Me dhjetëra djem e vajza nga Shqipëria po arsimohen në universitetet më të mira të botës, duke u kthyer në “brezin” e shpresës që do të bëjnë këtë vend në të ardhmen e afërt. 

Djali më i madh i dy prindërve intelektualë nga Durrësi, Arjan e Anila Myderrizit, që janë përpjekur me të gjitha mundësitë e tyre për të arsimuar fëmijët, sapo ka përfunduar vitin e parë për mjekësi si i pari student në universitetin amerikan Weill Cornell Medical College. 

Me një qetësi brilante e të admirueshme, një djalë i zgjuar dhe ëngjëllor. Këtë përshtypje të krijon studenti i mjekësisë, Rei Myderrizi, sapo e takon. Ka vëtëm pak ditë që është kthyer në qytetin e lindjes, pas përfundimit të vitit të parë të studimeve.

Univeristeti amerikan ka hapur 6 degë në Katar, midis tyre edhe mjekësinë, degë në të cilën konkuroi Rei Myderrizi, një vit më parë. Vetëm falë aftësive të shkëlqyera të treguara prej tij në mësime dhe në jetën sociale është bërë studenti i parë shqiptar, i pranuar në këtë degë nga ky universitet. I mprehtë, një intelektual i lindur, Rei thotë se regjistrimi dhe konkurimi ishin mjaft të vështirë, por suksesi ishte në anën e tij. Universiteti ku ai ka nisur studimet në programet e tij ka shkencat ekzakte, dhe Rei kishte treguar edhe më herët se i kishte mjaft për zemër këto lëndë.

Ish-gjimnazisti i kolegjit Turgut Ozal në Durrës ambiciet e tij në shkencat ekzakte i kishte shprehur gjatë pjesëmarrjes dhe fitimit të olimpiadave kombëtare e ndërkombëtare në matematikë, kimi –biologji dhe informatikë.

I brumosur me dije, Rei Myderrizi tentoi dhe konkuroi në universitetin amerikan, ku kriteret e pranimit ishin shumë të rrepta për një djalë që synonte majat e arsimimit të tij. Rei Myderrizi kishte synim mjekësinë për t’u bërë një mjek që shëron plagët dhe zemrat e njerëzve.

Rei kishte lënë pas dore shumë gjëra që bëjnë të rinjtë në këtë moshë, kafet me shoqërinë, të dalat me shokët, duke ju përkushtuar sistematikisht matematikës, kimi-biologjisë, informatikës dhe anglishtes. Falë një disipline të hekurt në mësime, Rei farkëtoi e skaliti karakterin e një nxënësi model, një nxënësi të shkëlqyer, i cili bën krenar jo vetëm prindërit e mësuesit e tij, por edhe të gjithë njerëzit që e kanë për zemër. 

Në limit të procedurave ishte regjistruar për të marrë pjesë në konkurs duke plotësuar kriteret jashtëzakonisht të vështira që kanë universitetet për degën e mjekësisë.

Pasi i kaloi fazat e para, intervistimi i drejtpërdrejtë, tre orë, sy më sy, nga tre pedagogë të ndryshëm, që shfrytëzonin nga një orë secili, ishte prova e fundit që Rei të pranohej.

“Emocionet ishin të mëdha jo vetëm se do të komunikonin në gjuhën angleze, por edhe sy më sy me ta” thotë 19-vjeçari për Durrëslajm.

Në intervistën 3 orëshe ne Katar e ka shoqëruar halla e tij, profesoresha e njohur e stomatologjisë, Prof. Dr, Ruzhdije Qafmolla e cila ka nxjerrë plejada studentësh të stomatologjisë dhe ka ndikuar në marrjen e vendimit nga ana e Reit për të studiuar mjekësi.

Por këtu pyetjet nuk ishin thjesht pyetje që ju bëhen nxënësve që sapo kanë përfunduar gjimnazin apo një kolegj, por pyetje që ju bëhen lidërve të ardhshëm.

