Nga BUJAR QESJA

Nëntori i vitit 2020, apo siç thuhet ndryshe vjeshta e tretë, vjen jo me pak shqetësime për atë që quhet tronditje shpirtërore. Është një psikologji e rënduar shpirtërore, e krijuar nga një pandemi botërore. E na duhet të rezistojmë, të durojmë, të kacavirremi nëpër muret e mbijetesës, e ta veshim shpresën me atë optimizëm që sigurisht e ka ADN-ja e jonë. Rrija dhe mendoja. E përplasja trurin në labirinthet e memories dhe ndriçimi më erdhi në një pikë. Jo rrallë për t’u pozicionuar në shumë tema të sotme, në atë që quhet lëvrimi profesional i zanatit, bazohemi tek hershmëria e jetës tonë, që në këtë rast mund ta quajmë rini.

Ishte një orë e ditës, që si dikur Arkimedi bërtiti me të madhe “Eureka” edhe unë fola me një zë mbi vokalin normal:

E gjeta! E kaluara ime është fiksuar në dy personazhe, që m’i kishte iventarizuar kujtesa: xha Jani dhe i biri i tij Petraqi. Dhe më pas vjen e përplaset sa të ketë fuqi, një fakt tjetër që lidhet me këta të dy: Gazmenda. Emër shumë i veçantë, aq sa pas këtij rasti, nuk e kam hasur më një të dytë. E dija fort mirë që jepte lëndën e kimisë. Por kishte bërë shumë emër në Durrës. Do të bëj rrëfimin tim, paksa në zgjatim të rradhëve të shkrimit. Sado konçiz që të jem, rrëfimet kanë hapsirën e tyre dhe ndjesa vjen paralel me këtë në raport me lexuesin, pasi do ta mundoj në të fshehtat që do të shpalosim.

Ajo që më nxiti janë fiksimet e fëmijërisë, për një pjesë të historisë së Durrësit, të protogonistëve të tij, të cilët pa bujë, po me përkushtimet e tyre dhanë atë që u takonte, në formatimin e biografisë së qytetit tonë të lindjes. Duhet ti hapim disa kapakë të traditës, për t’u identifikuar me të tashmen tonë dhe për të patur kurajo për një brez pasardhës për të nesërmen e tyre. Kryelartësia në këtë rast u takon atyre, e brezi i rritur para tyre gëzohemi me atë që u kemi dhuruar. Më pas të bëjnë edhe ato formatimin e asaj bukurie shpirtërore, që do ti gëzonte dukshëm brezin e xha Janit, brezin e Petraqit dhe të Gazmendës, e pse jo edhe të brezit tim, për të vazhduar traditën e pasuruar atë.

Le ta nisim!

Xha Jani

Xha Jani, apo Jovan Tapija me origjinë nga Berati, vjen në Durrës që në moshën 5 vjeçare. Bëhet fjalë për fillimin e shekullit të kaluar. Por ky beratas kthehet në një durrsak të thekur, që zemra dhe shpirti i tij rrihnin vetëm për këtë qytet. Janë shumë beratas që kanë ardhë herët nga Durrësi. Mos gaboj janë edhe Manushët dhe shumë mbiemra të tjerë të njohur, të cilët me siguri janë flamurmbajtës të qytetërimit dhe civilizimit më të thekur të shoqërisë emancipuese të Durrësit. Xha Jani ushtroi për ca kohë profesionit e këpucarit. Por i vëllai në Tiranë që merrej me biçikletat, ia ndrysho mëndjen. Jovan Tapija ngriti një dyqan simpatik me biçikleta dhe sipas rasteve i riparonte, ose i jepte me qira. Kur kishte gara çiklizmi, ishte ky xha Jani që ia ofronte ato ekipit.

Kur më bie rasti të kaloj tek Hotel Durrësi, përballë ish lulishtes “1 Maji” (tani vetëm në kujtesë), ndaloj paksa. Duhet të kem qenë afro 10 -12 vjeç dhe kujtoj që pikërisht në atë vënd, në vitet 50-60-të Jovan Tapija kishte dyqanin e famshëm të biçikletave. Por nuk është thjesht kjo, ajo që dua të nënvizoj. Por ky dyqan ishte i famshëm, pasi qe kthyer në një qendër të tifozërisë durrsake, piktakimi i qytetarëve durrsakë.

-Ku takohemi?

