Është mbyllur faza e parë e Superligës në basketboll për meshkuj, teksa janë luajtur tri takimet e javës së 10-të. Asnjë surprizë, pasi trioja e kreut ka fituar sfidat, duke bërë që asnjë ndryshim të mos ketë në klasifikim.

“Kampione e dimrit” u shpall skuadra e Goga Basket, që doli fituese nga sfida me Kamza Basket, ndeshje e luajtur në fushën e kësaj të fundit. Një fitore e lehtë e ekipit durrsak, që debuton në Superligë dhe arrin të dominojë në kampionat, duke bërë një paraqitje të mirë.

Fiton edhe Teuta, që mundi 98-69 Tiranën në “Fahrie Hoti”, një ndeshje e dominuar nga durrsakët. Ekipi i Teutës krijoi një epërsi të lehtë në pjesën e parë, për të vulosur më tej fitoren në 20 minutat e dyta.

Tirana rezistoi në fillim, por më pas u detyrua të “hapë krahun”, pasi epërsia e durrsakëve ishte e ndjeshme, që e merituan fitoren.