Gjeneral Esat Pashë Toptani vazhdon ende të mbetet një personazh historik me shumë dritëhije. Ndoshta shkaku duhet kërkuar te mania pa mbarim e shqiptarëve për ta revizionuar çdo gjë nga e kaluara si dhe në liberalizimin e tregut të botimeve që, gërshetuar me mungesën e redaktimit shkencor, çon hera-herës në botime jo krejtësisht të sakta në pikëpamje historiografike. Sigurisht që është normale, madje e domosdoshme, që historia të trajtohet në vazhdimësi. Kjo lidhet më së shumti me kërkimet nëpër arkiva vendase e të huaja dhe, për një vend të mbyllur ku ka vepruar historiografia shqiptare, është e natyrshme të zbulohen në vazhdimësi dokumente të reja. Në këtë botë s’ka gjë më të keqe se me vënë të pa bërat?! Gjeneral Esat Pashë Toptanit dhe akuzat që i bëhen, çdo njeri e ka për nder e detyrë të shkruajë të vërtetën, për njërën nga ngjarjet më të mëdha të saj Mbrojtjen e Shkodrës në rrethimin e vitit 1912-1913 dhe në mënyrë të veçantë për kryembrojtësin e saj.

Njeriu që me luftën e tij i ka bërë shërbimin më të madh Shqipërisë, vazhdon të cilësohet tradhtar, madje si tradhtari më i madh në gjithë historinë e popullit shqiptar. Pikërisht ai që gati për shtatë muaj rresht drejtoi qëndresën më heroike që është zhvilluar në historinë e popullit shqiptar, në truallin shqiptar dhe për llogari të Shqipërisë e të shqiptarëve duke mbrojtur Shkodrën nga sulmet e forcave luftarake malazeze e serbe në periudhën më kritike e më fatkeqe në historinë shqiptare, në kohën e Luftërave Ballkanike 1912-1913. Ky është Esat Pashë Toptani.

Që në fillim duhet të pranojmë se luftës për mbrojtjen e Shkodrës duhet t’i dedikojmë faktin dhe fatin, meritën historike dhe nderin që Shkodra më 1913-ën, kur u vendosën kufijtë e shtetit shqiptar, mbeti pjesë përbërëse e këtij shteti. Përndryshe, bërthama rreth së cilës mbështillet simbolika historike e civilizimit shqiptar – Shkodra, nga pikpamja e përbërjes etnike të popullsisë do të ishte krejt tjetër, e shumta diçka midis Tivarit dhe Ulqinit, mbase e tjetërsuar edhe me emër tjetër. Megjithatë, edhe një fëmijë shkolle, edhe një shkollar “me të lartën”, po ta pyesësh se kush është tradhtari më i madh shqiptar, pa u menduar shumë, do të të përgjigjet se ai është Esat Pashë Toptani. Edhe titullin “pashë” nuk ta thotë aq për korrektesë emërtese të titullit se sa për të “precizuar” klasën e tradhëtarëve. Nuk u mjaftuan me fundin tragjik në të gjallë, por nuk iu ndanë edhe për së vdekuri. Me metodat e terrorit politik e eliminuan nga politika dhe nga jeta duke e vrarë me atentat. Porse nuk e lanë të qetë edhe pas vdekjes, atje në varr. Atentat për së gjalli dhe atentat për së vdekuri. Tashmë ai atentat i bëhet historisë kombëtare të shqiptarëve.

Sa e keqe është “kur të venë të pabamen”, po aq e keqe e në mos më shumë është kur të mohojnë bëmat, natyrisht, bëmat e mira, kontributin në luftën dhe qëndresën për të mbrojtur trojet kombëtare nga sulmet e armiqve. Çdo studiues e njeri me moral të lartë, është i brengosur jo vetëm për akuzat krejt të pabazuara e keqdashëse ndaj Gjeneral Esatit, porse injorimi dhe denigrimi i tij është mënyra më dajllëzore e mohimit të Luftës së Shkodrës. Heroizmi për mbrojtjen e Shkodrës pa komandantin e saj është sa absurde, aq edhe qëllimkeqe, keqdashëse.