-Tek dyqani i xha Janit.

-Si do të shkoj ekipi ynë sot?

-Të pyesim xha Janin.

E mbaj mënd si tani, një burrë i bëshëm, me një fizik mesatar, që kur fliste të dukej sikur këndonte këngën më të bukur në botë. E qeshura e tij buçiste si një katarakt dhe komunikimin e kishte në nivelin e një qytetari ekselencë. Tek Jovan Tapija qendronte tërë kohën, një kuadër i njohur i Durrësit të hershëm. Ishte nga Kavaja, por i akomoduar perfekt në Durrës. Emri i tij: Mihal Roshi. Durrësi ka qenë shumë sportiv. Futbolli dhe lojrat kanë një traditë të hershme në këtë qytetin tonë, që quhet edhe bregdetar. “Teuta” në vitet 30-tët, “Ylli i Kuq”, “Puna”, “Durrësi” e më pas “Lokomotiva”, janë dashuria e dytë krahas familjes i Jovan Tapijës. Të “vriste” për Durrësin, aq tifoz i tmerrshëm ishte. Diskutonte me zjarr, ngrohtësia e të cilit mbulonte çdo durrsak. Kur ishte nevoja edhe flamurin e vijërojtësit merrte dhe nuk ndahej nga kuadrati i fushës së futbollit.

Jovan Tapija ishte baraz futbolli i Durrësit. Ishin shkrirë dhe kishin të njëjtin identitet. Arsenali i fotove të tij është mahnitës. Pasioni i tij për fotogafinë, veçanërisht për futbollin e viteve 30-të, u trashëgua tek Petraqi, djali i vetëm

i familjes Tapija. Tapija i ri e ngacmoi më tej traditën, sa që krijoi koleksione të tëra me foto që pasqyronin një realitet të larmishëm.

Jam në të drejtën time ta bëj këtë krahasim, pasi kur jam njohur me arkivën fotografike që kishte në merak, thashë se ky është një thesar i futbollit durrsak. Sa pasionant, sa i dhënë pas futbollit, sa edhe frymën mund ta mbante e kureshtjen pas topit jo. Jovan Tapija i bie të ketë qenë pjesë i futbollit të viteve 30-të dhe më pas i disa dhjetëvjeçarëve të pas luftës. Dhe këtë pasion, këtë dashuri për Durrësin dhe futbollin e qytetit, ia bëri pjesë të ADN-së së tij edhe të birit, Petraq Tapijës.

Xha Jani lidhi jetën me një grua nga fisi i njohur i ulqinakëve Huta, të ardhur qëkuri në Durrës. Amalia kjo zonjë që ia zbukuroi shtëpinë xha Janit, u nda shpejt nga jeta, e sëmurë dhe shëndetligë. Duhet të ketë qenë viti 1973. Edhe Hutat, si edhe mbiemri Tapija, janë të lidhur shumë me sportet në Durrës. Një trashigimi e familjeve të fisme, të cilët mbajtën gjallë traditat shpirtërore në Durrës, pjeë e të silës mbeten edhe sportet e veçanërisht futbolli. Amalia lindi dy fëmijë, Varvarën që u trashëgua me vajzën Ira Mitre dhe Petraqin.

Një fakt interesant kujtohet. Kur lindi Gazmenda djalin e parë, gruaja e të birit Petraqit, xha Jani kërkoi t’i vinin emrin e tij, si zakon i hershëm i ortodoksëve të Durrësit. Por lufta kundër fesë që ishte në vitet 60-të, nuk ia lejonte këtë Shën – Jovan. Por miku i Petraqit, i miri Shefqet Karaj dha një mendim origjinal.

-T’ia vendosim Ardjan djalit, pasi në fund emri përfundon me fjalën Jan.

Vetëm kjo e bindi, qendrestarin e karakterit të tij Jovan Tapijën.

Xha Jani e donte Durrësin, aq sa çdo qelizë e trupit të tij e kishte shënuar këtë emër. Edhe kur i biri u caktua të punonte në Tiranë, ai pa i thënë gjë kërkujt i bie dyerve të pushtetit dhe i kërkon që ta kthejnë në Durrës. Edhe kur në fundin e viteve 70-të, familja e të birit tashmë duhet të jetonte në Tiranë, mezi arritën t’ia mbushnin mëndjen që duhej të linte Durrësin, qytetin që ishte vetë jeta. Ajri i Durrësit ishte pjesë e gjakut të tij. Në Tiranë nuk mud të jetonte dot. Një jetë e tërë pranë miqve e shokëve durrsakë. Një jetë të tërë në mbështetje të gjithçkaje që quhej Durrës. Shumë pak vite në Tiranë, për të marrë më pas një copë tokë në dheun e Durrësit të tij të përmallshëm, ku Jovan Tapija ndërtoi shtëpinë e përjetshme.

