• Nostalgjia dhe malli vijnë për ta shqyer shpirtin
  • Mustafa Çelkupa dhe fitorja historike e Spartakiadës së 3-të Kombëtare
  • Kjo fitore e bujshme iu mohua vetëm për arsyje politike dhe sot mbetet si një akuzë e hapur

Nga BUJAR QESJA

Nisi e bukur dhe e pastër kjo ditë, e së premtes së 24 janarit 2020. Sikur edhe kujtimet dhe mbresat, më duken kaq të bardha dhe të pastra. Ato vijnë kristal, duke u filtrurar akoma më shumë, në rrjetën e memories time dhe mbesin aty të palëvizura. Janë 18-të më të mirët e sportit durrsak, të vitit 1974, ku është kryer nga paraqitjet më të jashtëzaknshme të sportit të Durrësit. Ishte spartakiada e tretë kombëtare dhe Durrësi i Mustafa Çelkupës, u rendit në vendin e parë, por një “marifet” i rëndë, një hile e cila rëndon shumë edhe sot e kësaj dite, ia kaloi flamurin e fituesit Tiranës, ku ishte strehuar paria e Shqipërisë.

Është fundi i vitit 1974. Është 30 vjetori i çlirimit të Atdheut. Është viti i Spartakiadës së Tretë Kombëtare, aksionit më të fuqishëm dhe më të famshëm fizkulturoro sportiv i kohës. Sportistët e Durrësit, të drejtuar nga një emër historik, për të cilin duhet të flitet e shkruhet më shumë Mustafa Çelkupa, duke patur në përbërje një staf mjeshtrash dhe specialistësh me zë, arritën të luftojnë dhëmb për dhëmb me Tiranën deri në errësirën e vonë të ditës sëë përfundimit të finaleve. Flamuri dhe i gjithë dokumentacioni ishte bërë për të vlerësuar si fituese Tiranën, ndodhi mrekullia. Ekipi i Durrësit, luftoi deri në çastet e fundit, duke besuar tek suksesi i jashtëzakonshëm.

Kolosët tanë të sportit, të paharruarit Idriz Çinari dhe Rruf Kazazi, inkurajuan garistët durrsakë të bënin të pamundërën, për ti dhënë nder dhe dinjitet Durrësit, njëri prej qyteteve më sportive dhe më me traditë në Shqipëri. Nga salla e shahut vjen sihariqi i vendit të parë. Fatos Muço me të tijtë, i kreu detyrat e tij. Pingpongu e mbylli edhe ai me medalje ari. Dhe duhej qe atletika te zinte vendin e tretë, që ti kalonte Durrësit nderin fantastik, që s’kishte ndodhur kurrë më parë.

Dhe i miri, atleti i garave të thellësisë Rrahman Morina, u “coptua” derisa bëri detyrën. Shtabi i atletikës durrsake inkurajonte me sa mund grupin e atletëve, të cilët nuk vraponin por veçse fluturonin mbi pistë. Dhe bëhet e pamundura. Durrësi fiton me vetëm 1 pikë. Darka zbehet. Organizatorët presin frymëmarrjen. Flamuri i fituesit ç’gjyroset. Durrësi fitoi! Pse u prishën planet! Sporti luhet në terren dhe jo në tavolinë. Dhe kur luhet keq, fituesit njollosen dhe gara humbet bukurinë.

Kjo foto ma ngjalli mallin, e kësaj qendrese që vlen të përmëndim. Dhe për këtë jam. Për këtë po punoj. Që të mos harrojmë dhe të mos harrehemi. Një pjesë na kanë ikur nga kjo botë. Një pjesë janë sëmurë e të tjera po plaken. Por historinë e bukur të sporteve të Durrësit, ta shkruajmë e mos ti harrojmë protogonistët, të asaj dite dhe të ditëve të tjera. Të mos e harrojmë organizatorin e talentuar, mitikun tonë Mustafa Çelkupën, i cili e la kryelartë sportin durrsak dhe kur e përcolla për herë të fundit drejt Tiranës, pasi u transferua nëpërmjet drithërimash më tha:

-Do të më kujtoni Bujar! Bëra më të mirën time. Së bashku me shumë kolegë, specialistë e patriotë të sporteve të Durrësit, ju lamë faqen e bardhë dhe kryelartësinë. Mirupafshim biri im, djali i mikut tim të madh Xhafer Qesja.