Është e njohur vlera e thënies se, në do t’i mohosh të ardhmen dhe t’i mbyllësh perspektivën një populli, mohoi të kaluarën. Pa të kaluar, pa histori, nuk ka të ardhme. Shtrëmbërimi i fakteve historike, falsifikimi i historisë do të thotë që atij populli t’i mbyllësh perspektivën. Dihen dëmet e mëdha që i sollën shkencës historike mohimi, shtrëmbërimi dhe falsifikimet për shkak të komunizmit integral, por po aq me pasoja është edhe kur ajo detyrohet t’i nënshtrohet frymës së integralizmit e globablizmit. Sa kohë që do të egzistojnë kombet, do të ketë edhe histori kombëtare, të cilat kanë e duhet të kenë për bazë parimin e objektivitetit, të respektimit të së vërtetës historike dhe të frymës kombëtare.

Historia mbi 3500-vjeçare e luftërave të popullit shqiptar ka regjistruar shumë luftime në rrethim në përpjekje për të marrë qytete, kështjella apo vende strategjike. Për hir të pozitës dhe rëndësisë strategjike, Shkodra me kështjellën e saj ka përjetuar numrin më të shumtë të rrethimeve. Por rrethimi më i gjatë dhe më i egër ka qënë ai në tetor 1912 – prill 1913, që njihet edhe si Lufta e Shkodrës apo Lufta për mbrojtjen e Shkodrës.

Pasi shkelën pothuajse gjithë viset shqiptare, ushtritë pushtuese serbo-malazeze dhe greke pengesën më të madhe  e gjetën “në kryeqytetet e Shqipërisë, Shkodër dhe Janinë,” – shkruan Mihal Gramenua në “Kryengritja shqiptare”- ku luftonin trimat shqiptarë nën komandë të luftëtarëve të mëdhenj, Esat Pashë Toptani dhe Esat Pashë Janina.

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1912 – 12 gusht 1913) ku gjashtë Fuqitë e Mëdha u morën me çështjen shqiptare, është i njohur fakti se lufta më e ashpër diplomatike u zhvillua për fatin e Shkodrës, nëse ajo do t’i mbetej shtetit të ardhshëm shqiptar apo – do t’i jepej Malit të Zi. Por lufta e vërtetë zhvillohej në terren, në arenat e betejave të përgjakshme të Shkodrës së rrethuar, në malin e Taraboshit, në kodrat e Bërdicës, të Bardhanjorëve, në fushën e Shtoit, etj; nën breshërinë e bombardimeve të pandërprera natën dhe ditën të artilerisë serbo-malazeze, të predhave e të shrapnelave të saj, të sulmeve nervoze tokësore e të përleshjeve fytafyt e thikë për thikë; luftë për jetë a vdekje.

Mbrojtja e Shkodrës është elidhur me heroizmin e ushtarëve e komandantëve të garnizonit turk dhe të forcave shqiptare rezervistë e vullnetarë së bashku me prijësit e tyre popullorë. Por merita e dy komandantëve të saj Hasan Riza Pasha dhe Esat Pashë Toptani janë tepër të rralla dhe i kanë shoqet të pakta në historinë botërore të luftërave. Zvogëlimi deri në mohim i vlerave të asaj Lufte dhe i mesazheve të saj, i rolit, meritave, sakrificave dhe zotësisë së komandantëve të saj, sidomos Esat Toptanit është pjesë e strategjisë “shkencore” të planeve antishqiptare. Nuk mund të mendohet se ç’mund të kishte bërë në ato kushte më shumë e më mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët më i zoti strateg, politikan dhe komandant, se Esat Pashë Toptani.