Ishte 8 dhjetori i vitit 1981, kur Xha Jani ynë, u përcuall për në zemrën e tokës durrsake. Tani mbetem i kënaqur, që e bëra më në fund Jovan Tapijën pjesë të shkrimeve të mia. Të mbetet i qetë, në përjetësinë e tij.

Petraqi

Fiksim tjetër i imi ishte edhe Petraq Tapija. Një fizik që dallonte nga të tjerët. I shëndetshëm, i bëshëm, por jo me një peshë që mund t’ia dëmtonte lëvizjet. Ecte shpejt rrugëve të Durrësit dhe përshëndeste njerëzit me një buzëqeshje, që ishte ulur si një pranverë në fytyrën e tij. Jakën e këmishës e mbante mbi atë të xhaketës, duke krijuar një performancë origjinale. Mbase emrin në atë rast nuk e dija se si t’ja vendosja, por bëj një paralele me kohën e sotme. Ishte një zotëri i vërtetë. Dukej që ishte sportiv dhe koha e mëvonme do të ma evidentonte plotësisht portretin e tij.

Pa dashur të mërzisë lexuesin me formalizimin e jetës së tij, natyrisht jam i detyruar të prek disa cilësi. Në vitin 1994 nisa të botoj të vetmen të përjavshmen sportive në historinë e publiçistikës durrsake “Teuta Sport”, duke krijuar unikalen. Nuk e dija por më pas e mësova, momentet dramatike dhe rrënqethëse të jetës së Petraqit tonë. M’u bë një njeri shumë i dashur, ani se nuk e kam takuar asnjëherë në jetë, ndonëse u bë pjesë i një çasti të verpimtarisë time. U bashkuan në një e kaluara e ulur këmbëkryq në kujtesën time, me këtë të fund viteve 90-të. Kur “Teuta” e Durrësit, me 30 prill 1994 u kurorëzua kampionia e Shqipërisë në futboll, duke shënuar suksesin e parë dhe të vetmin deri tani, në përmasat e një triumfi të jashtëzakonshëm, ky Petraq Tapia fluturonte nga gëzimi. Ndonëse mjetet e komunikimit nuk ishin këto të tanishmet, ai gjeti mundësinë dhe bëri një përshëndetje në “Teuta Sport” drejtuar sportëdashësve dhe opinionit qytetar, duke ndarë me ta kënaqësinë e një arritje fantastike. Shpirti dhe zemra e tij, ishte bashkuar me shpirtin dhe zemrën e botuesit të “Teuta Sport”, ishte bashkuar me zemrën dhe shpirtin e të gjithë durrsakëve, të cilët e zbardhën natën e fitores, duke ndezur zjarre në të gjithë perimetrin e stadiumit. Dhe këto zjarre së pari krijuan atë prush, që ngroh edhe tani pas 26 vitesh.

Petraq Tapija ishte aq i ekzaltuar, saqë iu duk sikur të dy këmbët e prera, i kishte të plota dhe ecte me shpejtësinë e dëshirës së tij, duke thërritur me sa mund:

“Dolëm kampionë! Dolëm kampionë! Oh, sa e kemi dëshiruar këtë ditë! Është një ëndërr e shumë brezave, por që nuk mundën ta shikonin. Çou xha Jani, shiko Durrësin tënd se si feston! Je dhe ti aty, babai im, i gjallë. Jam edhe unë aty. Janë të gjithë shokët tanë, që nuk jetojnë aty. Dhe të gjithë janë ngjallur.”

Me fjalët e këtij ekzaltimi, kam në arkivën time edhe disa vargje himn për “Teutën”.

