Skandal / Terminali lindor, pasi mbyllet kontrata del njoftim për tender

05/08/2013 - 18:53

    Lajmi: Më 5 gusht 2013 MPPT-ja nxjerr “formularin e publikimit te njoftimit te kontratës fituese” për koncesionin e menaxhimit, operimit, ndërtimit, mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik dhe adaptimit për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin Lindor Durrës, ndërkohë Vendimi i Qeverisë për bonusin doli më 1 gusht 2013, oferta gjermane u paraqit 22 janar 2013, u nënshkrua më 6 maj, dhe territori aktual i terminalit lindor të Portit të Durrësit iu dorëzua më 15 korrik 2013 shoqërisë koncesionare EMS Albanian Port Operator shpk

 

DURRËS, 5 gusht 2013 – Terminali lindor i portit të Durrësit po u hap telashe zyrtarëve në largim të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit (MPPT), që kujtohen si kofini pas të vjelave. Më 5 gusht 2013 MPPT-ja nxjerr “formularin e publikimit te njoftimit te kontratës fituese” për koncesionin e menaxhimit, operimit, ndërtimit, mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik dhe adaptimit për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin Lindor Durrës, ndërkohë Vendimi i Qeverisë për bonusin doli më 1 gusht 2013 (shih faksimilen), oferta gjermane u paraqit 22 janar 2013, u nënshkrua më 6 maj (shih faksimilen e njoftimit gjerman në anglisht), dhe territori aktual i terminalit lindor të Portit të Durrësit iu dorëzua më 15 korrik 2013 (shih faksimilen e njoftimit të APD-së) shoqërisë koncesionare EMS Albanian Port Operator shpk.

Në buletinin nr. 31 të Agjencisë së Prokurimit publik datë 5 gusht 2013 në faqet 257-262 MPPT-ja boton “formularin e publikimit te njoftimit te kontratës fituese” për koncesionin e menaxhimit, operimit, ndërtimit, mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik dhe adaptimit për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin Lindor Durrës (shih faksimilen e faqes së parë), veprim që duhej bërë në korrik 2012. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit kanë mbajtur në errësirë të plotë të gjitha procedurat për tre koncesionet e mëdha në portin e Durrësit: terminali i kontejnerëve, terminali lindor i mallrave rinfuzo dhe terminali i trageteve. “Dyrrah”-u e ka ngritur këtë shqetësim vazhdimisht, për të tre rastet. Këtu flitet për investime që i kanë kaluar 60 milionë eurot. Por Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Durrësit merren me “peshq” të vegjël nëpër komuna dhe bashki. Fakti që MPPT-ja kujtohet pas një viti të njoftojë tenderin që do të bëhej në dhjetor, flet për kaosin, por edhe frikën e zyrtarëve nga ndonjë audit ndërkombëtar (BE-ja, BB-ja, BERZH-i, FMN-ja kanë shprehur rezervat për nivelin e lartë të korrupsionit dhe për koncesionet). Po ashtu nuk janë bërë të ditur pjesëmarrësit në tender, pikët, të kualifikuarit dhe të skualifikuarit sipas ligjit.

 “Dyrrah”-u po citon dy-tre paragrafë të njoftimit të 5 gushtit 2013, që duhej bërë në dhjetor 2012 dhe fragmente nga shkrimet në “durreslajm.com” 15 korrik dhe 16 korrik 2013.

Njoftimi i 5 gushtit 2013 që duhej bërë në korrik 2012

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit

Formulari i publikimit të njoftimit të kontratës fituese...

II.1 Lloji i Kontratës: Kontratë Koncesioni

II.2 Objekti i Kontratës: Autoriteti Kontraktues, nëpërmjet kësaj Kontrate dhe në përputhje me kushtet e saj, i jep Koncesionarit të drejtën për menaxhimin, operimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik dhe adaptimin për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin Lindor Durrës. Operimi i terminalit do të përfshijë ngarkimin dhe shkarkimin kryesisht të anijeve me ngarkesa rifuxho, minerale qymyr etj., por edhe të anijeve me ngarkesa të përgjithshme / gjenerale dhe për ngarkesa për projekte, sipas rastit. Për sa i përket përpunimit të ngarkesave rifuxho operatori do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur një shkallë të lartë specializimi me qëllim rritjen e produktivitetit dhe uljen e kostove për njësi. Shërbimet që do të ofrohen do të përfshijnë gjithashtu dhe aktivitetet e lidhura me to, me anijet dhe ngarkesat të tilla si përpunim i ngarkesave, depozitim, magazinim, lëvizje ekstra, transport, spontim, marrje dhe shpëndarje dhe përfshirë marrjen e masave për burimet e kërkuara në infrastrukture, mjete, pajisje, sisteme, praktika, procedura, programe, organizim dhe burime njerëzore në përputhje me praktikat më të mira industriale dhe siç janë të specifikuara në Termat e Referencës (TeR)