Me rezervistët e tij shqiptarë Esati luftoi krah për krah për mbi gjashtë muaj në llogoret e luftës. Ndërsa tre muajt e fundit, pas vrasjes së Hasan Riza Pashës më 30 janar 1913 e deri në fund kur u bë dorëzimi, ai komandoi i vetëm gjithë forcat mbrojtëse që përkon me pjesën më të madhe të kohës dhe në periudhën më të vështirë të mbrojtjes së Shkodrës. Pas asaj qëndrese fenomenale tej së cilës nuk mund të shkohej pa e kompromentuar atë, pas atij heroizmi që u mbyll me nder dhe lavdi, gjë që e pranoi edhe pala armike, u bë dorëzimi. Historianë ushtarakë venë në dukje se në historinë ushtarake janë shumë të rralla raste të tilla të një dorëzimi kaq me nder.

Libri “Esat Pashë Toptani dhe akuzat, qi bahen” merr shkas nga një artikull i botuar në tre numra të revistës “Koha jonë” për problemet e mësipërme. Por përgjigjet rreth atyre problemeve dhe të mjaft çeshtjeve për Historinë e Shqipërisë përbëjnë lëndën e parë në fjalë.

Libri i sipërthënë është botuar në Stamboll më 1977. ndonjë “modifikim” i sythit përkatës në tekstin akademik “Historia e Shqipërisë” pjesa III, botim i vitit 1984. Në kushtet e censurës së fortë kur, si në çdo fushë tjetër, edhe shkenca e historisë duhej t’u përmbahej detyrimisht skemave e tezave të caktuara, ishte i “përligjur” një qëndrim i tillë. Porse nuk mund të shpjegohet tani ky qëndrim, i njejtë me atë të kohës së diktaturës, veçse si një vendosmëri për t’i qëndruar besnike tezave të historiografisë sllavo – greko – bizantine edhe për periudhën në fjalë.

Përse mohohet emri dhe vepra e Esat Toptanit në këtë ngjarje të pëshembullt në historinë tonë kombëtre? Përse roli i tij kthehet me kokë poshtë? Kush është më i interesuar për këtë dhe përse e gjithë kjo këmbëngulje? A është ky një atentat vetëm ndaj personit, politikanit, komandantit trim dhe strategut të Luftës së Shkodrës apo është një atentat që i bëhet historisë sonë kombëtare?

Kur më 17 maj 1914 filloi rebelimi kundër Princ Vidit dhe shtetit shqiptar të sapo ngritur, puna e parë që kryen ishte mënjanimi nga shteti i Esat Pashë Toptanit, të cilit, në qeverinë e parë të Princit të sapo ardhur iu dhanë dy portofolet më të rëndësishme: i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes. Duke larguar Esatin nga qeveria dhe nga Shqipëria, armiqtë e Shqipërisë hoqën pengesën  kryesore për t’i vënë flakën asaj dhe për ta kthyer vendin në anarki me anën e rebelimit dhe të pushtimit ushtarak grek të kamufluar si “lëvizja” për autonominë e Vorio Epirit. Në vend krijohet një anarki e përgjithshme një përshkrim të së cilës i bën sekretari i legatës rumune në Durrës, princi Sturdza, i cili ishte mik i Shqipërisë: “Sot në Shqipëri çdo nismë e mirë, konstruktive, është e dënuar të dështojë. Ç’farëdo rruge që të ndjekësh, fqinjët e afërm dhe të largët do të ta bëjnë të pamundur për t’i dalë në krye. Edhe po të jesh i butë e i shtruar, agjentët e huaj do të bëjnë çmos që të ta prishin mendjen gjersa të rrëmbesh pushkën e të hidhesh në kryengritje. Mjete, armë e të holla hyjnë nga çdo anë e kufijve për t’iu shërbyer qëllimevet shkatërronjëse të të huajve. Vetëm po të duash të luftosh për çeshtjen kombëtare si atdhetar i ndershëm, s’të vjen kurrkush prapa, do të gjesh pengesa nga të katër anët, dhe përpjekja jote do të dështojë në rrëmujën e përgjithshme.

Edhe një fakt tjetër është domethënës. Ndaj Luftës së Shkodrës është mbajtur një heshtje mbytëse.

Gjeneral Esat Pashë Toptani dhe akuzat, që i bâhen “është një polemikë” për ngjarje dhe persona historikë.