Dhe më pas mësoj edhe për cilësi të Petraq Tapijës, këtij burri që në gjakun e tij kishte genet e një durrsaku të madh, biri i një beratasi por me një pasaportë përjetësisht të Durrësit. Ishte 16 qershori i vitit 1932, ku në familjen e Jovan Tapijës, u dëgjuan të qarat e një fëmije. Nënë Amalia kishte lindur një durrsak mbi durrsakë, një djalë që e dashuroi Durrësin si familjen e tij dhe kur u nda nga jeta me 8 prill 2002, kishte përcaktuar vendimin që banesa e përjetësisë, do të ishte Durrësi, ajrin e të cilit mua më duket në imagjinatë, sikur e thith edhe tani.

Nga shkolla e njohur “10 Korriku”, në teknikumin financiar në Tiranë. Në Moskë të Bashkimit Sovjetik, mbaroi studimet për ekonomist transporti, por xha Jani durrsaku i thekur i historisë së sporteve të Durrësit, ia prishi emërimin në komisionin e Planit të Shtetit, duke ndikuar të vinte në Durrës. 10 vite në Durrës, Petraq Tapija, u njoh me çdo qelizë të qytetit, ku mbrëmjeve mbulohej si një vello nusërie nga flladi joshës që fryente nga thellësia e Adriatikut. Ai e dashuroi marrëzisht qytetin e lindjes. U lidh dhe me çfarë nuk u lidh. Në det rrëmbehej me punë me peshkatarët. Jetonte pranë tyre. Është edhe një foto historike, teksa i gëzohet kapjes së një peshku gjigand. Ku ishin garat masive të notit, Petraq Tapija notonte së bashku me njerëzit e thjeshtë dhe garonte me ta. Ishte amator i gjuetisë së peshkut, duke u futur në ujë deri në brez. Ku bëheshin provat e operas gjigande me amatorë durrsakë, Petraq Tapijën do ta gjeje sërish.

Detyrën e nënkryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Durrësit në vitet 1966-1969, e ndau së bashku me punëtorë, kuadro dhe specialistë të profesioneve të ndryshme, pasi nuk rrinte minutë pa i takuar ato. Shumë masovik dhe energjitë e tij, ishin gjithnjë gjeneruese. Në atë kohë në Durrës në drejtim ishin burra babaxhanë, që durrsakët flasin me shumë respekt edhe sot e kësaj dite. Kujtojmë Iliaz Rekën, Salih Verdhën, Feruz Matajn, e Petraq Tapija ishte shok dhe koleg me to. Punuan shumë për Durrësin dhe durrsakët. Dhanë shumë dashuri dhe pjesë të shpirtit të tyre, e salduan me shpirtin e durrsakëve. U munduan shumë, u lodhën shumë dhe as u shkonte ndërmënd për të prekur përfitime.

Një e dhënë paraprake përcakton masivitetin që kishte ky njeri i palodhur, gjithë kohën në lëvizje, gjithë kohën në shërbim dhe detyrim të njerëzve. Miq të tij ishin Shazivar Gruda, Nikolin Xhoja, Franc Ivanaj, Shaban Hidri, Teodor Bixhi, Tom Murati, Naim Misiri, Naim Haznedari, Jetgjat Todi, Vasil Nakuçi, Halit Nova, Shefqet Karaj, Adem Allushi, Eleni Mandi, Hasan Sulejmani, Hatixhe Katro, Eleni Kote etj. Janë të të gjitha sferave, në profesione dhe kategori të ndryshme përfaqësimi. Ku nuk e shikoje Petraqin. I shjeshtë, i matur, i saktë, energjik, fiziku ia lejonte të lëvizte shumë, duke shkuar sa në sport, aq edhe në art, sa në peshkim aq edhe në fllotën tregëtare, sa në shkolla, aq edhe në ndërmarrje ekonomike.

Durrësi e qau me lot largimin e Petraq Tapijës drejt Tiranës, m’u në fillim të viteve 70-të. Punoi disa vite si drejtor, në drejtorinë e transporteve në ministrinë e komunikacionit dhe më pas në Komisionin e planit të shtetit, në drejtorinë e transporteve. Në epilog të punës, u ofrua më shumë pranë masës së gjërë, ku iu përkushtua organizimeve të punës në konfederatat e punonjësve.