I hipi trenit tek stacioni i vjetër dhe teksa lotonim të dy, me duart e ngritura lart përshëndetnim njëri tjetrin. Aso kohe isha vetëm 23 vjeç. Viti 1974. Lulëzimi i sporteve të Durrësit. Dominim dhe demostrim i fuqishëm i tij.

Cilët janë në foto? Lart nga e majta. QAMIL QATO peshëngritje. I larguar nga jeta. I jati i kampionit të boksit Kreshnik Qato. Kampion në peshën e rëndë. Xhuljeta Veterniku, basketboll. Kryelartësia e basketbollit të femrave.NYSRET REKA, basketboll. Shtyllë e arritjeve. NIKO PROFKOLA, i jashtëzakonshëm. Nga talentet më të spikatura të top koshit të Lokomotivës. Mjeshtër i Madh. Qytetar Nderi i Durrësit. TATJANA KALAVACI, qitje. E mrekullueshme performancën sportive. KRISTAQ TODI, qitje. Kampion kombëtar. Burrë zotni, i urtë dhe fisnik.

Në mes nga e majta: VLASH RADOJA, gjimnastike. Virtuoz, i përsosur në lëvizje. Nuk jeton më prej një viti. SHEFIK DERVISHI, mrekullia e atletikës në vrapimet e 3000 dhe 5000 metrave. Invalid. I harruar. PRANVERA DYRMISHI, atletikë. Kampione në vrapimet e mesme. FATMIR SHYTI, peshëngritje. Trajner dhe peshëngritës kampion. Me rezultate të larta ndërkombëtare. Lëngon në shtrat prej shumë vitesh dhe ndodhet në Bari të Itallisë. FATOS MUÇO, legjenda e jonë e shahut. Pikë referuese i fuqisë së sporteve të Durrësit. ILIR RRUGIA, mundje klasike. Kampion, shumë i fortë dhe gati i pathyeshëm.

Rradha e tretë, nga e majta: RRAHMAN MORINA, atlet i vrapime te mesme dhe të thellësisë. Bashkorti i atletes Fatbardha Dervishi. I larguar nga jeta. Një burrë zotni dhe me humor të paharruar. MAKSUT LESHTENI, futbollist. Nga më të famshmit në topkëmbën durrsake. NAIM DOLLAKU, futbollist. Portjer titullar për kohën. Një goditje në zemër e ndau nga jeta. OSMAN KAPEDANI, qendërmbrojtës, i grumbulluar me ekipin kombëtar të Shpresave. LUTFI ZINO, një çiklist legjendë për Durrësin dhe ekipin kombëtar. Jeton në Manhaten të Amerikës. I dëmtuar rëndë gjatë një gare, por mbijetoi.

Kjo është kartolina e kësaj dite, që mendoj që do të na gëzoj të gjithëve, pasi janë një pjesë e artë e sporteve dhe sportistëve të Durrësit. Janë ajo pjesë që veçse dhanë dhe në shkëmbim të anës materiale, merituan respektin dhe mirnjohjen e sportëdashësve dhe qytetarëve durrsakë.

Lapsi im do të freskojë gjithnjë kujtesën e tyre. Një detyrim, që i shkon për shtat përkushtimit, angazhimit dhe sakrificave të tyre, për të përfaqësuar të njëjtin emër, të njëjtin flamur të përbashkët: Durrësin tonë të shtrenjtë dhe fort të dashur.