Nga BUJAR QESJA

Në varret e qytetit italian të Piaçencës, është strehuar përjetësisht edhe një djalë i yni. Një djalë nga qyteti shqiptar i Durrësit. Italianët as nuk mund ta marrin me mënd, se ndër bashkombasit e tyre që vlejnë të kujtohen, është edhe një intelektual i njohur, një inxhinjer kimist, një njeri i urtë nga një derë fisnikësh me mbiemrin Kurti. Pa dashur është një nder për ta, është nga ato dukuri që quhen të veçanta, por që koha i shënoi si ngjarje krejt normale. Mijrat e shqiptarëve të emigruar 30 vite të shkuara, janë shtuar akoma edhe më shumë në numura dhe një pjesë kanë fituar edhe nënshtetësinë italiane. Ndër to edhe Shtjefën Kurti.

Italianët kanë privilegjin, sepse ky emër vlerë i Durrësit është tek ta dhe ne vendosim në prehërin e kujtesës, lulet e pavyshkura tek varri i tyre imagjinar. Qajmë me lotë shpirti shpirtërat tanë, që eshtrat e tyre tashmë janë të destinuara të treten në dheun e huaj, por të një dheu që ka bashkuar edhe këtu si në të gjallë italianë dhe shqiptarë. Dhe pikërisht në këtë dhe, që nga 26 shtatori i vitit 2019 është edhe shtëpia e parajsës e djalit tonë të përmallshëm, me një emër të veçantë Shtjefën dhe me mbiemër fort të lakuar Kurti.

I jati i Shtjefnit, Franci, është renditur me meritë në antologjinë e shkëlqyer të mësuesisë durrsake. Ky burrë me origjinë nga Kosova dhe i lindur në qytetin e njohur të Ferizajt, do të bëhej shtyllë e arsimit në Durrës duke kryer detyra nga më të ndryshmet. Shumë korrekt, i përpiktë si një orë dhe i disiplinuar si një ushtarak familja e Franc Kurtit, do të bëhej e njohur në Durrës. I martuar me një shkodrane po kaq të fisme në prejardhje si Kurtët, me emrin edhe kjo të veçantë Tonine, kjo familje u shtua me katër fëmijë Shtjefnin, Jolandën që jeton në Amerikë, Zefin që për atdhe të dytë zgjodhi Italinë dhe Aleksandrin që na këputi shpirtin me largimin nga jeta vite e vite të shkuara. Sandri ishte martuar me vajzën e profesorit të famshëm të kimisë Agim Shehu, Vinin, ku ka lënë edhe një trashigimtar.

Franc Kurti nisi punën në sektorin e arsimit në qytetin e Vlorës, diku nga viti 1945 dhe pas kësaj transferohet në Durrës, ku bëri historinë më mbreslënëse për një burrë të ndershëm, për një njeri me autoritet falë punës dhe përkushtimit, duke arritur të drejtoj edhe disa shkolla. Për xhaxha kishte martirin shqiptar, që u pranua shënjtor i kishës katolike, priftin e njohur Dom Shtjefën Kurti, i pushkatuar nga regjimi i Hoxhës me 20 tetor 1971. Mbase ka qenë kjo arsyeja, që Franc Kurti e trashëgoi emrin Shtjefën tek i biri, për të ruajtur derën e fisme të Kurtëve, e denjë për një trashigimi patriotësh.

Shtjefën Kurti! U lind në Tiranë me 5 janar 1941. Dhe më pas e tërë jeta e tij u zhvillua në Durrës. Si më i madhi i familjes Kurti, Shtjefni dha shembullin se si mund të formatohet një jetë me rezultate, falë cilësive dhe përkushtimit, arsimimit dhe formimit kulturor, për t’u bërë i vlefshëm në shoqëri. I urtë, me një natyrë të qetë, duke folur më shumë me vështrimin e tij të mprehtë dhe të ëmbël, i aftë dhe i saktë, i përpiktë dhe me disiplinë shëmbullore, Shtjefën Kurti çau në jetë, duke u bërë i vlefshëm për shoqërinë. Pasi i mbylli studimet në shkollën e mesme në Durrës, iu nështrua arsimimit universitar në Sofje të Bullgarisë në degën e inxhinjerisë kimike. Studenti shqiptar e kreu me sukses misionin e tij, për të realizuar më pas në Durrës performancën e një kuadri të aftë, të një kolegu të preferuar, të një drejtuesi që shikohej me simpati nga njerëzit, të një njeriu me cilësi konkuruese.

Në jetë do të ndeshej me punë të ndryshme, por në të gjitha mbeti i njëjti, i urti dhe i miri Shtjefën Kurti. Mjaft i ri nisi detyrën në fabrikën e letrës në Lushnje. Do të vinte viti 1969, kur Shtjefni do të emëroj në fabrikën aq të njohur dhe të dashur për durrsakët atë të cigareve. Tregoi aftësi profesionale dhe shumë njerëzore, si në prodhim inxhinjer turni e shef reparti, e deri në byronë teknologjike.

Një djalë simpatik, ku bukurinë ia shtonte edhe më shumë sjellja dhe komunikimi, tërhoqi vëmëndjen e një vajze të hershme durrsake. Ishte shoqe pune me të dhe ku më shumë se këtu, njihen njerëzit. Shtjefën Kurti, hodhi rrënjët e një dashurie të bukur, të çiltër dhe ëndërruese, me Verën, vajzën e Vlash Priftit, një veterani të njohur të luftës, në familjen e të cilit u lindën dhe u rritën 7 fëmijë. Lumturia e familjes Kurti u shtua edhe më, me daljen në jetë të të dy djemve, njëri më i mirë se tjetri Klodi dhe Franci. Dhe Franci i njohur i arsimit dhe i qytetarisëe durrsake, ka shansin e jashtëzakonshëm të trashigimisë së emrit.