Prej 10 vitesh fizikun e fuqishëm të Petraqit, filloi ta brejë mola e diabetit, kësaj sëmundje të pashërueshme. Trupi që lodronte me aq lehtësi në ujët e detit, trupi që nuk pa kurrë ujë të ngrohtë, trupi që konkuronte edhe notarët cilësorë tek garonin, trupi i kalitur në ecje, vrapime në natyrë filloi të kërcënohet papritur. Dhe ky diabet tek Petraq Tapija, ishte rebel. Enët e gjakut pikërisht tek pjesa më e fortë e trupit të tij këmbët, filluan të ngushtoheshin deri në gangrenizim. Megjithëse jetoi disa kohe me gjysëm trupi, mëndja e tij meti gjithnjë tek Durrësi. Dashuria e tij mbeti e pa cënuar, për qytetin e përbashkët të lindjes. Në varrezat e vjetra të Durrësit, do të gjesh dy varre, në njërin shkruhet Jovan Tapija dhe në tjetrin Petraq Tapija. Tashmë janë pronë e jona. Babë e bir për Durrësin dhe përjetësisht në Durrës.

Kujtimi ynë të shoqëroftë tërë kohën, biri i Durrësit Petraq Tapija. Vërtet të prenë të dyja këmbët, por nuk të prenë kurrë mallin dhe dashurinë e pandrueshme për Durrësin tënd.

Gazmenda

Një peshë e rëndë në familjen e Petraq Tapijës, ku ndjehesh prezenca e fuqishme dhe autoriteti i xha Janit, një burrë i mënçur, i qeshur por duke iu bashkëngjitur edhe serioziteti, ku së bashku krijonin staturën e një njeriu ku i duhej secilit në familje, ishte edhe Gazmenda.

Bukuria e kësaj vajze elbasanase, kombinohej me bukurinë shpirtërore, me komunikimin e ëmbël dhe mbreslënës, ku i kishte vënë detyrë vetes të ishte bashkëshorte e denjë, nuse e preferuar e shtëpisë, grua e zonja në shoqëri dhe punë dhe një nënë e dhëmbshur dhe e ndjeshme.

Është nga fisi i njohur i Borodanëve, me origjinën e hershme të gjyshit nga Voskopoja, e lidhur me përpjekjet që bënin rilindasit si Gjerasim Qiriazi për formatimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Gazmenda si vajza e parë, i dha gaz shtëpisë së Theohar Borodanit. Ishte dëshira e Theoharit, që vajzës ti vihej emri Gazmenda. Në vitin 1943, koha kur lindi gruaja e ardhshme e Petraq Tapijës, Theohar Borodani lirohet nga internimi, ç’ka i dha jetë arsyjes që vajzës ti vinte emrin Gazmenda. Bijë punëtorësh të ndershëm dhe zanatçinj soji. E ëma nga Korça ishte rrobaqepëse dhe i jati njihte mirë tregtinë e mishit, duke qenë edhe një kasap me emër në Elbasan.

Landa Bixheku, është emri që Gazmenda nuk do të mund ta harroj kurrë. Jo vetëm se ishin shoqe të ngushta kursi, në fakultetin e Shkencave të Natyrës dega biologji – kimi, jo vetëm se Landa ishte një vajzë fisnike dhe tipike e urtësisë dhe mënçurisë durrsake, por edhe se ajo ishte ndërmjetësja e lidhjes së jetës me durrsakun e fisëm Petraq Tapija.

Pas mbarimit të shkollës, në vitet 1966 e deri në vitin 1977, Gazmenda punoi në Durrës, duke shkëlqyer si grua krenare, mësuese që shikohej me shumë respekt nga nxënësit, një vajzë e emancipuar dhe shumë e dashur me kolegët e punës. Punoi në gjimnazin “Naim Frashëri” dhe më pas në filialin e spikatur të Durrësit.

Flet me shumë mirnjohje për mësuesit me peshë në Durrës dhe dy durrsakë më se të shkëlqyer Petro Luarasi dhe Nysret Reka.

Zor se mund të gjendet një grua si ajo, që të kishte një komunikim dhe raport të përsosur me vjerrin e saj, xha Janin e njohur në Durrës. Xha Jani ndërhynte, por nuk vendoste. Xha Jani kishte dëshirë të dilte e tija, por dëgjonte shumë edhe të birin dhe të shoqen. Xha Jani nuk donte të shkonte në Tiranë, kur Petraqi u transferua dhe Gazmenda iu bashkua kolektivit të shkollës së famshme në Tiranë “Petro Nini Luarasi”, por nuk mund të cfiliste ato, duke e bërë abone për vite e vite rrugën Tiranë – Durrës.