Nuk qe vallë gjeneral Esat Pashë Toptani njeriu që në mëngjesin e 19 majit 1914, në Durrës, ndërsa topat austriakë të pozicionuar në Plazh godisnin shtëpinë e tij, të dilte me bizhame në dritaren gjysmë të shembur, e të shpallte me buzëqëshjen më të qetë: Duket që e paskërkan me mua?

Nga ana tjetër, siç e kam thënë edhe më lartë, është historia e mbrojtjes së Shkodrës, që siç është thënë edhe nga kundërshtarët më të egër të tij i shton prestigjin figurës së gjeneral Toptanit. Qarkullojnë fjalë se ai iu dorëzua malazezëve, pa qënë i shtrënguar për t’a bërë një gjë të tillë, mirëpo për të gjetur të vërtetën duhet të marrim lajme edhe nga populli që rrojtën për tre muaj në rrethim pa bukë, ushqime, ujë e municion, nën zjarrin e armikut, vetëm ata mund të përgjigjen nëse momenti i dorëzimit ishte apo jo legjitime.

Po gjithsesei, për të dëshmuar gjenialitetin e vet, mjafton ideja e veshjes me rroba të reja e të gjithë trupave të tij, në ditën e dorëzimit, e të daljes nga Shkodra me flamujt e valëvitur, si një ushtri fitimtare, përpara malazezëve që ju bënin nderimet e ngjanin si të mundur. Jeta e trazuar e gjeneral Toptanit – që nga ditët në të cilat ai komandonte xhandarmërinë e Janinës e deri në qeverinë e Durrësit – është objekt i shumë legjendave në Shqipëri; por nuk besoj se mund ta lehtësojnë nga të gjitha akuzat. Por na nevojitet të gjykojmë vetëm njeriu pushkë; të kemi kurajon ta zhveshim nga çdo lloj paragjykimi sentimental, ta shqyrtojmë gjeneral Esat Toptanin në tabllon e mentalitetit shqiptar, e jo të zbatojmë mbi të skemat intelektuale të gjykimit tonë Europian, do të shihet atëherë se ky njeri, qoftë edhe duke iu bindur këshillave të ambicieve dhe interesave të veta, i ka dhënë më shumë se i ka marrë kombit. I takon qeverisë të marrë një vendim; eshtrat e tij të merren nga vorrezat e ushtarëve serbë në Paris dhe të vendosen në Vorrezat e Kombit në Tiranë.

Esat Pashë Toptani kreu detyrën si ushtar, si komandant, si strateg, si shqiptar. E mbrojti Shkodrën dhe atë e gëzojnë shqiptarët edhe sot e gjithë ditën. E mbrojti me shqiptarët dhe me ushtarët turq. Mbrojtja e Shkodrës tregoi se ç’ishte në gjendje të bënte ajo që është quajtur “aleanca shqiptaro – turke” edhe pse Perandoria Osmane ishte në rënie e në dekadencë, ishte në zgrip. Diti si askush të menaxhojë fuqinë dhe vullnetin ushtarak në dobi të kombit.

Janina ra në duar të grekëve më 6 mars 1913. Ka mbi 150 vjet, që, ashtu si trojet e tjera shqiptare të aneksuara fqinjëve, shqiptarët i vuajnë dhe i qajnë me lot. Ekrem Bej Vlora në “Kujtimet” e tij, por edhe të tjerë tregojnë se ndër shkaqet më të rëndësishme të rënies së Janinës ishte dezertimi i forcave shqiptare nga viset jugore. Qeveria e Ismail Qemalit u detyrua të hyjë në bisedime me komandën turke në përpjekje për ta frenuar atë fenomen shkatërrues me pasoja fatale për tërësinë e trojeve shqiptare dhe të ardhmen kombëtare. Në Shkodër nuk ngjau një fenomen i tillë. Për këtë meritë ka, në radhë të parë, komandanti i mbrojtjes Gjeneral Esat Pashë Toptani.

