toma ndodhet në krah të nuses dhe ka të veshur një kostum të çelur afër ngjyrës bezhë, me xhakëtë dopjopet, të cilat kanë qënë shumë në modë në atë periudhë.

Ceremonia po kryhet në afërsi të Katedrales Katolike “Shën Luçija“. Toma është një djalë shumë simpatik mbase nga më “trendy“-t që kishte qyteti në atë periudhë, sikurse shikohet edhe nga fotot. Një vit më pas Toma shfaqet në një foto tjetër por tashmë me statusin e të fejuarit. Ka 2 foto me të fejuarën e tij Jolandën. Këtu është më i lirshëm se në ceremonialin e dasmës, i veshur po me rroba të çelëta, ndërsa shoqërohet nga e fejuara.

Jane foto që po botohen eksluzivisht për herë të parë. Iliri thotë se në fund të vitit 1946, Toma është arrestuar dhe i bëhet një gjyq i montuar nga sigurimi i Koçi Xoxes. Si pretekst, vijon Iliri, u përdor riparimi i një anije italiane, dhe u akuzua sikur nuk i kishte paguar shtetit shumën e taksave që i detyrohej.

Dënohet me vdekje sëbashku me ekonomistin Kristaq Koçinë një seancë gjyqësore farsë  më 27 dhjetor dhe 5 ditë më vonë, pikërisht në natën e vitit të ri, më 31 dhjetor, pushkatohen në Spitallë te kanali i varrezave të vjetra të Durrësit, prapa ish zdrukthtarisë. Ky qe fati tragjik i themeluesit të kantierit detar modern.

Lidhur me këtë  ngjarje të rëndë është shkruar në shtyp se  në Janar të vitit 1946 Kantieri detar i Tom Gogës u shtetëzua dhe u quajt Kantieri Detar i Marinës Shqiptare.

INCIDENTI ME ANIJEN "ALI KELMENDI"
Se si ka qënë klima e punës në kantier nën frymën e frikës e tregon edhe një detaj mjaft interesant. Është fjala për incidentin me anijen 500 tonëshe prej druri, "Ali Kelmendi". Me këtë anije të porsa ndërtuar ndodhi një incident fatkeq. Projektin dhe ndertimin e saj e kishte drejtuar mjeshteri Odise Moneta, i ardhur pas lufte në Durrës.

Dy djemtë i kishte në Amerikë, ndërsa gruan e kishte italiane. Odiseja ishte mjeshtër i përgatitur dhe i talentuar. Punonte me ndershmeri dhe u bënte ballë të gjitha vështirësive. Kur anija po lëshohej në det, duke rrëshqitur mbi urën e lëshimit, ajo u nda në dy pjesë. Odisenë dhe disa të tjerë i arrestuan për sabotim. Por në fakt shkaku kishte qënë një konstrukt i ngjitur me urën e lëshimit, e cila kur anija u lëshua mbi të, i shkaktoi çarjen.

Odisea u dënua, por gjithsesi punonte në kantier i shoqëruar me polic. Vonë u lejua të nisej në Amerike tek djemtë e tij.

RRITJA GRADUALE E POTENCËS SË KANTIERIT
Me kthimin e një grupi inxhinierësh të rinj që kishin studiuar në Rusi, Bullgari e Poloni, për ndërtime mjetesh detare, ndërtimi i mjeteve të reja dhe futja e teknologjive të përparuara shton shumëllojshmërinë e shërbimeve dhe të ndërtimeve të mjeteve lundruese. Në vitin 1960 u hapën kurse për ngritjen e aftësive profesionale me programe teorike dhe praktike për motorristë, elektriçistë, mekanike skafi, saldatorë, oksigjenistë, vinçierë.

Më pas një pjesë e mirë e këtyre kursantëve shërbyen në Floten Tregtare. Në vitin 1968, prodhohet anija metalike "Punëtori " dhe me pas leshohet në det rimorkiatori i parë i prodhimit shqipatar “14 Nentori” e " Debatik" me fuqi 1000 kuaj fuqi dhe gjatesi 32 m. Në vitin 1970 filloi riparimi i anijes 5000 toneshe "Durresi", riparim i cili tregoi aftesitë e rritura të punonjësve të Kantierit Detar, i cili po fillonte tashmë të hynte në periudhën e riparimit të anijeve oqeanike.

KANTIERI I RI
Në vitin 1974, Kantieri është transferuar në sheshin përtej portit të peshkimit afër kalatës lindore. Kjo u bë pas një një përvoje 30 vjeçare të tij dhe për këtë u ndërtuan shkallë me përmasa të mëdha në të cilat u lëshuan në det anijet "Saranda" 1000 DëT dhe "Gjirokastra" 2700 DëT.

Me pas zhvillimet në Kantierin Detar vazhduan me krijimin e repartit te riparimit te vaporëve e mjeteve të mëdha detare që arriti të kryejë riparime kapitale te rimorkiatoreve, shalandave, bigen "Adem Reka" ,  Dragave "Rodon" e "Adriatik", të anijeve 500 tonëshe, të avulloreve "Durrësi" , "Partizani" , "Liria" etj.

Punime kapitale u kryen edhe në anijet oqeanike "Tirana", "Vlora", "Shkodra", dhe "Arberia". Me shume vlerë ishte  ngritja e repartit te prodhimeve te reja, sepse aty u realizua ndertimi i shumë mjeteve detare deri në seri si anije pilotazhi, anije peshkimi KP 300, peshkatore 2KP- 408, anije 500 toneshe si "Ali Kelmendi", "Vjosa", "Ylli i Kuq", "Dajti", "Bajram Curri", "Beqir Nova", "Adriatiku", "Tomorri", tragete të ndryshme për zonat e liqeneve në veri si dhe u projektuan e u prodhuan portat e H/C- ve të veriut.

SHUARJA
Në vitin 1991 u krye kalimi i Kantierit në shoqëri të përbashkët Durrës – Gdansk e më pas kur kaluan aksionet e Gdanskut te shoqëria turke "Korum" kantieri mori emrin "Durres – Kurum shiping" dhe më pas shkoi drejt mbylljes së veprimtarisë ndertuese. I gjithë kantieri shkoi për skrap. Dhe ndertesat u rrafshuan duke e kthyer në një rrafshirë të trishtuar atë zonë.

Përfaqësuesi i sindikatës së peshkatarëve Klodjan Kapiti thekson se nga 140 mjete detare që ka peshkimi , gjysma e tyre është jashtë funsionimit për arësye të mungesës së kantierit detar, eleminimi i të cilit  ka qënë vdekjeprurës për peshkimin e qytetit të Durresit. Kjo sepse tashmë mjetet e peshkimit për riparime duhet ti drejtohen kantiereve në vendet fqinje me kosto të shumfishuar, të papërballueshme për shumë pronarë.

Ai e quan krim ekonomik lejimin e elminimit të kantierit nga sipermarrësit:” Është njelloj si të lësh një qytet pa spital”, shprehet ai me keqardhje. Ky është historiku i këtij kantieri, një nga qëndrat më të mëdha krijuese të qytetit bregdetar dhe simbol i rinisë durrsake, ku punonin rreth 4000 punonjës, histori që nisi me pushkatimin e pronarit të parë të saj Tom Gogës dhe u shua 70 vite më pas tërësisht.

http://shqiptarja.com/dossier/2711/si-u-pushkatua-naten-e-vitit-te-ri-1946pronari-i-kantierit-te-durresit-466927.html