Çifti Tapija u shtua me tre fëmijë. I pari Ardjani, Lydra- vajza e vetme dhe Durelti. Të tre fëmijët kanë nga një histori, duke përfshirë edhe djalin e Lydrës Tildin. Për Ardjanin kam folur. Lydra emër tejet i veçantë. Petraqi shkon e takon një ditë historianin dhe arkeologun e njohur Vangjel Toçi. I kërkon ta ndihmojë me një emër vajze. Dhe i mënçuri Toçi, i propozoi emrin ilir Lydra, dlirësi, mirësi virtyte të hershme të shqiptarit. Ndërsa Durelti është një bashkim interesant i emrave të qyteteve aq të dashur për familjen Tapija : Durrësi, Elbasani dhe Tirana. Dhe Ardjani e luan këtë “lojë” edhe me nipin e tij Tild (Tiranë, Indrit, Lydra, Durrës).

Gazmenda së bashku me fëmijët, jetojnë pas largimit nga jeta të Petraqit në Amerikë, Nju Jork.

Jeta e Gazmendës është e lidhur ngushtë me tre qytetet më të dashura për të: Elbasani, ku lindi, Durrësi ku lidhi jetën me Petraq Tapijën dhe Tiranë destinacioni final në tokën shqiptare. E më pas dheu i largët, por krijesë e demokracisë Amerika. Gazmenda ndjehet e kënaqur me jetën, pavarësisht peripecive dhe vështirësive objektive. Kujton me shumë mall të shoqin Petraqin, por edhe xha Janin, Jovan Tapijën, beratasin simpatik dhe të famshëm të Durrësit. Kënaqësia më e madhe e saj janë fëmijët, por veçanërisht nipi Tild-i dhe mbesa Emma.

Pavarësisht se jeton në Amerikë, dashurinë për Durrësin dhe durrsakët Gazmenda dhe fëmijët e saj Ardjani, Lydra dhe Durelti, nuk kanë pë ta harruar kurrë. Janë në lidhje miqësore dhe komunikojnë me banorët e lagjes së vjetër ku u rritën. Gazmenda mban mënd që rruga quhej “Drita” dhe dritë i dha fati në familjen e saj. Gjithnjë kujton Shyqyri Hidrin dhe të birin Flamurin, doktoreshë Desin të motrën e Ramazan Domit, Sul Kokomanin, Fak dhe Adem Allushin, Vasfi Kapllanin, Sadete Arapin dhe të vëllain Gimin, Liri Kokomanin etj. Shtëpia e tyre ka qenëe përballë fisit të njohur të Averikëve.

Ardjani, Lydra dhe Durelt-i

Kjo është kurora e ardhmërisë së çiftit Petraq dhe Gazmenda Tapija. Ardjani, që në gjysmën e emrit, ka brenda emrin e gjyshit të tij, lindi në korrik të vitit 1967. Veçanërisht gëzim i jashtëzakonshëm tek Jovan Tapija, që mori për herë të dytë “titullin” gjysh, pas mbesës Irës. Pas dy vitesh, po në muajin korrik familja Tapija shtohet me vajzë, me emrin e veçantë Lydra. Durelti, ndonëse lindi në një muaj të ftohtë dhjetor 1978, e ngrohu edhe më shumë sofrën e Tapijasve të njohur.

Dy djem dhe një vajzë, pasuria më e përkryer e familjes së Petraqit, duke patur në mbështjetje një Gazmenda, që gjithnjë kishte hare dhe mirësi në punët e saj.

Petraqi u përgatit si ekonomist jashtë vëndit, Gazmenda mbaroi për biologji kimi, Ardjani iu nënshtrua studimeve për mjeksi dhe punoi si oprtoped në spitalin ushtarak. Lydra preferoi të studioj për stomatologji dhe ushtroi edhe profesionin e kirurges maxillo-facile në spitalin Nënë Tereza. Durelti plotëson portofolet e zanatit të mjeksisë në familjen Tapija, në degën e veterinarisë.

Familje intelektuale, me arsimin duke kaluar në të gjitha shkallët e aftësimit, të kulturës dhe të dijeve dhe duke mbetur një grupin aktiv në nxitjen e civilizimit të qytetarisë shqiptare në zhvillim. Durrësi mbi të gjitha ka prioritetin e madh tek ata, pasi aty janë strehuar përjetësisht eshtrat e babit të tyre Petraqit dhe gjyshit Jovan Tapija.

