Spiro Sterjo modeli i ndershmërisë dhe i bukurisë shpirtërore

-Të dua gjyshi im, më shumë se më parë!

“….Pse nuk janë të tillë Telemak Anastasiadhi, Mit’hat Hoxha, Stefan Dhima, Jorgji Zagoridha, Ilia Doraci, Shazivar Gruda, Met Myshku, Reshat Qatja, Spiro Sterjo, Ymer Karaboja, Astrit Canaj, Ferdinant Behari, Erjon Dobi, Kamber Aliu, Ferdinant Trungu, Fatmir Tare, Sabri Vaja, Xhavit Sharra, pse jo herët herët edhe Bashkim Taga?

Nga BUJAR QESJA

Në zanatin tonë është i përhapur opinioni se, “titulli shet shkrimin”. Por në rastin e Spiro Sterjos, ende jam në dilemën i të qënit i saktë në atë që formulova. Nuk kam hasur njeri më të ndershëm, më korrekt, më pasionant në ato që ai i kishte motive të jetës. Jo se ndershmëria fillon dhe mbaron me të. Jo se ne të tjerët jemi të pandershëm dhe jo korrekt. Por çfardo që të vendosja në krye të shkrimit, nuk do të kuptohej shumë epiteti i ndershëm, nëse nuk mund ta veçoja kështu.

Nëse ka njeri që s’ka bërë kompromis me ndershmërinë, sinqeritetin dhe të qënit shumë steril, në atë që quhet formatimi i njeriut me të gjitha të mirat që e ka pajisur Zoti, të parin pa asnjë mëdyshje vendos Spiro Sterjon. E kam njohur nga afër, veçanërisht në fushën e gjykimeve në futboll. Ia kam prekur disi praktikën edhe kur punonte si normist në ofiçinën dhe sektorin e shoferëve në Portin Detar të Durrësit. Nuk lëviste qimen tek normat dhe pagat, duke na bërë të gjithëve të mburreshim nga pak me këtë lloj prerje si njeri, në formë dhe në përmbajtje.

Pyetja vazhdimisht, ashtu siç e kemi të gjithë natyrë për të marrë informacion për miq dhe shokë, që kemi vite pa i parë dhe pa i takuar dhe që duam të dimë se çfarë bëhet me to. Nga koha kur dola në pension, mund të kenë kaluar 4 vite. Kam lënë një koleksion të gazetës që botoja “Teuta Sport”, në klubin shumësportesh “Teuta” dhe shkova të interesohesha për ta tërhequr këto ditë, e për ta vendosur në një vend që e meriton të ruhet. Vali Pastërma, ish shefja e llogarisë së klubit ka përfunduar zyrtarisht detyrën dhe ishte zëvëndësuar. U ndesha me një vajzë të qeshur, me trup të brishtë, por shumë e kujdesshme në komunikim. Në fytyrën e saj lexohej një sinqeritet i lindur dhe bindja për të kryer këtë detyrë të vështirë si llogaria, ishte e madhe.

U prezantuam. Ina më foli për gjyshin e saj. Ishte pikërisht ai njeri, që kisha filluar të pyetja se si ishte me shëndet. U çela menjëherë, por vajza e dëshpëruar nuk u ndje mirë. Në fytyrën e saj të pastër, filluan të dalin lot dhe krijuan dy përrenj të vegjël që vargëzuan në butësinë e pamjes.

-Gjyshi im Spiro Sterjo na la miku i tij Bujar. Ishte 11 janari i vitit 2021. I bie dy muaj e pak ditë që na ka lënë kujtimin dhe jo të gjallët. E doja shumë. Më ka rritur. Dhe më vjen të thërras me të madhe :”O gjyshi im Spiro Sterjo, ku të kam”!

Dhe natyrisht që duhet të shkruaja. I meritonte fjalët që po i drejtohem, që kur kishte frymëmarrje. Por jeta, koha, momenti, të ligat e tranzicionit, rrokopujat e ndryshme që kemi kaluar, më kanë detyruar krejt pa dashur të “harroj” shumë emra dhe ndër to edhe Spiro Sterjon. Spiro ishte shumë i thjeshtë. I zakonshëm në të jashtëzakonshmen e tij. Ai u lind në Kavajë me 31 janar të vitit 1936 dhe pas 20 ditësh që mbushi 85 vjetorin, iu drejtua përjetësisë.

