• -Modeli i njeriut që për pasion ka edukimin fizik
  • -Shembulli i tij fton për të çfrytëzuar natyrën dhe palestrat
  • -Vdekja e vajzës e ligështoi, por nuk ia zbehu pasionin

Nga BUJAR QESJA

Sot është 24 prill 2019. Një ditë e zakonshme, me evenimente nga njerëz të zakonshëm. Një ditë me diell. Një ditë e ngrohtë, që të nxit të jesh më komod, për t’i uruar ditën e lindjes një njeriu, që gjithë jetën është i mbërthyer tek i njëjti pasion. Është marrë tërë kohën me edukimin fizik.

Edukimi fizik! Jo i plotë tek njerëzit, siç vjen tek Tomor Fishta. Një burrë me shtat mesatar, me një peshë brilante të përshtatshme, me një këmishë të lehtë, fsheh muskujt e lëvizshëm, duke treguar se “njeriu nuk plaket nga mosha, por sa don vetë”.

Tomor Fishta! Një emër shumë i njohur në Durrës. Një jetë modeste, por me shumë interesa. Çfarë interesash? Kjo pra, edukimi fizik. Që nga ngritja herët, e tërë ditën ky njeri është vetëm në ecje. Çfrytëzon rëndë dy palestra: atë natyrore dhe palestrën e veglave gjimnastikore. Madje me gjimnastikën, Tomor Fishta është dashuruar që në rininë e hershme. Tomor Fishta, Alqi Klemo, i paharruari Dashamir Kërtusha, Diamant Cingu e ndonjë tjetër, kanë bërë histori në gjimnastikën e Durrësit.

Tomi! Kështu i thërrasin durrsakët. E gjen shumë lehtë, po të kërkosh buzë detit të Currilave, apo në plazh dhe në palestër. Mund të jenë shumë të rrallë njerëzit si ai, që të ushtrojnë edukatën dhe kulturën fizike në mënyrë të mirfilltë. Më mori dje në telefon. Unë e dija, por ma tha edhe ai, se sot me 24 prill 2019, mbush 77 vjeç. Por ajo që më befasoi ishte, se si një dhuratë që ia kishte bërë vetes për këtë ditë të bekuar, qendronte një video ku bënte vertikalen, lëvizte mbi paralele dhe unazë, bënte pompa dhe kërcime nga vendi pa i thyer këmbët, e çfarë nuk bënte. Ma dërgoi dhe më tha:
“ Shikoje njëherë Bujar, se mbase të jepet për të më bërë një urim publik, ashtu siç din të shkruash ti, mirë dhe bukur”.
-Të falenderoj profesor Tomi për vlerësimet, ia ktheva. Mbase kam qetësinë e nevojshme dhe pse jo të mos shkruaj edhe dy rradhë për ju.

Kalova në faqen e fb-kut të profesorit. Dhe para se të shikoja videot e tij të shumta, më preku një lajm, që kishte dhënë kohë më parë. Njoftonte për vdekjen aksidentale, të vajzës së tij Evisit, në lule të rinisë. U drithërova dhe e ngushëllova me shpirt këtë njeri të sportit, që vazhdon të mbetet itensivisht i sportit.

Por edhe shumë modest ky Tom Fishta. Jo shumë foto të trupit të tij të rrallë, sikur për të thënë më shikoni në det, në natyrë dhe në palestër. Një edukatë sportive dhe një edukim fizik si Tom Fishta, është një shembull i mirë për të gjithë ne, duke filluar nga unë i pari. Ecje në natyrë, vrapime të lehta, aerobi, jetë aktive dhe me një dietë të reduktuar dhe efikase. Këto bën ky Tomor Fishta, njeri i qetë si një det i patrazuar, me një trup sikur ta ketë gdhëndur Mikelanxhelo.

-Duke qenë i bindur, se do të shkruash për mua, kam edhe një porosi. Mos më harro Vlash Radojën, gjimnastin virtuoz të Durrësit tonë, që dominoi me mjeshtrinë e tij gjimnastikën shqiptare në vitet 70-të. Ishte gjimnasti im.
Pas kësaj zëri zbehet, deri në ngjirje.
-Çfarë ke profesor? Fol!!!!
Si një psherëtimë e thellë dalë nga shpirti i një 77-të vjeçari të stërvitur, mundi të më thonte vetëm kaq:
-Vdiq Bujar para pak javësh. Na takon ta përmëndim. Ishte vlerë e qytetit. Por kohët sot janë të vështira dhe mirnjohja mungon, kupton mik, mungon. 
-Më mirë se fole profesor, nuk mund të shtoj gjë më shumë. Vlash Radoja është historia më cilësore e gjimnastikës së Durrësit dhe nga yjet e gjimnastikës shqiptare. Dhe nuk mori asnjë vlerësim. Asnjë.

Kam mall, për njerëzit e mirë të qytetit tim. Ato nuk duan lavde. Nuk i kanë për qejf ojnat dhe lulet. U mjafton ajo që kanë bërë në jetë. Dhe e kanë bërë mirë fare. Ato ecin të qetë në rrugët e qytetit, madje anës tyre, për të bërë atë të zakonshmen, atë që dinë të bëjnë më mirë se çdo gjë. Të ushtrojnë pasionin e tyre, me urtësi, kulturë dhe qytetari. Shembulli i tyre nuk merret me të bërtitura, por është gdhendur në vetë heshtjen dhe fisnikërinë që rrezatojnë.

Kështu është edhe Tomor Fishta. Asnjë gjë e shkruar për të. Asnjë gërmë, asnjë rradhë, asnjë faqe. Asgjë prej gjëje. Dhe si një përpjekje për të larë vakumin e krijuar, u përpoqa të hedh në letër këto shënime për të .

Gëzuar ditën e lindjes profesor Tomi!