II.3 Përshkrim i shkurtër i kontratës...

II. 4 Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin:

Koncesioni sipas kësaj Kontrate jepet për një periudhë prej 35 (tridhjetë e pesë) vitesh (“Periudha Koncesionare”), e cila fillon nga data efektive. Në rast se Koncesioni shtyhet nga Autoriteti Kontraktues, për shkaqe të parashikuara në këtë Kontrate, tej periudhës në vite të përcaktuar këtu më sipër, periudha koncesionare do të përfshijë edhe periudhën shtesë. Në rast se Koncesioni përfundon para periudhës në vite të përcaktuar këtu më sipër, për shkaqe si zgjidhja e kontratës apo shkaqe të tjera që çojnë në përfundimin e saj, Periudha Koncesionare do të reduktohet / kufizohet në periudhën nga data efektive deri në datën e përfundimit të Koncesionit, në përputhje me nenin nr. 27 të ligjit nr. 9663, datë 18/12/2006 “Për koncesionet”, i ndryshuar...

Fragmente nga shkrimi në “durreslajm.com”, 15 korrik 2013

DURRËS, 15 korrik 2013 – Kontratën e dhënies me koncesion të kalatës lindore për një kompani gjermane, që nuk e bëri publike më 6 maj 2013 ministri në ikje i Punëve Publike dhe Transportit, tashmë në garën për kryetar i PDSH-së, Sokol Olldashi, e zbardh më 15 korrik 2013 drejtori ekzekutiv i APD-së, Eduard Ndreu.

Territori aktual i terminalit lindor të Portit të Durrësit iu dorëzua më 15 korrik 2013 shoqërisë koncesionare EMS Albanian Port Operator shpk, në zbatim të kontratës që ka lidhur kjo kompani me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, njofton zëdhënësja e drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD).  Ndërkaq APD-ja është kujdesur të sqarojë se “kontrata e koncesionit e datës 6 maj 2013 “Për menaxhimin dhe Operimin e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit” është lidhur ndërmjet MPPT dhe operatorit “EMS Shipping and Trading GMBH”, sipas procedurës së koncesionit të ndjekur nga kjo ministri në rolin e autoritetit kontraktues, dhe në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 493 datë 1 gusht 2012, “Për përcaktimin e Autoritetit Kontrakues, “Për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së Terminalit Lindor në Portin e Durrësit dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë “EMS Shipping and Trading GmbH” si dhe Master Planit të Zhvillimit të Portit të Durrësit”.  Autoriteti Portual Durrës që nga 15 korriku 2013 nuk do të jetë më Operator në ofrimin e shërbimeve të ngarkim-shkarkimit, pasi të gjitha burimet e terminalit (burimet njerëzore, infrastrukturë dhe superstrukturë) do të transferohen për shoqërinë koncesionare EMS APO shpk, e cila në vijim ka të drejtë t’i menaxhojë ato dhe të lidhë kontrata shërbimi etj, sipas kushteve të kontratës koncesionare dhe tarifave të publikuara nga APD.  Zona e koncesionit është territori aktual i Terminalit Lindor të Portit te Durrësit, që në vijim do të trajtohet sipas perspektivës së zhvillimit të projektit koncesionar. Shoqëria koncesionare, sipas kushteve të Kontratës do të paguajë për MPPT pagesën prej 2 për qind të xhiros vjetore.  Po ashtu ajo do të paguajë për Autoritetin Portual pagesën në masën 11 për qind të të gjitha tarifave të aplikuara, si dhe pagesën e tarifës së qerasë në masën 544 lekë metri katror për zonën koncesionare. Zbatimi i kësaj kontrate koncesionare, në thelb, sjell pasoja të rëndësishme për vetë organizimin e APD-së sipas statusit të “Portit administrues i tokës” në zbatim të ligjit nr 9130 datë 08.09.2003 “Për Autoritetin Portual”, përfundon njoftimi i APD-së.