“Nëse tiparet e një lideri të mirë dihen, pse zgjidhen lider të këqinj që të drejtojnë popujt?”- ishte një prej shumë pyetjeve rrufe që njëri prej pedagogëve i drejtoi Reit.

“Arsyeja pse ka lider të këqinj që zgjidhen nga popujt, është sepse liderët e këqinj nuk e kanë problem të gënjejnë dhe shpeshherë e paraqisin veten si një alternativë më e mirë krahasuar me liderin e mirë që thotë vetëm të vërteta”,ju përgjigj po aq rrufeshëm djaloshi durrsak.

Nga biseda me të mësojmë se pasioni për mjekësinë është skalitur në karakterin e tij përgjatë viteve. Talentin në kimi dhe biologji, Rei e ka të trashëguar nga gjyshërit e tij Ikbale dhe Abdulla Myderrizi. Ikbalja ka qenë mësuese biologjie dhe Abdullai inxhinier kimist, ish-student në Pragë.

“Unë gjithmonë kam dashur të jem një njeri i dobishëm dhe që i ndihmon të tjerët dhe mendova që mënyra më e mirë për të ndihmuar është nëpërmjet asaj që njerezit e kanë më të rëndësishme, shëndetit. Kjo gjë u bë me e dukshme për mua, kur gjyshërit e mi u sëmurën dhe kuptova që një mjek i mirë bën ndryshimin mes jetës dhe vdekjes, mes gëzimit dhe dëshpërimit të të afërmve të pacientit, prandaj dhe vendosa të vazhdoj këtë profesion”, thotë ai.

Por një kriter shumë i rëndësishëm për pranimin në universitet është puna vullnetare. Sapo është shkëputur nga mësimet në gjimnaz i është bashkuar me shumë dashuri vullnetarëve në punë të ndryshme, të cilat i ka bërë në komunitet. Pjesëmarrja në olimpiada, rezultatet e olimpiadave, puna vullnetare në komunitet me shërbime sociale janë dy prej kritereve po aq të rëndësishëm sa përgatitja intelektuale për të qenë student fitues në universitetet amerikane.

Rei e fitoi të drejtën e studimeve në Weill Cornell Medical College dhe ky ishte një gëzim i pamatë për familjen e tij. Kishte realizuar përpjekjet e mëdha e sakrificat e prindërve të tij.

Si student i ekselencës, bursa e studimeve u mor përsipër nga Fondacioni i Katarit.

Çdo student në degën e mjekësisë duhet të paguajë 52 mijë dollarë në vit, pa llogaritur shpenzimet e tjera. Këtë mundësi nuk e kanë familjet shqiptare. Por të rinjtë shqiptarë ekselentë i kanë të gjitha mundësitë të përfitojnë prej bursave që jepen për ta.

Falë punës së tij, fitoi degën e mjekësisë por viti i parë ishte shumë i vështirë.

“Fillimi ishte i vështirë, gjeta dy studentë të tjerë nga Shqipëria që studiojnë në degë të tjera dhe u lumturova jashtë mase. U lumturova sepse po flisja shqip me studentë po nga Shqipëria”, rrëfen student durrsak.

Rei ka edhe një apel për të gjithë të gjithë maturantët. Ai me qetësi ju tregon mundësitë që kanë për t’u bërë pjesë e një universiteti amerikan.

Rei, për çdo arritje të tij, u është mirënjohës mësuesve dhe familjes. Falenderimin e tij të parë ja jep mësueses së tij të fillores Znj. Lilika Nika. Një falënderim shkon edhe për profesor Adroan Naço, profesorit të matematikës që ka qenë i pa kursyer të ndihmonte çdo student që kishte pasion këtë lëndë.

Por mbi të gjitha ai ka një falenderim të veçantë për prindërit e tij, të cilët kanë qenë gjithmonë pranë tij dhe e kanë mbështetur në çdo hap të tij.

Rei është një prej studentëve të shkëlqyer dhe të rinjve shpresëdhënës të këtij vendi. Ne i urojmë Reit shumë suksese në rrugën e mjekësisë.

K.H.