New York (NY)

E përcaktova si nëntitull këtë pjesë të shkrimit, nisur nga ecuria e familjes Tapija. Prej shume e shumë vitesh, jetesa dhe aktiviteti i tyre është përqendruar në kryeqendrën e zhvillimit dhe demokracisë Amerikane Nju Jork. Atje po shkëlqejnë. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Në 8 milionë e 300 mijë e ca banorët e Nju Jorkut, janë edhe shqiptarët tanë të familjes Tapija. Janë pjesë e mburrjes tonë, pasi përbëjnë një elitë të inteligjencës shqiptare, në një vend të përparuar siç është Amerika. Na vjen keq që si kemi në gjirin tonë, por na vjen shumë mirë që me punën, aftësinë dhe zotësinë e tyre, janë krenaria dhe kryelartësia e jonë atje. Lydra është më e avancuar në ekselencën e saj. Bashkëshorti i saj një tjetër pjesë e Durrësit. Është djali i miqve tanë, i kuadrove të njohur në Durrës Ejup dhe Shyrete Maliqati. Vetë emri i tij Indrit është një mbarësi, pasi çifti Maliqati (xhunjor) po ndrisin në Nju Jork. Lydra ka konvertuar diplomën e saj shqiptare në Universsity of Pennsylvania School of Dental Medicine dhe është linçensuar në ushtrimin e profesionit të saj, duke ngritur klinikë private. Është vlerësuar si histori suksesi në shqiptarët e Amerikës, duke na dhënë një tjetër shans të gëzimit dhe kënaqësisë së pamasë që kanë miqtë tanë.

Po shkëlqejnë në aftësi, por edhe në konkurencë. Të bëhet zemra mal dhe entuziazmi të pushton shpirtin, ku lexoj me qindra vlerësime nga amerikanë që i bëjnë klinikës ku punojnë Lydra Tapija dhe Indrit Maliqati.

Tildi djali i këtij çifti fitimtarësh, duke rritur mundësitë e autoritetit të tyre në këtë Nju Jorkun gjigand amerikan, është tjetër kapitull i artë i mundësisë për t’u ndeshur dhe fituar. Pasi përfundoi studimet për biznes, punon në kryeqendrën financiare të Nju Jorkut -Manhaten. Ardjani dhe Durelti janë edhe ata në sfidat e tyre.

Gazmenda do ta dëshironte që Ardjani ta prishte beqarninë, ashtu sikundër iu gëzua martesës së Dureltit me polaken Aneta Nartowska. Lindja e vajzës Emma, e ka çuar gjyshen në qiellin e shtatë. Interesant është shpërndarja e Tapijasve në Nju Jork. Ardjani jeton në Forest Hill Ny, Lydra në Mamoroneck Ny, Durelti është vendosur në Queens Ny, ndërsa pika e referimit për të gjithë Gazmenda është përqëndruar në Bronx Ny. Kështu që Nju Jorku të jetë i qetë dhe i sigurtë, pasi Tapijasit tanë e kanë rrethuar plotësisht atë.

Epilogu

Ky është rrëfimi im, për fisin e njohur të Tapija në Durrës, fis i themeluar nga Jovan Tapija, i kristalizuar nga i biri Petraq Tapija dhe e vazhdon me dorë të sigurtë Gazmenda me fëmijët e saj. Jemi 115 vite pas ardhjes së Jovan Tapijës në Durrës, i cili e nisi me shumë mundim jetën e tij dhe formimin e familjes. Jovani së bashku me të birin Petraqin, janë “strehuar” përgjithmonë në Durrës, duke parë nga parajsa e tyre ecurinë e asaj familje, që është e gatshme kurdo dhe në çdo kohë të shpërndajë mirënjoje dhe buzëqeshje.

Në Nju Jork, në Amerikën e largët, në vëndin e demokracisë dhe fjalës së lirë, kemi një pjesë të Durrësit. Puna e tyre është meritë. Është meritë e vëndit ku e ushtrojnë atë, por edhe e vëndit nga vijnë. Ne mëndjen e kemi tek Durrësi ynë.

Nder dhe respekt paçi, Tapijasit tanë punëtorë, të mënçur dhe fisnikë!

Zoti jua bëftë mbarë për gjithçka!