Info/

Kompania gjermane EMS Shipping & Trading GmbH, Leer, ka fituar tenderin për Terminalin e ri Lindor në portin e Durrësit, njoftoi më 16 maj 2013 zyra e shtypit e kësaj kompanie të transportit detar, ndërkohë që është mbajtur heshtje nga dikasteri përkatës. Sokol Olldashi, Ministër i Punëve Publike dhe Transportit, si dhe Manfred Myler (Müller), administrator i EMS-së, nënshkruan kontratën e koncesionit për Terminalin Lindor të portit të Durrësit, thotë EMS-ja. Oferta u paraqit 22 janar 2013 dhe u nënshkrua më 6 maj, thotë kompania. Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet

Fragmente nga shkrimi në “durreslajm.com” më 16 korrik 2013

DURRËS, 16 korrik 2013 – Dritë-hije mbi një koncesion 35-vjeçar (Evropa zbaton një afat 20-25 vjeçar) që qeveria në ikje u ka dhënë gjermanëve për terminalin lindor “me propozim të pa-kërkuar” dhe kush do të bëjë thellimin e kanalit hyrës të portit të Durrësit, kompania e huaj shteti shqiptar.

Jo më kot në komunikatën e vetë Autoriteti Portual Durrës është kujdesur të sqarojë se “kontrata e koncesionit e datës 6 maj 2013 “Për menaxhimin dhe Operimin e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit” është lidhur ndërmjet MPPT dhe operatorit “EMS Shipping and Trading GMBH”, sipas procedurës së koncesionit të ndjekur nga kjo ministri në rolin e autoritetit kontraktues, dhe në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 493 datë 1 gusht 2012, “Për përcaktimin e Autoritetit Kontraktues, “Për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së Terminalit Lindor në Portin e Durrësit dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë “EMS Shipping and Trading GmbH” si dhe Master Planit të Zhvillimit të Portit të Durrësit” (shih “Dyrrah” më 15 korrik 2013).

“Dyrrah”-u boton edhe tekstin e Vendimit nr. 493, datë 1 gusht 2012, ku në pikën 3 flitet për “procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pa-kërkuar), që i jepet shoqërisë “EMS Shipping and Trading Gmbh”, Gjermani” (shih faksimilen e VKM-së).

Del se Qeveria Berisha, me “propozim të pa-kërkuar” të gjermanëve, më 1 gusht 2012 (jo në vitin 2013) “me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit” vendosi “1. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së terminalit lindor në Portin e Durrësit, është Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. 2. Koncesioni do të jetë i formës BOT (ndërtim-shfrytëzim-transferim në pronësi të shtetit)”.

Shtojcë / “Propozimi i pa-kërkuar”

Vendim Nr. 493, datë 1.8.2012 “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së terminalit lindor në portin e Durrësit dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë “Ems Shipping And Trading Gmbh”, Gjermani”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 pikat 1 e 3 dhe 23 pika 3 shkronja “b” të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së terminalit lindor në Portin e Durrësit, është Ministria e Punëve Publike dhe Transportit.

2. Koncesioni do të jetë i formës BOT (ndërtim-shfrytëzim-transferim në pronësi të shtetit).

3. Miratimin e bonusit prej 8.3 (tetë pikë tri) pikësh, për rezultatin teknik, financiar dhe mjedisor në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pa-kërkuar), që i jepet shoqërisë “EMS Shipping and Trading Gmbh”, Gjermani.

4. Ngarkohet Ministria e Punëve Publike dhe Transportit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Sali Berisha

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Një datë e rëndësishme në historinë e detarisë shqiptare: si sot 74 vite më parë, Porti i Durrësit kaloi nga kujdestaria e Forcës Detare

  • Janë 11- të nga më të mirët
  • Të lajmë borxhin që i kemi traditës

- Ti ruajmë dhe mbrojmë traditat tonë kulturore

- Nihilizmi dukuri e gabuar dhe keqdashëse

Me rastin e 3-vjetorit të ndarjes nga jeta...

     Një rrëfim ndryshe për Genci Alizotin