Fitorja e gjashtë e Teutës në basketboll për meshkuj në Ligën Ballkanike, që sot mposhti 101-83 kosovarët e Bashkimit, ndeshje e luajtur në Prizren. Sukses i merituar i skuadrës durrsake, që falë dy pikëve të marra sot ngjitet në krye të renditjes, duke shkuar në kuotën e 15 pikëve (durrsakët kanë edhe 3 humbje).

Jo vetëm kaq, por Teuta hedh një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinaleve të play off-it.Kjo është fitorja e tretë radhazi për durrsakët në 10 ditë, që pasi mposhti dy herë brenda pak ditësh kazakët e Barsy, sot tregoi një formë të mirë edhe ndaj Bashkimit.

Me përjashtim të periodës së parë, që ishte e ekuilibruar dhe u mbyll 26-25 në favor të durrsakëve, pjesa tjetër e takimit u dominua nga Teuta. Skuadra e trajnerit Baletic ishte superiore në fushë, duke patur gjatë gjithë ndeshjes një epërsi prej 8-10 pikësh.

Pjesa e parë u mbyll 54-46 për Teutën, që ruan këtë ritëm edhe në pjesën e dytë. Bashkimi tenton të rihapë ndeshjen në çerekun e tretë, por pa sukses. Madje në 10-minutëshin e fundit është Teuta ajo që thellon shifrat, duke fituar 101-83.

Wilson me 23 pikë ishte shënuesi më i mirë për Teutën, mbështetur edhe nga Hysenagolli me 20 pikë. Ndeshja e radhës për Teutën, më 23 janar, ndaj maqedonasve të Kuzov, në Durrës.