14 vitet në fabrikën e cigareve nuk u ndien. Lodhje, punë, kënaqësi, sfida e përpjekje pa fund, për të lartësuar karakterin e një njeriu të formuar, të një intelektuali që kurrë nuk thirri për të vënë në dukje aftësitë e tij, por uli kokën e kreu më shumë se mirë detyrat që i takonin. Cilësitë e tij organizative kishin rënë në sy, duke e ngarkuar me përgjegjësinë e rradhës, siç ishte puna delikate në institutin e kërkimit shkencor të peshkut.

Inxhinjeri i njohur i këtij sektori Nasho Huta, flet me shumë mall për kolegun e tij të të punës.

-E kam të gjallë portretin e tij, kujton Huta. U njohëm në vitin 1983, për të mos u ndarë kurrë nga kujtimet dhe respekti për njëri tjetrin. Shtjefni do të kujtohet gjithnjë për urtësinë dhe maturinë, por edhe për aftësinë dhe profesionalizmin. Kudo ku punoi la gjurmët e një specialisti të mirformuar, por veçanërisht mbeti një njeri i rrallë dhe shumë i preferuar në shoqëri. Bëni mirë që shkruani për të, pasi njerëz të tillë i bëjnë nder qytetarisë durrsake.

Vite, punë, suksese dhe problematika. Dhe inxhinjeri kimist Shtjefën Kurti dilte gjithnjë fitues, pasi vinte gjithnjë në lëvizje mëndjen, por edhe urtësinë. Janë këto cilësi që e detyruan kolektivin e fabrikës së cigareve, që në fillimet e viteve të vështira të tranzicionit të thërritnin ndihmën e stekave të vjetra, të atyre që suksesin e kishin patur pjesë të pandarë të punës, t’i bënte thrirrje Shtjefën Kurtit të rikthehej në fabrikë. Viti 1994 erdhi me peshën e vështirësisë, por të lehtësisë nga cilësitë profesionformuese të Shtjefën Kurtit.

Gjeografi e dëndur lëvizjesh dhe emërimesh brenda vëndit, gjeografi po e tillë jashtë Shqipërisë teksa organizoheshin panairet në Qipro, Gjermani, Itali, Maqedoni etj, ku Shtjefni me kolegët e tij mbronin dhe evidentonin vlerat cilësore të prodhimeve të cigareve Madein Albania, të fabrikës së famshme të cigareve të Durrësit.

Mbresa dhe emocione të pafund ka për inxhinjer Shtjefnin edhe ekonomistia e kësaj fabrike, një aktiviste e njohur e shoqërisë civile Mira Dobi.

-Gjithnjë Shtjefën Kurti do të mbetet në memorien time, një burrë i lartë, ku pamja e hijshme kishte lëshuar më parë rrënjë në zemrën e tij. I gjërë në shpirt, i madh në bindje Shtjefën Kurti u bë mbrojtës i punëtorëve, i kolegëve të punës kur e shikonte që kishin të drejtë dhe kërkonin përkrahje. Si për mua ashtu edhe për të tjerë, ka mjaft raste që e vërtetojnë këtë. I ka dhënë shumë Durrësit dhe mori prej qytetarëve të tij mirënjohjen.

Shtjefën Kurti! Një intelektual i klasit të parë, por i heshtur. Sa të tillë kemi në Durrës, që nuk janë dukur, por kanë vulosur dukurinë e tyre me punë, mund, thjeshtësi e pasuri shpirtërore. Ky sportist i hershëm, ky erudit i profesionit por edhe i librave dhe literaturës së shumtë që lexonte, ky vullnetmirë dhe dashamirës ndaj punës dhe njerëzve, nuk kishte pse të çfaqej. Misionin e dinte dhe u përpoq deri në fund të ishte në lartësinë e tij.

26 shtator 2020. 1 vit pa Shtjefën Kurtin. Bashkëshortja e nderuar Vera dhe dy fëmijët e tij Klodi dhe Franci, kanë detyrimin të përkulen dhe përulen në varrin e njeriut të tyre më të dashur, i cili i vështron me sytë e memories dhe të kujtimeve aq të bukura dhe të paharruara. Veçse një porosi vjen nga Durrësi i tij, nga miqtë dhe shokët që e deshën me zemër.

-Mos harroni Vera, Klodi dhe Franci të vendosni edhe një kurorë me lule, me mbishkrimin drithërues dhe emocionues: Shtjefnit tonë të shtrenjtë! Ne miqtë dhe shokët e t’u, do të kujtojmë gjithnjë. Veprimtaria yte, mbeten pjesë e pacënuar e investimit të qytetarisë durrsake për qytetin e tyre. Gjithnjë në kujtimet tona!

Dom Shtjefën Kurti është shenjtor i kishës katolike. Ndërsa intelektuali Shtjefën Kurti, është shenjtëruar nga qytetaria durrsake. Më mirë nuk ka ku të shkojë.

Në Piaçenca është një shenjë shqiptare. Në një nga varrezat e këtij qyteti italian, flen përjetësisht një njeri. Ai është intelektuali i heshtur dhe i miri i pa cënuar Shtjefën Kurti.

“Gjumë “ të ëmbël vëlla!

Gjithnjë i zgjuar në memorien tonë!