Në futboll bëri emër. Nuk ishte i pari i gjyqtarëve, por sigurisht as i fundit. Por Spiro Sterjo ishte i pari, në atë që duam të gjithë të jemi të tillë. Ishte i pari në ndershmëri, në sinqeritet, në karakter apo moral, ishte i shenjtë në atë që thuhet “besë burrash”. Spiro Sterjo ishte motori i organizimit, të kolegjumit të famshëm të gjyqtarëve të futbollit durrsak. Gjykoi si kryesor ndeshje të shumta dhe veçanërisht në organizimet e fuqishme lokale. Ishte nga anësorët më të respektuar të gjyqtarit kryesor Met Myshku.

Treshja e gjyqtarëve durrsakë Met Myshku, Spiro Sterjo dhe Reshat Qatja ka mbetur historike dhe e pakonkuruar në futbollin shqiptar. Dhe për fatin e keq kjo treshe u “thye” për 6 muaj. Në gusht të vitit të kaluar, në moshën 82 vjeçare në Itali na lotoi Reshat Qatja. Në tetor ishte Met Myshku në moshën 85 vjeçare, që strehohet në tokën e vendlindjes. Dhe i treti i ndershmi ynë Spiro Sterjo me 11 janar 2021. Që të tre mbi 80 vjeçarë, duke na lënë në kujtesë momente të bukura në gjykimet e njohura të ndeshjeve të futbollit.

Por Spiro Sterjo bëri një punë të jashtëzakonshme, për formimin e gjyqtarëve të rinj. Ai ishte sekretar i kolegjumit, hera herës edhe kryetar i saj. Durrësi është shumë i njohur në fushën e gjykimeve, madje ka traditë që në kampionatet e para të futbollit. Kujtoj këtu Telemak Anastasiadhin e famshëm, por edhe të mirnjohurin Mit’hat Hoxha. Kanë qenë gjyqtarë ndërkombëtarë në vitet 30-të. Dhe kemi ecur me gjykimet dhe pasuruar historinë e futbollit të Durrësit por edhe atë kombëtar, me portrete të tilla që të elektrizojnë. Pse nuk janë të tillë Stefan Dhima, Jorgji Zagoridha, Ilia Doraci, Shazivar Gruda, Met Myshku, Reshat Qatja, Spiro Sterjo, Ymer Karaboja, Astrit Canaj, Ferdinant Behari, Erjon Dobi, Kamber Aliu, Ferdinant Trungu, Fatmir Tare, Sabri Vaja, Xhavit Sharra, pse jo herët herët edhe Bashkim Taga?

Spiro Sterjo në jetën e tij të gjatë, zgjatoi dhe pasuroi edhe jetën e gjykimeve durrsake të futbollit. Durrësi është me gjurmë në futboll, pikërisht sepse ka patur në gjirin e tij njerëz të ndershëm, plot moral e virtyte të preferuara njerëzore si të natyrës së Spiro Sterjos. Në një prej fotove të Spiro Sterjos, lexojmë prapa një shënim:

“Një jetë pranë futbollit”.

Po i dashur Spiro ynë , një jetë pranë futbollit. Dhe një jetë sigurisht edhe më të madhe, pranë memories tonë, pranë kujtimeve më të prekshme të bashkëqytetarëve të tu për atë çka ishe, për atë çka bëre dhe për atë çka do të mbetesh.

Por gjithnjë do të jesh pranë gruas tënde të mirë Violetës, tri vajzave të tua dhe pranë Inës, e cila sa herë do të kujtoj gjyshin e saj të dashur, gjyshin e saj aq bujar dhe të bukur në shpirt, do të lotoj dhe ne do të ndjejmë gjithnjë pëshpërimin e saj, thënë plot mall:

Të dua gjyshi im, më shumë se më parë!

Durrës: 15 mars 2021