Edhe pse ekipi i Teutës i ka fituar dy trofetë e këtij sezoni: Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, sërish skuadra durrsake nuk gjen paqe për sa i përket trajnerit. Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Afrim Bilali ka deklaruar se nuk është më trajner i këtij ekipi detyre, të cilën shkodrani e mori vetëm një muaj më parë. Ende nuk dihet emri i trajnerit të ri.

Afrim Bilali është trajneri i tretë që shkarkohet nga Teuta këtë sezon, një ekip që po “ha” koka trajnerësh edhe pse ata janë fitues. Sezoni 2018-2019 nisi me Boban Ninic, që u shkarkua dhe në vendin e tij erdhi Miodrag Baletic. Me këtë të fundit, skuadra durrsake triumfoi në Kupën e Shqipërisë, por edhe kjo nuk mjaftoi.

Një muaj më parë drejtimin e Teutës e mori Afrim Bilali, që para pak ditësh fitoi Superkupën. “Nga dje nuk jam më pjesë e Teuta Basket. Pavarësisht arritjeve dhe tejkalimit të objektivave të vendosura nga drejtuesit e këtij ekipi, një ditë pas shpalljes fitues të Superkupës drejtuesit kanë vendosur që marrëdhenia jonë të ndërpritet. U vonova një ditë për ta postuar këtë status për të kuptuar se ku kam gabuar, por sado që u mundova nuk arrita të gjej ndonjë gabim në punën time… Gjithsesi e shijova punën me ekipin, sfida të tjera na presin”, shkruan Bilali në rrjetet sociale.