Kur Konferenca e Ambasadorëve kishte marrë vendimin përfundimtar më 22 mars 1913, ndonëse me shpirt ndër dhëmbë, Shkodra vazhdonte qëndresën. Këmbëngulja e Austro – Hungarisë që Shkodra t’i mbetej shtetit shqiptar merrte forcë nga qëndresa fenomenale e mbrojtësve të saj. Janë të njohura rastet në histori të zbatimit të “parimit” të faktit të kryer. Kishin kaluar shtatë javë nga vrasja e Hasan Riza Pashës. Në komandën e mbrojtjes ishte Esati. Kishte pasur aq kohë në dispozicion për ta dorëzuar jo njëherë, por disa herë, nëse kishte ndërmend, i shtyrë nga ato motive për të cilat akuzohet. Por ai luftoi, lufton si luan dhe, po të riprodhojmë një fjali të një romani me subjekt Mbrojtjen e Shkodrës, si një “Luan në dy krahë, si burrë Shqipërie dhe si pasha tyrku…” E mbrojti dhe e mbajti edhe mbi një muaj pas marrjes së vendimit për kufijtë veriorë e veri – lindorë, deri më 23 prill. Po ta kishtë dorëzuar para 22 marsit, para se të merrej vendimi, tjeter fat e priste Shkodrën, një fatalitet i vërtetë.

                                                                                                                                Gjeneral Esat Pashë Toptani

Tashmë dihen debatet dhe prirjet e palëve në Konferencë, madje edhe përpjekjet e shumicës së përfaqësuesve të saj për ta ndryshuar vendimin në favor të Malit të Zi edhe pas rënies së Shkodrës më 23 prill. Por tani nuk mund të ndryshohej asgjë pa rrezikuar shpërthimin e luftës botërore, për të cilën Fuqitë përgatiteshin intensivisht por që ende nuk ishin të gatshëm. Vendimi që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë tashmë ishte marrë dhe nuk kishte më asnjë mundësi që diskutimet të rifillonin edhe njëherë nga e para.

Qëndrimi i historiografisë shqiptare ndaj figurës së Esat Pashë Toptanit mund të shërbejë si shembulli më tipik për t’i dhënë kuptim dhe vlerë thënies së Napolonit: “Historia është një fabul ose një legjendë për të cilën jemi marrë vesh”. Ashtu si për të gjithë Historinë e Shqipërisë por sidomos për ngjarjet pas Pavarësisë, historia ka dëshmuar se është shkruar si një fabul për të cilën është rënë në ujdi. Por një ujdi për të keq. Ndryshe nga historiografia serbe, e cila bie në ujdi për të “bërë” historinë dhe lavdinë e saj me legjenda e gjëra të sajuara, historiografia jonë bie në ujdi për të shkatërruar hitorinë kombëtare për inat të Esatit dhe të nacionalizmit. Gjeneral Toptani, me qëndrimin burrëror, në Luftën e Shkodrës, kreu nje detyrë atdhetare dhe, kur është fjala për të mbrojtur të vërtetën, edhe një obligim ndaj zotit dhe njerëzisë. Ai ishte një njeri që u orientua me mençuri përmes vështirësive që errësonin botën e vjetër kozmopolite otomane, një njeri që kishte parë e njohur shumë njerëz të tjerë, një burrë me një jetë kaq të pasur.

Po i mbyllim me një pasazh të fjalës që tha Esati para parisë së Shkodrës, ashtu si na i bjen gazetari Italian Gino Berri në librin e tij “Rrethimi i Shkodrës”. “Dëgjoni: ajo çka ndodhi ndoshta nuk mund të ndodhte ndryshe. Por nuk e di nëse të gjthë e keni ndërgjegjen të qetë. Nëse Turqia humbet një krahinë, ju shikoni të mos humbisni atdheun tuaj. Unë do të nisem me mbeturinat e kësaj ushtrie të lavdishme të rrethimit, por juve u le atë që është më e shtrenjtë: të vdekurit. Dhe toka më e pakaprcyeshme e Shtojit, Bardhanjorit, të Bërdicës dhe Taraboshit të jenë për juve të shenjta, për shumë kujtime të lavdisë e të sakrificave. Te ky atdhe të rrahë zemra e të gjithëve”.

Doktor i shkencave Novruz Zejnati, Kolonel R.